
Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe, ditë më parë vendosi që zgjedhja e patriarkut të ri të fillojë me 22 janar e të përfundoj më 27 janar 2010, kur është edhe festa e Shën Savës, shenjtorit më të madh në Kishën Ortodokse Serbe..
Andaj, këto ditë si në qarqet kishtare, por edhe në shtypin serb është aktuale se kush do të ulet në fronin e Kishës Ortodokse serbe. Ndërsa në pyetjen drejtuar, cilit do peshkop apo prift, se kush do të jetë në krye të KOS-it, përgjigja është: “Këtë e di vetëm Shpirti i shenjtë”.
Sipas mediave serbe shanset më të mëdha për të fituar në rrethin e parë ka peshkopi i Zvorniku dhe Tuzllës, Vasilije. Ky kandidat ka shanse që në rundin e parë të fitojë 11 deri në 17 vota. Ka qenë vështirë pa pëlqimin e tij dhe të peshkopëve të afërt me të, që në mbledhjet e Sinodit të shenjt të kalojë ndonjë vendim gjatë kohës sa Patriku Pavle ishte në spital. Si duket grupi i peshkopëve të Bosnjës e Hercegovinës dominon në Sinodin e shenjtë të KOS-it, ku edhe bëhet zgjedhja e parit të Kishës. Andaj, politikanët e Beogradit, të cilët dëshirojnë të zgjedhin njerëzit e tyre në krye të KOS-it lypset të kërkojnë përkrahjen e kryeministrit të Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik.
Favorit tjetër për kreun e KOS-it është, Amfilohije Radoviq, mitropolit i Malit të Zi. Amfilohije është ushtrues i detyrës së patriarkut Pavle, qysh nga koha e shtrirjes së tij në spitalin ushtarak në Beograd. Amfilohije Radoviq, paraqet krahun më ekstrem të Kishës Ortodokse Serbe, i njohur me nofkën tri “A-të” me peshkopët Artemie dhe Atanasije. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai u bë i njohur për deklaratën e tij: “i mallkuar qoftë kushdo që njeh Kosovën”. Kurse qëndrimin e tij, ndaj abortit e ka shprehur, në mesazhin dërguar besimtarëve serb me rastin e vitit të ri 2008, ku shprehi dëshirën e tij që gjatë atij viti të ketë më shumë “nëna që lindin se sa fëmijëvrasëse”.
Në mesin e peshkopëve serioz për t’u ulur në fronin e KOS-it është peshkopi i Baçkes, Irinej Bulloviq. Përveç votave në Sinodin e shenjte të KOS-it, ai gëzon përkrahjen e qeverisë në Beograd. Po të pyetej shteti, ai do të zgjidhej në postin e patriarkut të KOS-it. Peshkopi Irinej është i arsimuar si dhe është shumë i respektuar në Perëndim, në veçanti në qarqet e Kishës katolike dhe përfaqëson Kishën Ortodokse Serbe në dialogun ndërfetar. Është anëtar i Këshillit të liderëve fetarë të Evropës.
Kandidati i katërt është peshkopi i Zahumit e Hercegovinës, i lindur më 1967, që për traditën e Kishës Ortodokse Serbe është tejet i ri.. Pas shtrirjes së Patrikut Pavle në spital, ishte paraqitur me një letër ku argumentonte ndërhyrjen e shërbimeve sekrete në çështje të kishës.
Partitë politike, natyrisht se kanë favoritët e tyre, në mesin e peshkopëve. Këtë e bëjnë për arsye se Kisha Ortodokse Serbe ka autoritet në popullatë dhe ato e shfrytëzojnë këtë për të tubuar sa më shumë vota gjatë fushatës zgjedhore. Kështu për shembull, mitropoliti Amfilohije është i preferuari i Partisë Demokratike Serbe të Koshtunicës. Peshkopi Fillaret, i cili gjatë luftës në Bosnjë ishte fotografuar me nj klashinkov, është i afërt me Partinë Radikale. Kurse peshkopi Irinej Bulloviq është i afërt me Partinë Demokratike të Tadiqit. Ndërkohë që peshkopi Irinej i Nishit është simpatizues i Partisë Socialiste të Daçiqit.
Është i njohur qëndrimi i KOS-it kur është në pyetje çështja e Kosovës, por ardhja në krye të saj të ndonjë personaliteti që është më i moderuar, siç është peshkopi Irinej Bulloviq, do ta lëvizte dialogun ndërfetar në Kosovë dhe do të hapte horizonte të reja të dialogut ndërfetar për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.