Vendi dhe roli i sakrificës në Islam

2. Sakrifica e lashtë sa edhe njeriu

Sakrifica nuk është karakteristikë vetëm e popujve primitivë, mosbesimtarë, por edhe e popujve qiellorë, të cilët pranuan porosinë hyjnore në kontinuitet . 3)
Kjo dhuratë e Allahut me dërgimin e pejgamberëve si udhëzues të njerëzisë ishte për arsye të pamjaftueshmërisë së njeriut që të ekzistojë vetvetiu, i pavarur nga çdo gjë dhe për çdo gjë. I lënë pa ndihmën hyjnore, njeriu do të ishte i parafinuar, egoist e primitiv, prandaj intervenimi hyjnor njeriun e lartësoi dhe fisnikëroi kurse sakrificën e tij e bëri altruiste, humane dhe sociale. 4)
Sakrifica nënkupton gatishmërinë e njeriut për sprovë, andaj fatkeqësitë por edhe favoret janë filterë për sprovimin e njeriut. Trim e hero nuk është vetëm pse thotë se është, por trim është nëse në rast fatkeqësie edhe tregohet dhe dëshmohet para Allahut dhe para vetes në brendinë e vet sipas qëllimit të vet, e pastaj edhe në jashtësi ndaj të tjerëve sipas përcaktimit të Krijuesit të madhërishëm.
Allahu i madhërishëm njerëzit e Tij të dashur e të zgjedhur shpesh i vë në sprova të ndryshme dhe me këtë ka për qëllim të tregojë dhe dëshmojë sinqeritetin dhe përkushtimin e tyre ndaj Zotit Një dhe të Vetëm. Për këtë Muhammedi a.s. thotë se shkalla e disa njerëzve është më e madhe varësisht nga shkalla e sprovave që do të përjetojnë. Me këtë ata përvetësojnë dashurinë, kënaqësinë, afërsinë dhe natyrisht shpërblimin e Allahut në këtë dhe në Botën tjetër.
Kështu me sprova më të rënda u sprovuan Pejgamberët e Allahut, pastaj të dashurit e Tij (evlijatë) dhe besimtarët e mirë dhe ata më pak të mirë, varësisht nga fuqia sa mund të bartin, sepse Allahu askend nuk e ngarkon me atë që nuk mundet. Dijetarët mendojnë se vetëm njerëzit e humbur nuk sprovohen, sepse ata i janë lënë jetës së embël në këtë botë dhe jetës së hidhur në botën tjetër.
Për dallim prej kësaj kategorie njerëzish, njerëzit e mirë brengosen nëse për një kohë nuk sprovohen. Kjo është shenjë se ata gjenden larg mëshirës së Allahut xh. sh..
Lidhur me këtë e theksojmë një hadith të Muhammedit a.s., të cilin e transmeton Ebu Hurejre:
“Kur Allahu e do një njeri, e vë në sprovë, që ta dëgjojë lutjen e tij të përunjtur.” (Bejhekiu sipas Ebu Hurejres).

3. Humbja si gurë sprove

Humbja zë vend me rëndësi në Islam dhe në përgjithësi. Ajo është një faktor me rëndësi në testimin e përkushtimit të ndonjë njeriu kundrejt diçkahit. Por a është humbja në çdo rast gurë sprove? Jo, natyrisht nuk është. Humbja është test i përkushtimit, test i zotimit kur në vete përmban qëllimin, vullnetin dhe sinqeritetin për hir dhe dashuri të dikujt. Vetëm atëherë humbja është sakrificë, kurban.
Këtë e vërteton Kur’ani mjaft qartë:
“Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di.” (Ali Imran, ajeti 92).
Mesazhi është i qartë: muslimani duhet ta sakrifikojë çdo gjë të dashur dhe të çmueshme në këtë botë në përkushtim dhe dashuri ndaj Allahut të madhërishëm dhe ndaj Pejgamberit të Allahut:
“Thuaj (o i dërguar): “Në qoftë se etërit tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregtia që frikoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se All-llahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa All-llahu nuk vë në rrugën e drejtë njerëzit e prishur.”' (Et-Tevbeh, ajeti 24).
Sakrifica prandaj është zotim i veçant për sinqeritet dhe përkushtim. Esenca e saj është kur vetëdijshëm dhe vullnetarisht humbet diçka e dashur dhe e çmueshme nga njeriu për hir dhe dashuri ndaj Allahut dhe për kënaqësinë e Tij.
Sakrifica përveç cilësisë së dëshmimit të sinqeritetit dhe përkushtimit ka edhe cilësinë e shpagimit ashtu që ajo në besim të shfaqet në të dy format e veta edhe si dëshmi konkrete të sinqeritetit dhe përkushtimit edhe si shpagim të disa mëkateve. Sakrifica në Islam rregullohet edhe me dispozita fetare kështu që merr karakter ligjor, detyrues ndër muslimanët.
Kështu vijmë që sakrificën si nocion i përgjithshëm ta kundrojmë në dy përmasa:
- Sakrifica si akt i përcaktuar formal në fe dhe
- Sakrifica, si një element i brendshëm, zë vend të rëndësi në thelbin e kryerjes së detyrimeve dhe ibadeteve të tjera fetare në përgjithësi.5)

4. Sakrifica si akt formal i përcaktuar në fe

Që nga fillimi i jetës në këtë botë ekziston institucioni i sakrificës – kurbanit. Forma më e zakonshme dhe më shpeshtë e sakrifikimit ishte flijimi (prerja, therja) i një kafshe të caktuar shtëpiake. Arsyeja qëndron në faktin se kafshët paraqisnin një vlerë ekzistenciale për njeriun dhe njerëzit sakrifikonin pikërisht gjënë më të shtrenjtë dhe sublime që posedonin.
Kur’ani dëshmon se qysh me Ademin a.s. është konstituuar dispozita kur’anore e sakrificës - për prerjen e kurbanit. Sakrifica vazhdon edhe te pejgamberët e tjerë, sikur te Ibrahimi a.s. dhe bijtë e tij. Sidomos ky institucion është i lidhur me Ibrahimin dhe Ismailin a.s., kur të dytë u sprovuan me vlerën më të shtrenjtë, babai ta sakrifikojë të birin, kurse i biri të sakrifikohet nga babai, si përmbushje e premtimit të Ibrahimit a.s. dhënë Allahut, kurse për dashuri dhe kënaqësi të Allahut. Këtë sprovë të përkushtimit dhe nënshtrimit ndaj urdhrit të Allahut xh. sh., Ai e nderoi Ibrahimin a.s. me titullin e “Mikut” personal të Tij (Halil-ur-Rrahman), që ishte shpërblimi më i bukur për sakrificën madhështore të Ibrahimit a.s..
Në këtë mënyrë u konstituua edhe institucioni aktual i prerjes së kurbanit ndër pasardhësit e Ismailit a.s. dhe u konfirmua në kohën e Muhammedit a.s. për të mbetur si formë e përcaktuar e sakrificës në Islam deri në Ditën e Fundit. Krahas karakterit personal ndërmjet Allahut dhe njeriut që e pretë kurbanin, përmasa më e lartë e mundshme, sakrifica posedon edhe përmasën më të gjerë shoqërore dhe sociale:
“Devetë (therrjen e tyre për kurban) ua kemi bërë prej dispozitave të All-llahut, e ju prej tyre keni dobi, andaj përmendeni emrin e All-llahut duke qenë ato (të përgatitura për therrje) në këmbë, e kur të shtrihen ato në tokë (dhe t’u dalë shpirti), hani prej tyre dhe ushqeni nevojtarin dhe atë që lyp. Ashtu, ato ua vëmë në shërbimin tuaj që ju të jeni mirënjohës. Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni Allahun për udhëzimet që ua bëri. Bamirësve merru myzhde.” (El-Haxhxh, ajeti 36-37).
Krahas përmasës sociale të sakrificës / kurbanit, thelbi i sakrificës megjithatë mbetet përmasa personale ndërmjet Krijuesit dhe njeriut, sepse “tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj”, arrijnë veprat sinqerisht të vepruara nga njeriu.6)

