Prizreni me monumentet e shumta kulturore-historike radhitet ndër qytetet më të rëndësishme të Ballkanit. Kemi gjurmët ilire, romake, bizantine, pastaj turke dhe në shekullin e fundit deri në ditët tona gjurmët serbo-jugosllave. Për të gjithë këta sundues, pak a shumë flitet në kontekstin pozitiv, përveç për turqit. Theksuam përveç për turqit, sepse vetëm kjo periudhë është halë në sy si për serbo-jugosllavët ashtu edhe për një pjesë të shqiptarëve. Kjo atmosferë është krijuar kryesisht nga ndikimi i krishterë dhe ai monist bolshevik; çdo gjë islame u shpall regresive dhe antikombëtare nga ana e tyre, ndonëse Islami këtij qyteti dhe këtyre trevave u solli fe të pastër monoteiste, u solli sistem më cilësor politik, ekonomik, social, arsimor-edukativ sesa sistemet e tjera ekzistuese. Rrjedhimisht nga kjo mund të konkludojmë se Islami (periudha turke) i dhuroi më së shumti Prizrenit, e në anën tjetër, gjatë periudhës serbo-jugosllave Prizreni pësoi më së shumti në çdo aspekt.
Në vazhdim kujdesin tonë do ta përqendrojmë në dy vitet e fundit, kur shteti juridik vjen në shprehje të plotë.
Gjatë vitit 1989, Kuvendi Komunal, Enti për Mbrojtjen (lexo: zhdukjen) e Monumenteve Historike dhe “Beogragjanka” e Beogradit, duke përdorur argumentin e forcës dhe të makinacioneve mafioze, kanë dëshiruar që nga faqja e dheut përgjithmonë ta zhdukin monumentin më të vjetër të kulturës islame në Prizren e më gjerë, me emrin Namaz-xhah, i cili gjendet në dalje të Prizrenit për në Gjakovë. Këta vandalistë të kulturës islame kanë dëshiruar që në vend të Namaz-xhahut ta ndërtojnë një shtëpi të mallrave “Beogragjanka”, për punësimin e të kthyerve dhe të ndershmëve. Me të dëgjuar të këtij lajmi (sepse kjo procedurë ka qenë sekrete), Bashkësia Islame e Prizrenit ka kontaktuar me organet shtetërore, me ç’rast ashpër ka protestuar gojarisht dhe me shkrim. Pas shumë përpjekjeve dhe presioneve mbi organet shtetërore, u pengua ky synim i tyre i çoroditur. Por, deri kur nuk e dimë!
Kah gjysma e vitit 1990, pasoi provokimi i dytë. Nën patronatin e poltronëve komunalë, drejtuesi serb i ndërmarrjes hoteliere “Dushanov-grad” ndërmori aktivitetin që pranë Xhamisë Maksud pasha ta ndërtojë edhe një kafene me terracë, ku do të konsumohet alkoholi, ku do të degjenerohet rinia, ku do të atakohet dhe përdoret xhamia dhe besimtarët, teqeja, tyrbja dhe varrezat (mbi të cilat po planifikohet ndërtimi i kafenesë). E gjithë kjo bëhet 20 metra larg kafenesë Marash të së njëjtës ndërmarrje hotelerike. Edhe me këtë rast, Bashkësia Islame reagoi ashpër, duke i cilësuar këto veprime si jocivilizuese dhe të motivuara nga kryqëzatat. Organizoi tubime publike me çka i detyroi organet shtetërore t’i ndërpresin punimet dhe t’i bëjnë gjurmimet arkeologjike për të konstatuar se a ka në parcelën kontestuese varreza. Varrezat u konstatuan, kurse punimet janë ndërprerë. Deri kur nuk dimë!
Kah fundi i muajit nëntor 1990 kemi edhe një provokim, mbase më i madhi gjatë këtyre viteve të fundit. Pra, në kontinuitet, kisha ortodokse dhe shoqatat e ndryshme serbe, tash haptas, duke mos u fshehur pas institucioneve shtetërore, po e përtërijnë idenë për rrënimin e Xhamisë së Sinan Pashës, siç e kanë provuar tashmë disa herë. Ata nën pretekstin se dëshirojnë t’i restaurojnë objektet e tyre fetare, kanë hyrë në aventura të rrezikshme. E për ta bërë këtë, së pari duhet rrënuar xhamia, sepse gjatë ndërtimit të xhamisë, Sinan pasha, gjoja, ka përdorur gurët e kishës në gërmadha të Arkangjelit. Me këto gënjeshtra është provuar disa herë deri tash. Në vitet e njëzeta, imami i xhamisë haxhi Rrustem efendi Shporta me besimtarët ka zhvilluar luftë të vërtetë kundër kryqtarëve ortodoksë serbë. Ata kanë mbrojtur nderin e fesë së tyre dhe të qytetit, të popullit dhe të vetin. E kanë mbrojtur njërin ndër objektet më të çmueshme të kulturës në Ballkan. Besojmë se besimtarët muslimanë, por edhe të gjithë njerëzit demokratë, do ta ngrenë zërin dhe me aktivitet të urtë, por të vendosur do ta pengojnë këtë turp të shtetit juridik, përkatësisht të okupatorëve të Kosovës. Xhamia e Sinan pashës, bukuroshja e qytetit, do të qëndrojë edhe më tej e paprekur nga dora e okupatorit, kurse minarja e saj e hollë dhe e gjatë edhe më tutje do ta dëshmojë Allahun një.
Allahu na ndihmoftë!
Prizren, Shkurt 1991
Nexhat Ibrahimi
____________________________________
Shënim.: teksti është origjinal, pa kurrfarë ndryshime.