Plani i Ban Ki Munit, kalimi i tij në OKB në levërdi të Serbisë pansllave, e gjeti Shqiptarinë ashtu si e meritoi, gati pa as edhe një huqje milimetrike, sidomos Kosovën. Shteti më i ri i Ballkanit nga lufta me epilog e vitit 1999 doli me arsenal të moralit të luftës, i cili e zbuste dëmin material e njerëzor të shkaktuar nga Serbia kolonialiste. Shqiptarët e Kosovës nuk u kthjellën shpejt, por u euforizuan nga heroizmat, sikur në të ardhmen patjetër të jetonin vetëm me lavdinë e luftës. Shpejt kjo eufori sa nuk u banalizua për popullin që shijen dhe perspektivën e sheh në punë e dije. Kasta udhëheqëse e Kosovës ndërtimin e shtetit e shihte vetëm sipas xhidikëve klanorë, sepse ideologjia e tyre “ishte profetike”, së këndejmi edhe “shpëtimtare”. Kjo solli burgosjen e mendjes atdhetare, e cila u terrorizua nga vetëcensura shqiptare e klanit udheheqës të Kosovës. U ndërruan qeveri pacifiste e militariste, por kundrimi i qeverive ndaj shtetit ishte i stilit lëkëjist e udëbëist. Qasja e mendja akademike në Kosovë u bë lodër e palaçove partiakë, pjesërisht e zhgënjyer u mbyll në studiot vetëngushëlluese dhe zëri i saj shurdhohej në kakofoni kundruall liderëve të “gjithëdijshëm” e prepotentë. Këtyre të poshtëruarve socialisht e vetmja mënyrë e të mbijetuarit bilogjik i mbeti të shesë diploma false për ata që donin fakultete në shërbim të politikës dhe jo dijes.
Kosova u shndërrua në oqean vrasjesh misterioze dhe kurrë të ditura, gjigantët ekonomikë u bënë burim krimi e korrupsioni me filiala në degët e qeverisë, spitalet burim vdekjesh, e jo shërimesh të jetërave njerëzish, fakultetet “prodhonin” analfabetë të diplomuar, nëpër provinca më iftibarli ishte një vjedhës popullor që sapo kishte zbritur nga lufta dymujore se një mësues zhelan që tërë jetën kishte luftuar kundër armikut epokal, mbase edhe nxënës i dikurshëm i tij të kishte qenë luftëtari. Sa e sa krime u bënë dhe asnjë nuk shkoi në burg, asnjëri nuk u ndëshkua për dëmin që i shkaktoi popullit. Ata që mendojnë esull nuk e kishin të vështirë të dyshonin se kjo rrokopujë të çon te bindja se atdhetaria në Kosovë për ta ishte vetëm grazhdi i vet. Po t’i thuash dikujt se këto mbrapështi janë antikombëtare, të izolonte nga jeta publike, qofsh edhe mësues, shkrimtar, historian, luftëtar i lirisë, ose të pandehte si i parehatshëm jetësor.
Erdhi kohë e pasluftës në Kosovë, plot dilema hamletiane për atdhetarin e humanitarin. I devotshmi kombëtar që nuk aderon në ndonjë parti nëpërkëmbet nga ish-bashkëpunëtori i regjimit okupator, sepse nëpërkëmbësi qenka konvertuar në krahun e partisë qeveritare (pacifiste ose militariste), kurse atdhetari mbetet i rirobëruari i përjetshëm “në liri” nga bashkëkombësit e vet, mbase edhe pas vdekjes të shpallet i anatemuar vetëm që nuk qenka bërë anëtar i partisë së nëpërkëmbësit, sapun i larjes së mëkateve të oborrtarëve pushtetarë e partiakë. Kur kësaj i shtohet e vërteta se nëpërkëmbësit e atdhetarëve brenda natës pasurohen me shtëpi e vetura, deviza e femra, i lëvdohen mësuesit të tij, e kushtëzojnë, e detyrojnë të korruptohet, deri sa një ditë edhe ky atdhetar të bëhet servil i “tregtarëve të flamujve” që hiqen shokë të këtij e atij dëshmori e heroi. Tipat e këtillë injorantësh depërtuan në forumet komunale e qendrore në Kosovë, krijuan bindjen në popull se më mirë është të jesh i korruptuar, lavir, mashtrues, se sa të jesh patriot. Ndryshe, po të jesh edhe profet si Muhamedi e Jezu Krishti, hero si Gjergji e Adem Jashari, i mençur si Sami Frashëri, Fishta, Noli e Konica, do të jesh hiç i hiçit.
Populli i vërente mbrapshtitë, por të reagonte ndaj tyre kishte frikë më të madhe se në kohën e Millosheviqit, dronte mos e pësonte keq. Heshtnin partitë, shoqatat e luftës, Akademia e Shkencave, Shoqata e Shkrimtarëve, institucionet e shtetit të brishtë të Kosovës, heshtnin ndërkombëtarët duke bërë sehir, (u shkonte për shtati kjo anarki sipas stilit të ujkut “Bane Zot mjegull të ha sa më shumë dele”!). Populli nuk guxonte publikisht të bënte pyetje retorike ”Vallë, për Kosovë të këtillë luftuam e sakrifikuam dhjetëra mijëra të dashur, të pagjetur ende, invalidë, të përdhunuar?”. Plogëtia e pushtetit kosovar ndaj çështjes kombëtare shkaktoi rrethana që Akademia e Shkencave edhe e Arteve e Kosovës, Universiteti, Shoqata e Shkrimtarëve e shumë të tjera që duhej të krijonin ajkën e mendjes, guximit e veprimit të rreshtuar mirë, të heshtin, qoftë edhe nëse i shkon një pjesë e territorit të Kosovës, Mitrovica.
Plani i Ban Ki Munit e gjeti Kosovën në letargji, sikur u habit udhëheqja e saj pse u dashka të shkojë Mitrovica. Kjo anë i ka dalur prej dore Kosovës tash e nëntë vjet, sa pati rastin Kosova ta heq qafesh këtë hall. Fundja, Mitrovica as që i duhet Kosovës si e këtillë, sepse ajo nuk ka identitet kosovar. Madje ankth simptomatik paraqet Mitrovica për mendjen e sedrën shqiptare apolitike që të mos mitrovicëzohen edhe pjesë të tjera të Kosovës edhe pas shkuarjes së UNMIK-ut dhe ardhjes së EULEX, si ishte eksperimenti i fundit rreth nënshkrimit të protokollit ndërmjet Serbisë e misionit ndërkombëtar (EULEX), që nënkupton hisen serbe për kotroll e sfilata policore e eushtarake në territoret e Kosovës. Sallonet diplomatike të Nju Jorkut e Brukselit nuk janë naivë të mos e kuptojnë se modelin e Mitrovicës mund ta ndjekin edhe të tjerët, se kjo Republikë Serbe e Kosovës mund të reflektojë në tërë Ballkanin. Mirëpo, udhëheqja kosovare është mbërthyer intelektualisht dhe pret dikush tjetër t’ua hap sytë, që të zgjohen nga gjumi. Këtë ves ia kanë dhënë edhe opinionit përmes satelitëve mjeranë nëpër mediat e shkruara e elektronike.Vallë, nuk dinë të pleqërojnë hallet kosovare me liderët shqiptarë në Shqipëri, Maqedoni, bregdetin malazias, Luginën e Preshevës? Ç’ do të ndodhte sikur shqiptarët kufitarë të Ulqinit e Malësisë së Podgoricës të Malit të Zi, të Strugës e të Bllacës së Shkupit, Jazhincës e të Llojanit, të Tanushës karadakiane, të Luginës së Preshevës (thënë më autoktonisht Kosovës Lindore), të Sulit, Filatit e Janinës në Greqi të vepronin si serbët e Mitrovicës, të rebeloheshin e të shpallnin dogana e kufinj nëpër komunat e veta, të mbledhin tatime ekskluzivisht kombëtare? Vallë, Ban Ki Muni do të pranonte si zgjidhje modelin e Mitrovicës edhe për këto krahina shqiptare?
Ngjashëm mund të vepronin edhe sanxhaklinjtë e shtrirë në Serbi e Mal të Zi dhe të krijonin një republikë myslimane sipas modelit mitrovicas. Prandaj, nëse bota ka kut të njëjtë për të gjithë, vërtet Mitrovica nuk i duhet asgjë Kosovës përballë llogarive të fundit. Shqiptarët do të ishin më meritorë të vonshëm, mbase edhe premtimi i kryetarit amerikan në vitin 1913 se padrejtësitë që i bëmë këtij kombi do t’i përmirëojmë pas 100 vjetësh, do të jetësohej. Deri në atë jubile nuk kanë mbetur as gjysmë decenie. Vallë, i ka në mendje këto versione udhëheqja e Kosovës, apo mos ka pritur që unë t’ia them në vend që këtë ta bënte më herët ajka e organizuar akademike e Kosovës, nëse ëhtë diku?. Prandaj, Kosova duhet të çlirohet shpejt nga shqiptarët me mendje të ndryshkur klanore, duhet të mendojë e të vendosë shqip sistemin e gjykimit me paralajmërim, si e ka bërë modeli i vetëm “Vetëvendosje” e Albin Kurtit, duke e bërë me dije rrezikun e Planit të Ahtisarit që përmes decentralizimit krijonte bërthamën e shtetit serb në Kosovë, duke paralajmëruar se Mitrovica do të ketë fatin historik të Vrajës, Prokuples, Leskocit shqiptar, toponime që ende janë gjallë vetëm në kujtesën e historisë.
Kosova e pasluftës, e okupuar nga shqiptarët, pandehu se do të ketë mundësi të rrijë në kokërr të shpinës, sepse do të kenë ndihmën e amerikanëve dhe të aleatëve të tyre. Shumë i qartë qe ish-kryetari amerikan, Bill Klinton, gjatë vizitës së tij në Kosovë, kur u tha shqiptarëve se ne e fituam luftën, kurse ju fitojeni paqen. Në vend që të përvishen punës me orar të dyfishtë, në vend që të ndryshojnë kulturën e të jetuarit pa bërllog e me urbanizëm mendor e infrastrukturor, në vend që të ekonomizohet me nikoqirllëk, në vend që ndihmëtarëve vendorë e ndërkombëtarë një herë e qartë t’u falenderohemi që të mos merremi me ta vetëm për përfitime elektorale, në vend që për nder të dëshmorëve, viktimave, të pagjeturve e invalidëve të luftës të ngremë shtatin e shtetit kosovar, në vend të mediokriteteve paria e shtetit të afrojë te vetja mjeshtër të mendjes e të atdhetarisë, Kosova u zhyt si e dehur dhe e narkotizuar në korrupsion, prostitucion, mafiozitet, krim të organizuar, trende që nuk mund t’i bart as edhe një shtet madhor si SHBA, Japonia, Gjermania.
E hoqëm nga mendja se perëndimorët na “lëshojnë të kullotemi”, duke na i regjistruar ligësitë, që një ditë të na thonë se nuk meritojmë shtet, simptomatikisht si e bëri Ban Ki Muni. Porosia e Bill Klintonit nënkuptimisht trimëronte e obligonte që së paku punët e vogla sa të një prefekti komunal t’i bënte Kosova, që para botës të arsyetohej se po punon, ndaj po të njihej shtet ndërkombëtar do të ishte shembull i mirë për Ballkanin. Këtë mundësi deri tashë nuk ua ofruam aletatëve tanë perëndimorë dhe i zhgënjyem. Kemi mundësi ta bëjmë pa humbur kohë, sepse çdo çast mund të jetë me fatalitet historik për Kosovën e Shqiptarinë. Paria shqiptare duhet të lëvizë fizikisht e intelektualisht. Akademikët duhet të bëhen kokë më kokë jo për tituj, si po grinden, por për fatin e popullit, të bëjnë strategjinë e stabilizimit në të gjitha dikasteret e zhvillimit të kombit. Nëse e do interesi kombëtar, ky ind duhet të pezullojë prepotencën partiake, klanore, bile edhe qeveritare aktuale me potencën njerëzore e mendore.
Shembulli i Mitrovicës mund të jetë fat në fatkeqësi për shqiptarët e Ballkanin. Serbia nuk është në gjendje të favorshme sa shqiptarët, sepse i mungon harmonia pansllaviste me pranimin e Kosovës shtet nga ana e Maqedonisë e Malit të Zi, si ishte para Luftës së Ftohtë. Duhet të hapen edhe letrat e historisë së diplomacisë evropiane dhe të shihen padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar në saje të gënjeshtrave serbe, rreziqet e tyre për Ballkanin e Evropën. Ka gjasë që premtimi i kryetarit amerikan për riformësimin unik të kombit shqiptar të jetë atu më efikase. Me rëndësi është që miqtë ndërkombëtarë të binden edhe në premtimet realiste pa djallëzi të shqiptarëve. Pozicioni shqiptar është më i këndshëm, sidomos pas aderimit të Shqipërisë e të Kroacisë në strukturat e paktit veriatlantik NATO. Poashtu perandoritë e Titos e të Stalinit janë zhbërë, “varshavistët” e dikurshëm e të demokratizuar sot nuk orientohen me yllin moskovit. Një lehtësi tjetër për Kosovën është se në kohën e Luftës së ftohtë Kosova ishte e desovranizuar dhunshëm nga Jugosllavia serbe, kurse pas 17 shkurtit të vitit 2008 ka të drejtën të marrë e të japë, të shpërblejë miqtë e dashamirësit me peshqeshe që i posedon pasuria e saj tokësore, ujore e ajrore, shpirtërisht vullnetarisht të divorcohet e të lidhë kurorë me atë që (s’) e do.
(Ky shkrim u botua në gazetën "lajm", agjencinë "albanur" e disa të tjera).