PERSONALITETI DHE VEPRA E DR. MUSTAFA MAHMUDIT

Dr. Mustafa Mahmudi u lind në vitin 1921 në Egjipt. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Tantë, kurse shkollimin universitar e mori në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Kajros. I specializoi sëmundjet e mushkërive, duke u bërë njëri ndër ekspertët më të njohur për këtë lloj sëmundjeje në Egjipt. Mirëpo, dëshira për afirmin letrar ishte më e fuqishme, prandaj e lëshoi mjekësinë dhe iu përkushtua studimit letrar, filozofik, sufistik dhe ideor.
Së pari u mor me letërsi; botoi disa vepra të rëndësishme dhe të dalluara letrare, të argumentuara me përsiatje filozofike, kurse të krijuara menjëherë pas rev olucionit në Egjipt në vitin 1952. Botoi edhe disa tregime të shkurta, prej të cilave posaçërisht janë të dalluara: Ushqimi dhe jeta (1953), Zoti dhe njeriu (1955), Apartamenti 7 (1955 dhe 1957), Një grup njerëzish (1962), Era e gjakut (1965) etj. Më vonë botoi disa studime mjaft të rëndësishme, siç janë: Iblisi (1957), Enigma e vdekjes (1958), Enigma e jetës (1967), Bijtë (1961), Ajnshtajni dhe relativiteti (1961) e të tjera. Ai shkroi edhe artikuj me rëndësi të jashtëzakonshme ndër të cilët dallohen: Mbi dashurinë dhe jetën, të cilët janë botuar ndërmjet viteve 1951 - 1955, pastaj Ditari i pasmesnatës i cili u botua në po të njëjtën periudhë, etj.
Romanet të cilat i shkruante e pushtonin publikun dhe nxitnin kritikët e mëdhenj. Veçmas janë të dalluara këto romane të tij: E pamundshme (1960), Opiumi (1964), Merimanga (nga fillimi i vitit 1965), Dalja prej tabutit (nga fundi i 1965), Njeriu nën zero (1966). Shkroi edhe pjesë teatrore: Leka i Madh (në verë të vitit 1963), Tronditja (në verë të vitit 1963), Njeriu dhe hija (1964), Goma (dimër 1968), Djalli banon në shtëpinë tonë (1973). Pastaj u botuan disa udhëpërshkrime të rëndësishme të tij: Pylli virgjër (1963), Shpella në shkretëtirë (1969), Qyteti ose Rrëfimi i udhëtarit (është përmbledhje vëzhgimesh për udhëtimet e tij ndërmjet viteve 1966 dhe 1968). Vepra me titull Ma kanë pranuar në të vërtetë është përmbledhje letrash të zgjedhura të cilat lexuesit ia kanë dërguar në periudhën ndërmjet viteve 1956 - 1959. Zgjedhja prej letrave të lexuesve ndërmjet vitit 1956 dhe 1966 botohet me titullin Problemet e dashurisë.
Pastaj u shkruan Pranimet e të dashuruarve (1966) dhe Rruga deri në Qabe (1971). Mustafa Mahmudi botoi edhe disa studime mjaft të rëndësishme të cilat nxitën polemika jashtëzakonisht të mëdha dhe të ashpra. Prej tyre veçanërisht janë të njohura:
Kur’ani - tentativë për të kuptuarit bashkëkohor (1969) (në përgatitje edhe në gjuhën shqipe), Peripecitë e mia prej dyshimit deri në besim (1970) (në gjuhën shqipe i botuar në Prishtinë më 1987 dhe i ribotuar në Shkup më 1994 e 1996), Allllahu (1972), Djalli sundon (1970), Tevrati (1972), E kam parë Zotin (1973), Shpirti dhe trupi (1973), Dialogu me mikun ateist (1974), Marksizmi dhe Islami (1975), Muhammedi a.s. (1975) e të tjera. Mustafa Mahmudi aktivitetin e tij të gjithanshëm e vazhdoi edhe pas vitit 1975. (Ndonëse nuk kemi ndonjë pasqyrë të saktë të veprave të tij, brenda kësaj dekade ka botuar disa dhje tëra vepra me tematikë religjioze dhe ka incizuar mbi 50 diafilma. N.I.).
Duke e dhënë këtë pasqyrë të shkurtër të veprave të publikuara të Mustafa Mahmudit, kemi pasur për qëllim që lexuesit tanë t’i njoftojmë me këtë shkrimtar, shkencëtar dhe mendimtar bashkëkohor arab me erudicion jashtëzakonisht të madh, rruga jetësore e të cilit është mjaft interesante, që përndryshe më së miri mund të shihet prej zhvilimit ideor të cilin ai e ka kaluar.

ZHVILLIMI IDEOR I DR. MUSTAFA MAHMUDIT

Vështirë është që në një vështrim të këtillë të shkurtër të thuhet tërë ajo që do të duhej të thuhet për zhvillimin ideor të Mustafa Mahmudit. Megjithatë do të përpiqemi t’i shkoqisim së paku tendencat kryesore të këtij zhvillimi, duke i reduktuar këto në katër:
a) Prej muzikës deri në mjekësi,
b) Prej aventurës deri në izolim,
c) Prej dyshimit deri në besim,
ç) Prej letërsisë deri në filozofi.
Këtu, së paku shkurtimisht, do të përpiqemi të bëjmë fjalë për katër periudhat e zhvillimit, në mënyrë që lexuesit tanë sadopak të njihen me këtë personalitet mjaft interesant të botës bashkëkohore islame.

a) Prej muzikës deri në mjekësi

Qysh në shkollën fillore, pastaj në të mesmen, Mustafa Mahmudin e tërhiqte muzika. Duke e lexuar dhe dëgjuar Kur’anin frymëzohej me muzikalitetin dhe bukurinë e tij. Kjo e shtyri që një ditë të blejë kitarën dhe të fillojë të mësojë lojën me veglat muzikore. Kitara shpejt iu bë pasion. Nga ana tjetër, prindërit e tij njëmend dëshironin që të birin ta shohin në El Ez’herin e njohur, e pastaj me xhybe dhe ahmedi. Mirëpo, muzikanti i ri i theu të gjitha shpresat e tyre atë ditë kur maturoi dhe shkoi të regjistrohet në fakultet. Pas kthimit prej Kajros, i lajmëroi prindërit se është regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Kajros, duke ua bërë me dije se ky vendim i tij është përfundimtar. Ja kështu, Mustafa Mahmudi në një mëngjes shtatori u paraqit në Fakultetin e Mjekësisë në të cilin më vonë diplomoi dhe specializoi.
Askush nuk e dinte se pikërisht studimi i mjekësisë aq fuqishëm do të ndikojë në Mustafa Mahmudin i cili qysh në shkollë të mesme tregonte interesim të madh për ateizmin. Ditë e natë lexonte, shkruante dhe diskutonte. Profesorët e këshillonin që ta lërë mjekësinë dhe t’i kushtohet letërsisë. Të tjerët ia preferonin drejtësinë, derisa të tretët i sugjeronin ta studiojë filozofinë. Duket se vetëm ai e dinte se cila është rruga e tij. Së shpejti u bind se pikërisht mjekësia ia ofronte atë që e dëshironte. Profesorët shpeshherë e gjenin duke qëndruar pranë ndonjë kufome mbi të cilën është bërë autopsia, duke i ndarë dhe analizuar pjesët e saj dhe duke kërkuar përgjigje në pyetjet të cilat shpesh as vetë profesorët nuk i dinin e ndoshta as nuk i kërkonin. Në këtë periudhë Mustafa Mahmudi shkroi disa vepra të cilat paraqesin fillimin e kthesës në jetën e tij, sikur që janë veprat: Enigma e vdekjes, Merimanga e disa të tjera. Kjo për një kohë do ta shpjerë në filozofinë indiane, ku në idenë e inkarnimit do të orvatet të gjejë përgjigje në disa pyetje të cilat e preokuponin. Mjekësisë përsëri i kthehet, duke ia kushtuar tërë qenien e vet. Duke iu falënderuar kësaj, për një kohë relativisht të shkurtër filloi të dominojë në qarqet e mjekësisë në Egjipt, që te shumica nxiti xhelozi e te disa madje edhe kundërshtim të hapët. Nderi të cilin e gëzonte në vend dhe jashtë vendit, i mundësoi atij udhëtime mjaft të shpeshta në shumë vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës.

