Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar

Ndërkohë në mjaft shoqëri më të urbanizuara, në rrjedhën e disa shekujve, madje edhe në ditët tona, konfliktet ndërfetare kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një sfidë e rëndë problematike në shumë rrafshe, sociale e politike, fetare e psikokulturore, etj.. Në këtë sfond ndërkombëtar, ku rilevohen dukshëm konfliktet ndërfetare, mirëkuptimi ndërfetar i shqiptarëve, ngjan si një gur i çmuar me rrezatim të veçantë për gjithë mozaikun. Mendojmë se vlera kulturore e tolerancës, e mirëkuptimit ndërfetar të shqiptarëve është pak e studiuar, pak e argumentuar. Ndaj çdo përpjekje për depërtimin në thelbin e një vlere të tillë komplekse, shumëfunksionale, për ta evidentuar atë përmes strukturave konceptuale sociologjike, ka rëndësi të veçantë teorike e praktike, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe më gjerë. Duke bërë objekt të një studimi të gjerë vlerën kulturore të tolerancës, të mirëkuptimit ndërfetar të shqiptarëve z. Genti Kruja provon me dinjitet se ka formimin e plotë teoriko-sociologjik, intuitën e kultivuar të studiuesit profesionist për t'u orientuar drejt në morinë e problemeve që ofron realiteti shqiptar. Natyrisht, mirorientimi përbën arritjen e parë, ndër mjaft arritje të këtij punimi studimor, disa prej të cilave po i rendisim në vijim. Duke pasur arsimim universitar të profilit të mirëfilltë sociologjik të realizuar në një fakultet ku gërshetohen përvojat sociologjike të Lindjes dhe të Perëndimit (siç është Stambolli), z. Genti Kruja ka shfrytëzuar literaturë të pasur teorike të përpunuar nga autoritetet kryesore sociologjike të botës shkencore perëndimore e lindore. Veç të tjerash, një formim i tillë teorik e ka ndihmuar autorin e këtij punimi të mos bjerë në kurthin e paragjykimeve për kulturat lindore dhe besimet fetare të lidhura me to, të cilat kanë qenë dhe ende janë mjaft të përhapura, mjaft problematike, sidomos në Gadishullin Ballkanik. Ky studim është ngritur mbi bazën e hulumtimit e të qëmtimit të një literature të pasur teorike, historike e dokumentare, të fakteve të shumtë, të natyrave të ndryshme, të krahasimit të realiteteve fetare të shoqërisë shqiptare me ata të disa shoqërive të tjera perëndimore e lindore. Nga tërësia e fakteve autori ka përzgjedhur me profesionalizëm ato që ndriçojnë më mirë e në mënyrë të pakontestueshme veçoritë e tolerancës, të mirëkuptimit ndërfetar të shqiptarëve, të cilët, së paku në rrjedhën e dy-tre shekujve të fundit, janë të anëtarësuar në katër eklesi ose dinominejshën dhe në dhjetëra kulte fetare. Pa dyshim, shqiptarët janë populli me densitetin më të lartë të multifetaritetit në të gjithë botën. Ndonëse të përndarë në shumë organizata fetare nga më të shumëllojshmet (gati-gati populli shqiptar mund të karakterizohet si një kampion që përfaqëson pothuajse gjithë besimet fetare më të përhapura në shkallë botërore), shqiptarët nuk janë konfliktuar njëri me tjetrin për çështje fetare. Madje, në shumë aspekte, dallimet fetare kanë "funksionuar" si një faktor që ka fashitur ose tejkaluar edhe konfliktet e provokuara për motive të tjera. Kështu, sikurse nuk ndodh në asnjë vend tjetër të botës; dallimet fetare në Shqipëri veprojnë si faktor kundërkonfliktues. I udhëhequr nga parimi metodologjik i skepticizmit të organizuar, autori i këtij punimi ka shqyrtuar në mënyrë kritike edhe ide të autorëve më të shquar, madje herë-herë ka polemizuar me ata. Vlen të theksohet se polemika të tilla janë artikuluar me argumentime teorike të thella, të qarta, larg patetikës publicistike, që konstatohet rëndom në studimet shqiptare të dhjetëvjeçarit të fundit. Madje, argumentet më së shpeshti janë ilustruar edhe me fakte jetësore me domethënie më të spikatur, me shqyrtimin e mendësive përkatëse, çka e përforcon profilin sociologjik të këtij punimi. Studimet sociologjike për realitetin shqiptar karakterizohen nga proliksiteti në tematikë dhe në përdorimin e temave. Ndërsa ky studim fokusohet në mënyrë të ngulët në çështje të tolerancës, të mirëkuptimit ndërfetar dhe karakterizohet nga saktësia në përdorimin e strukturave konceptuale sociologjike, nga një gjuhë e qartë që nuk lejon kurrëfarë keqkuptimi e keqinterpretimi, ndonëse problematika që trajtohet është nga më delikatet. Siç ndodh përgjithësisht me sociologët e kualifikuar, edhe z. Genti Kruja e ka mjaft të kultivuar shpirtin e autorefleksionit ndaj vërejtjeve e sugjerimeve, këmbënguljen për të paraqitur në trajtë sa më të përshtatshme, deri në perfeksion, çdo paragraf të këtij punimi mjaft të mirë, që përbën fillimin e suksesshëm të një perspektive studimore afatgjatë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme