Imam El-Maturidiu (Jeta, vepra, idete)

Fillet e shkollës maturidite

 

 

Shkolla akaidore maturidite është ngushtë e lidhur me shkollën juridike dhe akaidore hanefite në historinë islame dhe paraqet vazhdimësi të saj, por në një shkallë më të lartë interpretimi dhe rezonimi krahasuar me shkollën hanefite. Për këtë arsye, nocionet hanefij dhe maturidij janë bërë sinonime. Disa dijetarë autoritativë mendojnë se kelami i hershëm, pjesë qendrore e të cilit është edhe hanefizmi-maturidizmi, ka qenë më afër pozicioneve kur’anore përgjithësisht të miratuara me shqyrtime të ulemasë ndër as’habët, tabi’inët dhe pasuesit e tyre në tre shekujt e parë…, që dëshmon edhe ekzistimi dhe veprimi historik i shkollës në mënyrë dinamike dhe të gjallë deri në fillim të shekullit XXI.

 

 

Jeta, arsimimi dhe edukimi i El-Maturidiut

 

Emri i plotë i El-Maturidiut është Muhammed ibn Muhammed ibn Mahmud Ebu Mensur El-Maturidij (vd. 333 h./944). Maturid apo Maturit është emri i lagjes, vendbanimit në afërsi të Samarkandit, nga rrjedh Imam El-Maturidiu. Nuk është e saktë data e lindjes së tij, por mendohet se ajo mund të jetë rreth vitit 238 h./852, gjatë kohës së sundimit të El-Mutewekilit. Për shkak se jetoi gjatë, El-Maturidiu përjetoi 12 sundues samanidas, dinastia që sundonte atë kohë në Horasan dhe Transoksiani dhe që njihej për zhvillimin e shkencës dhe për respektin ndaj dijetarëve. Për vdekjen e El-Maturidiut pajtohen të gjithë biografët. Ai vdiq më 333 h./944 në Samarkand dhe u varros në Xhakardiza, një varrezë për dijetarë dhe njerëz të shquar. Varri i tij ekziston edhe sot. El-Maturidiu është arsimuar në mënyrë tradicionale të kohës, por nuk posedojmë hollësi. Studiuesi i El-Maturidiut, Ejjub Ali, si mësues të tij thekson dijetarët më të famshëm të kohës nga të gjitha anët, sepse ai psh. kishte vizituar qytetin kulturor Basrën rreth njëzet herë. Sidomos dallohen katër mësues të mëdhenj hanefitë dhe nxënës të Imam Ebu Hanifes: 1) Ebu Nasr Ahmed Ibn El-Abbasi, 2) Shejh Ebu Bekr Ahmed Ibn Is’hak El-Xhuzaxhani, 3) Nusajr ibn Jahja El-Belhi; 4) Muhammed ibn Mukatil Er-Rrazi.

 

 

Autoriteti intelektual dhe shkencor i Imam El-Maturidiut

 

Studimi i veprave të Imam El-Maturidiut tregon se ai posedonte njohuri të thella fetare islame dhe komparative, sidomos në fushën e kelamit, fikhut, usuli-fikhut, në historinë e fraksioneve dhe në tefsirin e Kur’anit. Për arsye të autoritetit në mesin e dijetarëve, të aftësisë dhe dijes së tij të thellë në dituritë fetare, El-Maturidiu të bëhet i njohur me nofka të shumta: Imam’ul-huda (Imam në rrugën e drejtë), Alem’ul-huda (Pishtar në rrugën e drejtë), Imam’ul-mutekel-limin (Imam i kelamistëve). E quajtën edhe Musahhih’ul-akaid’il-muslimin (Reformues i akaidit musliman), Reisu ehl’is-sunneh (Lider i ehli-sunnetit) etj. Vepra e El-Maturidiut mbeti në ‘harresë’ te shumë dijetarë muslimanë… M. Ceriq, në disertacionin e tij për Imam El-Maturidiun, cekë katër faktorë të shpërfilljes së El-Maturidiut: 1) Arabishtja në veprat e El-Maturidiut është më pak e kuptueshme, me gabime gramatikore dhe me të meta në strukturë të fjalisë; 2) Stili i rëndë në veprat e El-Maturidiut, bëri që dijetarët e mëvonshëm t’i drejtohen Akaidit të Nesefiut dhe komentit të Taftazaniut se sa vetë veprave të El-Maturidiut; 3) El-Maturidiu gjeografikisht ka vepruar në skaj të perandorisë islame, krahasuar me Esh’ariun dhe Tahaviun; 4) El-Esh’ariu diskutonte vetëm për problemet brenda muslimane, krahasuar me Maturidiun që diskutonte kundër kristianizmit, judaizmit dhe budizmit, sikurse edhe kundër sekteve të xhehmizmit, xhebrizmit, kaderizmit, antropomorfizmit dhe mu’tezilizmit …

 

 

Veprat e El-Maturidiut

 

El-Maturidiu dallohet sidomos në tri fusha: A) Fikh & usuli-fikh Veprat nga fusha e fikhut dhe usuli-fikhut nga El-Maturidiu nuk janë ruajtur, përveç një, Kitab’ul-usul. Nga autorë të ndryshëm theksohen disa vepra të tilla, por deri sot ato nuk janë gjetur. Mendime nga fusha e fikhut gjejmë edhe në komentin e tij të Kur’anit. Disi, El-Maturidiu përpiqet të vendosë një lidhje midis usuli-fikhut dhe usuli-dinit dhe besojmë këtë e ka bërë me sukses. Veprat e natyrës së fikhut dhe usuli-fikhut: 1. Meâhidh’ush-sherâi'i fi usul’il-fikh; 2. Meâhidh’ush-sherâi'i fi’l-fikh; 3. El-Xhedel fi usul’il-fikh; 4. Kitab’ul-usul ose Kitabu usul’id-din ose Kitab’ul-fikh. B) Tefsir Në fushën e tefsirit / ekzegjezës së Kur’anit El-Maturidiu gjeti jo vetëm një liri për të zhvilluar idetë e tij, por ai vërejti një zbrazëti të theksuar midis perceptimit tradicional / naklij dhe racional/ aklij të Kur’anit. Ai përpiqej të tregonte se Kur’ani nuk është një mesazh statik dhe i ngurtësuar kohor, por një fjalë vazhduese dhe rrjedhëse hyjnore e cila lëviz në kohë dhe me kohën. Me një fjalë, El-Maturidiu e pa arsyen njerëzore jo vetëm të aftë për të kuptuar Kur’anin, por gjithashtu të aftë për t’iu përgjigjur pozitivisht mesazhit të tij. Veprat e natyrës së tefsirit: 1. Kitab Te’wilat’ul-Kur’an ose: Te’wilatu ehl’is-sunneh: Kjo vepër sipas fjalëve të Imam Zahid El-Kewtheriut është e pakapërcyeshme në fushën e vet, por për fat të keq deri në ditët tona ka mbetur dorëshkrim i pabotuar. 2. Risaletu fi ma la jexhuzu‘ul-wakfu alejhi fi’l-Kur’ani: Kjo vepër është e natyrës së texhvidit. C) Kelam Fusha e akaidit, e kelamit, thënë kushtimisht, e teologjisë islame është më e rëndësishmja në të cilën Imam El-Maturidiu dha kontributin e tij. Ai filloi çlirimin e doktrinës islame nga shtresimet e panevojshme të tradicionalizimit dhe parashikimet e dështuara të racionalizimit. El-Maturidiu nuk ka lënë ndonjë listë të veprave të tij nga kjo fushë. Ja disa: 1. Kitab’ut-tewhid, në të cilin shtrohet mësimi akaidor i ehl’is-sunnetit. Kjo vepër trajton çështje teologjike, pejgamberike, eskatologjike etj. Është origjinale dhe dëshmi e gjerësisë së pikëpamjeve të tij, e shikimit të thellë dhe e njohjes së fuqishme të sistemeve filozofike të asaj kohe. Libri dëfton se El-Maturidiu ka qenë mutekel-limi i parë që i ka futur doktrinat e burimit të njohjes njerëzore në librin mbi teologjinë dhe më pastaj ka tentuar ta ndërtojë sistemin e vet mbi bazat e fuqishme filozofike. Me këtë rast do të theksojmë diç që meriton vëmendje: Kitab’ut-tewhid si summa theologia e vetë Imam El-Maturidiut dhe e ehlissunetit në përgjithësi. 2. Kitab’ul-Mekalat fi’l-kelam, në të cilën shtrohen qëndrimet e sekteve të ndryshme; 3. Kitab’ul-usul fi usul’id-din, kjo vepër e vogël në njëzet 20 faqe është përkthyer në gjuhën shqipe (Imam El-Maturidiu, Jeta, vepra dhe mësimi, Prishtinë, 2003). 4. Bejanu wehm’il-mu’tezileh; vlen të theksohet se El-Maturidiu e ka nisur aktivitetin antimu’tezilit më herët se El-Esh’ariu, sepse deri sa El-Maturidiu luftonte, fliste dhe shkruante kundër tyre, El-Esh’ariu ende ishte mu’tezilit. Ai do ta braktisë mu’tezilizmin dhe do t’i bashkangjitet El-Maturidiut në pjesën e dytë të jetës. 5. Reddu ewa`il’il-edil-leti li’l-Ka’bij; 6. Reddu tehdhib’il-xhedeli li’l-Ka’bij; 7. Reddu we’id’il-fussaki li’l-Ka’bij; 8. Reddu kitab’il-imameti li ba’di’r-rrewafidi; 9. Reddu ale’-keramitah; 10. Redd’ul-usul’il-hamseti li Ebi Muhammed El-Bahili.

 

 

Racionaliteti si parim metodologjik dhe element përbërës i doktrinës islame

 

Për t’u kuptuar doktrina maturidite në tërësinë e saj, është i nevojshëm edhe shpjegim racional dhe logjik i parimeve të tij. Racionaliteti, si parim metodologjik, është element konstitutiv i thelbit të mësimit islam. Përpjekjet e tendencave të ndryshme puritaniste brendamuslimane që të mohohet roli i arsyes (el-akl) në tërësinë islame refuzohet nga vetë Kur’ani, nga hadithet e Muhammedit a.s. dhe nga vetë jeta muslimane e shekujve të parë.  

 

 

Përgënjeshtrimi i mu’tezilitëve

 

Mu’tezilitët duke përdorur arsyen në skajshmëri kanë përcaktuar disa teza dhe këto teza kanë tentuar t’i përkrahin me ajete kur’anore. Mu’tezilitët kanë pranuar ato hadithe që shkojnë në llogari të tyre. Tradicionalistët kanë pranuar që Kur’ani duhet të kuptohet në domethënien e tyre tekstuale që shpie në antropomorfizëm. El-Maturidiu pajtohet me tradicionalistët në disa aspekte, por nuk është i gatshëm të pranojë domethënien tekstuale të Kur’anit dhe të bie në antropomorfizëm. Ai pajtohet me mu’tezilitët se është obligim i çdo qenie të arsyeshme që të vijë deri te njohja mbi ekzistimin e Krijuesit madje edhe para se cilido pejgamber të dërgohet t’ua bëjë të njohur këtë atyre, se gjerat sipas natyrës së tyre janë ose të mira ose të këqia … Mirëpo, El-Maturidiu konsideron se burim i obligimit fetar dhe burim i ligjit fetar është shpallja e jo arsyeja.

Karaktersitikat themelore të mësimit maturidit

 

 

El-Maturidiu sistemin e vet akaidor kryesisht e ka ndërtuar mbi dy parime themelore: 1. Mbi transcendencën e Zotit – Mosngjasimi të krijuarës. – Kjo do të thotë se El-Maturidiu i kundërvihet çdo forme të krahasimit të Zotit me të krijuarën (teshbih) apo dhënia e atributeve të krijesës Zotit – antropomorfizëm (texhsim), pa mohimin e cilësive të Zotit dhe thekson ajetet sikurse “Askush s’është i ngjashëm me Të.” (Esh-Shura, 11). Shprehjet e Kur’anit, domethënia tekstuale e të cilëve udhëzon në antropomorfizëm, ose do të komentohen në pajtim me ajetet e padyshimta që i pranon gjuha arabe dhe në pajtim me unitetin e Zotit ose domethënia e tyre do t’i lëshohet dijes së Zotit. Me një rast El-Maturidiu pohon se “ne e asgjësojmë, refuzojmë përngjasimin dhe, pa bërë asnjë koment, besojmë në qëllimin hyjnor ashtu siç është.” 2. Urtësia e Zotit. – Në parimin mbi Urtësinë e Zotit (el-hikmetu) El-Maturidiu tenton ta zgjidh kontestin ndërmjet qëndrimeve kundërshtuese të deterministëve (xheberite) dhe mu’tezilitëve dhe njeriut t’i sigurojë shkallë të caktuar të lirisë pa mohuar vullnetin dhe fuqinë absolute të Zotit.

 

 

Çështja e njohjes te El-Maturidiu

 

 

Në veprën e tij më të njohur akaidore Kitab’ut-tewhid El-Maturidiu shqyrton natyrën e njohjes njerëzore dhe përkufizon rrugët e njohjes, të cilat janë tri: shqisat, arsyeja dhe lajmet. Sipas El-Maturidiut arsyeja është burimi më i rëndësishëm i njohjes, sepse pa arsye të dy mënyrat e njohjes, shqisat dhe lajmet, nuk mund të japin njohje të mirëfilltë. Nyjet e besimit janë të nxjerra nga Shpallja kurse detyra e arsyes është që t’i kuptojë korrektësisht. Nuk ka mundësi që të ndodh konflikt ndërmjet arsyes dhe shpalljes nëse ato kuptohen korrektësisht. El-Maturidiu kërkon që këto pjesë të kuptohen në dritën e atyre pjesëve që janë të sigurta dhe të cilat e shpjegojnë vetveten. …

 

 

Raporti Zoti - njeriu tek El-Maturidiu

 

 

Në Kitab’ul-tewhid dhe Te’wilat’ul-Kur’an El-Maturidiu gjerësisht merret me aspekte të ndryshme të problemit të raportit Zoti-njeriu, duke folur për Vullnetin, Fuqinë, Krijimin, Urtësinë e Zotit dhe ekzistimin e të keqes në botë etj.. El-Maturidiu përgënjeshtron qëndrimet e shumë sekteve, duke refuzuar determinizmin absolut dhe detyrimin e xheberitëve. Zoti i ka dhuruar njeriut arsye, aftësinë e dallimit të mires dhe të keqes dhe lirinë e mendimit, ndjenjës, vullnetit dhe marrjes së vendimit. Pastaj dërgoi pejgamberë dhe shpalli libra si udhëzim për njerëzit. El-Maturidiu, duke cituar ajetet kur’anore, jep shenjë se Zoti veprat njerëzore ia atribuon njeriut dhe se njeriu do të përgjigjet për to. Tërë kjo tregon qartë se Zoti e ka dhuruar njeriun me lirinë e zgjedhjes dhe me fuqinë e domosdoshme për ekzekutimin e veprave. El-Maturidiu mendon se krijimi i përket vetëm Zotit dhe askujt tjetër. Me krijim mendohet me nxjerrjen e diçkahit nga mosekzistimi në ekzistim nga ana e atij që posedon fuqinë dhe dijen absolute për të gjitha hollësitë lidhur me këtë çështje apo vepër. Pasi që njeriu nuk i di të gjitha hollësitë, shkaqet, kushtet apo pasojat e veprës së caktuar dhe pasi që krahas kësaj nuk posedon fuqinë e krijimit të asaj, ai nuk mund të konsiderohet krijues i veprës së vet. Veprat janë rezultat i dashjes dhe i krijimit të Zotit. Mirëpo, Zoti nuk i nënshtrohet qortimit, as që është përgjegjës sepse Ai krijon vepër të caktuar atëherë kur njeriu në bazë të përdorimit të arsyes së tij zgjedh dhe synon ta bëjë këtë vepër. Nga kjo është e qartë se dashja e Zotit apo krijimi i veprës së keqe nuk është në kundërshti me Urtësinë dhe Mirësinë e Tij. Sipas El-Maturidiut obligimet dhe përgjegjësitë (et-teklif) nuk përbëhen në atë që njeriu të posedojë fuqinë e krijimit të veprave por përbëhet në lirinë e tij të zgjedhjes (el-ihtijar) dhe në lirinë e kryerjes dhe arritjes së meritës të veprës së caktuar (el-iktisab) dhe kjo është ajo që e bën atë përgjegjës. Duke e bërë njeriun përgjegjës për veprat e veta El-Maturidiu vë rëndësi në lirinë e zgjedhjes (el-ihtijar) dhe lirinë e fitimit (el-iktisab). Vullneti, caktimi dhe dija e pafillim e Zotit nuk e privojnë njeriun nga liria. Vepra e caktuar është vepër vetjake e njeriut edhe pse e krijuar nga Zoti, sepse ajo është rezultat i zgjedhjes së njeriut dhe është arritur dhe merituar nga ana e njeriut pa kurrfarë detyrimi. Zoti i ka siguruar të gjitha mjetet e domosdoshme për kryerjen e kësaj vepre, i dhuroi fuqinë e gjykimit dhe të vetëkontrollit dhe i ka dhënë lirinë e zgjedhjes.

 

 

Cilësitë e Zotit

 

 

El-Maturidiu mendon se gjuha njerëzore nuk ka aftësi shprehëse ta sqarojë natyrën e cilësive të Zotit në mënyrë që mos të tërheqin idenë e krahasimit me cilësitë e njeriut. Përkundër këtij problemi, për perceptimin njerëzor, Zotit duhet t’i atribuohen Emra dhe Cilësi të caktuara. Maturidiu, përkundër mu’teziles, thotë se Zoti posedon Emrat e Bukur. Mohimi i cilësive të Zotit (et-ta’til) krijon vetëm konfuzion dhe njohjen e Zotit e bën të pamundshme duke e reduktuar në qenie të panjohur, të paditur dhe joekzistuese. Nga ana tjetër, mohimi i pafillimësisë së cilësisë e bën Zotin të jopërsosur në fillim dhe objekt të ndryshimeve në mënyrë i cili lëkund në themel parimin e monoteizimit. Ideja e amshueshmërisë së më shumë entiteteve dhe të antropomorfizmit që mund të paraqitet me rastin e konfirmimit të cilësive të amshuehsme të Zotit eliminohet automatikisht me anë të besimit në unitetin e Zotit së bashku me parimin e mohimit të ngjashmërisë dhe përngjasimit me krijesat (et-tenzih). Për këtë shkak, kur themi se Zoti është I Gjithëdijshmi ne kësaj i shtojmë, nga siguria kundër çfarëdo ideje blasfemuese – jo sikur këtë janë njezërit e ditur dhe Dija e Tij nuk i ngjason dijes sonë. Sa i përket raportit ndërmjet qenies Hyjnore dhe cilësive të Tij, El-Maturidiu thotë se ky problem është aq i ndërlikuar sa arsyeja njerëzore këtë çështje nuk mund ta zgjidh në mënyrë të kënaqshme. Ne duhet të besojmë se Zoti është Një, se posedon cilësi të cilat Ai vetes ia përshkruan, besojmë pa krahasim, ngjasim dhe pyetjet si. Nuk do të shkojmë më tej nga pohimi se Cilësitë nuk janë identike me qenien e Tij por nuk janë as të ndara nga qenia (la huwe we la gajruhu). El-Maturidiu gjithashtu thekson se të gjitha cilësitë e Zotit, qofshin ato kanë të bëjnë me Qenien apo me veprimin, janë të amshueshme. Shprehja tekwin është përdorur t’i përcaktojë të gjitha cilësitë vepruese sikurse janë krijimi, furnizimi etj. Tekwin-i sipas El-Maturidiut është cilësi e amshueshme e ndarë nga cilësia e fuqisë (kudret-un). Kjo d.m.th. se Zoti posedon cilësinë e Krijuesit edhe para edhe pas krijimit. Kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton amshueshmërinë apo pafillimësinë e botës, sepse sikur që Dija dhe Fuqia janë cilësi të amshueshme ajo me të cilën këto cilësi kanë të bëjnë apo objektet e këtyre cilësive janë të krijuara ashtu edhe tekvini është cilësi e amshueshme deri sa është objekti i kësaj cilësie, ajo që është e krijuar është e ndodhur. Mosekzistimi i botës në pafillimësi nuk udhëzon në pafuqinë e Zotit sepse ka krijuar botën në çastin e caktuar në pajtim me Dijen dhe Vullnetin e vet të amshueshëm. El-Esh’ariu nga ana tjetër në këtë çështje pajtohet me mu’tezilitët dhe mendon se cilësitë vepruese janë ndodhur, krijuar. Duket se është pajtuar me ta që t’i shmanget argumentit aristotelian i cili përpiqet ta dëshmojë amshueshmërinë e botës duke dëshmuar amshueshmërinë e fuqisë krijuese të Zotit. Argumenti kryesor i El-Maturidiut është që ideja mbi krijueshmërinë e cilitdo atribut hyjnor është në kundërshti të plotë me koncepcionin i cili thotë se Zoti është i përkryer, ekziston nga Vetja si Realitet i amshueshëm dhe për këtë arsye është në kundërshtim edhe me besimin në Tewhid. Sa i përket Fjalës së Zotit (Kelam’ull-Llah), El-Maturidiu mendon se kjo cilësi, sikur edhe cilësitë tjera, është e amshueshme pa ngjashmëri dhe krahasim me cilësitë e krijuara. Vetë natyra e të Folurit të Zotit ose cilësisë së të Folurit nuk është i njohur por është e sigurtë se kjo cilësi e të Folurit të Zotit nuk mund të përbëhet prej zërave, tingujve dhe shkronjave ngjashëm me të folurit të njeriut sepse zërat, tingujt dhe shkronjat janë të krijuar. Në realitet, sipas El-Maturidiut, vetëm kuptimet të cilat janë shprehur me fjalë mund të quhen të Folur të Zotit. Kjo domethënie që ekziston me Zotin nga pafillimësia mund të kuptohet dhe dëgjohet vetëm me anë të zërit të krijuar. Sipas kësaj, Musai a.s. nuk e ka dëgjuar të Folurit e amshuehsëm, por Zoti xh. sh. i ka mundësuar Musait a.s. ta dëgjojë dhe kuptojë të Folurit e Zotit me anë të fjalëve dhe zërave të krijuar. El-Esh’ariu konfirmon se Zoti e ka cilësinë e amshueshme të të Folurit por te ai nuk është e qartë se çka nënkupton saktësisht me termin Kelam’ull-llah dhe çka, sipas tij, është e amshueshme në Kur’an, fjalët apo domethëniet? Ai ka konsideruar se është e mundur të dëgjohet të folurit e amshueshëm drejtpërdrejt pa ndërmjetësimin e zërit të krijuar. Ky pohim udhëzon në atë se ai ka konsideruar edhe fjalët edhe domethëniet të amshueshme.  

 

 

El-Maturidiu si tradicionalist

 

 

El-Maturidiu njihet si kundërshtar i rreptë i ideve antropomorfiste të përshkruara Allahut dhe shpesh shohim se si fragmente të caktuara të Kur’anit i komenton metaforikisht. Mirëpo, ai këtë qëndrim nuk mbanë në çështjen e Të pamurit e Allahut (ru’jet’ull-Llah) në botën tjetër. Ai tërësisht pajtohet me tradicionalistët dhe pasuset kur’anore për këtë i komenton tekstualisht në bazë të hadithit të Muhammedit a.s.: “Sigurisht do ta shihni Zotin tuaj (aq qartë) sikur që e shihni Hënën në natën e katërmbëdhjetë (e plotë)”. Kjo është pjesë e besimit të bazuar në Kur’an dhe në Sunnet, ndërsa e mbështetur me arsye. Në çështjet e këtilla, El-Maturidiu mendon se “mendja (akl) është në shërbim të traditës (nakl), një element fuqizues, parashtrues dhe plotësues.”

 

 

Retrospektiva dhe perspektiva e doktrinës maturidite

 

 

Sistemet teologjike të El-Maturidiut dhe të El-Esh’ariut nga kohët më të hershme janë pranuar nga shumica e popullsisë së botës muslimane. Imam Ebu Hanifeh ishte dijetari i parë i renomuar i ehli-sunnetit, i cili e studioi teologjinë para çdo shkence tjetër, duke formuar shkollën e parë teologjike ortodokse sunite. El-Maturidiu ka ndjekur sistemin e tij, e ka shpjeguar në dritën e kohës së vet, duke tentuar që ta mbrojë me argumente dhe arsye, që i ka dhënë fundament shkencor dhe kontinuitet historik kësaj shkolle. Doktrina e Imam El-Maturidiut është jo vetëm më racionale por edhe më afër ehlisunetit, krahasuar me El-Esh’ariun dhe të tjerët, që sipas mendimit tonë edhe është e dukshme, e kuptueshme dhe e arsyeshme. Aktualizimi i doktrinës maturidite kohëve të fundit, si në botën muslimane ashtu edhe ndër ne shqiptarët ka arsyen e vet. Depërtimi i rrymave sektare dhe i ideve të tyre të skajshme, i ka detyruar shkencëtarët t’i përvishen prezantimit të vlerave të qëndrueshme muslimane. Vepra e El-Maturidiut pa dyshim në këtë rrafsh ofron fundament të shëndoshë. Në fund të këtij shkrimi mund të konstatojmë se muslimanët e Ballkanit me shekuj kanë ndjekur këtë medhheb dhe është obligim moral e tradicional që të vazhdojmë ta studiojmë dhe praktikojmë në përditësinë tonë muslimane.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme