Vila ruhej mirë nga policë dhe njerëz të shërbimeve sekrete italiane. Në takim shkova me ambasadorin Kuqi dhe me E. Sulon. Për rëndësinë që kishte takimi i porosita rrugës për në vilë që të mbanin sa më shumë shënime e detaje dhe që gjithsecili do të shkruante në mënyrë të pavarur informacionin e tij. Doja të merrnim sa më shumë, por edhe saktë.
Na priti Adnan Merovci, roja dhe këshilltari më i afërt i Rugovës. Rugova erdhi disa minuta më vonë. U përshëndetëm dhe pak minuta më vonë zbritëm poshtë, në dhomën e bukës për të ngrënë mocarela dhe domate që italianët na dhanë për darkë.
Unë isha i përgatitur të dëgjoja sa më shumë dhe të kërkoja sqarime nga Rugova për tri-katër çështje për të cilat ai ishte përgojuar kaq shumë ose që kishin nevojë për një përgjigje nga ana e tij. E urova që kishte ardhur shëndoshë e mirë në Romë dhe që këtej e tutje do të bashkojmë përpjekjet nga afër për t'u qliruar sa më shpejt Kosova. I nënvizova se e kisha marrë këtë iniciativë për t'u takuar e biseduar me të dhe për të ndarë mendimet lidhur me të ardhmen edhe në frymën e deklaratës së G-8 në Bon. ...
I thashë që e prisnim në Tiranë, se populli i tij donte ta shihte dhe ta dëgjonte, se duhej t'i jepte një mesazh opinionit publik, për të shpërndarë dhe ndonjë "keqkuptim" që ishte krijuar për të. E informova se pritëm delegacionin e LDK-së në Tiranë para disa ditësh dhe biseduam me ta për nevojën e një takimi të të gjithë faktorëve politikë shqiptarë të Kosovës në Tiranë për të rikonfirmuar qëndrimet e përbashkëta të marra në Rambuje dhe për të krijuar përfundimisht Qeverinë e Përkohshme.
Që në fillim konstatova se Rugova ishte shumë i kujdesshëm në përgjigjet e tij. Fliste qetë dhe kërkonte të dukej i sigurt në ato që thoshte. Më erdhi keq për sforcimin që po bënte, sepse ai ndodhej para një shqiptari, i sigurt që unë e respektoja pavarësisht se unë jam ministër i një qeverie që ai nuk e ka dashur.
Filloi të flasë duke më falënderuar për ftesën që i kisha bërë për të ardhur në Tiranë bashkë me familjen e tij dhe për solidaritetin që kisha treguar. Pastaj më tregoi për shkatërrimet në Kosovë, për shkretimin që ndihej aty, aq sa edhe qentë e lopët e ndjenin mungesën e njerëzve dhe ishin në kërkim të tyre. Më tregoi se gjatë kohës së izolimit në Prishtinë kishte pasur kontakte telefonike të shkurtra, por të përditshme me ambasadorin Hill, që e quajti mikun e tij.
Ftesës time në emër të qeverisë për të ardhur në Tiranë iu përgjigj se do të vinte së shpejti, pasi të kryente disa angazhime ndërkombëtare në Evropë, Francë, Gjermani, Bruksel, Londër etj. Për propozimin tjetër për të mbledhur gjithë faktorët politikë të Kosovës në Tiranë, nuk e kundërshtoi, por tha se do te bisedojë me bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë të shpërndarë. Deklaroi se mbështet marrëveshjen e Rambujesë për krijimin e qeverisë së përkohshme, ndonëse la të kuptohet qartë se ai u kishte lëshuar pe në Rambuje njerëzve të UÇK-së për hir të unitetit.
Me sa kuptova, ai nuk e dëshiron tani këtë qeveri, me përkrahjen që po rigjen në Uashington, Romë, Paris e Londër, dhe mendon ta përmbysë situatën në favor të tij. Prandaj ai nuk do të nxitohet.
Më shpjegoi se qëllimi kryesor pse kishte ardhur në Romë, ishte që të punonte që shqiptarët të riktheheshin në Kosovë, që të koordinonte përpjekjet me ne dhe me Fuqitë e Mëdha që kjo të realizohet sa më shpejt.
Në moment ndërhyri Adnani, i cili shtoi se ka pasur keqkuptime për qëndrimet e Rugovës për vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Më kërkoi që të sqaroja se Rugova është për vajtjen e NATO-s në Kosovë. "Filozofia që përdor Rugova, vazhdoi Merovci, është një filozofi pacifiste, për të nuk ka njerëz të liq dhe ndonëse ata mund ta sulmojnë, denigrojnë, keqtrajtojnë, e ka të pamundur të thotë fjalë të keqe."
Por ajo që më bëri shumë përshtypje ishin fjalët e tij, se Rugova ndonëse i izoluar nga bota, në asnjë mënyrë nuk ka për të thënë një fjalë të keqe për Millosheviqin a ndonjë njeri tjetër, sepse kjo është jashtë mënyrës së tij të të konceptuarit të realitetit dhe të marrëdhënieve në shoqëri.
Ajo që kërkoja të sqaroja më tepër, por edhe më habiti më shumë, ishte çështja e bisedimeve të tij me Millosheviqin, Milutinoviqin dhe nënshkrimi i komunikatës së përbashkët.
Nuk bëri asnjë përpjekje për të krijuar përshtypjen se kishte qenë peng dhe se kishte qenë i detyruar që t'i bënte këto takime dhe të mbante këto qëndrime. Më deklaroi se kishte qenë i ndërgjegjshëm se këto takime duheshin bërë, se ai e kishte takuar edhe më parë Millosheviqin (maj 1998), se duhej krijuar besimi dhe se ishte në interes të të dy palëve të bisedonin.
Më habiti kur më tha se Millosheviqi, Milutinoviqi, Shahinoviq etj. ishin treguar realistë, se e kishin kuptuar situatën dhe nevojën e arritjes së një marrëveshjeje se edhe këta njerëz janë, njerëz që mendojnë e kërkojnë një zgjidhje, çka do të thotë se pikërisht me këta jo vetëm duhet të bisedohet, por edhe të bashkëjetohet. Madje edhe për largimin e tij nga Prishtina më tha:
"U thashë serbëve që të më lëshojnë se nuk kam se çfarë të bëjë në Prishtinë, se po të jem jashtë do të jem më i dobishëm dhe do të punoj edhe për juve që të arrihet një marrëveshje."
U hoq se nuk i bënte përshtypje që disa njerëz e kishin quajtur tradhtar dhe këtu u referohej njerëzve të UÇK-së dhe se nuk do të jepte llogari për veprimet e tij si kërkonin ata.
Dje dhe sot, Rugova ka takuar këtu në Romë Skalfaron, D'Alemën, Dinin, Kris Hillin dhe Petriqin. Ditët e ardhshme do takojë të tjerë nëpër Evropë.
Sot, Krasniqi në Tiranë në emër të UÇK-së e ka hedhur poshtë Deklaratën e G-8 dhe ka thënë se ata janë për pavarësinë. Ky qëndrim i tremb perëndimorët, ndaj edhe mbështesin Rugovën e moderuar që mund të bashkëjetojë me serbët. Për takimin me Rugovën, njoftova me telefon Meidanin, Majkon, Gjinushin dhe Godon. Shtypit nuk i dhashë asgjë.