1.1. Mbulesa është obligim fetar islam
Argumentet nga Kur’ani Famëlartë rreth mbulimit të femrës, janë të drejtpërdrejta dhe të qarta. Allahu i Lartësuar, i drejtohet Pejgamberit a.s. me këtë urdhëresë:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُلْ لِأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاءِ الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِنْ جَلَابِيبِهِنَّ ذَلِكَ أَدْنَى أَنْ يُعْرَفْنَ فَلَا يُؤْذَيْنَ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَحِيمًا
“O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le të vëjnë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është Mëshirues.” (El-Ahzabë, 59).
Edhe në ajetin në vijim, i Lartëmadhërishmi e urdhëron të Dërguarin e Tij:
وَقُلْ لِلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ وَيَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا مَا ظَهَرَ مِنْهَا وَلْيَضْرِبْنَ بِخُمُرِهِنَّ عَلَى جُيُوبِهِنَّ وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا لِبُعُولَتِهِنَّ أَوْ آَبَائِهِنَّ أَوْ آَبَاءِ بُعُولَتِهِنَّ أَوْ أَبْنَائِهِنَّ أَوْ أَبْنَاءِ بُعُولَتِهِنَّ أَوْ إِخْوَانِهِنَّ أَوْ بَنِي إِخْوَانِهِنَّ أَوْ بَنِي أَخَوَاتِهِنَّ أَوْ نِسَائِهِنَّ أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُنَّ أَوِ التَّابِعِينَ غَيْرِ أُولِي الْإِرْبَةِ مِنَ الرِّجَالِ أَوِ الطِّفْلِ الَّذِينَ لَمْ يَظْهَرُوا عَلَى عَوْرَاتِ النِّسَاءِ وَلَا يَضْرِبْنَ بِأَرْجُلِهِنَّ لِيُعْلَمَ مَا يُخْفِينَ مِنْ زِينَتِهِنَّ وَتُوبُوا إِلَى اللَّهِ جَمِيعًا أَيُّهَا الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ
“Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vejnë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babajve të vet ose babave të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmenden) dhe robreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt, të cilët nuk ndijnë nevojë për femra, ose fëmijtë që nuk kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për të zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë te Alllahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (En-Nur, 31).
Në këto dy citate kur’anore, po edhe të tjera, e të cilat janë shumë në këtë drejtim, Allahu i Lartësuar, ndër të tjera urdhëron që femrat muslimane:
• të ndalin shikimet e tyre ndaj meshkujve të huaj;
• të ruajnë nderin e tyre dhe të mos i zbulojnë stolitë e tyre;
• të vëjnë shamitë e tyre mbi trupin e tyre, duke mbuluar kokën, veshët, gjoksin dhe gjerdanët;
• të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre;
• të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme. Pjesët e dukshme, sipas pjesës dërrmuese të dijetarëve, nga të parët dhe të mbramët, janë: fytyra, duart dhe këmbët deri në zogtha;
• të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, babajve të vet, dhe me radhë sipas ajetit të lartëcekur;
• le të mos kërcasin me këpucët e tyre, me qëllim të zbulimit të stolive të tyre.
Këto janë detyra dhe obligime, që duhet t’i përmbahet çdo femër muslimane. Nuk janë rekomandime nga Allahu, por janë urdhër nga Ai, e urdhëri kërkon zbatimin e tij.
II. Zhveshuria pasqyron mungesën e moralit
2.1. Zhveshuria - simbolikë e rënies së turpit.
Prej parimeve të besimit islam është turpi. Muslimanja duhet të ketë turp në radhë të parë nga Allahu, e pastaj nga shoqëria, po edhe nga vetvetja për gjërat e pahijshme. Turpi, si epitet është tipar i muslimanit dhe muslimanes. Me këtë, ata duhet të krenohen. Pejgamberi a.s. ka thënë, المرأة عورة – “Gruaja është avret (e turpshme)”, që do të thotë nuk lejohet ekspozimi i bukurive të saj. Ajo, me veshjen e saj njerëzore, duke mbuluar trupin e vet, sipas rregullave të fesë Islame, tregon prezencën e turpit. Sepse, mënyra e veshjes, tregon edhe nivelin e turpit. Asaj femër që nuk i vije turp prej Allahut dhe prej shoqërisë, ajo nuk ka kufizim për të bëmat e saj të pahijshme. Fillon me ekspozimin e pjesëve të ndaluara të trupit të saj, e nuk dihet se në çfarë veprime të pahijshme përfundon. Gjithçka që i vije në mundësi e bën, sepse nuk e le për turp dhe dinjitet njerëzor. Kriteri i turpit, është barometri qëndror, që ekuilibron veprimet e moralshme dhe të pamoralshme. Në një hadith, të cilin e transmeton Imam Ahmedi prej Ebi Mes’udit, se Pejgamberi a.s. ka thënë:
إِنَّ مِمَّا أَدْرَكَ النَّاسُ مِنْ كَلَامِ النُّبُوَّةِ الْأُولَى إِذَا لَمْ تَسْتَحِ فَاصْنَعْ مَا شِئْتَ
“Ajo që njerëzit kanë nxënë nga fjalët e para të shpalljes është: “Kur nuk turpërohesh, bëj çfarë të duash!”
2.2. Zhveshuria - largim nga mëshira e Allahut
Mëshira e Allahut është me robin, i cili e respekton Kur’anin dhe Sunnetin, respektivisht e përfillë mbulesën si një obligim për gjinin femërore. Pa dyshim, kur besimtarja nuk i përmbahet porosive të Allahut të Lartësuar, s’ka se si ta fitojë mëshirën e Allahut, veçse hidhërimin dhe dënimin e Tij. Në lidhje me këtë, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَمَا تَقَرَّبَ إِلَيَّ عَبْدِي بِشَيْءٍ أَحَبَّ إِلَيَّ مِمَّا افْتَرَضْتُ عَلَيْهِ
“Nuk mund të afrohet robi im tek Unë me diç më të dashur për Mua sesa me gjërat që e kam obliguar (farzet).” Në këtë citat, Allahu i Lartësuar e ka qartësuar se afrimi te mëshira e Allahut, arrihet nëpërmjet zbatimit të obligimeve të tij (farzeve), e mbulesa është diç e tillë. Për atë njeri, që arrinë ta fitojë dashurinë dhe mëshirën e Allahut, Allahu xh.sh. ka thënë:
وَإِنْ سَأَلَنِي لَأُعْطِيَنَّهُ وَلَئِنْ اسْتَعَاذَنِي لَأُعِيذَنَّهُ
“Nëse ai kërkon prej Meje diç, do t’i përgjigjem, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbrojë atë.” Mirëpo, kjo mbrojtje e Allahut, ka të bëjë me atë femër që kërkon mëshirën e Allahut nëpërmjet respektimit të fjalës së Tij, e jo për atë, e cila e nënçmon fjalën e Tij. Të tillën, Allahu e lë në duar të atyre (njerëzve), ndaj të cilëve ajo serviret me trupin e ndaluar të saj. Mjerë ajo, që mbetet në dorë të njerëzve, ndërsa e humb mëshirën e Allahut!
2.3. Zhveshuria - çmoralizim i shoqërisë
Zhveshuria, është sindromi më i rrezikshëm që ndikon në shkatërrimin e vlerave të moralit dhe në çmoralizimin e shoqërisë. Për arsye se, njeriu në qenien e tij e posedon ndjenjën e tërheqjes së gjinisë së kundërt. Kjo një dhunti e madhe nga Allahu. Mirëpo, kur kjo keqpërdoret nga femra, dhe pa kurrfarë turpi ekspozohet gjysmëlakuriqe në ambiente të hapura, apo me veshje të ngushta dhe provokative, kjo pa dyshim intrigon një pjesë të konsiderueshme të meshkujve, të cilët janë të prirur të udhëhiqen nga pasionet dhe vlerat e ulëta të moralit. Si pasojë e kësaj, paraqitet amoraliteti dhe prostitucioni. Po edhe dhunimet ndaj femrave dhe humbja e normave të moralit. Me këtë rast, zhveshuria bëhet një argat i djallit, ndërsa femra e këtillë ikonë e një shoqërie pa vlera të moralit. Të gjitha këto veprime janë akte të dënueshme nga vlerat e mirëfillta të moralit. Këtë nuk e lejon arsyeja dhe as nuk e pranon. Këtë, e gjykon çdo njeri me mendje dhe arsye të shëndoshë, pamarrë parasysh se cilës fe i përket. Ishte shumë interesante një informatë në të përditshmen “Koha Ditore”, numër 4309, 13 qershor 2009, fq. 16. Në ballinë e saj figuronte titulli: “Në burg për brekët provokative”, dhe vazhdonte më tej: “Autoritetet në qytetin amerikan Jakima, në shtetin Ëashington, kanë vendosur që t’i shpallin luftë veshjeve provokuese të tejdukshme dhe brekëve joshëse, të cilat shpesh shihen përtej pantallonave dhe fundeve. Femrat që dalin në rrugë me veshje të tejdukshme, të cilat mundësojnë që nën to atyre t’u shihen brekët e ashtuquajtura “tanga”, në të ardhmen do të dënohen me gjoba nga 1.200 deri në 5.000 dollarë apo edhe me burgim njëvjeçar.” E tëra kjo, ashtu sikurse sqarohej më poshtë, është ndërmarrë për të ruajtur normat e moralit publik.
2.4. Zhveshuria ekstreme – shitje morale e trupit
Le të themi se, ka prej femrave muslimane që nuk e pëlqejnë veshjen e mbulesës islame, por gjithashtu nuk e pëlqejnë të veshin edhe rroba provokative dhe të tejdukshme, apo të lakuriqosin ekstremisht pjesët vitale të trupit të tyre, sikurse janë beli, gjoksi, etj. Ndonëse, mbulesa është rruga e vetme e mirë, megjithatë me veprimet e tyre të matura, tregojnë një dozë të moralit. Femrat e këtilla, duket se kanë një vlerësim të pranueshëm për shenjtërinë e trupit të tyre, pasiqë pjesën dërrmuese të tij e mbulojnë dhe parimisht nuk e vënë në diskurs të marketingut moral.
Mirëpo, çfarë mund të thuhet për ato femra, që manifestojnë (zh)veshje ekstreme? A thua, e kanë vetëm për modë (!), apo me të synojnë diçka tjetër? Ç’u duhen njerëzve të huaj, shpalosja e gjoksave, ravijëzimi i trupit e belit, për sa kohë që vetë femrat e dijnë po edhe meshkujt se, interferimi i imazhit të tyre, është i rezervuar për atraksion seksual? A, mos do të thotë kjo se me këto veprime po synohet oferta e (ç)moralit dhe gatishmëria për të? Çfarë, në të vërtetë po synohet?
Për hirë të prirjes për kah e mira, mund ta pranojmë se asnjëra prej këtyre qëllimeve nuk synohet, ndonëse sinjalizohen haptazi. Por, megjithatë një qëllim tjetër është më se i sigurt. Të gjitha ato femra, pamarrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, që manifestojnë (zh)veshje ekstreme dhe provokative, ato në të vërtetë me aktet e tilla synojnë që nëpërmjet trupit të tyre të tërheqin vëmendjen e meshkujve për respektim ndaj tyre, duke u bazuar në konceptin e provokimit emocional dhe epshor. Veprimi i këtillë e ka një përkufizim: shitja e trupit, e që në gjuhën e veshjes së tillë quhet ‘prostitucion moral’. Këtë duhet ta dijnë të gjithë femrat. E njëjta gjë, sot po ndohë në mbarë botën, pra edhe te ne, me muzikën dhe këngëtaret. Dalja në skenë e femrave, me (zh)veshjen e tyre më çorroditëse ka një prapavij të ligë. Prandaj, është konstatim i drejtë se, muzika shikohet, e nuk dëgjohet. Nëse nuk ke bukuri, e kot është pse e ke zërin.
III. KONKLUDIMI AKAIDOLOGJIK PËR ‘ZHVESHURINË’
2.1. Zhveshuria - pasojë e besimit të dobët
Pa dyshim zhveshuria, është pasojë e mosfetarizmit. Zbatimi i detyrimeve fetare, është varësi e pulsimit të besimit. Kur besimi / imani i lëshon gjurmët e tij të vërteta në vetëdijën e besimtares, e nxit atë fuqishëm që t’i përgjigjet me shpirt dhe trup kërkesave të tij. Nga ky aspekt, besimtari dhe besimtarja e vënë trupin e tyre në disponim të impulseve besimore, po qoftë edhe duke ndier vështirësi a mundim. Është e vërtetë se disa prej ritualeve fetare, sikurse janë namazi, agjërimi, mbulesa etj., në masë të caktuar implikojnë vështirësi. Ndërsa, kundrejt kësaj, për zbatimin e tyre, nuk shihet ndonjë interes i drejtpërdrejtë për jetën e njeriut në këtë botë, sikurse është rasti me punët e tjera, p.sh. muratori kur e ndërton një shtëpi, për punën e bërë merrë shpërblim; mjeku për punën që bën, merrë shpërblim, po ashtu gjykatësi dhe kështu me radhë. Mirëpo, për zbatimin e detyrave fetare, besimtari dhe besimtarja nuk marrin asgjë, përpos që fitojnë ‘preokupimin e vazhdueshëm’, e i cili nuk është për t’u nënçmuar. Në të vërtetë, ata e fitojnë kënaqësinë e Allahut dhe shpërblimin e Tij do ta marrin në botën tjetër. Kjo është më se e vërtetë. Mirëpo, me këtë dëshirojmë të themi se zbatimi i detyrave fetare, me këtë qëllim, pra të synimit të kënaqësisë së Allahut dhe shpërblimit të Tij në botën tjetër, është tërësisht varësi e impulsit të besimit, dhe jo e ndonjë interesi tjetër të kësaj bote. Ndaj, për një qëllim të këtillë, vetëm imani mund ta lëvizë vullnetin e njeriut e asnjë fuqi tjetër.
Si kundër kësaj, mos zbatimi i ritualeve fetare, në këtë rast edhe mos aplikimi i mbulesës, është pasojë e imanit shumë të dobët të besimtares. Ajo, duke mos pa kurrfarë interesi konkret në mbulesën, nuk e zbaton atë. Është hipokrizi e madhe për atë muslimane, e cila, ndonëse nuk e zbaton mbulesën, thotë se është besimtare e devotshme. Kjo, është gënjeshtër dhe e pavërtetë. Nëse ekziston devotshmëria ndaj Allahut, nuk mund të kontestohet zbatimi i mbulesës si një prej urdhëresave të Tij. Kjo do të thotë se, imani stabil dhe i fortë në Allahun e Lartësuar, manifestohet nëpërmjet zbatimit të urdhëresave dhe ndalesave të Tij. Moszbatimi i tyre, është matësi më i mirë, që vërteton shkallën e devotshmërisë dhe të besimit.
2.2. Zhveshuria - mosrespektim i urdhërit të
Allahut xh.sh. dhe Pejgamberit a.s.
Pa dyshim se, zbulimi i pjesëve të turpshme nga ana e femrës, paraqet mosrespketim të urdhërit të Allahut Fuqiplotë dhe Pejgamberit a.s.. Muslimanja, e cila nuk e respekton këtë normë të fesë Islame, atë e bën në njërën prej dy arsyeve:
1. Vetëdija e saj ka rënë pre e gjykimit të dëshirave dhe pasioneve individuale. Ndjekja e pasioneve sipas domethënies parimore, nënkupton që veprimet dhe bindjet t’i referohen korrigjimit të dëshirave të lira personale, e jo mësimeve të Kur’anit dhe Sunnetit të Muhamedit a.s. apo të fesë Islame si tërësi. Kur’ani na njofton se të gjithë popujt para kur’anor, kanë devijuar thellë, atëherë kur subjektet fetare i kanë vendosë nën korrigjimin e diapazonit të arsyes dhe dëshirave, përkatësisht duke i dhënë mendjes dhe dëshirave kompetencë për diçka që nuk u lejohet. Njerëz të tillë, përgjithësisht u japin rol gjykues kulturës, pikëpamjeve dhe prirjeve të marrë jashtë mjediseve islame dhe pastaj nga ky kënd i shohin argumentet e sheriatit. Allahu i Madhruar në Kur’an, i ka thënë Pejgamberit a.s. se, ata të cilët nuk të pasojnë ty, atëherë dije se ata ndjekin dëshirat e veta, duke ia bërë të qartë se ata që veprojnë kështu, janë në humbje të thellë (shih: Kur’ani, El-Kasas, 50). Ky gjykim i Kur’anit Famëlartë, jo vetëm se i përfshinë muslimanet që nuk e zbatojnë mbulesën, por të gjithë muslimanët, që për çështje të jetës së tyre ndjekin modele të tjera të jetës, kundrejt modelit islam; dhe
2. Vetëdija e saj është infektuar me dyshime ndaj realitetit të normës së mbulesës. Sa i përket aspektit të dytë, pra ekzistimit të dyshimeve rreth të vërtetës së mbulesës, mund të themi se çështja është shumë delikate dhe e rrezikshme. Sepse, më lartë kemi vërtetuar se mbulesa është një urdhër që ka mbështetje të drejtpërdrejtë në Kur’an. Pas gjithë kësaj, ekzistimi i dyshimeve, besimtaren e dërgon në portën e kontestimit të një urdhëri të qartë të Kur’anit, respektivisht të Allahut të Lartësuar. Nëse një gjë e tillë është prezente te një muslimane, asaj i bie akuza për apostazi – mohim të Kur’anit dhe Sunnetit dhe dalje nga feja Islame. E, dalja nga feja islame, është arsye për ta fituar mallkimin e Allahut dhe dënimin e Tij.
2.3. Zhveshuria - mëkat i dënueshëm
Fakti që mbulesa islame është obligim për femrën muslimane, moszbatimi i saj, paraqet thyerje të urdhërit të Allahut. Ndërsa thyerja e urdhërit të Allahut, pa ndonjë arsye të justifikueshme, konsiderohet mëkat, që meriton dënimin e Allahut të Lartësuar, në këtë botë dhe në botën tjetër. Me këtë rast, duhet të theksojmë se, pesha e mëkatit të moszbatimit të mbulesës është dy llojesh:
1) pesha e mohimit të mbulesës si një obligim fetar islam; dhe
2) pesha për shkak të moszbatimit të mbulesës, por duke mos e mohuar obligimin e saj për muslimanen.
Sa i përket përgjegjësisë së parë, pra, kushdo që e mohon mbulesën si detyrim fetar islam, pesha e përgjegjësisë është aq e madhe sa për njëkësi bindje, muslimanja akuzohet për dezertim nga feja Islame. Nëse, nuk zbrapset nga bindjet e këtilla, në vendet në të cilat gjen aplikim sheriati, femra e këtillë i nështrohet dënimeve të rënda për shkak të apostazisë – dezertimit nga Islami, në mos edhe ekzekutimit. Dhe në botën tjetër, ajo do të merret në përgjegjësi për mohimin e mbulesës si një urdhëresë e Allahut, e që është shumë më i rëndë se sa moszbatimi i saj. Dënimi për të është i dhimbshëm dhe atë në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Lartësuar në Kur’an ka thënë:
وَمَنْ أَعْرَضَ عَنْ ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنْكًا وَنَحْشُرُهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ أَعْمَى قَالَ رَبِّ لِمَ حَشَرْتَنِي أَعْمَى وَقَدْ كُنْتُ بَصِيرًا قَالَ كَذَلِكَ أَتَتْكَ آَيَاتُنَا فَنَسِيتَهَا وَكَذَلِكَ الْيَوْمَ تُنْسَى وَكَذَلِكَ نَجْزِي مَنْ أَسْرَفَ وَلَمْ يُؤْمِنْ بِآَيَاتِ رَبِّهِ وَلَعَذَابُ الْآَخِرَةِ أَشَدُّ وَأَبْقَى
“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e Kijametit do ta ringjallim të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy? Ai (Allahu) thotë: Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je i harruar sot. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” (Ta ha, 124-127).
Ndërsa sa i përket përgjegjësisë së dytë, pra asaj të moszbatimit të mbulesës islame, krahas ekzistimit të besimit se ajo është një detyrim fetar islam, pesha e përgjegjësisë është gjithashtu e madhe, por më e lehtë se sa mohimi i saj. Femra që nuk e aplikon mbulesën, do të merret në përgjegjësi për këtë, në varësi me nivelin e mosrespektimit të saj. Natyrisht, ajo femër që nuk brengoset fare për mbulesën dhe shfaq në masë të madhe pjesët vitale (femërore) të trupit të saj sikurse janë gjoksi, beli, etj., apo veshë rroba të tejdukshme, të ngushta dhe provokative, e ka përgjegjësinë më të madhe te Allahu, se sa një femër që nuk e respekton mbulesën, por brengoset për mosaplikimin e saj, pastaj brengoset për ekspozimin e trupit të saj, si dhe këtë e bën në mënyrë më të zvogëluar. Mirëpo, në të gjitha rastet, esencialisht mosrespektimi i mbulesës nga ana e femrës, është akt i dënueshëm. Pejgamberi a.s. ka thënë:
صِنْفَانِ مِنْ أَهْلِ النَّارِ لَمْ أَرَهُمَا قَوْمٌ مَعَهُمْ سِيَاطٌ كَأَذْنَابِ الْبَقَرِ يَضْرِبُونَ بِهَا النَّاسَ وَنِسَاءٌ كَاسِيَاتٌ عَارِيَاتٌ مُمِيلَاتٌ مَائِلَاتٌ رُءُوسُهُنَّ كَأَسْنِمَةِ الْبُخْتِ الْمَائِلَةِ لَا يَدْخُلْنَ الْجَنَّةَ وَلَا يَجِدْنَ رِيحَهَا وَإِنَّ رِيحَهَا لَيُوجَدُ مِنْ مَسِيرَةِ كَذَا وَكَذَا
“Dy grupe njerëzish janë prej banorëve të zjarrit të xhehennemit, e të cilët nuk i kam pa: një grup me kamxhik, që i ngjason bishtit të lopës, me të cilin i rrahin njerëzit , dhe një grup prej grave të veshura, por të zhveshura, provokojnë e provokohen e me flokë në kokat e tyre si gunga e pjerrët në shpinë të deves. Këto dy grupe nuk do të hyjnë në xhennet, dhe nuk e ndijnë erën e tij, edhe pse era e tij depërton në largësi të mëdha.” Ndërsa në një transmetim tjetër të Ahmedit nga Abdullah bin Amër, Pejgamberi a.s. duke sinjalizuar se në fund të ymmetit të tij do të ketë gra të tilla, ka thënë:
الْعَنُوهُنَّ فَإِنَّهُنَّ مَلْعُونَاتٌ
“Mallkoni ato, ngase ato janë të mallkuara.”
Hadithi vë në spikamë, pikërisht ato femra, që janë object i trajtimit në kët punim. Ai vë në theksim, gratë e tilla që janë të veshura, por në të njëtën kohë janë edhe lakuriqe, ngase teshat e tyre janë të tejdukshme e të holla dhe zbulojnë çdo gjë që është nën to. Kokat e tyre krahasohen me gungat e pjerrëta të deveve, për shkak të fryerjes së flokëve. Përveç kësaj, gratë nuk kënaqen me flokët natyrore që ua ka dhuruar Zoti, por blejnë edhe flokë artificiale, me qëllim që të duken sa më tërheqëse. Për të tillat, Pejgamberi a.s. në këtë hadith dhe në hadithe të tjera ka paralajmëruar dënim me xhehennem.
(Punimi është botuar në revistën e BIK-ut “Dituria Islame”, nr. 230/2009, fq.14-16)