Xhami në Gjenevë e ndërtuar në vitin 1978
Më poshtë lexoni letrën e plotë:
Letër e hapur Ambasadorit të Zvicrës në Tiranë
Kam nderin dhe kënaqësinë e posaçme që më jepet mundësia me respekt të thellë t’ju drejtohem Shkëlqesisë tuaj, t’ju falënderoj për ndihmën tuaj në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë që mrekullisht kanë histori dhe lidhje miqësie të hershme.
Minare në Stokholm dhe kulla e Kishës Katarina Kyrka
I nderuar Z. Ambasador!
E ndiej për detyrë dhe kënaqësi t’ju jap pak informacion për Institutin që unë drejtoj. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, i ndodhur në kryeqytetin e Shqipërisë, është themeluar në vitin 1996 me vendim nr. 143 të Gjykatës së Tiranës dhe në mbështetje të Kushtetutës Shqiptare. Si institucion i pavarur mban lidhje me institucione shtetërore e publike, kërkimore - shkencore dhe komunitete fetare pa dallim përkatësie. Objektivi themelor i këtij instituti konsiston në hulumtimin e kulturës shqiptare rajonale ballkanase e botërore në përgjithësi dhe kulturës islame specifikisht.
Kulturat e veçanërisht ato religjioze ne i konsiderojmë dhe i trajtojmë si ura bashkimi mirëkuptimi midis popujve. Në kulturë pasqyrohen tiparet dhe vlerat më të spikatura të popujve, ato janë gjuhë e përbashkët komunikimi e mbarënjerëzimit.
Shqipëria është vend prodhues edhe i kulturave të tre besimeve dhe model i harmonisë e mirëkuptimit ndërfetar. Është shembull kuptimplotë se ekzistenca e disa besimeve nuk i përçan e nuk i konflikton, por përkundrazi harmonizon më së miri diversitetet në funksion të asaj që është e përbashkët.
Minare e xhamisë në fshatin Vulqan - Librazhd
I nderuar Z. Ambasador!
Lulishtja është më e bukur dhe më e magjishme prej luleve shumëngjyrëshe, me lule të së njëjtës ngjyrë lulishtja nuk do e gëzonte këtë bukuri mahnitëse.
Edhe vendi juaj Zvicra si “Le Milien du Monden” si konfederatë “Besëlidhje” që nga viti 1848 që jetojnë në harmoni popuj që flasin gjermanisht, frëngjisht, italisht rhetoromanisht është vend ku dhe shqiptarët e emigruar prej trojeve të tyre kanë gjetur strehë dhe mikpritje. Sot në Zvicer jetojnë rreth 170. 000 shqiptarë. Aty në Zvicër në parkun William Rapar të Gjenevës ndodhet busti i heroit shqiptar Skënderbeut, që me veprën e tij la gjurmë në historinë tonë kombëtare por edhe në historinë e Evropës dhe që ju e keni përjetësuar. Aty në Zvicër në kodrën e lartë Morcotë artdashësit zviceranë të Luganos vendosën trupin e artistit të madh shqiptar Aleksandër Moisiut në vitin 1935.
Në shtator të vitit 1996 në Gjenevë u hap universiteti Popullor Shqiptar (Universite’ Populare Albaneze) me 700 nxënës shqiptarë që u bashkuan shumë shkollave shqipe në Zvicër ku mësojnë më shumë se 3 100 nxënës shqiptarë.
Në shtetin tuaj në klimën e demokracinë helvetike shqiptarët dhe të gjithë popujt e tjerë të ardhur në Zvicër kanë gjetur mikpritjen e vendit dhe popullit tuaj, u janë krijuar trajtimi human e kushte optimale jetese sipas parimeve themelore të shoqërisë zvicerane; asnjanësia e vazhdueshme, solidariteti dhe universialiteti.
Besimtarët muslimanë shqiptarë dhe nga vendet e tjera të botës islame i janë mirënjohës shtetit, qeverisë e popullit tuaj për mbështetjen dhe kushtet e krijuara për ushtrimin e besimit islam.
Është ndihmesë në ndërtimin e klimës së mirëkuptimit, harmonisë; për ushtrimin e riteve të besimit të tyre muslimanëve të Zvicrës iu ofrua salla që shërben si faltore dhe që në vazhdim iu mundësua ndërtim i xhamive. Në këto mjedise prej klerikëve islamë iu përcillen besimtarëve mesazhet e Zotit që ndihmojnë në shëndoshjen e shoqërisë njerëzore në përgjithësi si dhe të asaj zvicerane.
Këto objekte kulti përpos rolit të tyre në formimin shpirtëror të muslimanëve kanë shërbyer njëherazi si mjedise tubimesh solidariteti, organizime ndihmash, mbajtje kontaktesh me vendet e origjinës. Në xhaminë e Willit u organizua mbledhje fondesh financiare në favor të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës.
Toleranca fetare e shtetit tuaj është shprehje e kulturës së lartë e virtyteve dhe vlerave shpirtërore që ju dispononi.
E ndjejmë si domosdoshmëri të theksojmë se referendumi i kohëve të fundit i zhvilluar në Zvicër për moslejimin e ndërtimit të minareve në xhami sikur e dobëson, e zbeh, e mjegullon këtë traditë e vlerë të shoqërisë zvicerane. Ky veprim ka lënë shije të hidhur jo vetëm në shqisën e botës muslimane, por edhe në qarqet përparimtare të botës jomuslimane.
Holli i xhamisë në Gjenevë
Popujt muslimanë prej Zvicrës janë mësuar të marrin mesazhe të bukura miqësore, kulture njerëzore e ky i sapoardhuri prej këtij referendumi bie ndesh me ato perceptime të bukura të krijuara në ndërgjegjen e popujve muslimanë prej Zvicrës model.
Një popull dhe vend me kulturë të lartë e të lashtë gjen kurdoherë forca e rrugë për të bërë dhe korrigjime e përmirësime në vendimmarrjet e veta. Shpresojmë që edhe në rastin konkret të referendumit. Pa dyshim se ndonjë korrigjim i mundshëm do e lartësojë edhe më tej prestigjin e vendit dhe popullit zviceran dhe respektin që ju e meritoni.
Prej minareve të xhamive përcillen vetëm mesazhet e Zotit dhe të besimit islam, përcillen thirrje për paqe, harmoni, miqësi e mirëkuptim. Shoqëria zvicerane nuk mund e nuk duhet të jetë e privuar prej këtyre mesazheve: këto mesazhe jehojnë sot në mbarë botën, në Lindje e në Perëndim, në Azi, Afrikë, Evropë, Amerikë, Australi e Oqeani.
Shpresojmë se shkëlqesia juaj, me reputacioin dhe autoritetin që gëzoni, do të përcillni pranë autoriteteve dhe opinionit të shëndoshë zviceran shpresën dhe besimin e muslimanëve shqiptarë për gjetjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat legjitime të muslimanëve të Zvicrës për të disponuar objekte të kultit të tyre të kompletuar me minaretë, me simbolin e adhurimit të Zotit dhe të përcjelljes së mesazheve të tij.
Ju falënderoj sinqerisht për mirëkuptimin tuaj.
Me konsideratë e respekt,
Drejtori i AIITC
Dr. Ramiz Zekaj