KUR’ANI- SHKRIMI, GJUHA DHE PËRKTHIMET E PARA

Shkrimi kufian, emëruar sipas qytetit Kufe i cili gjendet në Irakun jugor, është shkrim monumental dhe këndor. Më këtë shkrim janë shkruar Mus’hafët për plotë katër shekuj me radhë. Në periudhën abaside u degëzua në më shumë se pesëdhjetë variante, në mesin e të cilëve më të njohur janë: shkrimi mukarrer, mushexh-xher, murebbe’a, mudevver dhe muteddehil.
Ky shkrim vazhdoi të përdoret deri në shek. e 10 H. / 16 M., pas të cilit u zhduk tërësisht. Në kohën e re, ky shkrim ka filluar që të ringjallet dhe të përdoret në arkitekturë.
Shkrimi nes’h, për dallim nga ai kufian, është më kursiv dhe më i rrumbullakët. U zhvillua në Egjipt, duke qenë larg ndikimit të gjuhës siriane, me ç’rast paraqitet si i vetmi trashëgimtar i shkrimit nabatejan. Është përdorur, gjithashtu, për shkrimin e mus’hafëve, dokumenteve zyrtare si dhe në monedha.
Me kombinimin e këtyre dy tipave kryesorë të shkrimit arab, Kutbe Ibn El-Mularrir, aty kah fundi i dinastisë Emevite shpiku një formë të re të shkrimit të quajtur “xhelil”. Diversiteti i këtij shkrimi mund të vërehet edhe në shembuj të shumtë të realizuar në mure të xhamive, shkollave dhe objekteve të tjera në qytetin e Kajros. Pas shkrimit xhelil, po i njëjti kaligraf, krijoi edhe shkrimin “tumar”, i cili, për nga forma, është më i imët se shkrimi xhelil, me anë të të cilit janë shkruar emrat e sulltanëve në fermanë dhe dekrete. Në periudhën abaside, Ibrahim Esh-Shexher, zbuloi shkrimin “sulus” - varianti i ri i shkrimit tumar, kurse vëllai i tij zbuloi shkrimin “tevki” – njëri nga variantet e shkrimit xhelil.
Pas këtyre, Ebu Ali Muhamed ibn Mukle, kaligrafisti më i madh në historinë e kaligrafisë arabe, shkrimit nes’h, xhelil dhe varianteve të tjera, u dha formën përfundimtare gjeometrike. Dhe kështu, në këtë trajtë dhe formë, që të dy shkrimet, arritën edhe në viset perëndimore arabe (Magreb).
Në Persi dhe Azi është përdorur shkrimi i quajtur “farisi”, ndërsa në Turqi shkrimet rik’a, divani, ixhaz dhe tugra. Ishte pikërisht kaligrafisti më i njohur turk, Osman Ibn Ali, ai që disa sulltanëve turk ua mësonte kaligrafinë e shkrimit arab. Arabët perëndimor dhe në Andaluzi, kryesisht iu përmbajtën shkrimit nes’h, me disa ndryshime dhe plotësime të vogla, dhe kjo ka vazhduar, që nga paraqitja e deri në ditët e sotme.
Arabët perëndimor me lindorët nuk kanë mospajtime vetëm se në radhitjen e shkronjave, porse edhe në vetë përdorimin e numrave dhe shenjave didaktike. Në viset perëndimore përdoren numrat gabar, ndërsa në viset lindore ato indianë. Kur është fjala te numrat gabarian, që depërtuan nga Andaluzia, ato në Evropë njihen edhe si numra arabë.
Me shkrimin arab është shërbyer edhe gjuha turke, perse, indiane, berbere, suahile, indoneziane e të tjera, ndërsa tek ne në Bosnjë dhe Sanxhak njihet sipas emrit “bosancica”, “arabica” ose “mektebica”. (Po i njëjti shkrim është përdorur edhe nga shkrimtarët, gjuhëtarët dhe poetët shqiptarë gjatë periudhës Osmane e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, anembanë hapësirës etnike shqiptare, dhe ky shkrim shqip me shkronja arabe njihet si letërsia e bejtexhinjve, alhamiada ose arabeska, vërej. e përkth.)
Në shkrimin arab, që nga shekulli i VII, kanë filluar që të përdoren shenja didaktike. Arsyet për këtë janë të shumta, ndërsa njëra prej tyre është edhe leximi i gabuar dhe rregulluar i Kur’anit. P.sh. fjalën “netlu” Hafs ibn Sulejman ibn Mugire e kishte lexuar si “teblu” ndërsa Abdullah ibn Mes’udi si “tetlu”. Ajetin kur’anor “in-nallahe beriun minel mushrikne ve resuluhu”, dikush në prezencën e El-Esved Ed-Dueliut e lexoi në këtë mënyrë “in-nallahe beriun minel mushriken ve resulihi” - madje edhe disa shembuj të tjerë që i shënon Hamza El-Isfahani në veprën “Et-Tenbihu ala humusi Et-Tashifi” flasin për nevojën e përdorimit të shenjave didaktike në shkrimin arab. Këtë çështje e realizoi me dëshirën më të madhe, Ebu Esved Ed-Dueli që në shekullin e parë musliman, gjegjësisht në shekullin e 7 të erës sonë.

Gjuha

Kur’ani është shpallur në gjuhën e pastër arabe, sipas dialektit të fisit Kurejsh. Stili i Kur’anit është i paarritshëm. Pati shumë prej atyre që u munduan të bëjnë diç të ngjashme si Kur’ani, mirëpo pikërisht këtu e treguan dobësinë e tyre. Disa të tjerë gjurmuan të gjejnë ndonjë proverb apo ndonjë fjalë të urtë arabe dhe atë ta krahasojnë me ndonjë citat të Kur’anit që sipas tyre do të kishte kuptim të njëjtë me të.
Ata gjetën se proverbi arab “El-katlu enfa lil katli - “Mbytja më së tepërmi pengon mbytjen” - ka domethënie të njëjtë me ajetin kur’anor: “Fil kisasi hajatin”, pra kuptimi është jeta. Megjithatë shumë filozofë kanë nënvizuar mbi njëzet pika ku tregohet superioriteti i ajetit kur’anor ndaj proverbit, p.sh.
1. Ajeti është më i shkurtër sepse përbëhet prej tre fjalësh kurse proverba prej katër;
2. Në ajet theksohet jeta kurse te proverbi mbytja; dhe
3. Te proverbi përsëritet fjala mbytje kurse te ajeti kur’anor nuk përsëritet asnjë fjalë, etj.
Krahas dialektit kurejshit në Kur’an hasim edhe dialekte të tjera siç është: dialekti i fisit Hudhejl, Ajlan, Xhurhum, Kinan, dhe të fiseve tjera arabe që në atë kohë jetonin në hapësirat e Gadishullit Arabik.
Zemahsheriu, Sujutiu, dhe komentatorë të tjerë të Kur’anit Fisnik përmendin rreth 45 dialekte të ndryshme lokale të cilët mund hasen në Kur’an. Vetëm dialekti Hudhejl në Kur’an haset në mbi 46 vende.

Përkthimet

Islami, jo shumë gjatë pas shpalljes së Kur’anit, me një shpejtësi të madhe u përhap edhe te popujt e tjerë lindorë. Dhe, pasi që ata nuk e njihnin gjuhën arabe, erdhi deri te nevoja e përkthimit të pjesëve të Kur’anit në gjuhën perse dhe gjuhë të tjera të Lindjes. Gjuha perse është gjuha e parë e huaj në të cilën, qysh herët u përkthye Kur’ani.
Serahsi, në veprën e tij “El-Mebsut” (fq. 37) shënon që, sipas Ebu Hanifes, ishte sahabiu i njohur Selman Farisiu r.a., ai i cili, pas kërkesës së persianëve, përktheu në gjuhën perse suren “El-Fatiha” dhe atë që në të gjallë të Muhammedit s.a.v.s. Persianët përkthimin e kësaj sureje e lexonin në namaz derisa nuk arritën që në të folmen e tyre ta zotërojnë gjuhën arabe. Kurse, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., përkthimin e sures Fatiha në gjuhën perse, e miratoi heshtas.
Imam Ebu Hanife r.a. dhe juristë të tjerë të kësaj shkolle konsiderojnë që ka mundësi të bëhet leximi i sureve të përkthyera kur’anore në namaz, kurse juristët e shkollës shafite dhe hambelite një gjë të këtillë e refuzojnë në mënyrë kategorike.
Përkthimi vijues i Kur’anit në gjuhën perse është përkthimi të cilin e përmend Xhahizi në veprën e tij “El-Bejan ve-t-tabjinu”, i realizuar para vitit 255 H. Nga viti 345 H., hasim përkthimin të cilin e kishte përgatitur ulemaja nga Transoksani, që më pas i është dhuruar udhëheqësit samanidian, Mensur ibn Nuh. Krahas përkthimit, në gjuhën perse i sillet edhe përkthimi i komentimit të Kur’ani të Taberiut. Në vitin 1831 H. u botua në dy vëllime përkthimi në gjuhën perse, duke ia bashkangjitur edhe origjinalin në gjuhën arabe.
Brunet tregon edhe për një përkthim tjetër në gjuhën perse në Isfahan.
Shejhut persian, Rafiudinit, po ashtu, i është përkthyer origjinali, në margjinat e të cilit gjenden komentime të Kur’anit në gjuhën perse dhe urdu.
Të parët nga jomuslimanët, të cilët u morën me përkthimin e tekstit kur’anor, janë sirianët. Në Angli, në bibliotekën e Manchesterit, në veprën e titulluar “Trajtesa” gjenden ajete kur’anore të përkthyera në gjuhën siriane. Ka shumë që mendojnë, në mesin e të cilëve edhe Manikani, se këtë përkthim e ka bërë Barselibi, bashkëkohësi i Haxhaxh ibn Jusufit, i cili ka jetuar në shekullin e parë islam.
Një gjuhë tjetër lindore, në të cilën u përkthye Kur’ani, është gjuha hebraike. Sipas Enciklopedisë Hebraike, në bibliotekën e Oxfordit Bodelian në Angli, gjenden pjesë të Kur’anit të përkthyera në gjuhën hebraike të datuara nga viti 1634 të erës sonë. Kur’ani, si përkthim i plotë në gjuhën hebraike, është përkthyer nga latinishtja. Përkthyesi ka qenë Jakub b. Israil Haham Zante. Pas këtij kemi përkthimin e Hermann Reekendorfit, të botuar më 1857 në Lajpcig.
Krahas përkthimeve në gjuhën persiane, siriane dhe hebraike, Kur’ani u përkthye edhe në urdu. Si përkthimi më i vjetër i Kur’anit në këtë gjuhë, konsiderohet të jetë përkthimi i Abdulkadir ibn Shah Velijjullahut. Ky përkthim është botuar më 1790 në Delhi, dhe së bashku me origjinalin në gjuhën arabe, ka përjetuar disa ribotime. Përkthyesi tjetër i Fjalës së Allahut, në gjuhën urdu, ishte Imadudin Amritsar. Përkthimi i tij i Kur’anit u shtyp më 1315 H., në Allahabad të titulluar “El-Kur’anu-l-kerim”, me përkthim në gjuhën perse dhe urde.
Në gjuhën indoneziane, Kur’ani u përkthye, së bashku me Komentin e Bejdaviut, më 1913. Përkthyesi veten e konsideronte si një shërbyes të sulltanit turk. Ndërsa në gjuhën bengale, Kur’ani në tërësi u përkthye më 1908., dhe përkthyesi ishte një evropian, i cili quhej Vilijam Glud Sak.
Me përkthimin e Kur’anit në gjuhën turke takohemi qysh në fillim të shekullit XX. Sulltan Abdylhamidi i II ishte kundër përkthimit të Kur’anit në gjuhën turke. Përkthim i parë në këtë gjuhë doli pas Revolucionit të Xhonturqve më 1908. Përkthyesi ishte Ibrahim Hilmi. Pas këtij, përkthimin e Kur’anit në gjuhën turke e filloi Selim Sabit, që dilte në revistën “Islam-mexhmuasi”.

________________
Marrë nga “Preporod - 30 godina” (izbor testova 1970 – 2000), El-Kalem, Sarajevë, 1421 H. / 2000.

Përktheu:
Mehas Alija

Nëntor, 2009
www.breziiri.com

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme