Para disa ditëve në Sarajevë u mbajt “Konferenca ndërkombëtare mbi trashëgiminë osmane” në të cilën pjesëmarrës ishte edhe ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutogllu. Fjalimi i tij me titull: "Trashëgimia osmane dhe bashkësitë myslimane në Ballkan" ngjalli një kërshëri jo të zakonshme në qarqet diplomatike, por edhe te mendimtarë e intelektual të ndryshëm nga rajoni dhe bota, ndër të cilët edhe te i yni, Arbër Xhaferi. Kërshëria e tij u shkri në një shkrim të botuar gjithandej mediave të shkruara shqipe, me titull “Sfida osmane”. Ndërsa po ky shkrim ngjalli te unë kërshëri për të debatuar në temën e rrekur nga dy autoritet e përmendur më lart.
Në fillim dua të shpreh mirënjohje dhe respekt për kapacitetin intelektual të z.Xhaferi për të gjitha shkrimet e tij të publikuara dhe për mënyrën e artikulimit të ideve të tija në shtyp me çka po len një pasuri rrallë të krijuar të mendimit filozofik, politik e kombëtar ndër shqiptarët e Maqedonisë e më gjerë.
Duke analizuar këtë shkrim në mënyrë racionale erdha në përfundim se ngjyrosja ideore dhe kualifikimet e shënuara ndaj fjalimit të z.Davutogllu nga ana e z.Xhaferi do të kishin marrë një kahje krejt tjetër, nëse do ishte qasja ndaj idesë së tillë, e një këndvështrimi tjetër.
Në fillim të tekstit jepet një pasqyrë e zhvillimeve të ngjarjeve në ish-Jugosllavi në fund të viteve të 80-ta, ku në veçanti përshkruhet propaganda serbe ndaj çështjes boshnjake dhe shqiptare duke keqpërdorur përkatësinë fetare të këtyre dy popujve në kuadër të Jugosllavisë, për të realizuar idenë e tyre serbomadhe. Mirëpo, epilogu i kësaj ideje është në përfundim e sipër. Të gjithë jemi dëshmitarë për rezultatin e asaj propagande. Si duket, z.Xhaferi ende ndikohet nga ajo propagandë duke tentuar të distancohet nga çdo ide e cila do të mund të asoconte në propagandën serbe. Mendoj se kjo është e panevojshme në konstelacionet e tashme gjeopolitike dhe më shumë është refleks i një të kaluare të hidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Kjo është një arsye që më duket se ia ka rënduar, madje edhe shtrembëruar atij fotografinë që ka për idenë e z.Davutogllu.
Arsyeja tjetër që, sipas mendimit tim, ka krijuar perceptim joreal është qasja fukujamiste ndaj kësaj ideje. Tërë tekstin e përshkon kjo frymë e cila konsideron çdo koncept tjetër të ristrukturimit të Ballkanit, si të harxhuar dhe të vonuar madje edhe te pamundur për realizim, madje ai konsideron konceptin e ministrit të jashtëm turk si naiv dhe nostalgjik.
Këto janë perceptimet e mia mbi qasjen e z.Xhaferi ndaj idesë davutoglliane, por megjithatë për perceptimet është rëndë të gjykohet, andaj ta shtjellojmë temën qendrore të dy mendimtarëve për të cilën edhe dua të debatoj.
Çështja dhe problematika kryesore sillet rreth idesë qendrore të z.Ahmet e ajo është se Ballkani duhet të kthehet në qendër të politikës botërore e jo të jetë zorrë-qorre e politikës europiane. Distonia e kuptimit të idesë së z.Davutogllu nga ana e z.Xhaferi, qëndron në mënyrën e elaborimit dhe në të perceptuarit e kësaj ideje. Në fakt z.Davutogllu, kur flet për historinë e artë të Ballkanit nuk pretendon se kthimi i perandorisë osmane (lexo: Sfida Osmane sipas z.Xhaferi) është mënyra se si do të duhet të kthehet Ballkani në qendër të politikës botërore, por ajo është vetëm një dëshmi se në këto troje kur dikush tjetër, me një mënyrë tjetër ka qeverisur, punët kanë shkuar ndryshe. Ai pra (Davutogllu), historinë e Ballkanit në kuadër të Perandorisë Osmane e shfrytëzon vetëm sa për të ilustruar se ajo ka funksionuar shkëlqyeshëm 5 shekuj me radhë, por koncepti i rendit të ri, sipas tij nuk duhet të jetë pikërisht ai i Perandorisë së atëhershme Osmane, por një rend i ri i bazuar në vlera universale, moderne, humane të bazuara sipas tij në tre pika elementare që janë karakteristika të Ballkanit që janë: 1. Pozita gjeostrategjike e Ballkanit; 2. Ndërveprimi ekonomik; dhe 3. Ndërveprimi kulturorë.
Andaj unë them se sfida të cilën e hapi në Sarajevë z.Davutogllu është një sfidë neoosmane, jo osmane siç thekson z.Xhaferi. Davutogllu nuk kërkon kthimin e Perandorisë Osmane, por kërkon një mënyrë tjetër të funksionimit të rendit të ri ku postulatet elementare të atij rendi të ri do të formulohen në bazë të vlerave universale të pranuara sipas gjitha standardeve dhe konventave të kohës por me shpirtin e asaj Perandorie që ishte shumë e suksesshme sidomos në planin e bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme që përbënin një hapësirë multietnike e multikonfesionale në kuadër të asaj Perandorie.
Në realitet, ideja e Unionit të sotëm Europian a nuk bazohet në milet-sistemin e Perandorisë Osmane? Ku popujt një pjesë të integritetit që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe çështje tjera të rëndësishme e bartin në nivel qendror ndërsa çështjet lokale mbesin nën kuadrin e secilit popull(shtet) nën integritetin e tyre të plotë. Nëse shikohet me syrin objektiv, shumë më rëndë ka qenë të besohet se dy shtete e kombe që masakroheshin mes vete me vite të tëra si gjermanët e francezët, do të mund të jenë bartës të një koncepti për një Union si ky i BE-së, por ne jemi dëshmitarë se ky projekt pas shumë viteve, pas shumë mundimeve, pas shumë investimeve, me tërë ato transformime që nga organizata e parë e përbashkët për çelik dhe thëngjill e deri më Bashkimin Europian çfarë e njohim sot, po realizohet dhe po jep frytet e veta. Pse mos mund të realizohet një koncept i cili veç më dihet se ka funksionuar. Dhe kur jemi te milet-sistemi në Perandorinë Osmane, më duhet ta demantoj z. Xhaferi kur thotë se shqiptarët nuk kanë pasur statusin e miletit në kuadër të Perandorisë Osmane. Për pozitën e shqiptarëve në këtë Perandori ka shumë fakte historike, lista prej 35 vezirëve shqiptarë duke filluar që nga Davud Pasha (1482-1497) e deri te Mehmed Ferid Pasha – Vlonjaku (1903-1908) ndoshta është vetëm një ilustrim i vogël për të dëshmuar këtë pozitë. Pastaj letërkëmbimi mes Kemal Atatrukut dhe mbretit Zog në vitin 1934 ku ndër tjera thuhet: “Ne e duam popullin shqiptarë dhe ju njohim si vëllezër tanë. Seriozisht dhe prerazi duam t’ua bëjmë me dije se dëshirojmë që ju si shtet dhe si populli të jeni ndër popujt më të fuqishëm të Ballkanit”¬- thotë Ataturku, ndërsa mbreti Zog kështu përgjigjet: “Pesë shekuj me radhë unitetin e popullit shqiptarë e ka mbrojtur Turqia. Pa Turqinë, Shqipëria nuk do të mund të shpëtonte nga presioni i sllavëve... ekzistencën tonë ia kemi borxh Turqis딬 - ky letërkëmbim është një argument për marrëdhëniet shqiptaro-turke edhe pas rënies së Perandorisë Osmane. Ndërsa akraballëku si terminologji dhe si koncept që z. Xhaferi e përmend u zhvillua shumë më vonë pas rënies së Perandorisë Osmane.
