IDENTITETI I NGATËRRUAR

Në rishqyrtimin e sërishëm të marrëdhënies mes Lindjes dhe Perëndimit, që qëndron në majen e listës së çështjeve parësore në kontekstin e integrimeve bashkëkohore botërore dhe lëvizjeve globalizuese në të gjitha sferat kyçe të jetës në fillim të shekullit XXI, dimensioni i raportit të Islamit dhe Perëndimit është njëri nga horizontet kulmore pa të cilat rrjedhave të cekura integrative dhe lëvizjeve globalizuese, sidomos në truallin e Evropës së sotme, thjeshtë nuk mund tu shihet fundi. Raporti i Islamit dhe Perëndimit, ose kryqëzimi i tyre historik, sot sërish parashtrohet përkrah përkufizimit të hapësirës së re shpirtërore dhe, njëkohësisht, truallit të ri shpirtëror mbi të cilin do të rriten filizat e ri religjiozë dhe kulturorë të humanumitbashkëkohor evropian. Aq më tepër që raporti i cekur më nuk shihet vetëm në kuptimin e tij tradicional, respektivisht në kuptimin e kundërshtimit të dy botëkuptimeve të ndryshme dhe dy botërave të papajtueshme dhe armiqësore. Nuk bëhet më fjalë për raportin Unë si botë e vetme autentike dhe atë Tjetrën, botën e ndryshme dhe të “prishur” ndaj të cilës nuk vlen të ushqehen ndjenja të tjera pos atyre në të cilat orkestron urrejtja, neveria kulturore dhe mosdurimi dhe përjashtueshmëria religjioze.

Atëherë pra sa ka kuptim të flitet për identitetin tonë dhe kontroverzat e tij, kur edhe vendi ynë sot nga njëra anë është i kryqëzuar mes procesit botëror të globalizimit dhe integrimit dhe, nga ana tjetër, konfuzionit total në të dalluarit e asaj religjiozes nga ajo e politikës ditore? Çfarë do të thotë sot kujdesi për identitetin personal dhe kultivimi i tij në rrënjosjen e tij në indin dhe truallin e vet religjioz, kulturor, qytetërues dhe nacional-politik? Me sa kuptim ky afsh sot është i vlefshëm dhe i pagueshëm kur në realitet gjithnjë e më fuqishëm dhe më shpejtë janë në veprim vala globalizuese dhe integruese si procese të qëndrueshme dhe të paevitueshme planetare, e në të ardhmen e afërt mbase edhe ndërplanetare dhe ndërqytetëruese, me fuqinë e të cilave e a.q. kultura botërore, religjioziteti universal ose perenial dhe kodi transnacional qytetërues gjithnjë e më tepër rrjedhin dhe derdhen përtej gardheve, oborreve dhe avlive të ngushta lokale të të a.q. kulturë lokale, religjiozitetit partikular dhe veshjes provinciale qytetëruese?

A është e mundshme sot mbrojtja e identitetit personal dhe të nijansuar shumëdimensional përmes ngritjes së bedeneve fizike, mentale, ideologjike dhe nacionale dhe ndërtimit të kullave-roje personale dhe çatmave shtëpiake të të gjitha llojeve para vërsuljes së gjenit religjioz, kulturor dhe qytetërues të tjetrës dhe të ndryshmes, madje edhe nëse ajo vërsulje që në përdorimin shtëpiak politik interpretohet si vetëdije dhe frikë ideologjikisht e projektuar nga asimilimi dhe zhytja në tjetrën dhe të ndryshmen sot emërtohet në kuptim të fenomenit të pashkëputshëm global të akulturimit dhe inkulturimit?

Teozofi dhe filozofi mistik musliman Suhrawardiu e pranoi dhe thellësisht besonte se vetëm me fuqinë e natyrshmërisë metafizike dhe ontologjike mund të ngritet fortesa në shkretëtirën e intimës personale, duke aluduar në gjenin e çdo shpirti individual, mundësisht të kultivuar njerëzor, nga i cili buron ndjenja primordiale e religjiozes dhe heshtja e perenialitetit të mbjellur në çdo segment të qenësisë njerëzore. Dhe vetëm ajo fortesë, për shkak se në vete është pjesë e asaj universales dhe lirisë së pakushtëzuar dhe zemërgjerësisë së lirë ndaj universales, mes Lindjes dhe Perëndimit, rreziston para vërsuljes së valës universale ose planetare të kulturës dhe qytetërimit globalizues të botërores dhe të përbotshmes, të cilat në rrjedhën e tyre i bartin vlerat botërisht të pranuara metafizike, ontologjike, etike, estetike dhe shoqërore. Prandaj, vetëm ajo nga vlerat burimore që në vete i qetëson shpirti njerëzor nuk mund të shpartallohet dhe nuk shpartallohet para goditjeve të atij dallgëzimi kulturorqytetërues global botëror, sepse ajo vjen nga hapësirat e lirisë njerëzore dhe dhurimit të pakufishëm hyjnor, ndërsa të gjitha vlerat e tjera, sidomos ato të natyrës shoqërore-politike dhe ideologjike mund të shkapërderdhen dhe shpartallohen, meqë njëmendësia dhe “tradicionaliteti” i ngurrtë i vlerave të tilla nuk janë të mira për jetën njerëzore.

Sot tek ne, mendoj edhe atje edhe këtu, pyetja e mësipërme pothuajse arrin pikën e përvëlimit dhe gati se vezullon fuqishëm sa në brendinë e protagonistëve për vendosjen e një shkalle më të përshtatshme të vlerave dhe botëkuptimeve shoqërore-politike dhe kulturore-qytetëruese, aq edhe në realitetin më të vrazhdë të përditshmërisë së këtushme. Këtu tek ne e a.q. “paradigmë nacionale” me tabanin përmbajtësor të thurrur nga gjenealogjitë më autentike në kuptimin e gojëdhënave të ndryshme religjioze, rrjedhave kulturore, petkut qytetërues dhe spiritualitetit, të cilat si kurorë përfundojnë në shenjat dhe simbolet e trefletëshit primordialibrahimian religjioz, është dëshmi e një historie të gjatë të mënyrës së vertikalitetit, duke e pasuruar horizontalitetin e identiteteve tona.

E tërë barra e afshit ekzistencialist rreth rritjes, përkujdesjes dhe ruajtjes së identitetit personal, individual dhe komunitar në kontekst të rrymave globalizuese dhe integruese të së sotmes qenësisht përthyhet nëpër bashkërenditjen e religjiozisht të pamatshmes dhe politikisht krejtësisht të dukshmes dhe të matshmes, brenda së cilës, për shkak të roleve krejtësisht të ndryshuara, u krijua një konfuzion i plotë që drejtpërsëdrejti ndikon mbi cilësinë e jetës shpirtërore dhe fizike të popujve dhe qytetarëve si në vendlindje ashtu edhe nëpër vendet e tjera ku jeton dhe vepron njeriu ynë.

Përkundër të gjitha specifikumeve që e ndjekin vendin tonë dhe barrës së të jetuarit në të, shkakun për konfuzionin e tillë duhet pikësëpari kërkuar në atë virus të lashtë dhe shkatërrimtar, i cili nëpër përgjatë historisë njerëzore vazhdoi të jetojë dhe të vendosë lidhje martesore mes shtetit dhe Kishës, religjionit dhe kombit, kombit dhe nacionalizmit, idesë dhe Identiteti i ngatërruar. ideologjisë, duke bërë që gjithmonë lidhja e tillë martesore të sjellë në botë forma të dështuara të shpirtit të tradhtuar kulturor e qytetërues të gjinisë njerëzore apo bashkësive të veçanta njerëzore.

Ky sindrom dhe virus i rrezikshëm shpirtëror të cilin e liroi ai të egërsohet dhe tërbohet përgjatë historisë njerëzore dhe nëpër bashkësitë njerëzore tek ne fitoi edhe një variant të veçantë në kuptim të inverzionit të rolit të politikanit dhe rolit të përfaqësuesit religjioz ose bartësit zyrtar të porosisë religjioze mes nesh: në të vërtetë tek ne, si rrallë diku në botë, politikanët flasin si dinjitarë fetarë, ndërsa kryeparët religjiozë flasin si politikanë. Kështu e vërteta hyjnore ose e vërteta religjioze në përgjithësi në gojat e dinjitarit religjioz shndërrohet në një lloj interesi politik, shumë të ngushtë dhe tejet të reduktuar deri në egoizëm. Nga ana tjetër politikanët tërë interesin politik ditor e bartin në planin e të vërtetës religjioze, kështu që e vërteta religjioze shndërrohet vetëm në atë që politikani mendon se është dhe, akoma më keq, vullneti themelor dhe kërkesa e Qëllimit hyjnor lexohet me parametrat e tekut politik dhe sipas vullnetit pragmatik dhe shpesh jodemokratik të politikanit. Nuk është më qenësore se “ç’mendon” Zoti për botën dhe njeriun, por vendimtare është ajo që unë si politikan mendoj se Zoti e mendon. Si mbështetje për këtë është praktika gjithnjë e më e shpeshtë që brenda komuniteteve fetare të ngjallen toposet e gjeografisë së shenjtë dhe tubimit kultor me ç’rast politikanët kanë fjalën kryesore dhe ata, me vëmendjen e dukshme nga ana e dinjitarëve fetarë, u flasin besimtarëve ç’është e vërteta dhe drejtësia, ç’është bukuria dhe devotshmëria, ç’është lumturia dhe fatbardhësia, ndërsa dinjitarëve fetarë u mbetet roli i atyre të cilët pas çdo gjëje të thënë e shqiptojnë atë klithmën lutëse: - Ashtu qoftë (Amin)!

Nga ana tjetër, pothuajse gjëra të njëjta u ngjajnë edhe përfaqësuesve tanë fetarë brenda bashkësive më të mëdha religjioze. Ata janë aty që me ç’do rast t’u tregojnë besimtarëve se ç’është interesi i tyre politik, ç’është origjinaliteti kulturor, ç’është identiteti nacional, cilat janë vlerat themelore shoqërore të dedikuara vetëm për ata, ndërsa të privuara për të tjerët. I tërë dinjiteti, e vërteta, drejtësia, të gjitha vlerat religjioze, kulturore dhe qytetëruese dhe të gjitha të arriturat politike dhe shoqërore i takojnë vetëm anëtarit të grupit të tyre shoqëror dhe identitetit të tyre religjioz. Ata vështirë dakordohen të mendojnë dhe në mënyrë eksplicite ta thonë se të gjitha të drejtat, të gjitha arritjet dhe të gjitha dhuratat e Shpirtit Hyjnor i takojnë secilës krijesë hyjnore, pavarësisht se cilës formë religjioze dhe cilit rreth kulturor-qytetërues i takon ai njeri i Zotit. Duke gjykuar për njeriun, ata në rend të parë shikojnë në veshjen e tij të jashtme, tradicionale, historike që e mbështjell tërë qenësinë e tij të përditshme jetësore, pa e përfillur brendësinë e tij, atë që quhet shpirt xhennetor, origjinal ademian në çdo veçori individuale njerëzore. Ata nuk e përfillin, apo mbase as që e dijnë se ç’është njeriu Qiellor në ne, ajo trashëgimi e paharxhueshme hyjnore e mbjellur në intimen e çdo fytyre individuale njerëzore, trashëgimi të cilën duhet respektuar mbi të gjitha dhe para së gjithash, dhe trashëgimi e cila i lidh të gjithë njerëzit e botës. Çdo gjë që mban parashenjën nacionale dhe i takon atarit personal, fatkeqësisht në disa raste për bashkësitë fetare zyrtare tek ne është më e rëndësishme dhe ka përparësi dhe vlefshmëri të padiskutueshme në raport me atë që e ka caktuar dhe shpallur vetë Vullneti Hyjnor si perspektivë universale në të cilën duhet të derdhen brezat, kulturat, traditat dhe gojëdhënat e shenjta kurdo që ato të ekzistojnë nën qiell. Derisa dikur në veprim ishin takimet shpirtërore dhe kulturore të llojit më të lartë, në të cilat gjeniu evropian kishte rastin t’i ndjente ndikimet më të rafinuara shpirtërore të mençurisë muslimane të derdhura nëpër të gjitha fushat e shpirtit mendimtar njerëzor, ndërsa, nga ana tjetër, bota islame dallgëzimet e mentalitetit të barrëzuar evropian, sot tek ne, si kryqëzim mes Lindjes dhe Perëndimit, si trëndafil të rëndësishëm dhe tepër të lezetshëm të rrymimeve më të këndshme shpirtërore dhe si paradigmë për poliformitetin kulturor, religjioz dhe historikqytetërues hyjnë emisarë shumë të dyshimtë nga Lindja dhe Perëndimi, me parashenja të ndryshme religjioze e kulturore dhe në trungun e lashtë, mijëvjeçar të vendit tonë fusin filiza hibride të kuazikulturës dhe kuazireligjiozitetit, ashtu që sot jo vetëm që vendi ynë në hartën gjeografike nuk e ka atë fytyrën e vet fizike aq të shquar, por edhe fizionomia e tij shpirtërore e kulturore gjithnjë e më pak kumbon me akordet e shpirtërisë tradicionale, kulturalitetit religjioz dhe kulturës burimore të truallit ku jetojmë.

Mirëpo, këtu më nuk parashtrohet problemi se sa perëndimorët në mënyrë të kthjelltë dhe autentike e shqyrtojnë dhe sërish e definojnë raportin mes Islamit dhe Perëndimit, sepse kjo as që mund të parashtrohet si pyetje nga këndvështrimi i lëvizjeve më të reja shkencore evropiane, por problemi dhe dilema e vërtetë është se sa vet muslimanët e dijnë se në cilat nivele perëndimorët e kuptojnë raportin e cekur, e mos të flasim për atë pyetjen e dhembshme: sa vetë muslimanët në mënyrë adekuate zhvillojnë okcidentalizmin e vet shkencor dhe në cilat profile të shumta shkencore janë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë.

Përfillim do të ishte mirë nëse të paktën me shpirt të qetë do të mund të dëshmonim se muslimanët në shqyrtimin e tyre të raportit mes Islamit dhe Perëndimit të paktën në mënyrë të përpiktë ta konceptojnë nocionin e Perëndimit në kuptimin dhe domethënien e tij gjeografike, religjioze, kulturore, shkencore-teknike, globale dhe multikulturore. Nëse dijnë ta bëjnë këtë dallim atëherë do të jetë shumë lehtë për ta t’i qasen proceseve të globalizimit dhe integrimit, sepse Perëndimi tashmë ka filluar të ripozicionohet ndaj botës islame, e parashtrohet pyetja se a janë pozicionuar muslimanët në mënyrë adekuate ndaj Perëndimit, e që a priori mos ta kenë refuzuar dhe shpallur si të padëshirueshëm?!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme