
Kjo iniciativë e Arabisë Saudite kishte ndikuar që edhe vende tjera arabe dhe islame të organizojnë konferenca ndërfetare të këtij lloji, të cilat kishin krijuar një klimë më të mirë të sigurisë dhe mirëbesimit në të gjitha anët e botës. Kështu kryeministri turk RexhebTajib Erdogan, në marrëveshje me kryeministrin e Spanjës Zapatero kishin nënshkruar marrëveshje për aleancën midis qytetërimeve, e cila ishte kurorëzuar me mbajtjen e dy konferencave ndërfetare, në Madrid dhe në Stamboll.
Jordani është falënderuar për lirinë që gëzon pakica e krishterë në atë vend, si dhe për iniciativën që kanë marrë prijësit fetarë islamë në atë vend nën parullën “Fjalë e përbashkët”, të cilën e kanë nënshkruar 138 prijës fetarë nga të gjitha vendet e botës islame. Me këtë parullë, prijësit myslimanë u drejtuan tek krishterët . Ata u mirëpritën nga përfaqësuesit e kishës katolike dhe kishat më të mëdha protestante. Nën këtë parullë deri më tash janë organizuar disa konferenca ndërfetare në vende të ndryshme të botës, ku kanë marrë pjesë myslimanë të krishterë dhe çifutë.
Katari falënderohet për organizimin e kongresit të dialogut ndërfetar, të cilin e bënë për çdo vit, këtë vit ishte pesti me radhë, ku marrin pjesë përfaqësues të gjitha feve nga shumë vende të botës, si dhe deklaratat që aprovohen në të.
Shteti i Umanit, falënderohet për politikën e drejtë që udhëheq ky vend, ku nuk bëhen dallime në baza fetare. Gjithashtu Umani organizon konferenca të dialogut ndërfetar, pret delegacione fetare nga vende të ndryshme të botës. Liritë fetare respektohen për të gjithë jomyslimanët qofshin ata qytetarë të Umanit apo ata që përkohësisht qëndrojnë në atë vend.
Në fund vlen të theksohet se ndikim me rëndësi në liberalizimin e lirive fetare në këto vende si dhe në botën arabe në tërësi, ka bërë klima e re, që filloi me ardhjen e presidentit amerikan, Barak Obam në krye ët administratës amerikane. Fjalimet e tij përmbajtjesore në dy qendra të botës islame, në Stamboll dhe në Kajro, si dhe në raste tjera, qoftë në SHBA, apo jashtë saj, të cilat në fokus kishin hapjen e SHBA-ve ndaj Islamit, myslimanëve dhe arabëve, patën ndikim të madh në kthimin e besimit, i cili kishte humbur në kohën e administratës së ish-presidentit Bush, i cili në shënjestër kishte konfliktin e civilizimeve dhe luftën kundër terrorizmit (islamik).