Nëse lexohet me kujdes shkrimi i z.Xhaferi mund të shihet se ai idenë e z.Davutogllu që në fillim e minon duke mos i lënë hapësirë të qartësohet e të elaborohet, edhe pse vetë e titullon shkrimin e tij mbi idenë e z.Davutogllu si: “Sfidë...” ku vetë ky term në vete ngërthen një proces që duhet të zhvillohet, të cilit e ardhmja nuk i dihet. Idenë e z. Davutogllu ai e sulmon duke i veshur vetëm anën emocionale, kurse nga na tjetër vetë parashtron disa pyetje shumë të rëndësishme, si p.sh:
- si do të realizohet
- çfarë do të ndodhë me trashëgiminë e Ataturkut
- Edhe nëse ndodh kjo mrekulli, atëherë si do të arrihet pajtimi ndërmjet popujve të armiqësuar përjetësisht?
- Si të harmonizohen këto dy pretendime antagoniste turke, anëtarësimi në UE dhe ringjallja e Perandorisë Osmane, madje qoftë vetëm të frymës së saj?
Pa mos ua ditur përgjigjen këtyre pyetjeve nuk mund edhe të sulmohet një ide apriori.
Në fillim duhet të konstatojmë se ideja e shpaluar nga ana e z.Davutogllu ne Sarajevë nuk është elaboruar, andaj konstatimet të cilat i derivon z.Xhaferi se tezat janë radikale, nuk qëndrojnë.
Ai, duke dashur të japë pasqyrë të një fatamorganeje idesë se z.Davutogllu i qaset nga këndi i tezës radikale. Nuk mund të ketë tezë radikalë deri sa nuk kemi tezë të zhvilluar plotësisht, për momentin kemi vetëm një ide dhe ideja është fisnike, por tentimi për ta përshkruar atë se z.Davutogllu kërkon një shtet i cili do të shtrihet nga Bosnja e deri në Afganistan, nuk mbajnë. Me këtë ai fut në kurth lexuesin duke ia shfaqur “shtetin e Davutogllut” si shtet ku bashkërisht do të jetojnë talebanët e shqiptarët.
Mandej, z. Xhaferi është skeptik se sllavët do të pranonin një “ide të shumëkulturalizmit, nën patronazhin turk”. Por përgjigjja më e mirë në këtë skepticizëm është teksti i botuar pikërisht nga një sllav(maqedonas) Stevo Pendarovski (ish këshilltar i kryetarit të shtetit për Siguri Nacionale) në “DNEVNIK” më 28.09.2009 me titull “Otomoanët e ri po vijnë”, ku ndër të tjera ai shkruan: “Dihet se Otomanët e vjetër pa ftesë u kanë ardhur mysafir. Nëse ia dëshironi të mirën shtetit tuaj, Otomanët e rinj duhet që vetë t’i ftoni në muhabet. Liderët e Turqisë së sotme janë të vetmit që mund të bisedojnë edhe me Hamasin edhe me Hezbollahun, edhe me sunitët edhe me shiitët. Për këto punë, që sot nuk mund t’i bëjë as Amerika, më i merituar është vizioni i Davutogllut”. “... po ky njeri nga institucione prestigjioze perëndimore emërohet si “Kisinxheri turk...”, “... redaktori i CNN Turk ka bindje se ai është këshilltari më me ndikim në historinë e diplomacisë turke...”. Kështu pra, perceptohet ky njeri në qarqet diplomatike perëndimore. Po edhe vetë z.Xhaferi në hyrje bën një përshkrim të vogël figurës së tij: “ai është njëri nga intelektualët më brilant jo vetëm i Turqisë, por i të gjithë botës islame. CV-ja e tij intelektuale është mbresëlënëse”. Por kur përmend veprimtarinë e tij: "Paradigmat alternative", "Transformimi qytetërues dhe bota islame", "Thellësitë Strategjike", 'Kriza globale"- thotë se janë botuar në shumë gjuhë të botës natyrisht edhe në anglisht, por harron të potencon se po këto libra janë të përkthyera edhe në gjuhën shqipe (përveç Thellësitë Strategjike" që është në përkthim e sipër) dhe se lexuesi shqiptarë ka qasje direkte në botëkuptimet dhe vizionet e Davutogllut për të ardhmen.
Ideja e z.Davutogllu nuk përkon me kthimin e Turqisë në histori duke vënë në pikëpyetje trashëgiminë e Ataturkut, por ai mëton të ngërthen tërë trashëgiminë historike e kulturore të të gjitha kohërave të këtij nënqielli duke ngërthyer këtu edhe periudhën e Ataturkut, dhe me gjithë atë bagazh historik të marrë përgjegjësinë për të krijuar një rend të ri, një sistem të ri të funksionimit të bazuar në vlera dhe standarde universale.
Në interes të zhvillimi të këtij debati dhe për të sqaruar më mirë pozicionimet dhe botëkuptimet tona rreth kësaj ideje të z.Davutogllu, unë po e pyes të nderuarin z.Xhaferi:
- Si është e mundur që një njeri çfarë e përshkruajtët ju vetë në shkrimin tuaj në fjalë siç është z. Ahmet Davutogllu (si akademik, si intelektual, me gjithë ato vepra të shkëlqyera, me gjithë atë peshë të rëndësishme në krijimin e politikave të shtetit më demokratik të botës islame), të mund të shtrojë një ide kaq të madhe e ta mbështesë atë vetëm me motive, siç thoni ju, “retorike-emotive” dhe atë ta bazojë vetëm “mbi argumentet nostalgjike” - siç thoni ju? Dhe po këtë ide ta shpalosë pa u shqyrtuar gjerë e gjatë në të gjitha instancat e krijimit të politikave ndërkombëtare të shtetit të tillë siç është Turqia me gjithë kapacitetin që ajo ka?
Në shkrimin e tij z. Xhaferi përshkruan edhe këtë:
- Në pyetjen e gazetarit, se për kë bënte tifo në ndeshjen e futbollit ndërmjet Turqisë dhe Bosnjë - Hercegovinës, z Davutogllu tha se zemrën e paska të ndarë dhe fjalinë e përfundon me "ne e mundëm ne" (vetveten). Me këtë fjali ai merr një duartrokitje të gjatë nga auditori.
- Ai, pohon se integriteti territorial i Bosnjës është njësoj i rëndësishëm sesa i Turqisë.
Bazën e konceptit të idesë se tij si një “sfidë neoosmane”, Ahmet Davutogllu e shpalosi duke përfunduar fjalimin e tij kur i dha përgjigje pyetjes më joformale në lidhje me tifon në ndeshjen futbollistike mes Turqisë dhe Bosnjës, pra duke thënë: “Ne e mundëm ne (vetëveten)” – Ai tha fjalinë kyçe dhe sipas meje ngjyrosi konturat e konceptit të tij për ardhmërinë e këtij rajoni në veçanti dhe të botës në përgjithësi. Ky është një koncept multilateral e jo unilateral siç thekson z.Xhaferi, ky madje është një koncept unik, i bazuar në vlera të përbashkëta dhe sistem të unifikuar të ndërveprimit kulturor e ekonomik. Ky është një lajtmotiv, Kjo frazë sipas meje do të jetë pandan i thënies së Martin Luter Kingut: “I have a dream”. Të jesh i madh siç është Turqia dhe të barazosh veten me Bosnjë e Hercegovinën e vogël, është koncepti i ardhmërisë për drejtësi, barabarësi, humanitet e solidaritet. Andaj, unë mendoj se z.Davutogllu dhe shteti turk, jorastësisht zgjodhën pikërisht Sarajevën të fillojnë të shpalosin këtë ide, në Sarajevën multietnike e multikonfesionale, aty ku bashkëjetojnë historia e famshme e Perandorisë Osmane bashkë me konceptet moderne të civilizimit Perëndimor. Thonë, historia përsëritet, ajo është vërtetuar shumë herë në historinë e njerëzimit, si duket edhe në këtë rast do të ndodh e njëjta, Davidi, si duket përsëri do ta mundë Golijatin.