5. Përmasa e brendshme e sakrificës

Deri sa sakrifica është ajo garanci e çmueshme me të cilën konfirmohet dhe manifestohet nënshtrimi, dashuria dhe përkushtimi i dëlirë, sinqeriteti në kryerjen e çfarëdo aktiviteti (sidomos fetar) është i lidhur ngushtë për nocionin e sakrifikimit. Çdo përpjekje posedon sakrifikim. Për ta bërë një punë të vlefshme sakrifikohet koha e lirë; për ta ndihmuar dikend në nevojë sakrifikohet një pjesë e pasurisë etj. Ashtu është edhe me aktivitetet fetare. Gjatë kohës së agjërimit njeriu sakrifikon duke mos ngrënë e pirë, duke mos menduar e vepruar pa i analizuar gjerat mirë etj.. Për këtë arsye, Allahu në një hadith kudsij thotë:
“Agjërimi është i Imi dhe vetëm Unë për të shpërblej, kurse çdo vepër e mirë shpërblehet dhjetëfishë apo më shumë.” (Buhariu).
Edhe zekati dhe sadakatul-fitri është sakrifikim i një pjese të pasurisë. Kjo bëhet për kënaqësi të Allahut dhe me shpresë në shpërblimin e Tij.
Sakrifica e haxhit në kohën tonë nuk qëndron në rrezikshmërinë e jetës, sepse rrethanat e udhëtimit kanë ndryshuar tërësisht, por qëndron në luftën shpirtërore për t’i thënë JO forcave negative në brendinë tonë, dhe potencialet tona materiale t’i riorientojmë drejt qëllimeve fetare kurse në kundërshtim me kërkesat gjithnjë e më të mëdha konsumuese dhe materialiste.
Xhihadi është aktiviteti në të cilin më së qarti manifestohet sakrifica. Xhihadi është përpjekja që fjala e Tij të bëhet më e larta, e jo lufta shfrytëzuese, skllevëruese e vrasëse (siç pretedojnë jomuslimanët). Personi në xhihad angazhohet në rrugën e Allahut me jetën, pasurinë, kohën e lirë dhe me privimin nga komoditeti që e posedon. Ai e sakrifikon veten në angazhime, sprova, rreziqe, dhembje e vuajtje, ofendime e përçmime nga mosbesimtarët për dashuri dhe kënaqësi të Allahut, si kur lufton me dije, fjalë e penë, ashtu edhe me luftë.
Prandaj, xhihadi në të gjitha format e tij në brendinë e vet bartë sakrifikimin e sinqertë të njeriut për dashuri ndaj Krijuesit dhe shpesh ka ndodh që njeriu ka mbetur pa shëndetë, pasuri dhe jetën e tij. Si pasojë e kësaj është statusi i shehidit në rrugë të Allahut, i cili me sakrifikimin e tij e dëshmon Allahun si krijues të tij të mirëfilltë. Çfarë shkalle ka shehidi tek Allahu dhe çfarë janë shpërblimet dhe begatitë të cilat njeriu shehid i gëzon te Krijuesi i tij është e mirënjohur dhe për këtë nuk do të flitet me këtë rast.7)

6. Përfundim

Përsiatja e besimtarëve rreth sakrificës dhe sakrifikimit në Islam duhet të bëhet preokupim i vazhdueshëm. Çdo besimtarë dhe njeri në përgjithësi duhet të gjejë mënyrën dhe rrugën për pjesëmarrje personale në ndonjë formë të sakrifikimit në rrugën e Allahut brenda mundësive të tij objektive.
Allahu nuk e do gjakun as trupin e Ismailit, por e don gatishmërinë e tyre për sakrificë. As nga ne nuk kërkohet derdhja e gjakut, por gatishmëria t’i ngadhënjejmë sfidat e botës aktuale në emër të Allahut.
____________________________
1)Sureja Ez-Zumer, ajeti 3.
2)Shih gjerësisht: Grup autorësh, Smisao i znacaj kurbana, Sarajevo, 1978; Ekrem Sarikçioglu, Historia e feve, Shkup, 2008; dhe sureja El-En’am ajeti 136.
Allahu xh. sh. thotë:
3)“Nuk pati popull që nuk pati të dërguar.” (Fatir, 24).
“Ne kemi dërguar pejgamberë para teje, për disa tprej tyre të kemi njoftuar me rrëfimet e tyre, e për disa nuk të kemi njoftuar.” (Gafir, 78).
4)Sulejman Masovic, Univerzalni znacaj kurbana, në: Grup autorësh, op. cit., fq. 40.
5)Sipas: http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/osnovi/art7_0.html .
6)Sipas: http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/osnovi/art7_0.html .
7)Sipas: http://www.znaci.com/osnovi_vjerovanja/osnovi/art7_0.html .
_____________________________

Burimi: Dituria Islame,Prishtine, nr. 231/2009

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme