GRATË

Mimoza Sinani



GRATË



Temat që trajtojnë problemet e grave, përgjithësisht kanë qenë tema të margjinalizuara dhe vetëm kohët e fundit bibliotekat tona janë pasuruar me libra që trajtojnë çështjet e grave, kryesisht me përkthime të veprave të autorëve të huaj dhe pak, ose aspak, nga autorë vendas. Libri i Sami Frashërit: ”Gratë”, që na ofrohet për herë të parë në gjuhën shqipe, i cili është shkruar para më shumë se njëqind viteve, ishte një ‘befasi’ (pasi kjo vepër deri kohët e fundit nuk ishte përmendur ndonjëherë) dhe kënaqësi, për faktin se, rilindasin tonë të shquar, jo vetëm që e ka preokupuar figura dhe misoni sublim i femrës, por ai ka bërë një analizë tepër të kujdesshme psikologjike dhe sociologjike të pozitës së femrës në shoqëri. Kjo vepër, edhe pse jo shumë e vëllimshme, ka një vlerë tepër të madhe, sepse falë aftësive të tij të larta analizuese, ai ka mundur, si një lente konverguese, të ngërthejë dhe të ezaurojë brenda afro 60 faqesh, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me femrën, duke e trajtuar me shumë sukses dimensionin fizik dhe metafizik të figurës së gruas, dhe duke bërë që, edhe për lexuesin e ditëve të sotme, të ndihet fryma e tij e drejtëpërdrejtë komunikuese. Trajtimi që ai i bën kësaj teme, mbetet aktual dhe këshillat e tij mbeten të pranueshme edhe sot, sepse kjo vepër e Samiut, sikurse edhe veprat e tjera të tij, në themel të tyre mbështeten në një sistem teleologjik dhe artistiko-filozofik, me rrënjë të thella në tekstin hyjnor islam, gjë që ka bërë që kjo vepër të depërtojë deri tek ne, duke i thyer koordinatat e veta kohore. Është platforma metafizike e krijimtarisë së tij, që bën të mundur që veprat e tij t’i kapërcejnë kufijtë kohorë dhe hapësinorë dhe që bën që, edhe pse libri të jetë shkruar në një periudhe të largët, nga pikëpamja kohore, fryma e tij të jetë e vazhdimisht aktuale dhe sot.

Shoqëritë i ndryshojnë parametrat e vlerave morale vazhdimisht. Çdo e vërtetë, madje dhe të vërtetat themelore morale, relativizohen. Vlerat morale që në një kohë janë vlerësuar, në tjetrën jo që nuk quhen të vlefshme, por linçohen me vulën e “anakronizmit”. Logjika e arsyes njerëzore “mbytet” nga alogjika e pasioneve njerëzore dhe vlerat përmbysen vazhdimisht. Kriteret personale, subjektive për t’a zgjedhur vetë të vërtetën, shoqërohen me arbitraritet dhe konfuzion, duke dëshmuar shkallën e lartë të invaliditetit dhe dekompozimit shpirtëror dhe intelektual të të gjithë atyre që e kanë përjashtuar mesazhin hyjnor nga praktika jetësore e tyre. Kjo verbëri shpirtërore është rezultat i mungesës së njohjes së ligjeve të Zotit, dhe e vetmja rrugë për të dalë nga ky apokalips shpirtëror, është jo vetëm njohja, por edhe praktikimi i drejtë dhe i vazhdueshëm i mesazhit hyjnor, i cili është i vetmi që mund të mundësojë katarsën shpirtërore.

E bëmë këtë trajtesë për të dëshmuar se: është platforma e shëndoshë teozofike e veprimtarisë së Samiut, që bën të mundur, që ky libër që na ofrohet, të jetë aktual dhe të ndriçojë me një aureolë rrezatuese edhe pas 100 vjetësh, duke lënë në hije mjaft vepra të tjera, të cilat janë atrofizuar pamëshirshëm nën mjegullën e errët dhe të rëndë shekullore.

Nëse hulumtojmë më tepër për të njohur figurën madhore të Sami Frashërit, gjejmë se ai, nga studiuesit e tij të mirëfilltë, është vlerësuar si: filozof, ideolog, islamolog, filolog, iluminist, patriot, linguist, publicist, historian gjeograf, leksikograf, leksikolog, poliglot, etj., dhe është cilësuar si: “shkencëtar i rangut të lartë ndërkombëtar”, “orientalist i shquar në suaza ndërkombëtare”, “dijetar i tipit të enciklopedive”, “personalitet i kompltuar, që arriti të gërshetojë kulturën lindore dhe atë perëndimore”, “kolos me një veprimtari të shumëanshmë vëllimore, cilësore dhe origjinale, që përfshin mbi 60 vepra të shkruara në gjuhë të huaja të ndryshme”, etj.

Të gjitha këto, dëshmojnë se Sami Frashëri ka qenë njeri i niveleve të larta shpirtërore dhe diturore dhe veprat e tij dëshmojnë se, ai është një nga autorët që kanë përfaqësuar vitalitetin intelektual të Epokës së shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, dhe se ai ka shkruar një nga faqet më të ndritura të saj.

Libri: “Gratë”, për të cilin ne po flasim, është një gur tjetër i çmuar në kurorën e gurëve të çmueshëm të veprave të tij, që e kurorëzojnë atë me plot të drejtë si ‘mbret të dijes’ së epokës në të cilën ai jetoi. Ai në këtë libërth, me shkëlqimin e shpirtit të tij të madh, ka arritur të ndriçojë dhe të zgjojë vetëdijen e lartë për lidhjet e shumëfishta të misionit hyjnor të femrës dhe të rolit të saj në përparimin e shoqërisë njerëzore. Drita praruese e këtij libri, gërshetohet me rrezet diturore të librave të tjerë të tij, për të kompletuar dhe për të vijuar vallen shpalosëse të lartësive shpirtërore dhe diturore shumëdimenionale të Samiut tonë të madh.

Samiu, si një intelektual vizionar, ka projektuar saktësisht koordinatat e të ardhmes (përmirësimin dhe lartësimin e shoqërisë njerëzorë) mbi të tashmen (edukimin dhe lartësimin shpirtëor të femrës).

Nëse do t’a shohim veprën më nga afër, do të vërejmë se ajo përbëhet nga 33 pjesë, të pandara në kapituj, apo tituj e nëntituj, të cilat në tërësi ngjajnë si një ‘univers ligjëratash’.

Në pjesët e para, Samiu bën një analizë të saktë të botës psikologjike dhe pozitës sociale të gruas në shoqëri. Ai arrin të depërtojë me mjaft zotësi në botën e brendshme të gruas dhe midis të tjerave shprehet se “ për mendje e zgjuarsi nuk mbesin pas meshkujve, ndoshta e kanë më të madhe mendjemprehtësinë dhe janë më shpejt të kuptueshme”.

“Ndonëse në pikëpamje të krijimit dhe të natyrës është pak e ndryshme nga mashkulli, shihet se gruaja nuk është në gjendje të bëjë çdo punë që mund të kryejë ai, por bën edhe shumë punë që nuk mund t’i bëjë burri”. “Duke mos përfituar nga inteligjenca e shkëlqyer e sa e sa grave, …ato detyrohen ta përqëndrojnë inteligjencën e tyre në gjëra të thjeshta, duke u tërhequr nga shërbimet e vlefshme që do t’i bënin njerëzisë.”

“Çdo grua, veçanërisht për të kryer mirë detyrat e saj, duhet të dijë këndim, shkrim, matematikë, mbajtjen e llogarive, ekonomi, politikë, higjienë, fizikë, kimi, e të tjera shkenca, kurse për të mos cënuar bukurinë e brishtë, për të shpëtuar nga gabimet që mund të rrëshqasin në raste bisedash, ka nevojë të ketë njohuri edhe nga letërsia, gjeografia, historia, etj. Kur një gruaje i mungojnë këto dituri, jo vetëm që nuk mund t’i plotësojë detyrat që i përkasin, por as ka të drejtë të jetë e shoqja e një dijetari.”

Samiu konstaton se:

“Shoqëria njerëzore përbëhet nga grumbuj të vegjël shoqërorë që quhen familje”, dhe: “Familje do të thotë grua”, pasi mashkulli “mbetet një gjymtyrë e jashtme e familjes”. “Gruaja është themeli i shoqërisë, është shtylla e moralit të përgjithshëm. Lumturia e shoqërisë është familja e lumtur, e lumturia e familjes varet nga edukata e gruas”.

Kur Samiu flet për femrën, këtë krijesë sa delikate, aq edhe fisnike, filozofia e tij artistike nuk mund të mos ngërthehet me petkun e artit të tij poetik, dhe nga shpirti i tij gufullojnë shprehje të tilla, si: “(Gruaja) është lulishtja e njerëzimit, …është burimi i dashurisë dhe i ndjenjës, kurse dashuria është mbretëresha e botës, është engjëllusha qiellore dhe e fatbardhësive… Zana e pasionit dhe e dashurisë hap krahët mbi ta, në saje të lumturisë së saj”.

Femrën, i Lartësuari, e ka krijuar me një natyrë të bukur, që duke u edukuar me kualitete dhe atribute të larta shpirtërore, të bëhet akoma më e bukur.

Në pjesën e pestë të librit, autori i bën një vështrim pozitës së femrës si: vajzë, nënë dhe gjyshe.

Mosha vajzërore! E cili shpirt nuk u prek nga harmonia e mrekullueshme e bukurisë së kësaj moshe, stolisur me bukuri vjollcash e trëndafilash, me buzëqeshje të një gjallërie diellore. Me zë të ëmbël e melodik, me njomësi të duarve që u ngjajnë luleve të para të pranverës, me bukuri të brendshme që i ngjason koraleve të fshehura në ujërat e thella të detërave, me aromë pranverash, me shkëlqim të syve që u ngjajnë kaltrive të qiellit, me pastërti të shpirtit që u ngjan kthjelltësive të ujërave të pastra qelibar, me bukurinë e një smeraldi të rrallë.

Edhe Samiu, për bukurinë femërore të kësaj moshe, shprehet: ”Vajza, në rininë e saj, … përfytyrohet sikur engjëll e jo njeri, gëzohen vendet ku shkel këmba e saj, shkëlqejnë kur i shikon syri i saj, çdo gjë që prek ajo thuajse elektrizohet”.

Më pas, Samiu, vazhdon: “Dikur e me kohë ajo hap krahët e fantazisë dhe hyn në zemrën e njerëzve, e mbasi të ketë përhapur rrezet e një lumturie, zë vend dhe gjen një zemër, nga e cila nuk shkoqet më. Një lidhje e shenjtë me atë zemër të butë, e cila sodit zemrën besnike të burrit që ka zgjedhur”.

“Ateherë gruaja kalon në një gjendje tjetër, bëhet nënë, në zemër të saj dëgjohet një tjetër dashuri, ajo e fëmijëve…Dashuria e nënës, foshnjes, i depërton në gjak bashkë me qumështin që ka pirë…Fjalët, që ka dëgjuar nga e dashura nënë, njeriu sa të jetë gjallë nuk i harron, sepse ato kanë zënë vend përgjithmonë në kujtesën dhë zemrën e tij. Madje edhe ‘nina ninat’ e djepit të dëgjuara nga goja e ëmbël e nënës, janë ngulitur në trurin e tij.”

“Gruaja në çdo kohë e në çdo rast nevoje, kurdoherë, është një strehë për njeriun, ajo është lidhësja, që bashkon pjestarët e shoqërisë njerëzore”.

“Gruaja është shtylla e familjes dhe njëherësh qendra e saj. Anëtarët e tjerë gjenden rreth saj si planetët rreth diellit.”

GRUAJA – lëndina pranverore e zemrave, shoqëruesja e mirë, e buta, e kuptueshmja, ndihmësja e sinqertë, prehja e zemrës, qetësia e shpirtit, limani i qetë nga tallazet e e trazuara të jetës, kasaforta e sekreteve të zemrës, zvogëluesja e halleve, diamanti i kushtueshëm, dashuria e dashurive, çelësi i suksesit të burrit, vezulluesja prej së cilës edhe yjet marrin shkëlqim, dorëlehta si krahët e pëllumbit, fjalë ëmbla që bashkon zemrat me zemrat e shpirtërat me shpirtërat, gojë mjalta që i bën fëmijët të fluturojnë hapësirave të bardha qiellore, lulishtja e gjelbëruar përjetësisht.

Samiu, me të drejtë, konstaton se: “Nëna është një dhuratë e madhe, e ky është një nder i pashembullt për të. Pasi të jetë bërë nënë, duke iu përkushtuar me ndjenjë engjëllore fëmijeve të saj, nuk e ndien më të jetë vetë e bukur dhe e brishtë, mjafton të jetë e pajisur me virtutin e dhimbsurisë amtare”.

Më pas, Samiu i hedh një vështrim edhe moshës kur gruaja bëhet gjyshe, kur balli i saj qëndiset nga rrudhat e margaritarta dhe flokët qëndisen nga thinjat mëndafsh: “Gruaja plaket dhe ndonëse e humb bukurinë, nga madhështia dhe nderimi nuk bie poshtë…Këshillat që fëmijët kanë nevojë të marrin prej saj, i japin asaj një tjetër respekt e nderim.”

Pasi bën një analizë psikologjike të botës së brendshme dhe të pozitës së saj në familje, Samiu në pjesën e 6-të e tutje të këtij libri, trajton pozitën që femra zë në rrethin e gjerë shoqëror dhe rolit të saj në shoqëri.

“Gratë janë themeli i shoqërisë njerëzore. Lumturia e shoqërisë varet nga edukata e grave”. “Qëllimi i qytetërimit e i përparimit është që njerëzit te jetojnë në harmoni, në qetësi, në lumturi…. Mësimi i parë i qytetërimit e i përparimit duhet të jetë edukimi i grave”. “Përparimi i shoqërisë njerëzore varet nga edukata e grave”.

Për nevojën e edukimit të grave, Samiu shtron këto tre arsye: 1. Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë se globit tokësor, prandaj duke u edukuar ato, është edukuar gjysma e racës njerëzore. 2. Kalimi i një jete të lumtur dhe fatbardhë të çiftit bashkëshortor, dhe 3. Edukata familjare, që buron nga nëna, trashëgohet në të gjithë të ardhmen e racës njerëzore, pra duke u edukuar gratë, në kohën e ardhshme do të jetë e edukuar përgjithësisht shoqëria njerëzore.

Le t’a citojmë Samiun: “Gruaja i përngjet tokës pjellore e të frytshme, të gjitha cilësitë që ka ajo: dituri, edukatë, moral të mirë, ua kalon fëmijëvë të saj. Edukata që mendohet t’i jepet shoqërisë njerëzore, duhet të bëhet pronë e grave”. “Në qoftë se gruaja është e kulturuar dhe e edukuar, bashkë me qumështin, i jep fëmijës edhe edukatën…”

“Edukata që u jepet burrave mbetet vetëm tek ata, me vdekjen e tyre edhe ajo humbet; ndërsa edukata, që u jepet grave, u kalon fëmijëve dhe nipave. Edukata e dhënë meshkujve është si një pemë që mbillet për të bërë hije, ndërsa të edukuarit e grave është si të mbjellësh një pemë që jep edhe hije, edhe fryte...”. “Një popull që orvatet të rrisë e të edukojë vetëm meshkujt, i përngjet atij, i cili ngre një urë pa themel mbi rërë, e një ditë kur të bjerë shi, e sheh se ura rrënohet…”.

Në vijim, Samiu diskuton mbi mënyrën se si janë trajtuar gratë në epokat e vjetra dhe si trajtohen sot në popullsi të ndryshme, dhe më pas ndalet tek kritikat e evropianëve, ndaj fesë islame, në lidhje me gruan. Ai, me të drejtë, konstaton se: “Ndonëse ka shumë gjëra që i vishen besimit islam, dhe sot praktikohen nga shumica e popujve muslimanë, të metat e këtyre popujve nuk rrjedhin nga feja islame, madje shumica e tyre janë në kundërshtim me urdhërat e fesë”. “Për respektin që tregon feja islame kundrejt grave, Kur’ani i madhërueshëm, në çdo urdhër e ndalim të rastit, thotë: ‘muslimanët’ e ‘muslimanet’, ‘besimtarët’ dhe ‘besimtaret’”.

“Kur nje fe, Profeti i së cilës urdhëron e thotë: ‘Parajsa është nën këmbët e nënës!’, a mund të mëtohet se, ajo fe u paska bërë padrejtësi grave?”

“Feja islame nuk i ka burgosur gratë ndër ‘shebestane’ e ‘gjingjijone’, si send pa shpirt e pa vlerë, por e ka kufizuar lirinë e tyre për t’u ruajtur nderin, e veç kësaj i ka lënë të lira brenda kufijve të ndershmërisë, dhe u ka siguruar edhe të drejta, më tepër se të drejtat që kanë lejuar evropianët për gratë e tyre e nuk ua japin”. “Të drejtat që u kanë dhënë grave muslimane sheriati i Muhammedit a.s. në periudhën profetike dhe të halifëve të mëdhenj, kanë epërsi të pakrahasueshme kundrejt lirive që kanë fituar gratë evropiane”.

Në pjesët që vijojnë, autori diskuton mbi ‘të metat’, kryesore, që i vishen fesë islame nga evropianët, si: poligamia, mbulesa, divorci dhe skllavëria, të cilatai i ka i trajtuar përmbledhtas, por i ka argumentuar ato në mënyrë bindëse, pasi siç shprehet ai: “Për të kuptuar të vërtetën, … çdo gjë duhet të vërehet objektivisht”.

Lexuesi mund të njihet më së afërmi me trajtimin e këtyre çështjeve gjatë leximit të librit.

Autori flet edhe mbi pozitën e grave evropiane, si dhe kujdesin që duhet të tregohet që zakonet dhe sjelljet e tyre të mos u ngjiten grave muslimane.

“Në Evropë gruaja në çdo pritje e ceremoni del në krye, zë vend në kolltukun më të lartë, mbi meshkujt; formalisht ajo është baras me burrat, duket si më e privilegjuar, por në të vërtetë, asaj i mohohet shumica e të drejtave njerëzore…Gratë në Evropë janë në vend të një loje, të një stolie e luksi…dhe janë bërë vegël për të argëtuar meshkujt.”

“Nëse gratë dëshirojnë të fitojnë të drejtat e tyre, nuk duhet t’a vështrojnë veten si stoli a zbukurim të meshkujve… nuk duhet të mbahen si kukulla…e nuk duhet të bëhen lojë e burrave.”

“Gruaja muslimane nuk është e nevojshme të imitojë rregullat e zakonet e grave të Evropës, gruaja muslimane duhet të veprojë sipas urdhërave të islamizmit”.

Do t’a përmbyllim këtë punim me ato fjalë, që e ka përmbyllur edhe vetë Samiu, në të cilat ai në mënyrë përmbledhëse ka shprehur qëllimin e veprës së vet:

“Ne, d.m.th. të gjithë popujt islamë, kemi nevojë për qytetërim e përparim; për t’ia arritur këtij qëllimi, fillimin e kësaj rruge duhet ta kërkojmë në edukatën e grave… Detyrat e grave janë tepër të shenjta, mospërfillja e tyre pengon lumturinë e qytetërimit; për të kryer drejt detyrat e tyre, gratë duhet të përvetësojnë të drejtat e tyre; grave duhet t’u jepen të drejtat, mandej t’iu kërkohen detyrat”.

Së fundi, është në nder të kulturës sonë kombëtare dhe në nder të shtëpisë botuese LogosA, e cila po e dëshmon veten vazhdimisht si një shtëpi botuese prestigjoze dhe me reputacion, të sjellë edhe njëherë në dritë përpara lexuesit shqiptar, veprat e një figure të tillë madhore, siç është SAMI FRASHËRI.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme