Ajo që po ndodh sot në Kosovë, ka ndodhur edhe në Shqipëri në vitet 1920. Pas rënies së Perandorisë Osmane, në Shqipëri, sistemi arsimor ka patur shumë luhatje. Edhe te ne ashtu sikur te ju, pati grupe njerëzish, siç ishte kleri katolik, kleri musliman etj që donin futjen e mësim besimit nëpër shkolla. Por në anën tjetër pati edhe njerëz të inspiruar nga idetë komuniste, socialiste dhe laiciste perëndimore, si fjala bie Rexhep Agopashiqi -Mitrovica, Mirash Ivanaj, Ali Këlcyra, Stavro Vinjahu etj të cilët kërkuan heqjen e fesë nga shkollat dhe laicizimin e shqiptarëve. Grupi i besimtarëve të krishterë dhe muslimanë, besonin se mësim-besimi i nevojitej Shqipërisë për të ndërtuar një brez të ri dhe të virtytshëm, i cili do të donte Zotin, kombin dhe traditat e tij. Por në anën tjetër, revolucionarët socialistë kërkonin që të ndërtonin njeriun e ri të oksidentalizuar shqiptar, i cili do të besonte vetëm në komb, dhe jo në Zot.
Si pasojë e luftës së grupeve të ndryshme për pushtet dhe influencë, historiku i arsimit publik në Shqipëri në lidhje me mësimin e fesë ka njohur disa faza. Faza e parë e zhvillimit të arsimit shqiptar me gërma latine i përket atij të viteve 1913 – 1914 dhe 1916 deri në 1918. Në këtë kohë, kur Shqipëria ishte nën sundimin austriak dhe u hodhën themelet e para të shtetit kombëtar, mësimi i gjuhës dhe historisë së Shqipërisë shkonte paralel me mësimin e fesë. Pra shkollat e para shqipe në Shqipëri i mësonin fenë fëmijëve. Përjashtim bëri vetëm republika e Korçës, ku pushtuesit francezë nuk e futën temën e mësimbesimit nëpër shkollat e tyre. Sistemi i mësimit të besimit në shkollat e Shqipërisë vazhdoi deri në vitin 1921. Pas këtij viti, dhe si pasojë e rënies së Perandorisë Austro-Hungareze në Ballkan, dhe triumfit të ideve laiciste dhe komuniste nëpër Evropë, ndikimi i tyre u ndje edhe te shqiptarët, të cilët adoptuan sistemin francez dhe rrëzuan modelin austriak. Modeli francez parashikonte largimin e mësim-besimit nga shkollat e Shqipërisë. Kush ka lexuar librin e Enver Hoxhës, “Vite të Vegjëlisë”, do të kuptojë që fara e komunizmit dhe urrejtjes ndaj Zotit në Shqipëri u mboll në këtë kohë. Enver Hoxha tregon që në shkollën e tij në Gjirokastër, mësuesit ia shanin fenë. Ja një citat nga ai libër:
“Në shkollë ne jo vetëm që nuk na flitnin për fené, por kishte mësues që na flitnin kundër saj. Në familjen tonë nga baba Çeni, dervishët dhe hoxhallarët trajtoheshin xhahilë…”
Një fëmijë që rritet pa besuar në Zot, ka më shumë shanse që të kthehet në një shejtan, siç u bë edhe Enveri ynë.
Por edhe pse mësim-besimi u largua nga shkollat e Shqipërisë, kleri musliman i Shkodrës dhe në veçanti ai katolik i rezistoi për një kohë të gjatë reformave oksidentalizuese dhe laicizuese të pushtetit të Tiranës. Hoxhallarët vazhduan që të mësojnë nëpër mejtepe rininë me fe, ndërsa kleri katolik, i cili në atë kohë posedonte të ardhura të shumta ekonomike që i vinin nga Italia, hapi shkolla, kolegje jezuite dhe franceskane në të gjithë vendin, nëpërmjet të cilave arriti ti transmetojë fenë komunitetit katolik. Mësime fetare në këtë kohë në Shqipëri bënin edhe misionarët protestantë të cilët merrnin fonde shumë të mëdha nga organizatat misionare të Amerikës me qëllim për të konvertuar muslimanët dhe ortodoksët në protestantizëm.
Në këto ditë që në Kosovë po zhvillohet debati mbi të ardhmen e mësim-besimit në vendin tuaj, mua më ka rënë rasti të lexoj librin e botuar në Shkodër në 2006 me titull “Letërkëmbim (1947 – 1958) Mustafa Kruja – P. Paulin Markgjokaj.” Ky libër i cili është i mbushur me letrat që Mustafa Kruja (ish-kryeministër i Shqipërisë në kohën e të cilit u hapën shkolla shqipe në Kosovë) dhe P. Paulin Markgjokaj, prek në shumë raste mardhëniet e shtetit me fenë në Shqipërinë e fillimshekullit të 20të. Në letrën e datës 15 janar 1952, Mustafa Kruja i rrëfen priftit Markgjokaj historinë e lëvizjeve politike në Shqipërinë e vitit 1920. Sipas Krujës, momenti deçiziv i cili vendosi fatet e Shqipërisë, ishte viti 1919 – 1920. Në këtë kohë, lufta politike në Shqipëri nisi të dominohet nga organizatat e fshehta dhe masonike, siç ishte edhe organizata e njohur si Klika apo komiteti i fshehtë Bashkimi Kombëtar. Ky grup ishte ai që me mbështetjen e britanikëve, organizoi Kongresin e Lushnjes, shkatërroi pushtetin e bejlerëve, esadistëve, sunitëve dhe popullatave të Shqipërisë së Mesme dhe Gegërisë dhe më pas vuri themelet e shtetit të ri shqiptar. Sipas Krujës, Klika e cila organizoi qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjes, ishte një organizatë e dominuar nga toskët. Këta, gegët i shikonin si njerëz primitivë dhe tribalë, dhe kërkonin ti dominonin. Qëllimi i Klikës ishte që në pushtet të sillte njerëz me origjinë toske, të ndërtonte një shtet laik dhe të përjashtonte dhe luftonte klerin katolik nga mundësia për të dominuar politikat e ardhme të Shqipërisë. Sipas Krujës, arsyeja pse në Shqipëri u mboll fara e komunizmit, dhe ndasitë gegë e toskë, duheshin gjetur te vetë Kongresi i Lushnjes dhe grupi i njerëzve (shumica toskë) që e dominuan atë, pasi me këtë kongres u mbollën rrënjët e shkatërrimit të kombit e cila do të kulminonte me tragjedinë komuniste në vitin 1945.
Por sido që të jetë e vërteta, ajo që ndodhi në Shqipëri në vitet 1930, ku vendi u laicizua dhe në emër të perëndimorizimit, u shkatërrua feja dhe tradita, janë faktorët kryesorë të cilët i mundësuan komunizmit të hedhë rrënjë dhe triumfojë në Shqipëri dhe ndërtojë një gjeneratë njerëzish të cilët arritën që në vitin 1967 të shkatërrojnë kishat dhe xhamitë e Shqipërisë dhe kthejë Shqipërinë në një vend bunkerësh. Proçesi i laicizimit dhe luftës kundër fesë në Shqipëri ka patur pasojat e tija edhe në Kosovë. Në shoqërinë kosovare si në kohën e Enver Hoxhës, por edhe sot janë prodhuar njerëz me urrejtje ndaj fesë dhe traditave të popullit shqiptar dhe historisë së tij. Në kohën e Enver Hoxhës, kur ne shqiptarët e Shqipërisë arratiseshim nga Shqipëria dhe kërkonim që Shqipëria të kthehej në një vend demokratik, kishte kosovarë të këtillë që na shikonin si agjentë dhe anti-shqiptarë.
* * *
Në debatet që janë bërë ditëve të fundit në Kosovë, mua më ka tërhequr vëmendje shkrimi i Hamdi Thaçit, profesor në Gjimnazin "Sami Frashëri" në Prishtinë, me titull “Shpjegim anemik i një beteje të humbur”. Në këtë shkrim, autori i cili duket se është me bindje të majta dhe adhuron Esad Mekulin, përpjekjen nga Bashkësia Islame e Kosovës për të lobizuar qeverinë për të futur mësim besimin në shkollat e Kosovës, e cilëson si një përpjekje tinëzare. Fenë Islame e quan një ideal të huaj fetar për shqiptarët, e barazon me sundimin serb, e trajton si një faktor prapambeturie, si nxitëse të akteve vetëvrasëse, si rrobë të klimës shkretëtinore arabe, çallmë aziatike dhe egoizëm ideologjik osman, si një imponim kundër farës dhe gjakut tonë etj. Kur lexon shkrimin e Hamdi Thaçit të jepet përshtypja sikur po lexon Zërin e Rinisë apo Zërin e Popullit të kohës së komunizmit në Shqipëri, kur feja trajtohej pak a shumë me të njëjtat fjalë.
Në garën për të kundërshtuar futjen e mësim-besimit në Kosovë, duket se nuk qëndrojnë më pas edhe fetarët katolikë. Në kundërshtim me historinë e zgjuar të klerit katolik në Shqipëri, të cilët në vitet 1930 kanë qenë në pararojë të luftës kundër laicizmit të vendit – në Kosovë, unë kam vënë re që po ndodh e kundërta. Në një shkrim të datës 21 shtator 2009, Gjon Keka, i cili punon në institucionet e Kishës Katolike, proteston kundër idesë së futjes së mësim besimit në Kosovë. Iniciativën për futjen e mësim-besimit ai e quan një iniciativë të verbër që do të gjunjëzojë demokracinë, do të ketë konsekuenca të pariparueshme për integrimin euroatlantik të Kosovës, absurditet dhe arrogancë, kthim të errësirës së perandorive - orientale e ideologjisë së fundamentalizmit islamik ekstrem, helm oriental, sulltanizëm i kulluar, ngritje e kokës së një gjarpëri helmues, futje zjarri brenda shtëpisë, vullkan shpërthyes dhe mendësi orientale. Sipas Kekës, Kosova është një vend i paqytetëruar dhe nuk ka arritur kulturën e lartë të civilizimit. Për këtë arsye ai mbështet politikat kuazi koloniale të Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila nuk i jep Kosovës pavarësi të plotë, pasi sipas Kekës, të huajt duhet ta mbikqyrin Kosovën nga që frikësohen nga feja islame që kosovarët kanë. Vizioni që Keka jep në shkrimin e tij, është së Kosova do të jetë e pranuar nga Perëndimi vetëm nëse ajo i refuzon besimtarëve muslimanë të drejtën e besimit, dhe kthehet pak a shumë si “Dardania e lashtë …e krishterë” në të cilën “Pali Apostull e kishte sjell Lajmin e Mirë për të gjithë kombin me dashuri të madhe.” Vizioni fundamentalist kristjan i Gjon Kekës, i cili kërkon të pagëzojë të gjithë kosovarët në katolikë, në fund të shkrimit kalon edhe në akuza kundër organeve drejtuese të shtetit kosovar, të cilat i akuzon si mbështetëse të hapura të fesë islame dhe diskriminuese ndaj kristjanëve. Përfundimi i shkrimit të Gjon Kekës konkludon se duke mos u futur mësim-besimi nëpër shkollat e Kosovës, Kosova do “t'i këputë zingjirët e brendshëm të shpirtit të robërisë së perandorisë osmane dhe më pastaj t'i kthehet të vërtetës, lirisë, paqes dhe progresit të përgjithshëm…” Sipas Kekës liria, paqja dhe progresi i përgjithshëm nënkupton konvertimin e shqiptarëve të Kosovës në katolikë apo më së paku deislamizimin e tyre. Fryma e shkrimit të Gjon Kekës është një frymë e re në mendimin katolik shqiptar. Ne në Shqipëri, në kohët e para-luftës kemi patur klerikë që kanë qendruar në krah të klerikëve muslimanë dhe kanë vuajtur me hoxhallarët tanë nëpër burgjet e komunizmit. Ama ajo që Gjon Keka sjell, është një frymë të cilën unë kam vështirësi ta gjej në faqet e historisë së katolicizmit në Shqipëri.
Përkrah shkrimit të Gjon Kekës, një shkrim tjetër interesant që ka ardhur nga Kosova është edhe ai i fekthyerit protestant, Pastor Dr. Femi Cakolli me titull “Feja jashtë shkolle – edukata fetare në shkolla!” Shqetësimi që reverend Cakolli sjell në shkrimin e tij është pak a shumë i njëjtë më atë të Gjon Kekës. Sipas tij futja e mësim-besimit nëpër shkolla në Kosovë do të fuqizojë fenë Islame dhe ruaj te kosovarët Islamin. Cakolli, proçesin e mësimit të fesë nga populli shqiptar i Kosovës e trajton me gjuhën e presidentit Bush në të ashtuquajturën luftë kundër terrorizmit. Cakolli, Islamin e sheh si fe të keqe dhe terroriste dhe hedh sulme të rënda kundër besimtarëve muslimanë dhe Islamit. Futjen e mësim-besimit ai e sheh si një “depërtim të islamit jotradicional, islamit radikal, e islamit politik” i cili do të fundamentalizojë shoqërinë “dhe kështu një ditë mund të përmbytet rendi demokratik i Republikës së Kosovës dhe laicizmi i saj i garantuar me kushtetutë.” Reverend Cakolli i cili në shkrimin e tij i vendos vetes titullin pastor, në të gjithë shkrimin tregon që nuk ja ka shumë ënda të merret me punët e Zotit, por ka qejf të merret me politikë dhe urrejtjenxitje. Ndërsa nga njëra anë ai kërkon që muslimanët e Kosovës të mos merren me Islamin politik të cilin e trajton si të rrezikshëm për Kosovën dhe laicizmin, vetë, publikisht merret me një politikë protestantiste – evangjeliste urrejtjenxitëse, si ato që bëjnë tele-evangjelistët në Amerikë, të cilët nxisnin qarqet neo-konservatore amerikane që të bëjnë luftë me të gjithë popujt muslimanë të globit.
Në shkrimin e reverend Cakollit të bën përshtypje intoleranca dhe urrejtja që ai demostron kundër BIK. BIK-un ai e akuzon si një organizatë që prodhon kuadro më shumë se çdo institucion në vend, kuadrot e BIK-ut i sheh si ushtarë lufte, besimtarët muslimanë që falen në Bibliotekën Kombëtare i sheh si pushtues dhe imponues. Edhe pse reverend Cakolli drejton një sekt të huaj protestant në Kosovë, ai akuzon BIK-un se me futjen e mësim besimit do të krijojë segregacion (si duket ai nuk di që në gjuhën shqipe kjo fjalë shkruhet ndarje) në shkolla, dhe akuzon BIK-un se do të shkelë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Kur dikush lexon histerinë e reverend Cakollit kundër Islamit në Kosovë, i vinë ndër mend protestantët vllehë të Shqipërisë së shekullit të 20të, të cilët, në letrat e tyre që i çonin misionarëve protestantë në Amerikë, tregonin pak a shumë të njëjtën histeri kundër muslimanëve shqiptarë.
Përveç shkrimeve të minoritarëve të krishterë, unë kam lexuar edhe disa shkrime interesante nga Kosova, të cilat mbrojnë idenë e futjes së mësim-besimit nëpër shkollat e Kosovës. Kështu psh. interesant ka qenë shkrimi i Driton Kajtazit “Vështrim mbi mësimin fetar në shkolla” dhe i Menduh Bamjes me titull “Mësimi fetar në shkollat publike në Evropë”. Shkrimi i Bamjes, jep një pasqyrë të mirëdetajuar të çështjes së mësim-besimit në shkollat e Evropës ku vihet në pah se mësim-besimi ekziston në pothuajse të gjithë vendet e Evropës, me përjashtim Shqipërinë, Kosovën, Bullgarinë dhe Maqedoninë.
* * *
Për një lexues të largët si puna ime, që ndjek nga larg argumentet dhe faktet që jep M. Bamja dhe histerinë që shprehet në shtyp nga fondamentalistët e krishterë, ideja që fitohet mbi atë që po ndodh sot në Kosovës është se në mesin e të krishterëve dhe ateistëve kosovarë ka një intolerancë shumë shqetësuese kundër Islamit dhe ruajtjes se muslimanizmit në Kosovë. Duke qenë nxënës i historisë dhe lexues i historisë shqiptare qysh prej vitit 1913, mua më duhet të konstatoj se një frymë të këtillë anti-fetare unë nuk e kam hasur në Shqipëri kur u hodhën themelet e shtetit kombëtar shqiptar. Në Shqipëri, edhe pse mësim-besimi arritet që të hiqet pas viteve 1921, kleri tradicional i krishterë qëndroi përkrah vëllezërve të tij musliman, për tu përballur me idetë anti-fetare të komunistëve ndërkombëtarë që inspiroheshin nga Moska. Por edhe ateistët që në atë kohë sulmonin mësim-besimin, sulmet e tyre i kanë bërë shumë më të kamufluara dhe shpesh duke përdorur metoda masonike, dhe jo me një egërsi kaq të madhe. Ndryshim kanë patur vetëm misionarët protestantë të Korçës të cilët u vunë në shërbim të klikave majtiste dhe masonike evropjane, dhe agjenturave të disa vendesh perëndimore të cilat synonin shkatërrimin e fesë në të gjithë Evropën. Po ndërsa te ne, në Shqipëri idetë anti-fetare erdhën nga Moska dhe Parisi, po në Kosovë nga vinë ato vallë?
Sido që të jenë faktet, unë jam i mendimit që në Kosovë, mësim-besimi duhet të futet në shkollat e republikës së re kosovare. Popullit të Kosovës, të cilin Evropa e la për pothuajse 90 vjet nën pushtetin “civilizues” të sundimtarëve të krishterë serbë, sot, kur pretendohet që Kosova të ketë fituar lirinë, duhet që qytetarëve të saj t’u lejohet e drejta për të ushtruar dhe mësuar lirshëm fenë nëpër institucionet e shtetit ku këta janë taksapagues. Miqtë tanë të krishterë, enveristë dhe oksidentalistë në Kosovë duhet të pranojnë dhe tolerojnë ekzistencën e një populli musliman në Kosovë dhe për pasojë ti lejojnë atij edhe të drejtën e mësim-besimit. Nga eksperienca që ne patëm në Shqipëri në këto 90 vitet e fundit, kemi vënë re që kur një populli, si atij shqiptar, i dënohet e drejta e fesë, ai popull kthehet në monstër dhe prodhon monstra si Enver Hoxha apo ata që bënë 1997 në Shqipëri.
Ndërkombëtarët perëndimorë, kishat e krishtera të Kosovës, dhe enveristët e saj nuk duhet ti druhen islamit dhe muslimanëve. Populli i Kosovës është dërrmueshëm musliman. Ai është formësuar falë Islamit dhe Perandorisë Osmane e cila i mundësoi shqiptarëve muslimanë të triumfojnë përmbi serbët për 500 vite me radhë. Njerëzit në Kosovë nuk hanë mish derri, i kanë qytetet të mbushura me minaret dhe xhami, i kanë emrat Hamdi, Naim, Mustafa, Xhavit, Halil e Hashim. Këta njerëz u persekutuan nga Evropa e Krishterë në këto 90 vitet e fundit dhe u lanë nën mëshirën serbe, vetëm pse ishin muslimanë. Tani që pretendohet që Kosova është bërë shtet i paravur, kosovarët duhet të mësojnë fenë e gjyshërve të tyre, të mësojnë kuptimin e emrave të tyre dhe fenë që ata praktikojnë në të njëjtën mënyrë siç bëhet kudo nëpër Evropë. Pse t’i ndalosh të drejtën e mësim-besimit popullit në Kosovë, do të thotë që këtij populli ti heqësh fenë, ashtu siç u eksperimentua nga perëndimi me ne në Shqipëri.
Kur Fuqitë e Evropës në fillimet e shekullit të XX, ia dhanë Kosovën Serbisë, këtë akt kolonialist e justifikuan ashtu si edhe Gjon Keka sot – duke i cilësuar kosovarët si barbarë dhe të pacivilizuar dhe njerëz që nuk meritonin të liheshin të lire pasi ishin muslimanë. Megjithatë, koha dhe historia dëshmoi që të pacivilizuar dhe barbarë nuk ishte populli i Kosovës, por sundimtarët e krishterë që Evropa solli në Kosovë për mëse 90 vjet. Këta “barbarë” muslimanë ishin ata që me hoxhallarët dhe mejtepet e tyre arritën që shqiptarët e Kosovës nga disa mijëra banorë që ishin në fillim të shekullit të XXtë, ti shtojnë dhe ti bëjnë mbi 3 milionë banorë dhe më në fund, në fundin e shekullit të XX të shkatërrojnë të gjitha planet demografike të Serbisë dhe Evropës për të asimiluar dhe zhdukur muslimanët e Ballkanit. Masakrat dhe krimet që janë kryer në Prekaz e Srebrenicë në fundin e shekullit të XX, gjenocidin kundër çamëve në Çamëri, holokaustin kundër çifutëve, nuk i bën as muslimanët dhe as Islami; nuk i bën as djemtë e Kosovës që mësonin mësim-besim mbi Allahun nëpër mejtepet e Prizrenit dhe Rahovecit: por vetë serbët dhe evropjanët e qytetëruar dhe të krishterë që prej mëse 100 vitesh i shiten botës si pararojë e qytetërim, diturisë ndërsa shqiptarët i tregonin njerëz me bisht.
Për sa më lartë jam i mendimit që opinioni publik dhe strukturat politike të Kosovës nuk duhet të druhen nga ububutë dhe histeritë e fundamentalistëve të krishterë dhe enveristë të cilët tremben nga mundësia që populli i Kosovës, pas lirisë që ka fituar, të fitojë edhe një liri tjetër, atë të mësim-besimit. Shqiptarët e Kosovës duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta që gëzojnë edhe popujt e tjerë të kontinentit evropjan. Të mësojnë pa frikë dhe komplekse fenë e tyre në shkollat që këta paguajnë me taksat e tyre në Kosovë e tyre, të pavarur dhe të lirë. Ne në Shqipëri duam që Kosova të bëhet shembull pozitiv nga e cila ne të dimë se çfarë të mësojmë. Dhe një vlerë shumë të madhe që Kosova mund ti jap Shqipërisë, janë vlerat fetare dhe tradicionale që ajo ka ruajtur me fanatizëm dhe devocion.