b) Prej aventurës deri në izolim

Shpirti i shqetësuar dhe të ardhurat e mira e nxisnin në aventura. Disa herë shkoi në Evropë, duke u orvatur të gjejë qetësi në të dhe në qarqet e saja shkencore. Lexon çdo gjë që i vjen në duar, zhvillon diskutime me dijetarët dhe shoqërohet me mendimtarët duke shpresuar se ata do t’i ofrojnë atë që e kërkon dhe për çka hulumton. Mirëpo, mbetet i dëshpëruar pas takimit me ta.
Pasqyra të cilën para kësaj e kishte për Evropën filloi papritmas të zbehet e humbet. I pasur në të gjitha dhe egoist sipas natyrës, detyrohet që më thellë të zhytet në shpirtin e njeriut evropian, veçantia parësore e të cilit është centrizmi ekskluziv. Kjo i hap atij horizonte të reja të cilat do ta shpiejnë në Azi, pastaj në Afrikë, midis njerëzve, ligjeve, shkretëtirës, xhunglës dhe fiseve të tyre. Altruizmi islam në të, gjatë këtyre udhëtimeve do të zhvillojë njohuri madhështore të filantropisë, dashurisë dhe humanizmit. Kudo do të gjurmojë për burimet origjinale të dashurisë ndaj Finitit, Absolutit dhe Burimorit. Për këtë në veprat e tij edhe takohemi me udhëkryqet e të gjitha meridianeve të botës. Pena e tij gazetareske sado që është ekskluzive aq është edhe studioze. Në udhëpërshkrimet, artikujt, veprat dhe punimet e tjera të krijuara në atë periudhë hasim në laramani të pasur të jetës të mbushur me doke, kontraste, tradita, martesa, lindje, varrime dhe me dervishë të të gjitha tarikateve, kombeve dhe sjelljeve. Mustafa Mahmudi tek ato na shpie nëpërmjet të gjitha rrugëve të jetës, pikëllimit, gëzimit, varfërisë, pasurisë, shfrenueshmërisë, tërheqshmërisë dhe shumëngjyrësisë.
Thënë shkurt, pikërisht këtu takohemi me jetën ashtu siç është: e plotë dhe e zbrazët njëkohësisht, jetën e cila e përjetëson aromën, të qajturit dhe të qeshurit e saj. Mustafa Mahmudi arrinë të na e prezentojë këtë me fjalë sikurse artisti që e bën këtë me ngjyra.
Në veprat e tij gjejmë mjaft frymë romantike, pasuri realiste dhe shumë këndim simbolik. Këtu Mustafa Mahmudi bën një hap më tej në letërsinë bashkëkohore arabe e cila shquhet me llojllojshmëri, pasuri, ide, ballafaqim, guxim, hieshi, angazhim, humanizëm dhe tradicionalitet.
Pikërisht kjo përvojë e pasur dhe e llojllojshme do t’i konfirmojë Mustafa Mahmudit se jeta dhe vdekja së bashku me materien dhe shpirtin me të vërtetë paraqesin sekretin e Sekretit, dhe se njeriut, sado që të dijë, të posedojë dhe çkado qoftë, megjithatë pak i është dhënë. Ky mësim do të jetë shkak që edhe ai vetë të gjendet në meridianet, binarët dhe hulumtimet e reja ideore, ku të gjitha së bashku do ta shpiejnë atë në përsiatje të re, në vetmi dhe izolim.

c) Prej dyshimit deri në besim

Mund të pritej që dr. Mustafa Mahmudi në këtë rrëke llojllojshmërishë dhe kundërthëniesh ta humbë veten. Mirëpo, një shikim rreth vetes, në vete dhe jashtë vetes e detyroi që t’i përcaktojë relacionet e veta jetësore të cilat shpiejnë nëpër të gjitha skilat dhe haribdet, mosbesimet dhe besimet, mëkatet dhe pendimet, shfrenimet ideore dhe përcaktimet shpirtërore, dallimet kreative dhe stabiliteti logjik. Dhe kjo rrugë do të jetë rikthyese në tërë jetën e tij. Në tërë këtë ai do ta gjejë vetveten dhe qenien e tij. Kështu do të fillojë faza e re e jetës së tij e cila e tëra do t’i përkushtohet shpirtit, besimit, njeriut dhe ngritjes së tij. E tërë kjo ka ardhur pas leximit, studimit dhe përimtësimit edhe të vetvetes edhe të të tjerëve. Fryt i gjithë kësaj do të jetë vepra e tij me rëndësi Peripecitë e mia prej dyshimit deri në besim të cilën lexuesit tanë kanë mundësi ta lexojnë si botim të veçantë. Është interesant të theksohet se para do kohe kjo vepër u botua edhe në gjuhën frëngjishte në përkthimin e orientalistit të njohur Moro Shartjes, të botuar në Bejrut.
Duke e marrë parasysh se lexuesit tanë, siç tanimë e theksuam, janë të njoftuar me këtë vepër, prandaj edhe nuk do të ndalemi te ajo. Do të theksojmë vetëm se ajo paraqet pasqyrën e zhvillimit shpirtëror të autorit po në atë përmasë në të cilën prezentohen disa vepra të Dekartit, Gazaliut, Spinozës e të tjerëve. Këtu është me rëndësi të theksohet se kjo periudhë e dr. Mustafa Mahmudit prezenton kthimin e tij të sinqertë, të njëmendtë Kur’anit, i cili krejtësisht do ta shpjerë në binarët, rrugën dhe relacionet e tij.
Kjo edhe do të ndikojë që i tëri t’i përkushtohet studimit të njëmendtë të Kur’anit. Si rezultat i kësaj lindi vepra e tij Kur’ani - tentativë për të kuptuarit bashkëkohor, e cila shkaktoi diskutime të rrepta në mesin e studiuesve të Islamit, rezultat i së cilës ishte edhe vështrimi shkencor-kritik i kësaj vepre i kur’anologes dr. Aishe Abdurrahman alias Bintu Shati. Në këtë vepër Mustafa Mahmudi u nis hapave të të observuarit konstruktiv kur’anor, duke i konfirmuar dimensionet e mu’xhizes së Kur’anit dhe predominimin e tij ndaj të gjitha llojeve të kufizimeve, duke i mishëruar në njëmendësinë absolute të cilën mundemi vazhdimisht ta hulumtojmë, por asnjëherë nuk mundemi plotësisht ta zbulojmë. Përveç tjerash, kjo do t’i ndihmojë t’u shmanget të gjitha tendencave tjera ndikuese, duke u thelluar thellë në sferën e fesë, filozofisë dhe shkencës.
Për shkak të gjithë kësaj që e kemi ekspozuar, mund të themi se letërsia e tij pikërisht edhe e kapërceu rrugën e vet zhvilluese, e cila më në fund u gjet në punimet filozofike siç edhe do ta shohim këtë më vonë.

ç) Prej letërsisë deri në filozofi

Dr. Mustafa Mahmudi së pari konsideronte se nëpërmjet veprës letrare mund të thuhet çdo gjë. Për këtë edhe i përvishet fushës së letërsisë, e cila me të vërtetë edhe i solli famë dhe mirënjohje të madhe. Veprat e tij lexohen në të gjitha anët. Çdonjëra prej tyre gati është shitur. Për to shkruhet, shqyrtohet dhe mendohet. Kur shfaqet ndonjë pjesë e tij teatrore, atëherë nëpër sportele është një rrëmujë e madhe, sepse rinia universitare dëshiron ta shohë, ta ndiejë dhe ta dëgjojë. Besojmë se për këtë arsye vepra e tij letrare është e ngjeshur sa me sensualitetin e altruistit, aq edhe me penetrimin, subtilitetin e filozofit. Ai është letrar dhe filozof i dalluar. Stili i tij është tërheqës, i bukur dhe dinamik. Gjuha e tij është e pasur me figurativitet, simbolikë dhe ide.
Dialogjet janë të logjikshme dhe proporcionale. Eskploatimi me mundësitë gjuhësore është shumë i pasur dhe i fuqishëm. Çdo gjë është në lëvizje, hov, zhvillim, ndryshim. Personazhet janë të gjalla, origjinale dhe të zhvillueshme, por edhe të thurura në tërësinë e konceptimit të krijimit të ri letrar i cili imponohet, ndikon, ndërron dhe krijon. Këtu mishërohen shpresat për një të nesërme më të mirë, më humane dhe më të ndjeshme, sepse para së gjithash jemi njerëz. Në gjithë këtë njeriu mund ta shohë edhe mjerimin e vet por edhe shenjtërinë e vet, pavlerësinë dhe autoritetin. E para e shkatërron ndërsa e dyta e ndërron. Në vrapimin e vazhdueshëm për ndërrime dhe gjurmime ai, megjithatë, ka fuqi ta gjejë vetveten, qenien e vet dhe t’i mposhtë problemet të cilat edhe pse origjinale, megjithatë e transformojnë
njeriun. Njeriu është i lirë vetëm atëherë kur ka mundësi të përcaktohet, të angazhohet dhe të prodhojë, sepse në tërë atë mishërohet edhe ideja e tij sikur edhe qenia e tij.
Ja, në tërë këtë cikël të ndodhur rreth tij dhe në vetë atë, njeriu, sipas mendimit të dr. Mustafa Mahmudit, është i vlefshëm aq sa vepron, sa është i lirë, sa beson dhe sa është i angazhuar.
Dhe në fund, dëshirojmë të theksojmë se dr. Mustafa Mahmudi është i preokupuar me problemet e njëjta me të cilat është i preokupuar edhe filozofi më i madh bashkëkohor islam, dr. Muhamed
El Behij, edhe pse këtyre problemeve u hyjnë nga kënde të ndryshme dhe aspekte të llojllojshme. Neve na mbetet obligimi që të dy, sikur edhe mendimtarët tjerë islamo-arabë, t’i njoftojmë, prezentojmë dhe studiojmë.

Përktheu: Nexhat Ibrahimi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme