“DRENAGLLAVA HAN BARUT, KAÇANIKI BAN MEVLUD”

Cdo gjë është e mundur te ne shqiptarët, habitë e mrekullitë na vijnë e shkojnë farfuritshëm, si një fluskë sapoi. Fraza popullore “Drenagllava han barut, Kaçaniki ban mevlud” është polisemantike, utilitare edhe sot, kur ende kundërmimi vdekjeprurës e antiekologjik nga armët e ndryshme në Ballkanin e dekadës së parë të këtij shekulli e mileniumi ende hetohet. Kjo urti (përvojë) popullore ka lindur me Luftën e Kaçanikut kundër Turgut Pashës, kur malësia e rrethit të Kaçanikut dhe të rretheve të tjera të Kosovës, që e ndihmonin, luftonin kundër zaptuesve turq, kurse fitoret i kremtonte klasa e qytetit, duke qëndruar tërë ditën nëpër çajtoret e famshme historike. Fraza ka njëqind vjet që flitet e dëgjohet. Sa për sqarim, Drenogllava ëshë fshat i rrethinës së Kaçanikut, ku u luftua me të madhe, i cili sot quhet edhe me emrin Drenushë.
Konfliktet e luftërat e fundit në Shqiptari ende vuajnë nga konfuzioni moral e ideor në popull, ndonëse u bë gati një decenie nga përfundimi i tyre. Këtë herë do ta mbarështrojmë një pasluftë të sferës opinionore. Në Maqedoni, ngjashëm është edhe në Kosovë, bëhet shpërlarje opinionore. Njerëzit sikur janë trallisur, sikur as vetes nuk i besojne. Brenda natës na lindin shkrimtarë, opinionistë, kolumnistë, atdhetarë, moralmëdhenjë. Për 70 për qind të popullit janë të besueshëm këta, kurse për 20 për qindë janë ideatorë e atdhetarë të mjegullt, dhjetëpërqindëshi është i plakur e i lodhur nga luftërat e hallet e jetës në komunizmin jugosllav me busollë antishqiptare. Ky gup i fundit tërë jetën ka qenë në vëzhgim të kombëtares e njerëzores, në luftë jetësore duke flijuar gjak, mendje e djersë, pasuri e moral të shkrirë dhe habitet me mrekullitë që i përjeton. Hajt, ti shohim cilat janë ato mrekulli në (zh)gëndërr.
1. Sheh se në redaksitë minor(itar)e elektronike shqipfolëse sajojnë opinione në gjuhën shqipe njerëz që para nja dy deceniesh u vinte të pështirë të flisnin shqip, kurse kur u shkruanin redaksive shqipe, paguanin gajbe me dredhëza për shqipërim të fjalëpërfjalëshëm ndonjë përpunues të tekstit. Ata hynë në letërsinë shqipe në saje të potencës njëgjuhësore zyrtare të Maqedonisë moniste. Pa njohur teorinë e letërsisë (kurrë nuk studiuan letërsinë), pa njohur kulturën e vetë kombëtare (kurrë nuk kishin qenë në kontakt me të, sepse e njihnin inekzistente për vlera), pa ndonjë sintaksë shqipe të fjalisë (më e drejtë u dukej sintaksa sllave) me shpejtësi marramendëse dhe të mrekullueshme, sipas skenarit që e bënte ndonjë rreth joletrar, krijonin (ose ua servonte dikush) miqtë-kipcët e qarqet letrare me potencë në trekëndëshin albanologjik (ndonjë recensent, kritik, botues, përkthyes) dhe hopa në kulm të letërsisë, kulturës, politikës, foltarisë, ideshmërisë shqipe. “Melekët” e tyre punonin që t’i kurorëzonin njerëzit e të një “xhinsi”(lloji), të cilët do të depërtonin edhe te të burgosurit nderlartë, të përndjekurit hallemëdhenj, dëshmorët e vdekur (të pagojë) e çlirimtarët (apatridët) e gjallë, bile edhe të vishen me petkat e cilësive të tyre, t’ u bëheshin resëm, që populli t’u besonte si të shin ata. Me vendosmëri perfide këta mediokritete me para të pista e potencë joletrare “ojëqëiste’ e “qëiste”, “humanitare” e “mecene”, ata që deri dje i quanin me nofkat shqiptaromëdhenj, albanifikues e prishës të jugosllaves, separatistë, kur e temjanosën kujtesën e popullit rrejshëm, viktimat e tyre të deridjeshme nisën t’i quajnë njerëz të pamoderuar në jetë, që nuk kanë ditur ç’është vizionarja, sa një ditë edhe antimodernë, anacionalë, bile edhe tradhëtarë kombëtarë. Dialektika e synimit të tyre peshonte sa më shumë që zgjaste amullia intelektuale e mendjes, moralit e shpirtit shqiptar, i disperzuar në kundërshtitë “demokratike” e “pacifiste” deri gati në armiqësim. Këta mediokritete të sotme kulturore pretendonjë të amshohen në histori në vend të viktimave të tyre, bile edhe të bekohen në etapën e “demokracisë” me shpërblime shoqërore, si “Nëna Tereze”, që në fakt demonstrojnë përdhosjen e misioneve të protagonistëve të shpërblimeve. Absurd i llojit të vet është që figurat e shenjta të jenë mjet pastrimi biografish me njolla të ndonjë shkrimtari, historiani, publicisti, i cili tërë jetën i ka shërbuer jugosllavizmit mohues të Nënës Tereze shqipare dhe vepës së saj fisnike fetare, përshkrimisht thënë, edhe sot e zë gjumi me ëndrrat e komunizmit jugosllav monist e zgjohet me demokracinë pluraliste. Viktimat jo vetëm që i dënuan moralisht e juridikisht në jetë me vrasje, burgosje, përndjekje, leçitje, censurë, por synojnë t’u mbyllin derën me riposhtërim posmortum edhe ndaj familjeve e fëmijëve, ithtarëve, bashkëvuajtësve.
2. Grupi i fundit i dhjetëpërqindëshit e sheh këtë “mrekullli” të mediokriteteve dhe gjysma prej tyre i fshin sytë me dymendje plotë mjegullnajë në janë njerëzit që i njihnin edhe më parë. Atëbotë i njihnin ndryshe njerëzit me sëmundje të “qimeve”, “live”, që “kë-sulat” i ndërronin sipas artit “cërnobelo”. Ky grup detyrohet ta pështyejë veten kokë e këmbë pse paska qenë aq i padobishëm kombëtarisht e njerëzisht karshi “kryeintelektualëve e kryeatdhetarëve” të panjohur të kombit. Dhjetëpërqindëshi tkurret edhe më nga pasiguria në vete, ndaj mbesin dhjetë veta që mendojnë esull. E vetmja mundësi e tyre është të bëjnë pyetje retorike: A janë këta që para ndonjë decenie nuk dinin të flisnin e shkruanin rrjedhshëm shqip? A janë këta që mbushnin dosjet e shkrimtarëve shqiptarë në arkivat joletrare (antiletrare) në emër të censurës? A janë këta me origjinë familjare hibride (fëmijë e nipër joshqiptarësh)? A janë këta që i ndërronin emrat publikë duke i zgjatur e shkurtuar me e pa lakim patronimik shqiptar? Këta që i ndiqnin artistët shqiptarë këmba-këmbës, e sot shkojnë krah për klrahu me ta?! … që dje ishin në qarqet më të larta moniste, sot hiqen pluralistë, antikomunistë demokratë e opinionistë, analistë? Këta që para disa deceniesh sharjet ndaj Kosovës e Shqipërisë i kishin tulla për ngritjen e Kullës së Karrierës Antishqiptare, e sot promovohen pikërisht në trinitetin Shkup-Prishtinë-Tiranë si shqiptarë të denjë, të paarritshëm e të pazëvendësueshëm?! Vallë, janë këta që urdhëronin djegjen e librave shqipe të disa shkrimtarëve nga Kosova e Shqipëria, sot përmes autorëve të tyre pushtojnë botën letrare e akademike? A janë këta që deri para dy e hajt deceniesh kultivonin bilingualizëm brenda shqipes (Skopje-Shkup, Manastir-Bitollë) dhe të njëjtit kanë pushtuar katedrat universitare dhe sot prodhojnë “dër-mërët” analfabetikë?
3. Grup i fundit i dhjetëpërqindëshit që ndoshta u tkurr në dhjetë stoikë, i vrojton ecejaket e të rrejshmëve, ngritjet e tyre dhe mrekullohet edhe vet. Përsëri vazhdon me pyetjet retorike: Si është e mundur qindra mijëra shqiptarë në Maqedoni heshtin para defilimit të ushtrisë intelektualiste në emër të shqiptarëve, bile edhe u buzëqeshin me aplaudim? Vallë, që të ngritesh në panteonin e dijes mbarëshqiptare u dashka të jesh ish-kodosh, ish-filokomunist jugollav, ish-shqiptar me gjenezë laramane joidentitetare shqiptare, mendje e shpirt melez, që dje e ke sharë e të njëjtin sot e himnizon”? (Këtë pyetje qortuese e përbuzëse ua bëjnë fëmijët prindërve të tyre “të paditur e të paaftë në jetë”). ? Pse u bënë këto konflikte e luftëra dhe që partitë “e luftës” (mëkat është të quhen çlirimtare), përsëri dyshon rinia mendjeesull e të “antiluftës” (mëkat është të quhen pacifiste), do të të bindte ndonjë i ri përsëri t’i marrin pranë vetes dhe të betohen në ta më tepër se në dëshmorët e invalidët të luftës, mendjet e ndritura e shpirtërat e njerëzishëm? Pse kritika letrare në Shkup, Prishtinë e Tiranë i amblematizon edhe në botë, duke dashur që me mjegullimin të pastrojë biografitë e tyre para se të hapen dosjet e viktimave nga komunizmi në këtë skutë të albanofobisë? Pse populli shqiptar hesht karshi Partisë prore Djathtiste të Sahanlëpirësve të të gjitha regjimeve? Këta partizanë nuk përtojnë “kimen” e “kësulën” ti ndërrojnë e hujin e kokat të mos e harrojnë. Shpresojnë që edhe një herë në jetë ta demonstrojnë shkathtësinë kameleonike para frymëzuesve të tyre jetësorë, që epidemia e “live” të përmasëzohet Shkup e Shkodër në kohën kur popullit i mungojnë doktorët e vërtetë dhe që një ditë të kërkojnë nga populli që edhe kokën duhet ta ndërrojë?
Përsëri po kthehemi te fraza popullore “Drenagllava han barut, Kaçaniki ban mevlud”. Ta sqarojmë. Kur luftohej në malësi kundër sundimit turk , “shehërlinjtë” propushtetarë kaçanikas bënin ahengje, sikur asgjë nuk ndodhte rreth tyre (nuk kishte luftë?!). Pas mbarimit të luftës këta i afroheshin pushtetit të ri cilido qoftë, i shërbenin si të mëparshmit. Krahasimisht thënë, ndërsa shqiptarët dëboheshin nga puna, burgoseshin, përndiqeshin, vriteshin për qëllimet madhore (si malësorët e Drenogllavës), mrekullibërësit shkrimtarë, gazetarë, kritikë, politikanë, analistë (si “shehërlinjtë” e Kaçanikut) kremtonin nëpër amfiteatro universiteti, foltore parlamentare, tryeza shkrimtarësh, para mikrofonëve mediatikë mposhtjen e të parëve “naconalistë, irredentistë, prokosovarë”... Me stil rrahagjoks viktimën e kohës moniste e riviktimizojnë sot duke e akuzuar si rebel(i) antidemokrat e antiintegrist. Këtë herë kanë arsye të kremtojnë. Trumpeta ahengore e këtyre fizkulturantëve jetësorë arriti deri në majë të Vodnos dhe nga andej jehona e isos e refrenit shpërndahej Shkup e Shkodër:

“Zgjate Zot mjegullën deri në fund të jetës,
pastaj le të bëhet kijameti i së vërtetës”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme