Historiku i filmit dhe sfidat për xhirimin e tij
Prodhimi i një filmi artistik rreth Muhamedit a.s. paraqet vështirësi të shumta, mbi të gjitha për shkak të kulturës arabe dhe natyrës së Islamit. Kur më 1927 aktori dhe regjisori Junus Wahba pat bërë të ditur se ai do pretendoj rolin e Pejgamberit në ekran, shkollarët e ligjit të El-Ezherit patën protestuar fuqishëm. Më 1930 ata futën në fuqi ligjin i cili kategorikisht ndalon portretizimin e Muhamedit a.s. në çfarëdo forme.
Më 1973 filmi Jesus Christ Superstar qe shfaqur në shumë kinema të botës, duke lëne një përshtypje të thellë tek publiku. Natyrisht, kjo nuk kaloi pa u vërejtur edhe nga myslimanët, të cilët morën një iniciativë për të krijuar një film të tillë. Megjithatë një ide e tillë u ballafaqua me një rezistencë të fortë. Ca zëra thoshin se rolin e Muhamedit a.s. do ta luante Charlton Heston, i cili pat luajtur Musan (a.s.) në The Ten Commandments, më 1956. Regjisori-drejtori Mustafa Akkad, një sirian i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara e që kurrë më parë nuk kishte bërë ndonjë film, do ta përgatis skenarin e një filmi dedikuar jetës së Muhamedit a.s. Ai më pas kërkon nga një grup i dijetarëve të El-Ezherit që ta miratojë çdo faqe të skenarit. Projekti miratohet ngase Akkad kishte planifikuar që personazhi i Pejgamberit nuk do të paraqitej në ekran, por vetëm shkopi dhe deveja e tij do të dukeshin. Akkad vendos që filmi të koncentrohet në personazhin e xhaxhit të Muhamedit a.s., Hamzës.
Mirëpo, edhe pse xhirimi kishte filluar më 1974, shumë shpejt dijetarët myslimanë ndërrojnë mendjen dhe japin urdhër për ndalimin e xhirimin. Ndërkohë një strukturë masive e cila paraqiste Meken u pat ndërtuar në Marok. Mbreti Feisal i Arabisë Saudite i bën presion Mbretit të Marokut, Hasanit II për ta dëbuar ekipin e filmit me arsyetim se një strukturë e tillë e Mekës do t’i hutonte besimtarët dhe do t’i largonte nga Qyteti i Shenjtë. I mbetur pa strukturë dhe pa shtet në të cilin mund të gjironte, por i vendosu për ta quar projektin deri në fund, Akkad i kthehet Muhamed Kadafit, sunduesit të Libisë. Kadafi ishte i etur për të sponsoruar një film të tillë duke u kujdesur edhe për lokacionin për xhirim në shtetin e tij. Me të përfunduar së xhiruari skenat që kishin të bënin me Meken në strukturën e ndërtuar në Marok, Akkad zhvendoset në Libi për të xhiruar pjesën e mbetur të filmit. Rezultat i kësaj ishte edhe pjesëmarrja e ushtrisë së Libisë në skenat me beteja në film.
Por problemet nuk kishin të sosur. Kur premiera e filmit qe programuar të jepej në Shtetet e Bashkuara, një grup myslimanësh pushtojnë organizatën çifute B’nai B’irth në Washington DC dhe marrin peng punëtorët, duke kërcënuar se do t’i vrisnin të gjithë përderisa nuk anulohet premiera e filmit.
Filmi ishte prodhuar në dy versione, njëri në anglisht me aktorë të njohur si Anthony Quinn, Irene Papas dhe Michael Ansara, dhe tjetri në arabisht me aktorë të rangut të njëjtë në botën e filmit Egjiptian. Gjatë xhirimit sekuencat u xhiruan njëra pas tjetrës. Dialogët arabisht kërkonin më shumë kohë dhe më shumë lëvizje pasi se teksti ishte në arabishten klasike, duke bërë kështu versionin arabisht më të gjatë për 30 minuta. Titulli origjinal i filmit në anglisht ishte Muhammad, Messenger of God, (Muhamedi, i Dërguari i Zotit), por pasi refuzohet nga disa ulema, ai titullohet The Message, (Mesazhi). Ndërkaq titulli i versionit arabisht mbetet El-Risala.
Xhirimi i këtij filmi kushtoi hiq më pak se US$17, 000,000. Ia vlen të përmendet se kreatori dhe ideatori i filmit, regjisori Mustafa Akkad, me prejardhje nga Siria, vdiq më 2005. Ai, së bashku me të bijën e tij, ishin viktimë e një sulmi me bombë teksa po ndiqnin një dasme në Aman të Jordanisë.
Përmbajtja e filmit
Filmi fillon me tre kalorës të cilët ndahen në tri drejtime. Secili nga ta bart me vete një mesazh për ta dërguar në njërin nga oborret më të rëndësishme të asaj kohe në Lindjen e Mesme. Njëri nga kalorësit shkon në oborrin e Mbretit Bizantin Harakliut, tjetri shkon tek Patriku i Aleksandrisë, përderisa i treti shkon në pallatin e Mbretit të Persisë. Që te tre bartin të njëjtin mesazh: ekziston vetëm një Zot dhe Muhamedi është i Dërguari i Tij. Reagimi i Patrikut nuk shfaqet në film, por reagimi i dy të vjetërve është i ndryshëm. Edhe pse Herakliu nuk konvertohet, megjithatë ai e mirëpret korrierin përderisa mbreti i Persisë tërbohet dhe gris mesazhin.
Filmi shfaq një qëndrim pozitiv ndaj të krishterëve, kur mbreti i Abisinisë strehon refugjatët myslimanë që kishin ikur nga torturat e mekasve. Vetmia e Pejgamberit në shpellën Hira prej nga edhe do të filloj shpallja, zë po ashtu vend në këtë film. Filmi paraqet edhe përkrahjen e pa kursyer të Ebu Talibit, xhaxhait të Pejgamberit, përball elitës së tërbuar mekase. Filmi në vete ngërthen pjesët më kryesore të misionit 23 vjeçar të Pejgamberit. Shpërngulja në Medine, themelimi i xhamisë së Medinës, dhe më vonë betejat e zhvilluara, mbajnë në kureshtje shikuesin. Padyshim momenti më vendimtar është çlirimi i Mekës dhe fjalët lamtumirës të Pejgamberit në Haxhin lamtumirës. Edhe kësaj here fjalimi i Pejgamberit dëgjohet nga një narrator. Një zë po ashtu deklaron se Pejgamberi ndërroi jetë me 8 Qershor 632. Filmi përfundon me pamje të myslimanëve duke u falur gjithandej nëpër botë që nënkupton se feja islame u përhap shumë shpejt në katër anët e botës.
Kritika e filmit
Pasi se personazhi i Muhamedit a.s. as nuk duket e as nuk dëgjohet në film, rolin e zëdhënësit e patën disa figura tjera si Zejdi, djali i tij i adoptuar, Hamza, xhaxhai i tij dhe më vonë Bilali, zezaku i parë myslimanë. Gruaja e tij Hatixhja nuk shfaqet gjithashtu e as kushëriri i tij Aliu r.a.. Përjashtim bën zëri i engjëllit Xhibril që duket sikur dëgjohet në fillim të shpalljes.
Kufizimet e tilla kanë mundur të krijojnë edhe huti tek shikuesi në disa raste. Për shembull, në luftën e Bedrit shikuesit kanë përshtypjen se luftëtarët myslimanë udhëhiqen nga Hamza, kurse siret rreth Pejgamberit tregojnë se ishte vet Profeti komandant i kësaj beteje.
Për më tepër, në shumë pjesë të filmit audienca vihet në pozitën e Pejgamberit, pasi se shumë pjesë të filmit ata i shohin përmes syve të Pejgamberit apo kur shokët e tij komunikojnë me të ata duhet të drejtohen drejt kamerës. Kjo nga një anë mund të kuptohet më blasfemuese se sa të kishte pasur një aktor të luante rolin e tij, thonë kritikët.
Pasoj tjetër e kufizimeve të filmit është edhe mos paraqitja e grave të pejgamberit. Me përjashtim të Hatixhes, e cila përmendet dy herë në film, gratë e tjera të Pejgamberit as që janë përmendur në film. Në anën e pa besimtarëve gratë paraqiten si valltare, e posaçërisht të bie në sy roli i Hindit, gruas së Ebu Sufjanit, e cila është një nga personazhet kryesor të filmit.
Mesazhi dhe Siret e shkruara rreth Muhamedit a.s.
Burimi kryesor i myslimanëve rreth biografisë së Muhamedit a.s. mbetet libri i Ibn Is’hakut, Sirat Resul Allah, e cila njihet edhe si Sirah e Ibn Hishamit. Nga biografitë moderne duhet theksuar Hajat Muhammad (Jeta e Muhamedit) nga autori egjiptian Muhamed Husejn Hajkal, më 1933, në të cilat është bazuar edhe skenaristi i filmit.
Është e natyrshme se Mesazhi nuk mund të përfshinte gjithë atë që shënohet në këto biografi. Megjithatë ia vlen të përmendet çfarë është lënë jashtë e çfarë është përfshirë në film. Në film është lënë jashtë gjithçka që ishte para Pejgamberllëkut, si profecitë për ardhjen e tij si dhe jeta e tij në Meke. Në të nuk përfshihet as rrugëtimi i Pejgamberit në qiell, Israja dhe Mi’raxhi. As jeta në Medine nuk përfshihet e tëra. Marrëveshjet dhe më vonë tradhtia e fiseve çifute të Medinës, e cila përfundon me ekzekutimin e 600 burrave çifut, nuk është paraqitur fare. Beteja e hendekut, skandali rreth bashkëshortes së tij, si dhe delegacionet e shumta që erdhën nga e gjithë Arabia nuk zunë vend në film. Në film nuk pati vend edhe për disa ekzekutime që u bënë pas çlirimit të Mekës, për shkak të krimeve që ata kishin bërë më herët. Kështu që filmi paraqet një imazh jo të dhunshëm të Pejgamberit, gjë që është e vërtetuar edhe nga Siret e shkruara për të.
Përmbyllje
Siç u tha edhe më herët, Mesazhi ka kaluar nëpër vendime të shumta juridike. Edhe pse fillimisht regjisori Mustafa Akkad u lejua ta xhiroj këtë film, ulemaja e El-Ezherit ndërroi mendjen disa herë. Ndonëse kishin kaluar afër 30 vjet që nga xhirimi, më 26 dhjetor 2004, gazeta palestineze, El-kuds El-arabi, shkruan se dijetarët e El-Ezherit kanë dhënë fetvanë e cila ndalon shfaqjen e Mesazhit në ndonjë kinema në territorin e Egjiptit apo transmetimin e filmit në ndonjë televizion egjiptian. Arsyeja për këtë ndalesë është se ata e konsiderojnë të ndaluar shfaqjen e ndonjërit nga dhjetë shokët e Pejgamberit, kur dihet se në filmin e Akkadit është shfaqur njëri nga ta, Ebu Bekri r.a.
Por të mos harrojmë se e njëjta ulema e El-Ezherit dhe Këshilli Shiit i Libanit, i jep të drejtën Christine Huda Dodge, një amerikane e konvertuar në Islam, për përgatitjen e një filmi të animuar i titulluar, Muhamedi, I Dërguari i fundit, i shfaqur në SHBA më 14 nëntor 2004. Ky është një hap i mirë kujtojmë, drejt krijimeve të reja në ketë fushë.
Megjithatë Mesazhi vazhdon të mbetet filmi i vetëm i metrazhit të gjatë për 30 vjetet e kaluar. Sot, kur mass media shërben jo vetëm për qëllime argëtuese por edhe edukative, filma të llojit të tillë do të krijonin një sensibilizm më të gjerë të audiencës globale. Mbesim me shpresë se kinematografia e shteteve islame do të arrij që në të ardhmen të krijoj me tepër filma të tillë epik, kur dihet se historia islame është mjaft e bujshme dhe përmban ngjarje të shumta me karakter historik.
Shkrimi është i bazuar në një artikull të botuar në zhurnalin Islam and Christian – Muslim Relations, January 2006
Botuar per here te pare ne revisten Dituria Islame