Ja seç tregon një musliman që e shpenzoi kot kohën e tij duke mos përfituar asgjë nga ajo:
U ula një ditë dhe vendosa të pendohesha për kohën dhe për momentet e shkuara kot gjatë jetës sime. U ula dhe thirra një prej çasteve. Një prej atyre çasteve që kish shkuar dëm gjatë jetës sime, në punë të pavlera.
Pra, thirra çastin kur kisha bërë gabim dhe punë të pavlefshme dhe iu drejtova çastit: - O çast, kërkoj prej teje të kthehesh që të të përdor për punë të ndershme dhe të hajrit. Ah, gjë që nuk bëhet!- ma ktheu çasti. - O çast, të lutem shumë kthehu, se jam penduar dhe dua ta shfrytëzoj kohën, të përfitoj e ta ndreq fajin që kam bërë. - E qysh mund të kthehem unë? Kur faqet e tua të kota më kanë mbuluar! - Bëj të pamundurën, të lutem shumë, kthehu, o çast! - Hë, po të ishte në dorën time mbase edhe do të kthehesha, por si mund ta bëj unë këtë!? Tashmë, fletët e punëve të tua janë mbyllur, kanë marrë rrugën për tek Krijuesi. Dhe ti këtë duhet ta dish! Mbaje vesh mirë! Ti këtë duhet ta dish! Mbaje vesh mirë! Çastet janë miq të mirë dhe dëshmojnë mirë për atë që e ka harxhuar kohën në rrugë të mira e të ndershme, ashtu siç janë armiq të rreptë të atyre që i kanë harxhuar ato për punë të pandershme. E pra, unë jam prej atyre çasteve që dëshmojnë kundër teje në Ditën e Gjykimit. - Po të them që jam penduar! A më dëgjon, përgjigju, të lutem shumë...!
- O ti që humb kohën kot, a nuk e kupton që deri tani për të kthyer një çast humbe shumë çaste të jetës tënde. A mendon se mund të kthehen kështu çastet? Unë, ja seç mund të bëj për ty: Mbaje vesh mirë, përpiqu që pas ditës së sotme të bësh punë të mira, sepse vetëm punët e mira i fshijnë të këqijat. Hajde, shko tani dhe mendohu. Por të mendohesh gjatë ama për sa të thashë, dhe mos e harro këtë se, në radhë të parë, lutje dhe falje duhet t'i kërkosh vetëm All-llahut Fuqiplotë. Shfrytëzoje pra kohën, puno mirë, me nder e me faqe të bardhë që sot e tutje. A dëgjove ç'të thashë? Shfrytëzoje pra kohën e puno mirë që sot e tutje, këtë mos e harro kurrë. Unë kaq kisha për të thënë.([2])
Pra, vëllezër myslimanë, të gjithë të vrapojmë e mos ta lëmë të na ikë kot koha jonë e shtrenjtë. Ngaqë, koha të merr vazhdimisht me vete në rrjedhën e saj të pandalshme. "Dhe për secilin afat ekziston dëshmi e caktuar."([3])
Dëgjojmë jo rrallë herë, vëllezër, se ka njerëz që nuk e shpenzojnë kohën ashtu siç duhet (pra për të përfituar prej saj), madje, ata e shajnë kohën.
Për këta njerëz, Pejgamberi (paqja qoftë me të), në një hadith kudsij thotë: "All-llahu (I lartësuar) thotë: "Më shqetëson njeriu që e shan kohën dhe fatin, kurse Unë e drejtoj kohën dhe e përcaktoj fatin. Gjithçka është në dorën Time. Unë e ndërroj ditën dhe natën."([4]) Një fjalë e urtë thotë: "Derisa pyesim ç'duhet filluar, koha për të filluar kalon."([5])
Andaj, të mos presim, të mos ngurrojmë dhe të mos bëhemi pesimistë, por të punojmë fort, në mënyrë që të përparojë feja jonë Islame dhe shoqëria shqiptare, e cila ka rënë në një gjumë të thellë.
I lumi ai që e shfrytëzon kohën duke kërkuar dituri! Transmetohet nga Buhariu (All-llahu qoftë i kënaqur me të), se Xhabiri (All-llahu qoftë i kënaqur me të), ka thënë:
"Pejgamberi (paqja qoftë me të) i varroste në një varr nga dy veta në Uhud, pastaj pyeste: - Kush di më shumë Kur'an? Nëse i tregonin për ndonjërin, atij i jepte përparësi në varr.''([6])
Nëse këtë pozitë e ka i dituri kur është i vdekur, pa mendo se çfarë pozite duhet të ketë ky njeri i ditur po të jetë gjallë, nga i cili kanë dobi jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët.
Është për të ardhur keq, që të rinjtë shqiptarë sot po e shpenzojnë kohën pas telenovelave, formula uno-s, futbollit, për të mos thënë programeve të turpshme; ndërsa kjo kohë kalon e nuk kthehet më, deri në Ditën e Gjykimit.
Transmetohet se Amr ibn Abdi Kajsit, njërit prej tabinëve, duke ecur, i tha njëri: - "Ndalu të flasim bashkë! Amri ia ktheu: - Ndaloje diellin!" D.m.th., ndaloje kohën që të ndalem e të flasim bashkë.([7])
Sa larg jemi ne nga morali i këtyre njerëzve! Vallë, a duhet ta marrim si shembull këtë vullnet të hekurt për përparim?
Ja disa fjalë të urta për kohën dhe shfrytëzimin e saj:
Koha s'vjen pas teje, ti shkon pas kohës.([8]) Naim Frashëri
Koha është aleati, shoku më i mirë i të drejtit.([9]) Pinari
Koha është si paraja, mos e humbisni, që të kini sa më shumë.([10]) Franceze
Koha vrapon pa u kthyer prapa.([11]) Latine
Koha është pasuria e vetme për të cilën mund të tregohemi koprracë pa u turpëruar.([12])
Pierre Corneille
Koha vjen për atë që di ta presë.([13])
E mbi të gjitha këto, betimi i Krijuesit të gjithësisë mbi kohën është sinjali më i madh se, koha është sekreti i mbarësive dhe i sukseseve tona në jetë, nëse dimë ta administrojmë siç duhet. All-llahu (I lartësuar) jep vlerën e kohës duke u betuar në të, Ai thotë në Kur'anin e Madhërishëm:
"Pasha natën, që me errësirë mbulon gjithësinë! Pasha ditën, kur ajo shkreptin!"([14])
"Pasha agimin! Pasha dhjetë netët!"([15])
"Pasha paraditen! Pasha natën, kur shtrin errësirën!"([16])
"Pasha kohën"([17])
Më poshtë, po jap disa shembuj nga jeta e njerëzve të mëdhenj të Islamit, se si e shfrytëzuan ata kohën me punë jashtëzakonisht të dobishme:
Ibn Ethiri i shkroi librat e tij më të shkëlqyer si 'Xhami'ul-Usul' dhe 'En-Nihaje', duke qenë i gjymtë.([18])
Serhesiu, librin e tij të njohur 'El-Mebsut', që përmban pesëmbëdhjetë (15) vëllime, e shkroi gjatë kohës që ishte i mbyllur në pus!([19])
Ibn Kajimi, shkroi 'Zadul Mea`d...' gjatë udhëtimit!([20])
Kurtubiu e shkroi komentimin e 'Sahihul Muslim-it' duke udhëtuar mbi shpinën e devesë.([21])
Ibn Tejmije, më tepër se gjysmën e librit të tij 'Fetava' (rreth 36 vëllime) e shkroi duke qenë në burg!([22])
Ebu A'la el-Meari, të gjitha veprat e tij i ka shkruar duke qenë i verbër.([23])
E sa e sa të tjerë të dalluar, që u dëbuan nga punët dhe pozitat e tyre zyrtare, por pastaj iu përveshën shfrytëzimit të kohës dhe punës vullnetare dhe, i ofruan popullit dituri të dyfishtë.
Prandaj, vëllezër muslimanë, të përpiqemi edhe ne që ta shfrytëzojmë kohën e mos ta lëmë të na ikë më kot, ngase, 'koha është anije, që nuk e hedh kurrë spirancën.'
Zoti na bëftë prej atyre që e shfrytëzojnë kohën në dobi të njerëzimit! Amin!...
Shkodër, më 28. 06. 2005
P..S.
Shkëputur nga libri "Fjalë Frymëzuese"; Autor: Mirsad Sylja. Botuar në Shkodër, Shtëpia botuese "Shtjefni", 2008, 124 faqe.
([1]) Kur'ani: Ez Zumer: 56-58
([2]) Materiali audio: "Kthehu tek Krijuesi", lexoi: Reshat Arbana.
([3]) Kur'ani: Er Rra'd: 38
([4]) Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
([5]) Adnan Mehmeti, "Bota e mendimeve", Hajne (poet gjerman 1797-1856), fq. 206.
([6]) Transmeton Buhariu.
([7]) Revista "Burimi", nr. 5, fq. 35.
([8]) Adnan Mehmeti, "Bota e mendimeve", fq. 206.
([9]) Po aty.
([10]) Po aty.
([11]) Po aty.
([12]) Nasho Jorgaqi, Xhevat Lloshi, "Antologjia e fjalës së mençur". Botimet enciklopedike, botimi i tretë, Tiranë, fq. 146.
([13]) Po aty.
([14]) Kur'ani: El Lejl:1-2
([15]) Kur'ani: El Fexhr:1-2
([16]) Kur'ani: Ed Duha: 1-2
([17]) Kur'ani: El Asr:1
([18]) Aid El Karni, "Psikologjia Islame, Mos u trishto". Përkthyen: Xhaudet Iseni, mr. Zelije Sulejmani, Hatixhe I. Iseni, Gostivar, Kibla, 2005, fq. 156-157.
([19])-(35)-(36)-(37)-(38), Po aty, fq. 156-157.