
Është e lehtë të dëshmohet dhe të demonstrohet kjo gjendje. Vetëm të hapim stacionet televizive tonat. Brenda ditës mund të shohim reklama të lloj llojshme të tipit çfarë do të preferonte zt. Baton Haxhiu për një emancipim të gruas kosovare. Femrën kosovare do ta shohim si objekt reklamues që reklamon, automjetet, rrobat e firmave të ndryshme, e nganjëherë e shohim edhe si objekt epshi, perversiteti, shfrenie e komercializmi. Në princip njeriu është qenie e lirë dhe sikur të mos ishte jeta shoqërore, asnjë fuqi tjetër në botë nuk do të ishte në gjendje ta frenojë dhe t’i vë kufi lirive të saj. Në shoqëritë e tilla instinktet trupore shkaktojnë dhunë, ndërsa femra është mall vlera e të cilës varet nga kënaqësia. të cilën ajo e ofron. Nëse Dekarti para katërqind vjetësh ka deklaruar “Mendoj, pra ekzistoj!” femra në periudhën moderne dhe shoqëritë tjera që janë nën ndikimin e modernes do të duhej të deklaronin “Më shikojnë, pra ekzistoj!”. Mjafton kjo... nuk do koment se çfarë emancipimi i solli e ardhmja gruas shqiptare.
Sa herë flitet për hoxhallarët, unë nuk besoj se ndonjëri prej tyre do të kishte rënë aq në kundërshti me vetveten duke krijuar një antagonizëm në mes të asaj që ka mësuar nga parimet fetare islame, dhe nga ajo që proklamon zt. Haxhiu.
Në asnjë citat të Kuranit apo hadithet e Pejgamberit a.s. e as nga komentet e dijetarëve Islamë, nuk mund të hasësh edhe në komentin më të vogël që gruaja myslimane të trajtohet në atë formë çfarë Ju i nderuari zt. Haxhiu proklamoni me idetë tuaja shumë të turbullta rreth këtyre çështjeve. Ndërsa Ju e dini se Kurani është Fjalë e Zotit e po ashtu edhe hadithet e Pejgamberit a.s, prandaj Ju nuk mund të keni një gjykim më të mirë se sa gjykimi i Zotit. A nuk mendoni se është momenti të këndelleni pak zt. Haxhiu??? Nëse do të bënim një retrospektivë jo të largët të së kaluarës, do të shohim, se keni të drejtë në këtë drejtim që ngrini pluhur në çështjet që preokupojnë gruan shqiptare dhe mungesën e një emancipimi, por në fakt kjo nuk është një nismë e juaja në këtë drejtim që doni ta shtroni si problem për gruan kosovare, por ky problem është trajtuar e trajtohet me dekada e dekada, madje nganjëherë edhe unë në vete them, se ku është problemi që aq shumë veçohet gruaja në të gjitha studimet e hulumtimet, a nuk do të duhej që të flitej edhe për burrin si palë e dytë në dualizmin e jetës??? Nuk e di, edhe unë nuk kam marrë ndonjë përgjigje nga kjo, mbase mund të ma “siguroni” Ju në shkrimet tuaja të radhës, e që besoj, jeni në start të mirë për të “vetëdijesuar” hoxhët se si duhet trajtuar gruan. Latinët e vjetër do të thoshin: “o tempora, o mores!”.
Boom debatet:
“I nderuar Qemajl, t’i ndalosh gratë që të kontribuojnë në jetën publike dhe të fyesh ato në çdo takim, t’i mënjanosh ato duke i quajtur injorante, të pazojat, se nuk e kuptojnë se ç’është e drejta dhe detyra e tyre është njëlloj si të mohosh gjysmën e shoqërisë dhe gjysmën e saj që do të edukojë keq fëmijët” kështu fillon një pjesë e paragrafit të opinionit të zt. Haxhiut. Me shumë dashamirësi do të doja të ju pyes Juve i nderuar zt. Haxhiu, me këtë unë nuk e kuptoj së për cilën periudhë dëshironi të informoheni nga zt Morina?
Më kujtohet se para disa viteve, (jo shumë larg) një delegacion nga Kosova udhëtonte për në një vend të huaj, përkthyesja që duhej të shkonte me ta, ishte një grua me shami në kokë, e cila është obligative për femrën muslimane. Këtë me siguri e dini se e kanë bartur të gjitha gratë dhe nënat tona në të gjitha periudhat historike të popullit tonë, e që shumë lehtë mund ta hasësh në shkrimet rreth etnografisë shqiptare. Kjo gjë, bëri boom dhe u interpretua si një qëllim i keq, për t’u paraqitur Kosova si një vend primitiv dhe pro arab. Mbaj mend, se gjysma e delegacionit të atij udhëtimi ishin kthyer në mënyrë demonstrative, gjysma e opinionit u nda pro, gjysma kundër dhe me gjithë habinë se si u gjet përkthyese një grua me mbulesë, ia vlente të mendosh, pse do të dukej aq primitive një grua e mbuluar e cila aq bukur fliste disa gjuhë të huaja. Shumë afër kësaj pëlcet një skandal tjetër. Në një shkollë të mesme në Prishtinë, ku të gjithë nxënësit vishnin uniformën konform rregullave të shkollës, një vajzë e mbuluar respekton këtë rregull, por më një ndryshim të vogël, që krahas uniformës së shkollës në kokë të mbajë edhe një shami, që simbolizonte besimin e saj, sërish boom debatet në media deri edhe ankesa tek avokati i popullit. Tani, çfarë të themi zt Haxhiu, këto raste që përmendëm, janë bijat motrat ose edhe gratë e hoxhallarëve që ju i përmendni në opinionin tuaj, vallë, kush ka mundur t’i avancojë këto në studime e hulumtime në të cilat ato ende vazhdojnë, a mos duhet ta korrigjoni veten në këtë drejtim???
Në një pjesë tjetër të këtij opinioni thoni: “... se vetëm duke çliruar gratë, shoqëria myslimane mund të jetë e lirë”. Nga kush duhet çliruar gruaja myslimane?! Unë nuk e kuptoj, a duhet të çlirohet nga idetë Tuaja të turbullta, apo nga kush? Do të bëjë vetëm një retrospektiv të shkurtër të femrës sa për informim të sigurt për Ju dhe për të tillët që mendojnë si Ju.
Edhe atëherë kur në mitologjinë greke, Athineja, Perëndesha e Mençurisë, lindi prej kokës së Zeusit, babait të gjitha zotave, ajo është dytësore, edhe atëherë kur në Bibël interpretohet se Eva është krijuar prej brinjës së Adamit ajo është dytësore. Të dyja këto mitologji përmbajnë mitin se gruaja është dytësore ndaj burrit. Edhe në tragjedinë e tij “Eumenidet”, Eskili vë këto fjalë në gojë e hyjit Apollon: “Nëna e fëmijëve që njerëzit e quajnë të sajin, s’është vërtet një jetëkrijuese, por tajë e farës të jetës. Vetëm mbështjellësi i farës është krijuesi”.
Zt. Haxhiu, besimi Islam dhe interpretimet që bëjnë hoxhët nga mësimet e marra nga besimi Islam, nuk e denigrojnë gruan, duhet të keni dëgjuar gabim dhe ta keni keqinterpretuar atë fjalim të hoxhëve në atë ndejë ku ju keni qenë prezent. Pozita e gruas në Islam është me të vërtet në një pozitë shembullore, pozitë që duhet të studiohet dhe të njihet prej çdo gruaje... burri dhe gruaja sipas besimit Islam kanë status dhe vlerë të barabartë. Në besimin e zt. Morinës dhe timin nuk ka kurrfarë dallimi midis gjinive, këtë e kemi të garantuar nga Krijuesi ynë, në besimin tim gruaja nuk konsiderohet inferiore ndaj burrit, madje ajo do të ishte shkelje e të drejtës së saj nëse do të flitej e kundërta, gjë që me këtë do të krijonte një paanësi mes burrit dhe gruas. Sipas besimit im, të drejtat dhe përgjegjësit e burrit dhe të gruas janë të barabarta, por domosdoshëm nuk janë identike. Si rrjedhim burrat dhe gratë duhet të jenë më mirë plotësuese të njëri tjetrit në një organizim multi – funksional, se sa të konkurrojnë me njëri tjetrin në një shoqëri uni – funksionale.
Për fund, zt. Haxhiu, nëse gratë myslimane përjetojnë diskriminim në ndonjë vend apo kohë, ato nuk duhet vendosur fajin mbi Islamin, por mbi natyrën joislame të shoqërive të tyre dhe të pamjaftueshmërisë së myslimanëve për të përmbushur direktivat e tij.