Të dashur besimtarë!
Në festen e Kurban - Bajramit njeriu është edhe më afër Zotit, ndaj kush dëshiron të arrijë kënaqësinë e Zotit, duhet mishëruar obligimin me zbatimin e urdhrave të Zotit,me moralin e pranueshëm te Zoti i cili reflektohet nëpërmjet mëshirës, dhembshurisë, drejtësisë,përkushtimit, ndershmërisë faljes, sakrificës e durimit etj. Ndaj me të drejt besimtarit i takon të përpiqet të kryej vepra të mira duke rrezatuar mirësi mes njerëzve.
Allahu xh sh .thotë:
“Adhuroni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmeve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pran vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.” En-nisa-36
Kjo bindje e përkushtuar në këtë ditë feste, shton dhe forcon edhe më shumë ndjenjën e humanitetit, solidaritetit,bamirësisë e mbi të gjitha arrin qëllimin e devotshmërisë ndaj krijuesit Fuqiplotë.
Festen e Kurban - Bajramit duhet kuptuar drejt e mirë ,ngase ajo në vete ngërthen vlera e adhurime të cilat ushqejnë shpirtin, pastrojnë zemrën tek besimtari, dhe e përgatisin atë për një bashkëpunim me njëri tjetrin në bamirësi e mëshirë e jo urrejtje e armiqësi.
Me kryerjen e Haxhit dhe prerjen e Kurbanit besimtarët dëshirojnë të jenë të përkushtuar ndaj vullnetit të Krijuesit dhe shfaqin dashurin dhe nevojën e tyre ndaj Zotit.
Allahu xh. sh. thotë “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun…”
Vëllezër e motra!
Në këto momente festive kur miliona haxhinjë gjenden në rrafshnaltën e Arafatit duke adhuruar Allahun dhe lutur Atë për faljen e mëkateve,unë qytetarë të nderuar ju drejtohem me porosinë:
Ruani vlerat tona fetare e kombëtare,ndihmoni njëri tjetrin,punoni për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë,që interesi i përgjithshëm i vendit të jetë mbi interesat e ngushta personale, shtrini dorën e ndihmës të gjithë atyre që kanë nevojë, se Allahu do të jetë në ndihmën tuaj aq sa ju do të jeni në ndihmën e njëri tjetrit.
Me këtë rast lus Allahun xh.sh. që adhurimet tona të na i pranoi që shpirtrat e zemrat tona ti fisnikëroi, që popullin e vendin tonë ta ruaj nga çdo e ligë. Uroi që në familjet tuaja të ketë në vazhdimësi përkushtim ndaj Allahut, shëndet lumturi, mëshirë e harmoni.
Urime edhe për vëllezërit tanë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovën Lindore dhe mërgatën tonë.
Pra të gjithëve me fat festa e Kurban - Bajramit dhe festa e Flamurit.
Myftiu i Kosovës
Naim Tërnava