
Peshkopi deritanishëm i Nishit, është i lindur më 1930 në fshatin Vidovo të Caçakut. Pas kryerjes së gjimnazit ka kryer shkollën e mesme teologjike në Prizren, kurse Fakultetin teologjik në Beograd. Studimet pasdiplomike për teologji në Moskë.
Peshkopi Irinej, ashtu si paraardhësi i tij, patriku Pavle, është njohës i mirë i rrethanave në Kosovë. Ai kishte kaluar një kohë si nxënës, pastaj arsimtar dhe në fund kishte arritur të jetë rektor i Bogosllovisë në Prizren. Por, pjesën më të madhe të jetës së tij kaloi në postin e peshkopit të Nishit që nga viti 1975.
Pyetja e cila shtrohet para nesh është, si do t’i qaset patriku i ri çështjes së Kosovës. Nuk është reale të pritet nga Kisha Ortodokse Serbe të bëjë një ndryshim radikal, kur është në pyetja çështja e Kosovës, prandaj kjo nuk mund të pritet edhe nga patriku i ri. Megjithatë, është pritur prej tij që së paku të jepë shenjat e para për një ndryshim nga ana e KOS-it, i cili ka qenë pjesëmarrës në të. Por, së paku sa u vërejt nga fjalimi i tij inaugurues, nuk premton se ardhja e tij në fronin e KOS-it mund të ndryshojë diçka. Ai në krye të prioriteteve dhe obligimeve të shenjta të Kishës, siç u shpreh është “ta ruajë Kosovën dhe Metohinë, sepse Serbia pa Kosovën dhe shenjtritë që gjenden atje , është pa shpirt, pa mendje dhe pa zemër”.
Për të vazhduar: “duhet ta ndihmojmë shtetin tonë, i cili po bënë çmos për ta mbrojtur Kosovën nga ata, të cilët dëshirojnë të na grabisin. Kisha këtu duhet të ndihmojë, duke mos kursyer asnjë mund, nëse ka nevojë edhe për vetëflijim. Kosova është toka e jonë e shenjtë, Jerusalemi ynë. Nëse ne e harrojmë Kosovën, Kosova do të në harrojë neve”, potencoi patriku i ri serb, për të pyetur:
“Është tragjike që pas këtij inaugurimi solemn duhet të shkojmë në Pejë, sepse atje është inaugurimi kryesor në fronin e patrikëve serbë. A mund ta bëjmë këtë? A duhet të shkojmë në një shtet të huaj? A mund ta vizitojmë Deçanin, Graçanicën, Prizrenin si dhe vendet tjera të shenjta”, përfundoi patriku i ri serb, Irinej në fjalimin e tij inaugurues.
Megjithë këtë, ne na mbanë shpresa se patriarku i ri do të ketë një qasje të re më realistike ndaj çështjes së Kosovës. Kosova tash është shtet sovran dhe i pavarur. Kisha Ortodokse Serbe do të ishte mirë të jetë nismëtare e hapjes së saj ndaj Kosovës së re dhe shqiptarëve, duke u kërkuar falje për të gjitha të këqijat që u janë bërë atyre në emër të serbizmit dhe ortodoksizmit gjatë shekullit që lamë pas. KOS-i ka marrë obligim sipas deklaratës së përbashkët të nënshkruar nga të gjithë prijësit fetarë të Kosovës, në Patriarkanën e Pejës më 2 maj 2006 për vazhdimin e dialogut ndërfetar në Kosovë si alternativë e vetme e prosperitetit të përbashkët të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim besimi, etnie apo gjuhe.