Si do ta mbajnë mend shqiptarët e Kosovës patrikun Pavle?

Patriku Pavle është i njohur si njeri tejet modest, që ka jetuar një jetë asketi. Në Kishën Ortodokse Serbe pati një jetë të bujshme. Ishte në poste me rëndësi. Për kalluxher është shpallur në vitin 1948. Ipeshkëv i dioqezës Rashkë – Prizren, me seli në Prizren është zgjedhur më 29 maj 1957. Në Kosovë ka punuar 33 vjet, deri në zgjedhjen tij, në postin e patrikut të 44 të Kishës Ortodokse Serbe në nëntor të vitit 1990.
Ai ishte në krye të Kishës Ortodokse Serbe në periudhën e shkatërrimit të ish-Federatës Jugosllave. Andaj, edhe mbanë një pjesë të përgjegjësisë për shkak të mos distancimit të tij dhe të KOS-it për gjenocidin dhe agresionin pushtetit serb ndaj popujve joserbë, në veçanti ndaj myslimanëve në Bosnjë, kroatëve në Kroaci dhe shqiptarëve në Kosovë.
Vendosja e patrikut Pavle në krye të KOS-it, në fillim të viteve të nëtdhjeta të shekullit të kaluar, për shumicën dërrmuese të popullit të Kosovës, ishte një lloj shprese se ai do ta ngrit zërin kundër atij terrori që po ushtrohej ndaj tyre nga regjimi serb i Millosheviqit, duke e ditur se ai për 33 vjet me radhë kishte jetuar në Kosovë dhe se i njihte shqiptarët më mirë se çdo kush tjetër. Mirëpo, zhgënjimi ynë ishte i madh kur ai në një bisedë për gazetën britanike "The Guardian", janar të vitit 1993, lidhur me të gjitha të këqijat që regjimi serb po ushtronte ndaj tyre, deklaronte: "Protesta e shqiptarëve i ngjan protestës së njeriut të mykur nga pasuria të cilit i është thënë se rroga do t'i zvogëlohet paksa". Ndërsa në pyetjen e gazetarit rreth shkakut të largimit të thesarit kishtar serb nga Kosova, ai u përgjigj: "Thesari është dërguar në Beograd për restaurim, po sidoqoftë atje do të jetë më i sigurt nga kriminelët shqiptarë".
Patriku Pavle, duke dashur të thotë se serbët janë duke zhvilluar luftë të drejtë dhe në anën e tyre kanë Zotin, për të njëjtën gazetë thotë:"Kur dy njerëz takohen, se cili i armatosur me pushkë, ai që ka Zotin në anën e vet do të fitojë".
Patriku Pavle, si prijës shpirtëror i popullit serb, nuk ka qenë dashur t'i paragjykoj gjërat, kështu me rastin e varrimit të gjashtë të rinjve serb, në qytetin e Pejës , që kishin vdekur nga një eksplodim i një bombe, kishte parashikuar se pas atij akti të shëmtuar qëndrojnë shqiptarët. Për këtë, ai të pranishmëve iu ishte drejtua me këto fjalë:"Vëllezër dhe motra, .kjo fatkeqësi që na ka gjetur, me rastin e vrasjes së këtyre gjashtë të rinjve, të cilët ishin në lulen e rinisë, nuk ka fund. Mirëpo, dëshpërimi ynë do të ishte shumëfish më i madh, sikur këta të ishin në mesin e kriminelëve. Faji i tyre është se ata i përkasin një tjetër populli, të cilit i përkisnin kriminelët dhe se ata i përkisnin tjetrës fe dhe tjetrit libër të shenjtë" (Jedinstvo, 17 dhjetor 1998).

Patriku Pavle me rastin e mesazhit të Kërshëndellave Ortodokse të vitit 1998, kur terrori serb, kundër popullatës shqiptare kishte arritur kulminacionin, pjesën më të madhe të ia kishte kushtuar predikimeve politike për rrezikimin e "vatrës shekullore – Kosovës e Metohisë", për "faktin" s e"Kosova është djep i shpirtit dhe shtetësisë serbe", se është "aorta e zemrës së bijve të Shën Savës", se "të humbësh këtë themel të Shën Savës", do të thotë të vësh në dyshim edhe shpirtin edhe vetveten"
Fjalët e përmendura të patrikut serb më shumë i përngjanin politikës ditore të regjimit serb, se sa kishin të bënin me nj mesazh të një prijësi shpirtëror të një kombi. Ato nga goja e të parit të KOS-it ishin thirrje në luftë për vdekje kundër popullatës shqiptare, që jetonte në trojet e saj shekullore. Patriku, dinte se "të kujt janë delet, i tij është edhe livadhi", por ai nuk donte ta dijë që delet me shekuj kanë të vetin edhe livadhin.
Unë kam shpresë se i Kisha Ortodokse Serbe, mund të mësoj shumë gjëra nga e kaluara dhe do të bëjë çmos që kur është në pyetje çështja e Kosovës do të ketë një politikë realiste. Sikur Kisha Ortodokse Serbe duhet të ishte e lirë nga politikanizmi, roli i saj në shoqëri do të ishte më pozitiv. Mirëpo, Kisha kërkon ndihmën e politikës dhe politikanët ndihmën e saj, ndërsa asnjëra nuk e kryen punën si duhet. Kisha merret me politikë, sepse i mungon fuqia shpirtërore mbi popullin, sikundër që edhe politikanët kërkojnë mbështetjen e Kishës kur kanë nevojë që veprimet e veta t'i arsyetojnë me qëllime religjioze.
Bashkësia Islame e Kosovës, si bashkësia më madhe në Kosovë, vazhdimisht ka treguar gatishmëri të plotë për dialog. Këtë gatishmëri e ka treguar para luftës dhe pas luftës. Konferenca e majit të vitit 2006 e mbajtur në Patriarkanën e Pejës është dëshmia më e mirë. Mirëpo, këto takime duhet të jenë të vazhdueshme dhe nga to duhet të dilet me deklarata konkrete, për të mirën e Kosovës, atdheut tanë të përbashkët si dhe për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallime fetare, etnie e gjuhësore.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme