Jam i bindur se shume nga ju, përfshirë edhe vetën, s’ka se si mos të jemi krenuar para të tjerëve me moshën e re të popullatës së Kosovës. Ndoshta edhe diskutimet i kemi nisur me: ‘Kosova ka popullatën më të re në Evropë; 70 për qind e popullatës janë nën moshën 30 vjeç, apo 50 për qind nën moshën 25 vjeç’. Një statistikë e tillë menjëherë të bën të mendosh për dy gjëra: fuqinë e madhe punëtore që posedon Kosova dhe në të njëjtën kohë, sfidën e madhe për t’i siguruar punë gjithë kësaj fuqie në një shtet të ri si ky yni. Ndërkaq, kur kujton 44 për qindëshin e nivelit të përgjithshëm të papunësisë në Kosovë, dhe faktin se gati 40 për qind e popullatës jeton në varfëri, me 1.42 € në ditë, problemi i papunësisë së të rinjve bëhet edhe më sfidues. Kurse konkurrenca për punë sa vjen e shtohet. Banka Botërore (2008) kishte paraparë që gjatë pesë viteve të ardhshme 200,000 të rinj të tjerë do të hynë në tregun e punës, kurse numri i atyre që do arrijnë pensionimin do të jetë jo më shumë se 60,000. Niveli i papunësisë së të rinjve në Kosovë është pesë herë më i lartë krahasuar me vendet e BE-së. Pa ndonjë plan serioz në tavolinë, qeveria duhet të kuptojë se një numër kaq i madh i të rinjve të pa punë mund të ketë pasoja politike, sociale dhe ekonomike. Me ketë nuk aludoj se qeveria e ka për detyrë t’i siguroj secilit një vend pune, por gjithsesi nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për një nivel kaq të lartë të papunësisë.
Në aspektin ekonomik, papunësia e të rinjve konsiderohet si një humbje (shkretim) i kapitalit njerëzor. Mungesa e shkathtësive të punës, mungesa e përvojës së punës, e trajnimeve, apo numri i vogël i historisë së punës, ia ul vlerën punëtorit në tregun e punës. Padyshim, mospuna është edhe një humbje e potencialit të rinisë pasi se atyre nuk iu ofrohet mundësia për të shfaqur fuqinë, energjinë dhe kapacitetin e tyre. Dhe kur fuqia aktuale punëtore plaket, gjeneratat e reja shtyhen në moshë pa ndonjë përvojë pune. Një rini e tillë jo produktive gjithashtu është barrë edhe për shtetin për shkak se ata nuk gjenerojnë kurrfarë të hyra.
Në aspektin social, një rini e pa punë krijon edhe destabilizim familjar; fëmijëve u pa mundësohet një edukim dhe shkollim i duhur, kurse depresioni dhe pa kënaqësia në familje rritet. Dhe ashtu edhe siç mund të nënkuptohet, një rini jo produktive mund të jetë cak joshës edhe për banda dhe organizata kriminele.
Dhe së fundi, pa kënaqësia e të rinjve të një shteti, nënkupton edhe pa kënaqësinë e elektoratit, kurse çdo qeveri synon që elektorati të jetë i kënaqur me qeverisjen e saj. Por, një fakt se 72.7 për qind e të anketuarve janë të pa punë, përkundër dëshirës për punë, duhet të tingëllonte fuqishëm në veshin e çdo qeverie, pasi se frustrimi i tyre mund të manifestohej me revolta sociale ku do të pësonte direkt koalicioni qeverisës, një fenomen ky që të kujton skenarët e quajtur ‘ticking time bomb’.
Papunësia e rinisë është një problem serioz, por edhe më serioz bëhet kur ata nuk shohin ndonjë të ardhme në vendin e tyre dhe vendosin të emigrojnë. Emigrimi nuk është një fenomen i ri për Kosovën. Diaspora e Kosovës shënon 17 për qind të afërsisht 2.5 milion kosovarëve. Banka Botërore (2008) tregonte se rreth 500,000 individë kanë lindur në Kosovë dhe tani jetojnë jashtë shtetit, kurse sipas raportit në fjalë çdo i treti i ri mendon se nuk ia vlen të jetohet në Kosovë. Sikur një trend i tillë emigrimi të vazhdojë, kjo do të sillte një tjetër problem serioz, që njihet si ‘ikja e trurit’.
Një problem i tillë social nuk është lehtë të zgjidhet. Edhe për ekspertët kjo do të ishte një sfidë marrë parasysh kapacitete e vogla të Kosovës. Por diçka mund të bëhet. Siç e thashë edhe më herët shumë të rinj akoma nuk kanë shijuar përvojën e punës. E kjo, kujtoj do të arrihej shumë lehtë sikur qeveria të krijonte më shumë politika për praktikë të të rinjve, sidomos të atyre që janë në studime. Praktika, çoftë brenda ministrive të ndryshme apo institucioneve të tjera publike, do t’u mundësonte të rinjve përfitimin e përvojës së punës, shkathtësive, etikës dhe ndjenjës së punës. Nëse jo të gjithë, jam i bindur se shumë të rinj do të jepnin maksimumin për t’u dëshmuar në punë. Një statistikë e vitit 2007 tregonte se 88% e të rinjve në Kosovë kërkojnë punë për herë të parë dhe nuk kanë ndonjë përvojë të më hershme pune. Një politikë e tillë sigurisht se nuk do të zgjidhte problemin e papunësisë së të rinjve menjëherë, por megjithatë shumë prej tyre do t’u hapte një perspektivë më tepër. Dhe mbase pastaj, të paktën për disa, fjala rini do ishte sinonim i shpresës.
Artikulli eshte botuar ne te perditshmet "Zeri" dhe "Kosova Sot", me date: 14.10.2009