Xhelaluddin Rumi dhe “Dita e pritur”

Jeta

RUMI, (Ğalal ad-din ibn Baha’ad-din al-‘Ulama’ Walad ibn Husayn ibn Ahmed Hatibi), i njohur me emrin Mevlana (Mewlana-“i madhi i ynë”). Emri Rumi i është dhënë pasi që ka jetuar në tokat e Anadollit, që në atë kohë, kjo gjeografi është quajtur si “Vend i Romës.” “Rum,” (pers. tur. mbretëria bizantine, greko-romakët).
Poeti, themeluesi i rendit të dervishëve “mevlavije,” (gj. perse, darvesh: “thyes i pragjeve,” “lyps,” “kërkues”...); Mevlavije (mewlaviyya, mevlaviye,) rend i dervishëve, emri vjen nga mewlana (“mësuesi ynë,”) titull që i është dhënë Xhelaludinit. Europianët e quajtën me emrin “dervishët që vallëzojnë.” U lind më 30 shtator 1207, në qytetin Balhu të Afganistanit.
Në atë kohë, i ati i Xhelaleddinit, Bahaeddin Veled, në qytetin Balhu, shquhej si “Sulltani i Dijetarëve” (“Sultan-al Ulema”). Në vitin 1221, para se të fillonin dyndjet e mongolëve, familja e Xhelaleddinit mërgoi nga Balhu në drejtim të Lindjes në qytetin e Mekkës duke kaluar nga Nishapuri dhe Bagdadi dhe më pas shkojnë drejt Veriut duke arritur në Kudus (Jerusalem) dhe Damask.
Në vitin 1229, me kërkesën e sundimtarit selçuk, Ala –addin Kejkubadit, familja vjen në Anadoll dhe përfundimisht vendoset në qytetin Konja. Xhelaleddini mësimet e para i ka marrë nga i ati i tij i cili ishte myderriz (profesor) në medrese.
Dy vjet pas ardhjes së familjes së Xhelaluddinit në Konja, Sulltani i Dijetarëve, babai i tij, Bahaeddini, ndërron jetë. Vdekja e Myderrizit, në rajon, është shënuar si një pikëllim gjithëpopullor. Pas vdekjes së babait, Xhelaleddin-i pranohet nga dervishët si “pir” (gj. pers. “pir:” “më i vjetri,” “ i pari,” “udhëheqës”...). Në rregullat e sufizmit për “pir” përdoret nocioni “murshid,” (në përkthim, “udhëheqës shpirtëror”).
Xhelaluddini, gjatë qëndrimit në qytetin Karaman, ku babai i tij i mësonte fëmijët në medrese (medrese, institucion ku mësohen dituritë islame dhe shkencat ekzakte), para se të vendosej në Konja, u martua me vajzën e Lala Sheref ad-din-it, njëra nga nxënëset e babait, e cila quhej Xhevher Hatun. Nga kjo martesë i lindën dy djem: Sulltan Veled-i dhe Alaeddin Çelebi-u... Pas vdekjes së gruas. Xhelaluddini lidhë martesë me Kere Hatunen. Nga kjo martesë kanë lindur edhe dy fëmijë.

Dita e takimit

Më 29 nëntor 1244, në Konja arrin Shamsaddin Muhammed Tabrizi, “dervishi endacak”-(“dervishi fluturues,”). Epiteti: “endacak-fluturues,” i është dhënë pasi që ai gjatë tërë jetës së tij ka vizituar shumë vende, me qëllim të përhapjes së sufizmit. Në qytetin e Konjës, ai takohet me Xhelaluddinin. Ky takim shënon kthesën vendimtare në jetën dhe veprën e Xhelaluddinit. Ai, Xhelaluddinit, i tregoi rrugën, përvojën dhe njohjen e dashurisë sufiste. Tabriziu, është dalluar me kapelën e kokës. Ai, në kokë ka mbajtur kapelën-fesin në formë të zgjatur e punuar nga zhguna. Edhe sot, gjatë aplikimit të ritualit, dervishët në kokat e tyre mbajnë kapela të ngjashme. Kapela simbolizon ditën e takimit, si dhe shprehjen e respektit ndaj “mësuesit,” Shamsaddin Tabrizi. “Mësuesi,” mbiemrin Tabriz-i ka marrë nga qyteti Tabriz i Iranit-Persisë. Ka qenë traditë e kohës që mbiemrat dietave ti jepen sipas vendit-qytetit ku kanë lindur ose ku kanë jetuar.

Mendimet

Burimi i mendimeve që e bëjnë Xhelaluddinin të famshëm ishin njohuritë mistike që mori nga myderrizët jashtë medreses. Më pas këto dituri ai i zgjeroi duke i shtuar mendimet dhe përvojat e tij. Ai, nxori në dritë veprat kulmore. Mevlana, me veprat e tij, ka dashur t’u përcjellë njerëzve dashurinë ndaj Zotit, dashurinë Hyjnore.
Trinomi: Zot, njeri, univers; që prehej në zemrën e Mevlanës, nëpërmjet kësaj dashurie hyjnore u bë “një i vetëm,” duke bërë që të zhduken dallimet dhe ndasitë në mes të njerëzve. Poeti, jetën e njeriut determinon në tri fjalë: “isha i papjekur, u poqa, u dogja.”
Dritaret e shpirtit të tij ishin të hapura tërësisht në të gjitha drejtimet; me besim dhe praktikë myslimane, ai është temperament jokonformist, ndonëse, e realizon natyrën e formës sekondare në krahasim me shpirtin. Ai, paraqet, se, raporti i njeriut ndaj Zotit nuk është çështje e thjeshtë të cilën duhet ta racionalizojmë dhe ta modelojmë në dogmë, ajo është diç që duhet të realizohet në thellësi të qenies e ku njerëzorja përshtatet me Hyjnoren, ku jeta përfshihet në përjetshmëri.

Shembull i frymëzimit

Drita e Mevlana Xhelaleddin Rumiut, vazhdon t’i ndriçojë akoma edhe sot zemrat dhe rrugën e njerëzve. Poezitë e tij japin kahzime, u drejtohen të gjithë njerëzve të botës, pavarësisht nga koha dhe vendi ku jetojnë. Njerëzit që dëshirojnë të kuptojnë kvintesencën e vërtetë të jetës, këtë e gjejnë tek Xhelaleddini. Nga ai janë ndikuar shumë autorë e artistë që nga poeti i madh Gete (Goethe), mjeshtri i baletit, Moris Bezhar (Maurice Bejart), hulumtuesja dhe shkrimtarja gjermane, Ana Mari Shimel (Anna Mary Shinell,) etj. Edhe poetët tonë janë frymëzuar nga ky mecen i pendës, si: Rilindasit Kombëtarë, Vëllezërit Frashër, etj. Gjithashtu, edhe sot vazhdojnë të inspirohen shumë: poetë, shkrimtarë, artistë e muzicjentë, etj.

Veprat

Veprat kryesore të shahirit (poetit mistik), janë:
1. Divan-i (Diwan), i cili përmban gazele (këngë dashurie kushtuar Krijuesit) dhe rubai (poezi e shkruar në katër strofa, katren). Aty gjenden vargjet në gjuhën greke dhe turke, e që jep dëshmi për raportet e poetit me shtresat e ulëta të popullatës, dhe me banorët jomyslimanë të Konjës;
2. Mesnevi-i, (Matnawi), një lloj i veprës poetike në të cilën (di)poema paraqet, sipas rregullave, në vete tërësinë e mbyllur dhe në aspektin gramatikor është i plotë. Mesnevi, paraqet kurorën e veprave të letërsisë mistike, është vepra kulmore e mistikut. Këtë vepër,ai e ka shkruar me dëshirën e nxënësit më të mirë të tij, Hasmeddin-it. Shahiri, veprën e ka shkruar në kohëzgjatje prej 40 vitesh;
3. Fihi ma fihi, pasqyron përmbledhjen e fjalëve të poetit mistik.
4. Mava’i’z magalis-i sab’a;
5. Maktubat, (letrat, letërkëmbimet).

Dita e pritur dhe “Nata e Dasmës”

Kur e përfundoi veprën e madhe, “Mesnavi-i,“ Mevlana, e kuptoi veten sikur e kishte kryer misionin e vet në këtë botë, e kishte marrë atë që duhej ta merrte dhe kishte dhënë atë që duhej të jepte. Më datën 17 dhjetor të vitit 1273, edhi dita e pritur për Xhelaleddinin. Ai u nis në rrugën e përjetshmërisë me dëshirë në takimin me të dashurin e tij, Allahun.
Ai, u përcoll nga i gjithë populli i Konjës, me një ceremoni varrimi të paparë deri atëherë, në fillim u shoqërua deri në xhami për t’ia falur namazin e xhenazes dhe pastaj u përcoll për në banesën e fundit. Kur perëndoi dielli dhe ra muzgu, Mevlana u bashkua me tokën. Momenti i vdekjes së tij, kujtohet si “Sheb-i Arus.” Sipas poetit, vdekja paraqet ditën e takimit me të dashurin, Allahun.
Ai, vdekjen e shpjegon si një ngritje në një nivel tjetër të ri. Me bindje se, njeriu një herë vdesë, e dy herë jeton. Ditën e vdekjes, ai e cilësonte si një ditë “dasme ose festeje.” Përvjetori i vdekjes së Xhelaleddinit, përkujtohet edhe në ditët e sotshme. Më 17 dhjetor në Konja, organizohen manifestimet përkujtimore me emrin: “Sheb-i Arus,” (“Nata e dasmës”). Në këtë “Natë dasme,” çdo vit dervishët e përkujtojnë “pirin-udhëheqësin” e tyre, në shoqërimin e fyellit, daulleve të vogla dhe defeve, vallëzojnë ashtu siç dëshironte poeti.
Trupi i Xhelaleddint është varrosur në “kopshtin e trëndafilave” të cilin Sulltani i Selçukëve Kejkubati, i dhuroi babait të tij që nga dita kur kishte ardhur në Konja. Në këtë kopsht është varrosur edhe i birit tij, Sulltan Veledi, i cili është themeluesi i tarikatit (sektit) Mevlavi. Epitafet dhe kupolëzat e varreve janë të punuara nga druri i arrës dhe paraqesin punimet artistike të mjeshtërve të kohës.

Tarikati-sekti Mevlavi

Tarikati Mevlavi, përbëhet nga dy elementë kryesor, njëri është muzika (muzika mistike), ndërsa tjetri vallëzimi i quajtur “sema” (në përkthim: “qielli-kozmosi,” “rrotullim i dervishëve”).
Gjatë vallëzimit semazenët (“valltarët”) nuk rrotullohen vetëm rreth vetes, por shëtisin edhe në sheshin e vallëzimit, sikurse lëvizin planetët rreth diellit. Ndonëse, sipas Mevlanës, edhe gjithësia në një kuptim bënë “sema-rrotullim.” Çdo materie dhe çdo grimcë e atomit është në rrotullim duke kërkuar Krijuesin e vet.

Këshillat

Rreshtat e dedikuara eruditit të filozofisë mistike, Mevlana Xhelaleddin Rumiut, përfundojmë me një këshillë që, ai i dha të birit, Sulltan Veledit:
“...Nëse dëshiron parajsën e amshueshme, bën miqësi me të gjithë: Mos ke inat askujt ... Nëse kërkon drejtësi, mos i pengo të tjerët... Nëse dëshiron të bëhesh ilaç, mos u bë gjemb!... Nëse nuk dëshiron që të të bëjnë keq, atëherë mos shpreh fjalë fyese, mos thyej zemra! Nëse i kujton miqtë, atëherë në kopshtin e zemrës do të çelin trëndafilat, nëse në mendje i sjellë armiqtë, atëherë zemra do të mbushet me gjarpërinj dhe me gjemba...”

Literatura:
- M. M. Sharif, Historia Islamske Filozofije, 1, 2, Zagreb, 1988.
- Nerkez Smajlagic, Leksikon Islama, Sh. b. Svjetlost, Sarajevë, 1990.
- Fejzulah Hadžibajrić, Mesnevia, I, II, Sarajevë, 1988.
- www.trt-worldshqip.com.
- Ivan Cvitković, Rječnik Religiskih Pojmova, Sarajevë, 1991.
- Tahir Büyükkörükçü, Mevlana ve Mesnevi, Stamboll, 1983.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme