A do të dëgjohet ezani në Zvicër?!

Sot më 29 nëntor 2009, qytetarët e Zvicrës do të dalin në referendum për të votuar për një projekt të paraqitur nga grupi i deputetëve të Unionit Demokratik të Qendrës (UDC, e djathtë populiste), i cili ka ndërmarrë nismën më 2008 për të ndaluar ndërtimin e minareve të reja. Ata konsiderojnë se këto ndërtesa nuk kanë karakter fetar, por paraqesin “simbolin e dukshëm të një pretendimi politiko-fetar të fuqisë, i cili i vë në pikëpyetje të drejtat fundamentale”. Kjo Parti, për të përfituar sa më shumë vota ka përgatitur një poster ku shihen një mori minaresh në formë të raketave të vendosur në një kryq të bardhë, simbol i flamurit të Zvicrës si dhe foton e një gruaje myslimane, ku shkruan: “Jo ndërtimit të minareve në territorin helvetik”.
Vlen të theksohet se në Konfederatën Helvetike, me një popullatë prej 7, 5 milion banorësh, jetojnë afër gjysmë milion myslimanë, të cilët paraqesin 5% e popullatës, shumica dërrmuese janë shqiptarë, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, si dhe myslimanë nga Bosnja, të cilët në Zvicër kanë shkuar si punëtorë krahu, kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga qeveria e ish-Federatës Jugosllave dhe qeverisë së Konfederatës zvicerane.
Në periudha të mëvonshme atje kanë shkuar edhe myslimanë nga Turqia si dhe vende të ndryshme arabe dhe islame. Zvicra, si vend neutral dhe i sigurt vazhdimisht ishte vend tërheqës për banorë të shumë vendeve të ndryshme të botës si dhe vend tërheqës për kapitalin e huaj.
Sipas statistikave në Zvicër ekzistojnë 160 xhami, por numri i xhamive me minare janë vetëm katër. Ky fakt tregon se marrja e lejes për minare edhe deri më tash ka qenë e vështirësuar. Në mesin e këtyre xhamive, shqiptarët kanë afër 60 xhami, apo qendra kulturore islame shqiptare, ashtu siç ata emërtojnë. Në të shumtën e rasteve ato janë depo të adaptuara për kryerjen e obligimeve fetare. Por, viteve të fundit janë ndërtua ca xhami të reja, në ato vende ku kanë hasur në mirëkuptim nga ana e organeve komunale dhe aty ku shqiptarët janë të koncentruar më shumë.
Megjithatë vlen të theksohet, edhepse shqiptarët paraqesin një numër të konsiderueshëm të komunitetit mysliman në Zvicër, institucionet tona fare nuk kanë treguar interesim për këtë çështje me rëndësi për qytetarët tanë , që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Kosova tash më është shtet sovran dhe i pavarur, institucionet tona kanë obligim të interesohen, atëherë kur në një mënyrë apo tjetër cenohen të drejtat e qytetarëve tanë.
Sipas disa anketave paraprake, shihet se populli zviceran mbi 53% është kundër ndalimit të minareve, ndërkohë që 35% janë për ndalimin e tyre, kurse 12% nuk janë deklaruar.
Mirëpo, vlen të theksohet se qeveria zvicerane, si në nivelin federal dhe atë të kantoneve është kundër kësaj iniciative. Kjo iniciativë ka ngjallur indinjatë të thellë edhe në mesin e organizatave fetare si të Kongresit të priftërinjve katolikë të Zvicrës, Organizatave të Komunitetit Hebraik të Zvicrës, Dhomës së Senatit dhe Parlamentit zviceran si dhe të Këshillit zviceran të feve.
Ndërkohë, që organizatat ekonomike dhe ato të biznesit shprehën frikën e tyre për reperkusionet, të cilat mund të kenë, nëse referendumi do të ketë sukses në ndalimin e ndërtimit të minareve, në botën arabe dhe atë islame.
Kurse prijësi i Organizatës më të madhe islame në Zvicër, Adil Al-Maxhiri, për agjencinë Islam on line deklaroi se “myslimanët e Zvicrës, pa e marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, këtë iniciativë e konsiderojnë nënçmim për ta, si dhe një pamje të Islamofobisë, e cila është prezente në Evropë në përgjithësi e në Zvicër në mënyrë të veçantë”.
“Ne po e mbrojmë identitetin tonë, të cilin e simbolizojnë minaret, sepse iniciativa e ndalimit të minareve, në realitet është parapërgatitje e ndalimit të xhamive, si dhe vet ekzistencës së myslimanëve në Zvicër”, përfundon deklaratën e tij dr. Hisham Abu Majzir, kryetar i Shoqatave Islame në Zvicër, për agjencinë Frans Press.
Sipas, lajmeve të fundit nga Zvicra, të cilat i përcjellë rrjeti i televizionit arab Al-Xhazira, 57% të pjesëmarrësve në referendum votuan për ndalimin e ndërtimit të minareve në Zvicër. Me këtë u realizua iniciativa e dy partive të ekstremit të djathtë në Zvicrën e njohur si vend i paqes dhe tolerancës.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme