
Sjellja e zëvendësministrit izraelit ndaj ambasadorit turk, ashtu siç e përshkruajnë mediat izraelite kishte qenë tejet poshtëruese. Në media u publikua fotoja ku shihej se ambasadori ishte ulur në një karrige për disa centimetra më e ulët se sa karrigia në të cilën ishte ulur zëvendësministri izraelit i shoqëruar nga tre nëpunës tjerë. Dani Ajalon , kishte refuzuar t’ia shtrinte dorën ambasadorit turk dhe e kishte detyruar atë të priste një kohë të gjatë para zyrës së tij. Në shenjë nënçmimi, në tavolinë nuk kishte vendosur flamurin turk, por vetëm atë izraelit. Ai kishte urdhëruar që ambasadori turk të mos shërbehej me kurrfarë pije, kurse nga gazetarët kishte kërkuar të përmendin se ambasadori ishte ulur në nj karrige më të ulët se sa izraelitët.
Ky incident diplomatik i papresedan, kishte shfaqur indinjatë të thellë në qarqet më të larta në Ankara. Kështu, presidenti turk, Abdullah Gyl, i ka kërkuar Izraelit të kërkojë urgjentisht falje publike lidhur me incidentin me të dërguarin e Ankarasë në Tel Aviv.
“I japim kohë Izraelit të reagojë deri në mbrëmje, në të kundërtën, ne do të tërheqim nesër me avionin e parë ambasadorin tonë nga Tel Avivi”, kërcënoi Gyl.
Pas këtij ultimatumi, Izraeli kishte kërkuar falje Ankarasë për atë që konsideroi shkelje të mënyrës diplomatike dhe që krijoi ftohje të një marrëdhënie dikur të afërt mes shtetit hebraik dhe një fuqie rajonale myslimane.
Ky qëndrim i ashpër i Ankarasë ndaj Tel Avivit dhe detyrimit të tij të kërkoj falje publike, pati jehonë të madhe në mediat arabe, të cilat kërkojnë që edhe vendet arabe të kenë qëndrime të ngjashme ndaj shtetit hebraik. Ky qëndrim në një mënyrë po i vë në një pozitë të palakueshme burrështatsit e vendeve arabe kundruall popujve të tyre..
Diplomacia izraelite duhet të dijë se Turqia është një aleat strategjik për të. Ajo mund të luaj rol vendimtar jo vetëm për uljen tensioneve në mes Izraelit dhe vendeve arabe, por edhe të pajtimit arabo-izraelit. Ankaraja, këtë rol e luajti në ndërmjetësimin e saj në mes Tel Avivit dhe Damaskut. Të njëjtin rol ajo mund ta luajë edhe me rastin e Gazës dhe Ramallahut. Mirëpo, Izraeli duhet ta dijë se struktura që tash qeverisë në Ankara, dallon shumë nga struktura laike e shekullit të kaluar. Kjo strukturë ka orientim panislamik. Ajo nuk do të lëshojë pe në çështje, të cilat kanë të bëjnë me parimet dhe identitetin islam. Andaj, çdo provokim i këtij lloji mund t’i acarojë marrëdhëniet në mes dy vendeve, gjë që nuk është në interes të Tel Avivit dhe të ndërtimit të paqes dhe prosperitetit në Lindjen e Mesme .