Marrëdhëniet perëndim lindje, në të shumtën e rasteve interpretohen sikur armiqësore si pasojë e konflikteve dhe përplasjeve në të kaluarën. Në botën moderne shpesh herë flitet për komunikime dhe veprime ndërkulturore në emër të progresit dhe mirëqenies për një botë më të sigurt. Kjo është një moto e modernitetit e mbështetur në botën e përvojës dhe arsyes si burim i të gjitha dijeve pozitive, duke konsumuar traditën dhe të shenjtën si nevojë imediate në formimin e perceptimeve dhe vrojtimeve të njeriut mbi qenien, të drejtën, moralin, metafizikën etj. Përkundër këtij pretendimi pozitivist dhe progresivist mbi ardhmërinë e botës nuk pushojnë zëra serioz që na vinë po nga bota e moderuar perëndimore ku marrëdhëniet perëndim - lindje, islam - perëndim i interpretojnë me logjikën e përplasjeve qytetërimore, apo teori mbi fundizmin e historisë dhe superioritetin e perëndimit ndaj të tjerëve, siç janë: Hantigtoni, Fukajama etj. Ndërsa zërat që vinë nga bota e kulturës dhe qytetërimit islam tërheqin vërejtjen se logjika e përplasjeve dhe konflikteve duhet të shndërrohet me logjikën e ndërveprimit dhe komunikimit ndërkulturorë, teori të përpunuara nga Ahmet Davutogllu, Edvard Said etj. Pretendimi se bota perëndimore dhe lindore gjithnjë kanë komunikuar me gjuhën e forcës është jo shkencorë dhe i motivuar shpesh herë politikisht. Studime të rëndësishme të autorëve perëndimorë zbulojnë se Islami dhe Perëndimi ka raste kur kanë komunikuar në rrugë normale përkundër tendencave të historiografisë së shtrembëruar se ky komunikim nuk ka ekzistuar. I mbetet historianëve dhe filozofisë së historisë që të hulumtojnë se gjurmët e kulturës dhe civilizimit islamë kanë pasur ndikim në ndryshimet e mëdha që ndodhën në Evropë pas Rilindjes, Reformacionit, racionalizmit, si rezultat i ndryshimeve epistemologjike, ekonomike, politike dhe kulturore. Ky punim synon të hedh pak dritë në këtë drejtim duke llogaritur se në publicistikën shqiptare kjo çështje ka mbetur e pa hulumtuar sa duhet.
Tema në fjalë, ka mbetur e pashtjelluar për shkak të moskuptimeve që kanë rrjedhur nga dominimi i botëkuptimeve të filozofisë së materializmit dialektik mbi pikëpamjet e islamit që ofron mbi individin, shoqërinë, moralin dhe jetën në përgjithësi. Rekomandimet e cekura, kulturën dhe civilizimin islam e anashkalojnë në tërësi për të mos thënë e mohojnë fare. Islami ekspozohet si një aksident në të kaluarën historike pa poseduar aspak vlerë që do të kontribuonte në lëmin e kulturës dhe civilizimit botërorë. Këto vlerësime në të shumtën e rasteve janë shprehje e besnikërisë ndaj kulturës perëndimore të elitës tonë intelektuale, për të bindur komunitetin perëndimorë se orientimet drejt integrimeve evropiane nuk kanë alternativ. Në anën tjetër shumë autorë dhe shkencëtarë serioz nga perëndimi në hulumtimet e tyre e dëshmojnë të kundërtën.
Duke pasur parasysh se deri sot ka munguar ndonjë studim serioz rreth shqyrtimit të temës në fjalë, nga intelektualët, dhe teologët të cilët janë më kompetent dhe më të thirrur për të diskutuar në këtë lëmi, mund të konkludojm se e vështirësojnë edhe më tepër hulumtimin sa më objektiv të çështjes në fjalë. Të parët (shumica e intelektualëve, shqiptarë) kategorikisht e kanë refuzuar idenë se ka një kulturë dhe civilizim islam, që nuk është çudi ngase dihet se në çfarë rrethanash janë ngritur profesionalisht dhe në aspektin intelektual, kurse tek të dytët (hoxhallarët, teologët, natyrisht jo te të gjithë) deri më tani ka munguar ndonjë orvatje serioze për t'iu rrekur ndonjë studimi dhe hulumtimi në mënyrë që të hidhet sado pak dritë në këtë drejtim.
Nocionet kulturë dhe civilizim
Fjala kulturë dhe civilizim shpesh herë përdoren si sinonime, mirëpo nganjëherë në shkencë civilizimi formulohet si pjesë e kulturës apo krejtësisht e veçuar si pjesë e ndarë materiale e aktivitetit të bashkësisë njerëzore. Fjala civilizim rrjedh prej fjalës qytet, vend urban, qytetar, madje thuhet civilizim, të qëndruarit në qytet. Ka studiues perëndimorë që nuk bëjnë dallim mes civilizimit dhe qytetërimit.
Kështu p.sh. Vul Djurant në librin e tij të njohur "Tregime mbi civilizimin" këto dy fjalë i përmend në të njëjtin kuptim që donë të thotë se me fjalën civilizim nënkuptojmë përparimin, dinamizmin shkencor teknologjik si dhe super standardin që e kanë arritur shoqëritë.
Mund të themi se:me fjalën civilizim nënkuptojmë orvatjet e njeriut për zbulim, shpikje, mendim, logjikim, orvatje për të sunduar natyrën. Civilizimi është rezultat i mundit dhe punës të gjithë popujve, dhe se për ngritjen e tij nuk parashtrohet kushte raciste. Ai nuk është eksluzivitet i ndonjë populli po shoqërie, pra as i shoqërisë perëndimore siç pretendohet rëndom. Civilizimet komunikojnë në mes veti ato barten për mes çlirimeve, emigrimeve, tregtisë, fqinjësisë etj.
Shkrimi si dhe dokumentet e shkruara, gjurmët materiale, ndërtesat, mbeturinat artistike janë burime të civilizimit, sa më shumë të zhytemi kah kthimi në kohë, aq më shumë rritet vlera e gjurmëve materiale.
Nuk ekziston e ashtuquajtura mrekulli greke
Këtu do të parashtrojmë pyetjen. A thua ekziston civilizim islam ose a thua myslimanët i ofruan diçka lumit të civilizimit, apo ata vetëm se ishin bartës "postier" të cilët e përkthyen dhe e bartën "mrekullinë greke"në Evropë, e të ngjashme. Për t'u përgjigjur në këto pyetje nuk mund të thuhet po ose jo, por ka nevojë të shpjegohen faktet e vërteta historike.
Vul Djuranti thot: "Grekët nuk kanë ngritur dhe themeluar civilizimin me plot kuptimin e fjalës pasi që ata më tepër kanë trashëguar se sa kanë shpikur…
Djuranti thekson se Thalesi (624 – 536 p.e. s.) është një ndër dijetarët e parë që e vizitoi Egjiptin dhe barti me vete shkencat inxhinerike. I mori nga shkolla e Aleksandrisë. Pitagora (572 – 497 p.e.s.) pasi që e kishte vizituar Egjiptin disa herë, mësoi shkencat matematikore në Babiloni. Pllaka e gurit në Tel Harmel, e cila u gjet në periferi të Bagdadit dëshmon fillin se Babilonasit këtë teori e njohin qindra vite më parë se Grekët.
Grekët në mes viteve (850 – 750 p.e.s.) e kopjuan alfabetin fenikas,dhe këtë kopjim e pranuan edhe vetë, edhe atë në tregimin " KADMUS ". Ky alfabet u bart edhe te romakët, me të cilin u shkruajt edhe gjuha latine edhe letërsia e saj, me ç'rast u bart edhe në botën perëndimore.
Në librin " Tregimi mbi civilizimin" thuhet: "Emrat të cilat ua vunë grekët metaleve, shenjave të zodiakut, gjatësive, mjeteve muzikore dhe shumicës së barnave nuk ishin gjë tjetër përveç përkthimi i emrave të tyre nga gjuha babilonase në atë greke".
E ashtuquajtura mrekulli greke siç thotë Xhorxh Sartonin librin e tij "Historia e shkencës" ka babë dhe nënë, legjitime. Babai i sajë legjitim është trashëgimia e Egjiptit të vjetër, ndërsa nëna e sajë është Lindja e vjetër. Konstatimi se gjithçka ka zanafillën nga antikiteti grek është një e vërtetë e papranuar shkencërisht.
E, sa i përket civilizimit islam, ky civilizim është shërbyer me civilizimet tjera, mirëpo kjo nuk do të thot se ai i ka bartur ato civilizime, ashtu siç janë, po në fakt, dijetarët islam, shkencat greke dhe të tjera, i ri studiuan rrënjësisht, dhe ajo që myslimanët e lanë trashëgim Evropës dallon shumë nga ajo që trashëguan.
Civilizimi islam hapin e parë të tij e filloi në momentin e zbritjes së shpalljes së ajetit Kur'anor "Ikre"(Lexo). E fjala "Lexo" kushtëzon ekzistimin e shkrimit për të lexuar, ngase shkrimi dhe leximi janë çelësi i përparimit të çdo kulture dhe civilizimi. Myslimanët lexuan atë që kishin dhe atë që poseduan të tjerët dhe leximi ishte rruga e ngritjes së tyre dhe përparimit të njohurive të tyre, të cilët njohuri u zhvilluan në shkencë. Moto e myslimanëve të parë ishte "Merre urtësinë, pa marr parasysh prej cilës gojë ka dalë". Muhamedi a.s. thotë: "Kërkimi i diturisë është obligim për çdo mysliman". Për këtë shkak myslimanët u dhanë pas çdo sfere të diturisë, dhe nuk lanë asnjë kandil, përveç se morën diçka prej tij, andaj, Viliam Osleri pati të drejt kur tha: "Arabët, fanarin e tyre e ndezën nga kandilat e Greqisë, mirëpo, ata së shpejti u bënë fanar i shkëlqyer me të cilin u ndriçua popullata e rruzullit tokësor".
Rruga përmes të cilave depërtoi kultura dhe civilizimi islam
Shkurtimisht do të cekim disa kanale, nga depërtoi civilizimi islam në Evropë: - Andaluzia (Spanja) ishte pjesë e kontinentit Evropian për një periudhë prej VII shekujsh (93 – 898 h./711 -1492 m.). Ishte hapësirë e rrezatimit civilizues, kohën kur në të gjendeshin myslimanët. Zigrid Honke thotë: "Malet Brans nuk i pengonin këto lidhje, dhe nëpër mes këtyre, civilizimi islam andaluzian e gjeti rrugën e tij për në perëndim".
- Ishullin e Sicilisë të cilin e pushtuan arabët (212h./827 m) mbeti në duart e tyre deri sa e morën atë normandezët në vitin (484 h./1090 m).
- Ishulli i Maltës, i cili ishte në largësi 316 km. nga Tunizia. Në Maltë ndikimet arabo – islame ende janë të qarta në shumë sferat e jetës deri në ditët e sotme.
- Përmes tregtarëve, haxhinjve, priftërinjve dhe nxënësve evropian.
- Luftërat e kryqëzatave. Gustav Lebon, në librin e tij "Civilizimi arab", thotë: "Luftërat e kryqëzatave nuk qenë gjë tjetër përveç se konflikt i madh në mes popujve primitiv të egër barbar dhe një civilizim i cili konsiderohet ndër civilizimet më të larta që e njohu historia.
- Gjithashtu ndikoi në depërtimin e kulturës islame në Evropë edhe prodhimi i letrës i cili u bart nga disa rob kinez në Samerkand kah gjysma e shekullit VIII. Natyrisht kjo ndikoi dukshëm që të përhapet kultura dhe civilizimi islam. Në këtë drejtim ndihmoi edhe industria e tekstilit ajo e armëve, tregtia dhe disa faktorë të tjerë ishin shkaktarë kryesorë për bartjen e trashëgimisë islame në Evropë.
Ndikimi mendor islam
Kur disa mendje të shkëlqyera filluan të hetojnë gjurmët e filozofëve mysliman, filloi renesanca e vërtetë e mendimit filozofik perëndimor edhe atë në shekullin XIII.
Alberti i Madh (1207 – 1280) studioi në thellësi atë që ishte përkthyer në latinisht nga veprat e filozofëve mysliman, me ç'rast mori shumë nga Ibni Sina, Farabiu dhe Ibni Ruzhdi.
Italiani Gjerardo de Kremono (1114-1186) përktheu rreth nëntëdhjetë punime nga gjuha arabe në atë latine.
Te shenjtori Toma Akuini, njëri ndër filozofët më të mëdhenj Evropian në shekullin XIII, gjurmët e filozofisë islame i gjejmë më të thella dhe më të pjekura, edhe pse nga pamja e jashtme duken të fshehura, nga se mungon përmendja direkte e literaturës së shfrytëzuar në formë direkte, siç veproi Albertit të Madh.
Te Toma Akuini vërehet ndikimi i mendimit islam, ngase në rend të parë manifestohet, në argumentet të cilat i përdor për vërtetimin e ekzistimit të Zotit përmes metodës logjike. Kështu ai mori këto argumente nga Farabiu, Ibni Ruzhdi dhe Ibni Sina. Dr.Abdurrahman el – Bedevi thekson se Akuini i përmend dy librat e Ibni Ruzhdit.
Kjo na shtyn neve të bisedojmë mbi ndikimin e këtij filozofi të madh mysliman (Ibni Ruzhdi) p.sh. ne nuk mund të flasim për "farabizëm" apo "sinavizëm" latin e në anën tjetër hasim në "ruzhdizëm" latin teje të fuqishëm i cili pati ithtarë dhe pasues në Evropë një kohë prej mese dy shekuj. Lëvizja ruzhdiste latine filloi në Evropë kur Mihajl Skoti përktheu shpjegimet e Ibni Ruzhdit të titulluar komenti i vogël, i mesëm dhe i madh i veprave të Aristotelit në periudhën në mes viteve (1228 – 1238). Për deri sa Mihajl Skoti ishte astronom në pallatin e Frederikut të II në Palermo të Sicilisë, këtë lëvizje e udhëhoqi Siger Berabenti (1235 – 1281 ose 1284), pasi në të pa të vërteta shkencore filozofike. Berabenti kishte një vend të lartë në universitetin e Parisit, me ç'rast kisha solli vendim për ta dëbuar nga universiteti, pas refuzimit të tij që të largohet nga këto pikëpamje, ai u vra përmes një atentati. Ndikimi i Ibni Ruzhdit vazhdoi në rritje e sipër në qarqet filozofike deri në shekullin XVII. Ndërsa Rofaili, në pikturën e tij të njohur "shkolla e Athinës" Ibni Ruzhdin qartë e pikturoi me kapuç të bardhë.
Ishte një befasi e dorës së parë kur orientalisti spanjoll Osino Bllathjos, gjatë fjalimit të tij në akademinë mbretërore të Spanjës, në seancën e 26 janarit të vitit 1919 lajmëroi se Dante Aligeri në "komedinë hyjnore" ka qenë thellë i ndikuar prej islamit, ndikim ky i cili depërtoi deri në imtësirat e përshkrimit të ferrit dhe parajsës nga ana e tij. Osino Bllathjos filloi t'i numëroj pikat e ngjashme dhe të kopjimit duke u mbështetur në literaturën Islame. Kjo ide u pranua rëndë nga Italianët me të cilën u befasuan nga ky lajm. Bllathjos i demantoi këto sulme në një libër të cilin e botoi në Madrid me titullin "Botët islame të pas vdekjes në Komedinë Hyjnore" libër prej 609 faqesh të formatit të madh. Pas pak vitesh studiuesi Italian, Enriko Eqorolli në vitin 1949 botoi përkthimin latin dhe francez të një libri arab mbi Mir'axhin i cili ishte përkthyer nga gjuha arabe në shekullin XIII nga i cili libër aktualisht ekzistojnë dy kopje, njëra në bibliotekën Bodli në Oksford, ndërsa tjetra në bibliotekën popullore në Paris.
Arnolld Tojmbi për Ibni Hadunin (vdiq në vitin 1406) sociolog, filozof, historian në librin e tij "Studimi i historisë" thotë: "Ibni Halduni është i rrallë në historinë e mendimit, në atë shkallë nuk ka arritur asnjë mendimtarë para tij, e as që ka ardhur ndonjë pas tij në të gjitha kohërat". Charls Issavi për Ibni Haldunin thotë: "Ibni Halduni më tepër se pesë shekuj si në vendin e vet, ashtu edhe jashtë ka mbetur një profet (i shkencës) të cilit nuk iu është dhënë nderi i merituar".
Husati numëron 10 libra pas "Mukadimes" të Ibni Haldunit për nga rëndësia në filozofinë e historisë, ku ndër më kryesorët janë: "Sundimtari" i Makiavellit, "Qeveria civile" e Xhon Llokut (anglez), "Bota e re" e Pastovikos (Italian), "Natyra e popujve" dhe "Filozofia e historisë" e Vollterit (francez), "Ide filozofike në historinë e njerëzimit" të Hederit (gjerman).
Xhorxh Sartoni, në librin e tij "Historia e shkencës", thotë: "Me të vërtetë pjesën më të madhe të detyrave të mendimit njerëzor e morën myslimanët, kështu, Farabiu është filozofi më i madh, Mes'udiu është gjeografi më i madh, ndërsa Taberiu është historiani më i madh".
Kontributi i myslimanëve në shkencat praktike dhe matematike
Nga emrat e njohur në këtë lami është Abdurrahman Ibën Junusi vdiq më vitin (1909) zbuloi balancierin dhe konstatoi ligje të shumta të vibracionit. Pas 650 vjetësh te studimeve për balancierin dhe vibracionin nga Ibën Junusi, erdhi italiani Galileo, vdiq më vitin (1624) i cili i zgjeroi dhe i formësoi më tepër studimet e balancierit.
El Hamdani vdiq (945) zbuloi një të vërtetë shkencore, ligjet e të cilës i vuri Isak Njutoni ne vitin 1687. Ai qartë dhe kuptueshëm thot: " Boshti tokësorë i tërheq trupat në të gjitha anët e saj. Kjo tërheqje (gravitet) është fuqi natyrore e koncentruar në tokë dhe rreth tokës le një fuqi aktive të ngjashme në atë fushë të cilën e posedon fusha e magnetit ". Mund të themi atë që e ofruan Harani, El Hamdani, Bejruni - optika, El Bagdadi janë orvatje të suksesshme në rrugën e numërimit (kodifikimit) të cilën e realizoi Njutoni në fund të shekullit XVII.
Nëse përmendim matematikën në civilizimin islam patjetër duhet të përmendet Hevarizmi vdiq pas vitit (847) i cili u quajt Ustadh – mësues. Hevarizmi filloi të përdorë numrat hindus në vitin 813, kurse në vitin 825 shkroi një traktat për to dhe i pari futi në përdorim zeron. Ai thotë: "nëse nuk ka numër që nuk qëndron në shkallën e dhjetë kërkohet kompensim për të që të ruhet vargu llogaritës në rrethe, e këto rrethe të vogla quhet zero. Në arabishte quhet "sëfër", latinët e shqiptuan "zefiro" ndërkaq italianët e shqiptuan "ziro". Xhirar Krejmoni e përktheu librin e Havarizmit mbi Integrimin dhe Diferencimin në shekullin XVI.
Nëse përmendim kontributin e myslimanëve në mjekësi kurrsesi nuk guxojmë pa e përmendur emrin Ibni Sinas në Evropë i njohur me emrin "Avicena". Mësimet e tij në medicinë dominuan në periudhën prej 6 shekujsh në tërë botën. Librat e tij u bënë literaturë burimore për mjekët në lindje e perëndim. Ato ishin mbështetje në universitetet e Francës dhe Italisë. Botimi i tyre u përsërit deri në shekullin XVII. Në medicinë ai përpiloi mbi 16 libra. Ndër më të njohurat ishte "El – Kanun fi tibbi", "Ligji mbi mjekësinë". Ky libër u përkthye në gjuhën latine dhe përjetoi mbi 30 botime. Një studiues thotë: "Ky është libri i parë i rregulluar sipas normave moderne … për herë të parë i ndanë sëmundjet në: sëmundje të kokës, të kraharorit, interne, nervore, gjinekologjike, venerike etj.
Revista të cilën e boton UNESKO me emrin "Posta e UNESKOS" në numrin e tetorit 1980, përmend se libri "Kanuni", i Ibni Sinas është mësuar në universitetin e Brukselit deri në vitin 1909. për këtë Osleri thotë: "Libri El – Kanun ka jetuar më gjatë se çdo libër tjetër si burim unikal në medicinë. Numri i botimeve në 30 vitet e fundit të shek. XV ka arritur 15 botime, në shek. XVI ka arritur 20 botime. Kontributi i muslimanëve është i dukshëm edhe në fushat tjera si në astronomi, gjeografi etj.
Do të përkujtojmë Ibni Nefisin dhe qarkullimin e vogël të gjakut, e nuk do ta lartësojmë Harfin kopjuesin e tij. Do të përmendim Zejnul El Amidijjun vdiq (1314) zbuluesin e shkronjave të mëdha 600 vite para Brajelit. Do të përmendim Ibrahim Zurkalin para Kopernikut. Do të përmendim Ibni Hajthemin para Roxher Bejkonit, sikur të mos ishte Ibn Hajthemi siç thotë Vul Djuranti njerëzit as që do të dëgjonin për Roxher Bejkonin. Ibn Halduni me "Prologomenën" e tij do të mbetet yll në filozofinë e historisë dhe sociologjisë. Emri i tij shkëlqen para Xhon Llokut, Zhan Zhak Rusos dhe Batista Fikos.
Borxhi i perëndimit
Në kongresin e civilizimit arabo – islam i cili u mbajt në Universitetin e Uashingtonit në vitin 1953 u konfirmua se të gjitha faktet vërtetojnë se shkenca perëndimore i ka borxh me ekzistencën e vetë civilizimit islam, dhe se metodologjia shkencore bashkëkohore e ngritur mbi studim, vërejtje dhe empirizëm, të cilën e aprovuan shkencëtarët Evropian, ka qenë rezultat i lidhjes së shkencëtarëve Evropian në botën islame veçanërisht përmes shtetit mysliman në Spanjë.
Tomsoni me këtë rast shton: "Lulëzimi në botën perëndimore ka lindur për shkak të ndikimit të popujve të Evropës perëndimore me njohuritë shkencore arabe, dhe për shkak të përkthimit të shpejt të veprave të muslimanëve në sferën e shkencave dhe transferimit të tyre prej arabishtes në latinishte, e cila ishte gjuhë internacionale në atë kohë. Lindja e shkencës në perëndim ndoshta ka qenë pjesë më madhështore dhe suksesi më kolosal në historinë e bibliotekave islame.
Mesjeta terr për Evropën, ndërsa dritë për civilizimin islam
Nëse e gjithë kjo është e vërtetë atëherë me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen pse deri sot tek ne është mbuluar kjo e vërtetë dhe ku qëndron shkaku i shtrembërimit të këtyre fakteve të vërteta shkencore. Ndër arsyet kryesore për mos zbulimin e së vërtetës mund ti numërojmë:
Ndarja e historisë në kohën e vjetër të mesme dhe të re. Shkatërrimi i Perandorisë Romake dhe rënia e Romës në duart e Barbarëve gjermanë, në vitin 476 të erës sonë e deri me pushtimin e Stambollit nga sulltan Mehmet Fatihu në vitin 1458 apo zbulimit të Amerikës ose rënia e Granadës nga duart e muslimanëve në vitin 1492 pas 700 vjet qëndrimi në Spanjë, konsiderohet koha e mesjetës. Kjo periudhë në historiografinë perëndimore konsiderohet e errët dhe regres në kulturë dhe civilizim. Monopoli i jetës nga kisha, luftërat civile me të drejtë na shtynë që kohën e mesjetës ta nominojmë si errësirë. Mirëpo, kjo është karakteristikë vetëm për popujt evropian. A thua është e drejtë që e njëjta gjë t'i përshkruhet edhe popujve të nënqiellit të kontinenteve tjera, dhe a janë të qëndrueshme vlerësimet se gjatë mesjetës në gjithë botën mbretëronte një errësirë si në Evropë. Mu në këtë kohë kultura dhe civilizimi islam e përjetoi zenitin e vet, siç vërehet edhe nga elaborimi i mësipërm mbi kontributin e muslimanëve në të gjitha domenet e jetës. Në mesjetë u ndërpre hovi i të arriturave njerëzore nga grekët e vjetër për shkak të rrethanave të reja që u krijuan nga monopolizimi i jetës mendore dhe kreativitetit shkencorë nga institucioni i kishës. Të gjitha mësimet që ishin jashtë kornizave të biblës konsideroheshin herezi, e mendimtarët e lirë dënoheshin me dënime drakonike, në të shumtën e rasteve nuk u kursej as jeta. Myslimanët ishin ata që i bartën njohuritë Greke, i ristudiuan e përsosën metodologjinë shkencore të empirizmit, krahasimit. Renesanca evropiane do të njihet me veprat e grekëve nëpër mjet myslimanëve një e vërtetë e fshehur dhe e pa pranuar botërisht.
Po e përmbyllim këtë temë me disa thekse të orientalistes Gjermane Zigrid Honke e cila u habit me civilizimin islam, andaj edhe disertacionin e saj për arritjen e shkallës së doktoraturës në Universitetin e Berlinit e titulloi: "Ndikimi i letërsisë arabe në letërsinë evropiane" , ndërsa në librin e saj të njohur me titullin "Dielli arab shndrit mbi perëndimin", i cili u përkthye në disa gjuhë, në mes tjerash thotë: "Njerëzit te ne (në Gjermani) dinë shumë pak rreth mundit tuaj, të përjetshëm civilizues dhe rolin e tij në ngritjen e civilizimit perëndimorë". Madje muslimanëve për rolin dhe rëndësinë e tyre që patën, dëgjimin e të cilës gjë atyre u ndaloi për një kohë të gjatë një armiqësi e verbër ose injorancë e çmendur. Më tutje shton se ka ardhur koha që të bisedohet për një popull që pati ndikim tejet të madh në rrjedhat e ngjarjeve botërore, të cilit popull Evropa ia ka borxh në veçanti, e po ashtu edhe tërë njerëzimit në përgjithësi. Kjo gjermane e pranon gjithashtu fshehjen e fakteve rreth rëndësisë dhe mundit civilizues të arabëve nga ana e shkencëtarëve evropian apo së paku prej shumicës së tyre dhe thotë: "Përskaj asaj (rëndësia dhe rolit të myslimanëve), kush lexon 100 libra historik nuk gjen emër të atij populli (myslimanë) në 98 prej tyre".
Një qëndrim të këtillë e përmbajnë pak a shumë edhe Arnolld Tojnbi, Luis Masogni, Xhorxh Sarton, Eduard Gibon, Rene Guenon, Gustav Lebon etj.
__________________
Shënim: Të dhënat mbi kontributin e myslimanëve në shkencat ekzakte dhe shoqërore janë marrë nga seminari i mbajtur ne Damask më 26 Maj 1995 me temën "Roli i civilizimit arabo – islam në renesancën Evropiane", i botuar nga Shtëpia Botuese Furkan – Ism. Gjithashtu si referencë kam përdorur edhe librin "Povjest islamske kulture i civilizacije", ("Historia e kulturës dhe civilizimit islam") nga autori boshnjak dr. Nijaz Shukriq.