Haxhi Bedel

Sipas parimeve të përgjithshme të jurisprudencës islame, të gjitha format e adhurimeve për nga forma dhe mënyra e zbatimit të tyre kryesisht ndahen në tre lloje që janë:
a – Adhurimet, që kryerja e tyre ka karakter trupor - fizik, siç janë namazi dhe agjërimi, në këto lloje të ibadetit dijetarët islam janë unik se nuk lejohet zëvendësimi, sepse qëllimi i këtij ibadeti është ndjeshmëria dhe lodhja fizike e kjo nuk arrihet me zëvendësim.

b – Adhurimet, që kryerja e tyre ka karakter të pastër ekonomik siç janë dhënia e zeqatit, kefareteve, kurbaneve, sadakave të ndryshme etj., dhe juristët islam janë unik në mendimet e tyre se zëvendësimi është i lejuar islamikisht në këto lloje të ibadeteve, sepse qëllimi i tyre është dobia e tjerëve, andaj me zëvendësim arrihet ky qëllim.

c – Adhurime, në të cilat në kryerjen e tyre kombinohet elementi trupor, fizik dhe ai ekonomik, siç është Haxhi, andaj edhe në kryerjen e këtij lloji të ibadetit lejohet zëvendësimi por me kushte të veçanta që do të përmenden më pas.

Sipas dijetarëve të medhhebit hanefi, personi të cilit i është bërë obligim (farz) Haxhi porse për zbatimin e tij praktik nuk ka mundësi fizike për shkak të sëmundjes apo pleqësisë e ndoshta edhe vdekjes së tij, lejohet kryerja e Haxhit për të nga dikush tjetër, pra të bëhet zëvendësimi. Nga kjo nënkuptohet se zëvendësimi lejohet vetëm në rastet e pamundësisë së zbatimit personalisht, kurse në rastet e mundësisë nuk lejohet zëvendësimi. Pra që kryerja e Haxhit të zëvendësohet me dikë tjetër kushtëzohet me pamundësinë që zgjatë deri në vdekje, dhe zëvendësimi për haxh pas vdekjes i bazuar në testament.

Nga kjo që u tha deri tani nënkuptohet se Haxhi Bedel sipas fukahave hanefi mund të bëhet për personin i cili jeton dhe i ka plotësuar kushtet e obligueshmëris së Haxhit por nuk i plotëson kushtet e zbatimit të Haxhit, që nënkupton se Haxhi për të është farz, por zbatimin nuk mund ta përballoj, ose për personin i cili Haxhin e ka pasur obligim – farz porse ka vdekur para se ta kryejë këtë obligim.

Argument për lejimin e zëvendësimit të Haxhit nga dikush tjetër që në terminologjin e sheriatit njihet me termin Haxhi Bedel është hadithi i transmetuar nga Ibni Abasi dhe të tjerë ku thuhet: Një grua nga fisi Hath’am i kishte thënë të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ve sel-leme): O i Dërguari i Allahut, Vërtetë babait tim i është bërë obligim (farz) Haxhi, porse ai është në moshë shumë të shtyer dhe nuk mund të qëndrojë mbi shpinën e devesë në udhëtim. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-leme) i tha: “Bëre ti Haxhin për te”.

Në një hadith tjetër të transmetuar po ashtu nga Ibni Abasi r.a. thuhet: “Kishte ardhur një grua nga fisi Xhuhejne te Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-leme) dhe i kishte thënë: Vërtetë nëna ime kishte premtuar të bëjë Haxhin, por nuk shkoi në haxh dhe kishte vdekur, a të bëjë Haxhin për të? Pejgamberi s,a.v.s. tha: Po, bëre Haxhin për te, si mendon nëse nëna jote do ti kishte borxh dikujt, a do t’ia kishe shpaguar atë, kurse borxhi i Allahut është më prioritar për shpagim”.

Këto hadithe të Pejgamberit s.a.v.s në mënyrë të qartë na bëjnë me dije se kryerja e Haxhit për të tjerët pavarësisht se bëhet fjalë për të moshuarin në moshë që nuk ka mundësi udhëtimi apo edhe për të vdekurin është veprim i lejuar sipas normave islame.

Kushtet e Haxhit Bedel

Dijetarët, fukahatë e medhhebit hanefif për lejimin e Haxhit Bedel që ai të jetë i vlefshëm dhe të arrij frytin e tij përveç kushteve primare për çdo adhurim që janë Islami, mosha (puberteti) dhe mendja, për Haxhin Bedel kanë kushtëzuar disa kushte shtesë që janë:

1. Nijeti i Haxhit nga i autorizuari të bëhet për personin të cilin e zëvendëson, sepse i autorizuari Haxhin e kryen për tjetrin e jo për veti, andaj patjetër duhet theksuar “e bëra nijet Haxhin për filanin” Ajo që më së paku plotëson kushtin në këtë rast është nijeti zemërorë.

2. Personi i cili e autorizon tjetrin për kryerjen e Haxhit, duhet që vërtetë të jetë i pa mundur për kryerjen e Haxhit, sepse po qe se ai ka mundësi vetë për kryerjen e tij, atëherë Haxhi i Bedelit është i pavlefshëm. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve islam, me përjashtim të malikitëve të cilët në asnjë mënyrë nuk lejojnë Haxhin Bedel për personin i cili është i gjallë.

3. Pamundësia e kryerjes së Haxhit duhet të vazhdojë deri në vdekje, sepse nëse evitohet pamundësia dhe kthehet në gjendje të rëndomtë, atëherë Haxhi Bedel është i pa vlefshëm dhe ai personalisht duhet ta kryej Haxhin.

4. Personi i cili e autorizon tjetrin për kryerjen e Haxhit në vend të tij, duhet ta ketë obligim Haxhin, sepse po nuk e pati Haxhin obligim, Haxhi Bedel nuk konsiderohet i vlefshëm. Nga kjo nënkuptohet se nëse një njeri i cili nuk ka pasuri të mjaftueshme dhe Haxhin nuk e ka obligim porse e autorizon dikë për kryerjen e Haxhit Bedel, kurse më vonë vjen deri te pasuria, Haxhi Bedel konsiderohet i pa vlefshëm dhe ky duhet përsëritur Haxhin.

5. Të gjitha shpenzimet apo shumica e tyre që i bënë Bedeli për kryerjen e Haxhit duhet të jenë nga pasuria e atij që e autorizon me Haxh Bedel, me përjashtim kur trashëgimtari nga vet pasuria e tij në mënyrë vullnetare shpenzon për atë që nga ai ka trashëguar. Nëse Haxhi Bedel kryhet në bazë të testamentit – vasietit nga i vdekuri, dhe për të ka përcaktuar pasuri dhe vendin prej ku duhet ti kryhet Haxhi, atëherë veprohet sipas testamentit, e nëse në testament nuk ka përcaktuar asgjë as për pasurinë e as për vendin, Haxhi duhet t’i kryhet nga vendi i të vdekurit dhe nga 1/3 e pasurisë së tij, ose nga vendi prej ku mjafton pasuria e tij për ta kryer Haxhin. Nga kjo nënkuptohet se për Haxhin Bedel që është farz, ai duhet të kryhet nga vendi që i është bërë farz e jo nga ndonjë vend tjetër, duke u bazuar në analogjinë – Kijasin me namazin.

6. Personi i cili autorizohet me kryerjen e Haxhit Bedel, duhet që Haxhin ta kryej personalisht dhe nuk posedon të drejtën që për kryerjen e këtij Haxhi të autorizoj dikë tjetër, me përjashtim nëse për këtë e lejon autorizuesi. Në rastin e parë nëse i autorizuari pa lejen e autorizuesit e obligon dikë tjetër për kryerjen e këtij Haxhi, ky haxh-xh është i pa vlefshëm, kurse i autorizuesi bartë përgjegjësi fetare dhe morale si dhe pasojat materiale duke kompensuar harxhimet për autorizuesin e parë.

7. Personi i cili autorizohet të kryej Haxhin Bedel, duhet të ketë kryer Haxhin e tij për vete, ngase nuk lejohet të shkohet për tjetrin në Haxh nëse atë nuk e ka kryer për vete. Ky është mendimi i të gjithë dijetarëve islam, i cili mbështetet në hadithin e transmetuar nga Ibni Abasi r.a. ku Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-leme) e kishte dëgjuar njërin duke thënë “Lebejke an Shubreme” Pejgamberi e pyeti: Kush është Shubreme? Ai iu përgjigj: Një vëlla i imi. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-leme) i tha: a e ke bërë Haxhin për vete ? Tha jo. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-leme) i tha: Bëre Haxhin për vete, e pastaj për Shubremen. Në këtë çështje distancohen dijetarët e medhhebit hanefi të cilët lejuan shkuarjen në haxh për tjetrin pa e kryer këtë obligim për vete, porse ky veprim është i urryer – Mekruhi tahrimen. Dijetarët hanefi mendimin e tyre e ndërtojnë në kuptimin e përgjithshëm të hadithit që e transmeton Hath’ami, sepse Pejgamberi a.s. i kishte thënë: Bëre Haxhin për babanë tënd, pa e pyetur se a e kishte bërë Haxhin për vete apo jo. Megjithatë edhe dijetarët hanefi këtë veprim nuk e preferuan, porse këtë veprim e lejuan me urrejtje të rëndë duke e afruan shumë afër haramit.

8. I autorizuari duhet të niset për në Haxh nga vendi ku ka jetuar personi që e ka autorizuar nëse për këtë mjafton 1/3 e pasurisë së tij, e nëse nuk mjafton 1/3 e pasurisë së të vdekurit atëherë i autorizuari Haxhin e kryen prej vendit ku mjafton pasuria e tij.

9. Nëse haxhiu që shkon Bedel për tjetrin, gjatë Haxhit kryen ndonjë veprim që e prishë Haxhin tërësisht, atëherë barra e përgjegjësisë bie mbi personin e autorizuar dhe i njëjti ka për obligim që shpenzimet t’ia kompensoj autorizuesit në mënyrë që ai të ketë mundësi ta përsërisë atë. Gjykohet kështu ngase i autorizuari është autorizuar të kryej Haxhin e plotë, e jo haxh të prishur. Në anën tjetër nëse haxhiu Bedel bënë ndonjë veprim që dëmton Haxhin dhe për përmirësimin e Haxhit, duhet therur kurban apo ndonjë kefaret tjetër, Bedeli është ai i cili kefaretet apo shpenzimet i bartë nga pasuria e tij.

10. I autorizuari për Haxhin Bedel, duhet të bëjë nijet vetëm për një haxh, pra nuk guxon të ketë më shumë se një bedel, andaj nëse një person autorizohet nga dy persona për kryerjen e Haxhit dhe i njëjti bënë nijetin për të dy, Haxhi i tyre është i prishu kurse i autorizuari patjetër duhet të bartë përgjegjësi dhe pasojat materiale duke ua kompensuar të dyve shpenzimet e Haxhit.

11. I autorizuari për Haxhin Bedel, është i detyruar të kryej atë lloj të Haxhit me të cilin është autorizuar, andaj nëse është autorizuar të kryej Haxhin Ifrad duhet të veproj sipas autorizimit, sepse nëse ai ka autorizim për ifrad dhe e bënë nijet për Haxhin Temet-tu ose Kiran, ky haxh sipas Ebu Hanifes është i pa vlefshëm dhe i autorizuari obligohet të kompensojë shpenzimet, sepse nuk i është përmbajtur porosisë së autorizuesit. Megjithatë sipas mendimit të dy nxënësve të Ebu Hanifes, imam Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit ky haxh është i vlefshëm sepse vërtetë i autorizuari ka ndryshuar porosinë por ndryshimi është bërë në të mirë, andaj edhe Haxhi është i vlefshëm.

Me qenë se Haxhi Bedel, kryhet për tjetrin e jo për vete, atëherë i autorizuari për kryerjen e këtij Haxhi duhet në përpikshmëri ti përmbahet porosisë nga i cili autorizohet dhe nuk guxon të ndryshojë porosinë sepse po nuk iu përmbajt porosisë atëherë bartë përgjegjësinë morale dhe fetare si dhe pasojat materiale. Nga kjo nënkuptohet se personi i dëshiron të autorizoj dikë për kryerjen e Haxhit Bedel, duhet të jetë vigjilent dhe të zgjedh personin i cili mirë i dinë rregullat dhe dispozitat e Haxhit Bedel, të jetë i sinqertë dhe të dinë rolin dhe rëndësinë e përgjegjësisë. Këto çështje dijetarët islam i kanë elaboruar dhe shkoqitur në detaje, andaj edhe duhet përmbajtur këtyre rregullave.
__________
Tetor, 2009
www.breziiri.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme