Nezim Berati apo Nezim Frakulla?

Deri në vitet ’50 të shekullit të kaluar ai njihet me emrin Nezim Berati, kurse më pas për të do të përdoren emrat Ibrahim Nezimi dhe Nezim Frakulla.
Nezimi për herë të parë përmendet në letrat shqipe nga Georg von Hahn në vëllimin e dytë të Studimeve shqiptare (1853). Hahni do ta quajë thjesht Nezim bej. Po me këtë emër e përmend edhe Camarda. Në vitin 1882 edhe Sami Frashëri do të shprehë interesin e tij për Nezimin. Madje ky interes shkon deri atje sa tenton për herë të parë që të botojë një variant të shkurtuar të Divanit Shqip të këtij poeti. Sami Frashëri në frontespicin e kësaj sprove që mbeti në dorëshkrim poetin e quan Nezim dhe në kllapa jep sqarimin (Ibrahim Berati). Në këtë mënyrë Sami Frashëri është i pari i cili përdor saktësisht të gjithë komponentët identifikues për këtë poet të fillimshekullit XVIII.
Kjo çështje vjen sërish në rend të ditës kur intelektuali beratas Abdulla Ferhati botoi në revistën Zani i Naltë (1938) pjesë të një kopjeje të Divanit. Në këtë botim emri i poetit identifikohet në formën Nezim Berati. Po në këtë linjë është edhe identifikimi që i bëhet këtij poeti në antologjinë e parë të plotë të letërsisë shqipe, “Shkrimtarët shqiptarë”, të botuar në vitin 1941 nën kujdesjen e Ernest Koliqit. Edhe në këtë libër poeti identifikohet me emrin Nezim Berati. Ky emër do ta shoqërojë poetin deri në fillim të viteve ’50.
Në vitin 1954, në një artikull të botuar për jetën dhe krijimtarinë e këtij poeti në Buletinin e Institutit të Shkencave, Osman Myderrizi këtë poet e ka quajtur Nezim Frakulla. Vetëm se në punimet e tij dorëshkrimet që janë paraqitur për diskutim në Institutin e Shkencave ai fillimisht ka përdorur emrin Nezim Berati. Më pas fjalës Berati i ka rënë sipër me vizë dhe ka shkruar Frakulla. Megjithatë autori nuk ka dhënë asnjërën prej arsyeve që e kanë shtyrë drejt një përdorimi të tillë. Madje këtë dualitet e shohim të shprehur edhe në fund të viteve ’50 në “Historinë e Letërsisë Shqipe” (1959), vepër e përgatitur nga një grup autorësh pranë Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë. Në vështrimin kritik mbi letërsinë shqipe të shekullit XVIII Mahir Domi shkruan se poeti njihet me emrin Nezim Berati, ndërkohë që kapitulli monografik mbi këtë autor (kap. XII) është emërtuar “Nezim Frakulla”. Ky do të jetë emri që do ta shoqërojë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, madje me këtë emër do të futet edhe në Encikplopedinë e Akademisë së Shkencave botuar në vitet ’80. Emri Nezim Frakulla do ta identifikojë këtë poet edhe në Enciklopedinë që sapo është publikuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.
Kurse në antologjinë “Poezia e bejtexhinjve” botuar në Prishtinë në vitin 1987, i cili është botimi më i plotë i publikuar lidhur me letërsinë e bejtexhinjve ky poet identifikohet me emrin Ibrahim Nezimi. Kjo zgjedhje duket se është një ndikim i drejtpërdrejtë i emrit që Dhimitër Shuteriqi, ka përdorur për këtë poet në Antologjinë e letërsisë shqipe për shkollat e mesme, botuar më 1955. Vetë Shuteriqi, në botimet e tij të mëpasme, Shkrimet shqipe (1965), e përdor në formën Ibrahim Nezim Frakulla.
Po Nezimi vetë, si e quan veten e tij? Në një poezi të Divanit shqip Nezimi thotë që emri i tij eshte Ibrahim. Kurse si pseudonim letrar ka zgjedhur emrin Nezim, dhe veten e cilëson Nezimi nga Berati. Madje në Divanin Turqisht shpreh në mënyrë të qartë se Berati është vatani i tij.
Që në fillimet e traditës poetike të shkrimit të Divaneve poetët nuk shkruanin asnjëherë me emrat e tyre origjinalë, por ishin të detyruar të zgjidhnin një pseudonim letrar. Ky pseudonim përdorej edhe si një mjet retorik në poezi. Ato mund të zgjidhnin emra lidhur me koncepte abstrakte, imazhe apo motive me vlerë të veçantë poetike. Nga ana tjetër preferoheshin dhe emra që tregonin origjinën e tyre gjeografike. Kështu poeti shqiptar i shekullit XV, Mesihi Prishtina emrin e ka patur Isa që është versioni islam i emrit të Jezu Krishtit. Kurse pseudonimin letrar Mesihi e ka zgjedhur sepse është një fjalë që i referohet drejtpërsëdrejti emrit të tij origjinal dhe në turqisht do të thotë “që ka lidhje me Isain”.
Edhe Nezim Berati zgjedhjen e pseudonimit të tij e ka bërë sipas një arsyetimi të caktuar të cilin e shpjegon qartë në të dy divanet e tij, shqip dhe turqisht, që kanë mbërritur deri në ditët tona. Nezim vjen nga fjala nazm, poezi me një harmoni dhe simetri perfekte, dhe do të thotë poet që shkruan mjeshtërisht poezi. Përzgjedhja e këtij pseudonimi lidhet edhe me vetë pretendimet e poetit i cili është shumë i vetëdijshëm për vlerat dhe aftësitë poetike që gëzon. Madje Nezimi në poezitë e tij krahasohet me poetët e mëdhenj të Orientit dhe shkon aq larg sa veten e quan Saadiun dhe Urfiun e kohës së tij.
Për sa i përket emrit Frakull, në Divanet që na ka lënë trashigim deri më sot, Nezimi nuk e përmend fare këtë emër, madje nuk aludon edhe për ndonjë lloj lidhjeje me këtë fshat. Çdo gjë të tijën e lidh me qytetin e Beratit.
Emrin Frakull e hasim vetëm në një kronogram të shkruar nga një poet bashkëkohës, Fejziu, pas vdekjes së Nezimit. Ky është një kronogram mjaft i njohur për kohën, pasi gjendet i kopjuar në disa dorëshkrime. Në këtë kronogram të botuar për herë të parë në vitin 1938, Fejziu njofton me shumë keqardhje vdekjen e Nezimit në burg, në Stamboll. Me anë të këtij kronogrami ai bën me dije se poeti ka lindur në fshatin Frakull, emrin e ka Ibrahim, kurse pseudonimin letrar Nezim. Ky është i vetmi dokument historik kur emërtimi Frakull përmendet lidhur me Nezimin. Duket se kjo e dhënë e tërthortë historike ka qenë më se e mjaftueshme për studiuesit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX, që poetin ta identifikojnë me mbiemrin Frakulla.
Nezim Berati ka shkruar shqip poezi qysh në në vitet 1730, por mungesa e publikimit të plotë të veprës së tij ka bërë që ai të mos njihet, madje të gjykohet edhe pa u lexuar i plotë. Ky realitet mendoj se ka çuar drejt një përdorimi “të çlirët” edhe të emrit identifikues për të si poet. Prandaj duke respektuar mënyrën se si poeti ka dashur vetë të thirret, të cilën e bën të qartë në veprat e tij, është e drejtë dhe etike, madje dhe shkencërisht korrekte që ky poet në letrat shqipe të zërë vendin me emrin Nezim Berati.

*Studiuese në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme