
Me interes të veçantë, sipas artikullit në fjalë, ishte vizita e zëvendësministres Harxhi në Damask, e cila për presidentin e Sirisë, Beshar El-Esed, kishte sjellë një letër nga presidenti shqiptar Bamir Topi. Rëndësia e vizitës në metropolin sirian, qëndron në faktin se Damasku kur është në pyetje çështja e Kosovës ka mbajtur një qëndrim pro Serbisë, për shkak të marrëdhënieve tradicionalisht të mira me Beogradin, ndikimit të Federatës Ruse, si dhe në mungesë të kontakteve me institucionet zyrtare shqiptare. Edit Harxhi, në bisedimet me palën siriane kërkoi domosdoshmërinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke përmendur faktin se tashmë janë 63 vende të botës që e kanë njohur atë, mes të cilave 11 janë vende, anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike, anëtare e të cilës është edhe vet Republika e Sirisë, si dhe dy organizata të mëdha ndërkombëtare Si hap i parë konkret i kësaj vizite të nivelit më të lartë deri më tani, u vendos që shteti shqiptar të hap një konsullatë nderi në Damask.
Pika e dytë e vizitës zëvendministres Harxhi, të cilën gazeta e Amanit e quan “promotor” të marrëdhënieve të Shqipërisë me botën arabe dhe atë islame ishte Bejruti, një metropol i rëndësishëm i Lindjes së Mesme. Në takimet e saja me bashkëbiseduesit libanezë ajo kërkoi njohjen sa më të shpejt të pavarësisë së Kosovës, si një kontribut të madh të paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.
Pala libaneze premtoi se edhe vendi i tyre shumë shpejt do t’i bashkëngjitet atyre shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Egjipti ishte vendi i tretë dhe ndoshta më i rëndësishmi i turneut të zëvendësministres Edit Harxhi në Lindjen e Mesme. Është fat i mirë që shteti shqiptar në vazhdimësi ka pasur marrëdhënie tejet të mira me Egjiptin. Por, këto marrëdhënie duhet të jenë edhe më të mira, nëse merren parasysh lidhjet e fuqishme historike që kanë ekzistuar në mes popullit shqiptar dhe atij egjiptian gjatë historisë. Egjiptianët kanë një konsideratë dhe respekt të veçantë ndaj Mehmet Ali Pashës, dhe dinastisë së tij, e cila sundoi Egjiptin një shekull e gjysmë. Egjipti nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë edhe atëherë kur shteti shqiptar ishte izoluar nga e tërë bota. Kajro është metropoli më i madh jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe më gjerë. Ndikim i Kajros shtrihet në vendet arabe dhe në ato afrikane. Është një lehtësi e madhe që Shqipëria në Kajro ka ambasadën e vet. Por, ajo ka nevojë për shtimin e personelit, derisa Kosova të ketë personel të veçantë, kur dihet se aty gjendet edhe selia e Ligës Arabe.
Me një aktivitet të koordinuar mirë dhe me një diplomaci aktive, çështja e Kosovës do të depërtojë shumë shpejt dhe do të gjejë jo vetëm mirëkuptim por edhe njohje të gjitha ato shteteve të të gjitha atyre shteteve të botës arabe, me të cilat na lidhin shumë gjëra të përbashkëta. Turneu i zëvendësministres shqiptare Edit Harxhi është një nismë tejet e qëlluar e diplomacisë shqiptare, të cilën duhet përshëndetur.