Si duhet të kuptohet urimi i presidentit Obama me rastin e Kurban Bajramit?

Telegrami urimi i presidentit të shtetit më të fuqishëm në botë, me rastin e një festeje fetare, dërguar presidentit të vendit më të ri në botë, shumica dërrmuese e popullatës të cilit i takon besimit islam ka një kuptim dhe domethënie të veçantë, në veçanti këtë kohë kur marrëdhëniet e SHBA-së me botën arabe dhe islame, po kalojnë nëpër një fazë të ndërlikuar, për shkak të fronteve të hapura të luftërave në Lindjen e Mesme dhe në Afganistan.
Në urimin në fjalë, në të cilin thuhet: “Në emër të popullit të Amerikës, Ju shpreh urimet më të mira Juve dhe popullit të Republikës së Kosovës me rastin e festës së “Eidul -Ad-ha”- Kurban Bajramit. Të udhëhequr nga fryma e këtij përkujtimi të bekuar, unë kam shpresë që ne mund të punojmë së bashku për të arritur liri dhe paqe nëpër botë. Ju dhe populli i Kosovës paçi gëzim dhe prosperitet në vitin që vjen!”.
Nga urimi kuptohet se Amerika, aleati dhe miku ynë më i afërt, i cili në momentet më të vështira qëndroi pranë nesh, Kosovën e radhit në mesin e vendeve me popullatë shumicë myslimane, ashtu edhe siç është ajo në realitet. Andaj, me këtë realitet duhet të pajtohemi edhe ne dhe duhet të ndërtojmë strategjinë dhe rolin tonë si faktor stabiliteti në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Si urë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në mes Lindjes dhe Perëndimit, Islamit dhe Krishterimit.
Me një hap të këtillë, Kosova, si një vend i ri do të tregojë se është një faktor afrimi dhe stabiliteti i popujve të kulturave dhe besimeve të ndryshme. Në raste të këtilla të festave fetare, është traditë që këmbimi i urimeve bëhet në mes liderëve shtetëror të vendeve të ndryshme islame, për çka në skenë do të paraqitej edhe Kosova si një vend i ri, që kërkon identitetin e saj në hapësirat e kësaj bote planetare.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme