JETA E LIRË, JETA NË PUNË DHE NËPUNESIA

Dr. Bekir Topaloglu


JETA E LIRË, JETA NË PUNË DHE NËPUNESIA



"(O gratë e Pejgamberit) Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme...". (Kurani, El-Ahzab, 33/33)



JETA E LIRE


Nga ata që shprehen për problemin e gruas, ka një grup që mbrojnë pikëpamjen se ajo duhet çliruar nga të gjitha kufizimet, të lihet plotësisht e lirë. Por këta nuk flasin për virtytet e gruas dhe për ruajtjen e këtyre virtyteve. Këta e shohin të natyrshme që gruaja të shëtisë e zbuluar, të marrë pjesë në pije, kumar dhe dëfrime së bashku me burra të huaj. Kështu do të thotë t’i jesh përqasur prioriteteve të qytetërimit perëndimor, të jetosh lirinë sipas standarteve perëndimore. "Në Perëndim gruaja ra në treg, në sokak, në fabrika, në bare duke kërkuar pjesën e vet të përfitimeve atje. Me këtë përfundoi në zhvlerësim. Gruaja u shfrytëzua për tregti, u bë shitëse dhe manekine. Në fillim u nxorr në treg feminiteti dhe personaliteti i saj. Ndjenja e respektit për vetveten (izzetu'n-nefs - amour propre), nderimi për vetveten u asgjësua. Ajo është sot një skllave e lirë, është hedhur në pazarin e xhambazëve nën kamzhikët e nevojës dhe varfërisë. Si në periudhat e vjetra, nuk është më për shërbimin në shtëpi, ajo shitet si krah pune në mjediset e tregtisë. Atje asaj, në shkëmbim të vlerës së përfitimit të një kafshate që do t’ia shuante urinë, i kërkohet më e vlershmja e ekzistencës së saj, qënia si femër, pikërisht si një plaçkë, pranë plaçkave të tjera".

Grupi i dytë, në ekstremitet me të parin, bartin qëllimin që gruan të mos e lënë edhe të marrë frymë.

Midis këtyre dy grupeve ka një rrugë të mesme që i përshtatet Islamit. Sipas saj, gruaja nuk është një qënie djallëzore që mbërthen çdo mundësi me epsh dhe rrëmbim. Ajo është një njeri i virtytshëm, i ndjeshëm dhe me një ndërtim delikat që, për pasojë, është shumë e favorshme për t’u shfrytëzuar.

Cili është synimi që ndiqet duke lënë mënjanë një detyrë esenciale të femrës si amësia duke e hedhur në jetën e lirë? Vetëm për të jetuar dhe për t’ia jetuar lirinë e natyrshme?

"Autorët që mbrojnë çlirimin e gruas nga çfarëdo kufizimesh dhe të rinjtë që mbajnë anën e tyre, vallë, a janë të sinqertë në çështjen e tyre? Me të vërtetë, mos vallë i ka bërë të prekshëm ata prapambetja e gruas dhe privimi nga liria? Mos vallë u është tretur zemra dhe u janë derdhur lotët për gratë që vërtiten të pashpresa mbi tokë? Mos vallë feministët aspirojnë ndërgjegjësimin e personalitetit të grave dhe evidentimin e qënies së tyre esenciale?

Secili nga feministët, a dëshiron që të ketë një bashkëshorte "të çliruar nga çdo lloj kufizimi", ashtu siç e konkretizon vetë në përfytyrim, gjë të cilën ai e mbron? Një bashkëshorte të tillë që të futet në debate hapur me meshkujt, që për çfarëdo çështje të bëjë të njohur qëndrimin e saj, që i shoqi të mos mund të bëjë diçka që asaj s’i pëlqen... Një grua të tillë që të dalë nga shtëpia kur të dojë, të kthehet kur të dëshirojë dhe kudo të bjerë e të ngrihet me meshkuj!

Zotëria përkrahës i të drejtave të gruas a i dëshiron të gjitha këto, apo i mërzitet shpirti nga një bashkëshorte e tillë dhe mallkon atë që i dha liritë bashkëshortes? Sigurisht, kuptohet i zoti i kësaj çështjeje...

Mos vallë është i sinqertë në një çështje të tillë, apo pas saj ka "shkaqe të tjera"?



DETYRAT BAZE TE GRUAS


Në ndarjen e detyrave nga Krijuesi, për shkak të veçorive fizike dhe cilësive shpirtërore, femrës i janë dhënë katër detyra të mëdha: të bëhet shatzënë, të lindë, t’i japë gji fëmijës dhe të edukojë. Tri detyrat e para, secila më vete, kanë veçori bazë dhe, madje, aspekte të rrezikshme. Për t’i kryer me sukses këto, gruas i duhet të mos konsumohet nga punët e rënda e të lodhshme. Në lidhje me kapacitetet shpirtërore të fëmijës, duke filluar që nga shtatzania, ndikimi i jetës së nënës është i madh. "Ndikimi mbi mendësinë dhe karakterin e edukatës është i padyshimtë". Mjekët që i japin sot rëndësi shumë të madhe trashëgimisë, të mos harrojnë ligjet e zhvillimit dhe të përshtatjes të Darvinit, të mos harrojnë ndikimin e edukatës e të mjedisit. Eshtë ndikimi i edukatës në shfaqjen e shumë neurozave. Pa dyshim, edukata ndikon në llojin e përçartjeve dhe format e reaksioneve përkatëse të psikozave, edhe po qe i vogël roli i saj.

"Fëmija nuk mund të edukohet ende pa lindur; organet e përceptimit fillojnë e edukojnë ngadalë nervat; pretendohet se që kur fëmija ndodhet në mitër, edukohet përmes regjimit të nënës në ngrënie, fjetje e pushim. Kur lind, duket ndikimi i këtij edukimi dhe kështu, fëmija fjetka dhe u zgjoka në kohën e duhur. Fëmija mësohet me rregullin dhe regjimin qysh në periudhën e gjirit. Edukata e parë që mund t’i jepet fëmijës, është të dhënit gji ditën çdo tri orë e natën çdo gjashtë orë".

Një grua e hedhur në punë, a ka mundësi t’i kryejë gjithë këto detyra? Zaten, gruaja në punë konsumohet trupërisht e shpirtërisht. Vjen në atë gjendje që të mos mund të kryejë edhe detyrat më të natyrshme. "Që në kohët e vjetra, meshkujt janë ata që ndodhen nën presionin e profesionit. Kohët e fundit, edhe gratë, si burrat, mbeten të detyruara të hidhen në grindjen e jetesës. Natyrisht, edhe ato do të dëmtohen nga ndikimi i profesionit. Tani mësuesit më histerikë, nevrastenikë e melankolikë, janë vajzat dhe gratë. Profesioni më i natyrshëm dhe më i shëndetshëm për femrën, është bashkëshortësia dhe amësia. Rritja e fëmijëve, kujdesi për të sëmurët, punët e kopshtit dhe të shtëpisë janë punët më të shëndetshme për gruan. Bashkëshortësia dhe amësia janë një profesion që rekomandon higjiena mendore për zhvillimin e ndjenjave altruiste.

Biologjia krahasuese vërteton se i vogli i njeriut i ardhur në jetë, është qënia më e dobët dhe e pashpresë dhe gjallesa me periudhën më të gjatë të fëmijërisë. Në lidhje me këtë, Claparède pyet: "Fëmijëria për çfarë vlen?" Në periudhën e gjatë të rritjes kush mund ta shohë fëmijën më me kujdes se nëna? Kush mund t’i përgjigjet nevojave, kërkesave dhe dëshirave të tij që ndryshojnë paprerë? E vërteta, për të voglin s’mund të gjendet një i dashur më i afërt se nëna e vet, askush sa nëna s’mund të tregojë mëshirën e duhur për të. Kurse nëna e hedhur në jetën e lirë, në punë e nëpunësi, nuk mund t’i tregojë fëmijës këtë afërsi dhe kujdes.

Një rrezik tjetër i futjes së gruas në punë, është edhe mosdhënia e rëndësisë së duhur edukimit seksual të fëmijëve të saj. Këta fëmijë, ose rriten kokëbosh, ose në spontaneitet, ose bëhen lojra ndjenjash në duar të dadove e kujdestareve.

"Vajza martohet. Brenda mjedisit familjar gjen fushëzbatim të kapaciteteve të posaçme vetiake. Bën fëmijë!

Në periudhën e mëpastajme, bëhet epiqendra jo e nazeve dhe e përkëdheljeve, por e fëmijëve dhe e shpirtit të familjes. Gruaja tërheqjen seksuale e shpërndan në flladin e një atmosfere të re.

Në se shpirti i gruas nuk gjen një përshtatshmëri të tillë dhe familjen si vendin dhe sheshin e përshtatshëm ku të derdhë shfaqjet e burimeve të tij, në se i zgjaten nazet dhe "problemi seksual" që në kohën e vet patën kërkuar amësinë, do të dalë në shesh tipi i femrës me moshë mesatare që luan rolin e vajzës së re të përjetshme. Te gruaja nxjerrin krye kontradiktat shpirtërore, të metat e shprehive. Kjo gjendje mund të shkojë gjer në anormalitet.

Jo rob i fisit, i familjes a i bashkësisë, gruaja bëhet rob i egoizmit mortor të vet.

Këto anormalitete janë shkaqet e fatkeqësive që shihen në kinema, në romane, në skenat e jetës së vërtetë".

Hedhja e gruas në nëpunësi, përgjithësisht në veprimtarinë prodhuese jashtë shtëpisë nuk ka edhe ndonjë përfitim të madh. Lekët që do të fitonte, nuk do të përbënin ndonjë sasi të madhe për shkak se do të shpenzonte për punët e shtëpisë, për kujdesin e fëmijëve, për veshjet dhe gjëra të tjera të kushtëzuara nga qëndrimi jashtë midis njerëzish. Nga ana tjetër, dëmet moralo-shpirtërore që do të ridhnin nga papunësia e meshkujve, nga mungesa e profesioneve, do të shndërroheshin në elementë të dëmshëm që do t’i sillnin shqetësime shoqërisë.

Duke u larguar gruaja nga shtëpia dhe mjedisi familjar, edhe lidhjet martesore fillojnë e dobësohen. Duke kaluar një pjesë të rëndësishme të njezetekatërorëshit me veprimtari nën urdhërat dhe komandën e të tjerëve, gruaja me anatomi dhe shpirt delikat, e rrëgjuar midis dallgëve të përpjekjeve për jetën, dalëngadalë fillon të bëhet nervoze dhe e pasjellshme. Kur vjen në të errur në shtëpi, e lodhur dhe e rraskapitur, i bie në qafë të shoqit, grindet me fëmijët. Ndaj askujt nuk mundet të tregojë dobësi e mirësi. Bukën e vet e fiton me dorë të vet. Kur të dojë vjen në shtëpi, kur të dojë del, merr pjesë në çfarëdo mbledhjesh e argëtimesh që të dojë.

Statistikat tregojnë se shumica e ndarjeve dhe shkurorëzimeve pasojnë moslindjen e fëmijëve. Dhe një nga shkaqet e rëndësishme të moslindjes është hedhja e gruas në jetën e lirë.


* * *

Në Kuranin e Madhnueshëm urdhërohen gratë e Pejgamberit dhe të gjitha gratë muslimane që të rrinë në shtëpi mes rëndësisë vetiake dhe seriozitetit, qetësisë dhe kënaqësisë. Ky urdhër nënkupton se shtëpia për gruan është vendi i zakonshëm, mjedisi i natyrshëm dhe vendi i punës i saj. Por kjo s’do të thotë se gruaja nuk mund të dalë asnjëherë nga shtëpia. Hz. Pejgamber ka urdhëruar: "Allahu ju ka lejuar të dilni për nevojat tuaja".

Dimë se në Shekullin e Lumtur (Asri Saadet) gratë shkonin për të falur namaz në mesxhid pas të Dërguarit të Allahut. Hz. Pejgamber ka urdhëruar: "Mos i pengoni nga mesxhidet gratë, robëreshat e Allahut!" Dhe, gjithashtu: "Mos i prapësoni gratë nga të shkuarit natën në mesxhid!"

Nuk ka dyshim se ata që shkojnë në xhami, edhe i përshtaten edukatës së xhamisë. Pejgamberi, pasi mbaronte falja, priste njëfarë kohe gjersa të dilnin gratë, pastaj ngrihej vetë. Gjithashtu, në mesxhidin e Medines, i Dërguari i Allahut kishte veçuar një portë për hyrje-daljen e grave. Edhe Abdullah b. Omeri sa qe gjallë, nga ajo derë kurrë nuk pat kaluar.

Në lidhje me edukatën e grave në xhami, urdhërohet kështu: "(O gra) cila nga ju do të shkojë në xhami, të mos lyhet me erëra. Gruaja e lyer të mos vijë në xhami".



GRUAJA DHE NEPUNESIA

Siç u parashtrua nën titullin "Detyrat bazë të gruas", jeta e lirë, jeta në punë dhe nëpunësia janë gjëra që nuk i përshtaten krijimit të gruas, zhvillimit shpirtëor të saj. Gruaja e larguar nga shtëpia dhe mjedisi familjar, ose humb cilësitë femërore, ose punën dhe nëpunësinë e saj e shndërron në shtëpi. Nuk janë të pakta gratë që në zyrë vazhdimisht bisedojnë për punët e shtëpisë dhe fëmijët, që në orët e punës merren me punëdore ose të ngjashme me to.

Në kapitujt e mësipërm është treguar për gratë që s’pengohen qoftë në jetën e lirë, qoftë në nëpunësi dhe në jetën e punës si dhe për situatat kur ato vihen ballëpërballë me burrat. Nën këtë dritë si dhe në kuadrin e masave të posaçme të marra nga Islami, duhet të mos shihet ndonjë rrezik në suksesin e nëpunësive që mund të bëjnë gratë.

Edhe kjo duhet bërë e qartë që këtu bëhet fjalë për "gruan Islame" në kuptimin absolut të fjalës. Eshtë e nevojshme, në këtë mes, të mendohet Islami në tërësinë e tij të plotë, pa marrë si model ndonjë nga shtetet Islamike të kohës së sotme. Kur thuhet "shoqëria Islame", shënohet shoqëria ku zbatohen urdhërat e Islamit. Në një shoqëri të tillë nuk ekziston asnjë pengesë që gruaja të bëhet tregtare, mjeke...

Edhe diçka tjetër, jeta është identiteti i aftësisë së përsosur. Nuk ka dyshim se rezultatet më të larta përftohen nga secili përmes veprimtarisë që i përshtatet veçorive të krijimit dhe natyrës vetiake të tij.

Nga muslimanët e Mekës, nga emigrantët e parë dhe nga ata që ndër të parët iu bindën e iu dorëzuan Hz. Pejgamberit, Shifaja Kurejshe ishte nga gratë më të zhvilluara të Shekullit të Lumtur. Nënës tonë Hafsa i pat mësuar shkrim e lexim. Kalifi Hz. Omeri i jepte rëndësi mendimit të Shifasë, e pyeste për kujtesën, e pohonte vlerën e saj dhe shumë herë e ngarkonte me detyrën e kontrollit të tregjeve dhe pazareve.


A mund të bëhet gruaja gjykatëse?

Në lidhje me çështjen në se gruaja mund të përvetësojë pozitën e gjykatësit, nga juristët Islamë janë mbrojtur pikëpamje të ndryshme.

1. Dijetarët Shafii, Maliki dhe Hanbeli, duke ia përngjasuar pozitën e gjykatësit udhëheqësit të shtetit, qenë shprehur se gruaja s’mund ta përvetësojë këtë pozitë. Ata që mbrojnë pikëpamjen se gruaja s’mund të bëhet gjykatëse, se veçanërisht pozita e përcaktuesit të fatit të tjetrit bart një përgjegjësi të madhe, se kërkon pedantizëm gjer në fund, gjakftohtësi dhe paanësi, shprehen se, për shkak të veçorive të krijimit, gruaja nuk është e përshtatshme për këtë.

2. Sipas Hanefive, përcaktimi i fatit, jo me detyrën e udhëheqësit të shtetit, ai ngjan me detyrën e dëshmitarit. Gruaja që bart cilësinë e të drejtës prindërore, po qe se është e përshtatshme për dëshminë, është po ashtu edhe për gjykimin. Për pasojë, në ato çështje ku gruaja mund të bëhet dëshmitare, edhe gjykatëse mund të bëhet. Sipas kësaj, gruaja mund të bëhet gjykatëse në të gjitha çështjet e jashtëzakonshme përveç had dhe kisas.

3. Me një tregim të ardhur nga Imami Maliki, sipas Ibnul Kasemit, Ibni Hazmit, nga Shafiitë sipas Ibni Tirazit dhe veçanërisht sipas Ibni Xheriri Taberiut, gjykimi është një detyrë që i përngjet dhënies së vendimeve fetare (fetva). Për pasojë, gruaja e autorizuar për të dhënë fetva, mund të bëhet gjykatëse për çdo çështje, përfshirë edhe ato had dhe kisas. Në drejtësi, ajo që është esenciale, është e zakonshmja, normalja (mubah). Përjashtohen vetëm ato që mund të përbëjnë dogmë. Kur nuk ekziston ndonjë dogmë që do të pengonte gruan të bëhej gjykatëse, përvetësimi prej saj i pozitës së përcaktuesit të fatit përbën diçka të zakonshme (mubah), të lejuar (xhaiz).



Përfundim

Nuk ka ndonjë argument të qartë që të pranojë ose kundërshtojë aftësinë gjykuese të gruas. Nga ky këndvështrim kanë pasuar pikëpamje të ndryshme. Po qe se mendohet që femra nga krijimi, nga vlerat shpirtërore dhe nga akoma aspekte të tjera, është e njëjtë ose e barabartë me mashkullin, duhet thënë edhe se, ashtu si burri, gruaja është e aftë për të gjykuar. Njëkohësisht, "aftësia për diçka nga pikëpamja e drejtësisë së përgjithshme, nuk lind domosdoshmërinë për t’iu kushtuar vetëm asaj. Çështja shihet me syrin e përfitimeve shoqërore. Në të vërtetë, në kohën tonë, për disa funksione të rëndësishme si gjykatës, deputet, është pranuar një moshë e caktuar, aftësia juridike nuk është parë e mjaftueshme. Kurse Islami i ka pranuar të drejtat njerëzore të gruas. Disa ndryshime në lidhje me situatat e posaçme të saj, janë për ta mbrojtur atë ose për ndonjë çështje të veçantë, për shendetin ose për delikatesën e saj".

Së fundi, le të përsërisim: Së bashku me detyrën bazë, në një shoqëri Islame, nuk pengohet funksioni i gruas si gjykatëse me kusht që të paraqitet e nevojshme kjo gjë dhe në këtë punë ajo të jetë e dobishme.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme