
Në supermarkete apo qëndra tregëtare, gjen aq sa ka produkte edhe këngë, apo rastet kur gëzimi i dasmës së një familjeje kthehet në vajtim për të gjithë komshinjtë si pasojë e efektit shkatërues që sjell volumi i lartë i haresë.
Digjitalizimi gjithnje e më tepër i shoqërisë ka çuar në lehtësimin e infrastrukturave që prodhojnë muzikë. Këto të fundit pashmangshëm kanë filluar të kthehen në instrumente vetjake të secilit të cilat e shoqërojnë atë përgjatë gjithë aktivitetit të tij ditor.
Duke filluar nga kufjet e një Mp3 dhe duke mbaruar tek amplifikatorët vrasës të koncerteve live, muzika pa u lodhur punon gjithnjë e më tepër duke u futur në labirintet e trurit të secilit. Ashtu si njeriu postmodern ka ndryshuar shumë nga parardhësit e tij, edhe aktiviteti i tij ditor ka pësuar një transformim esencial.
Prodhimi apo shumëfishimi i gjithçkaje që ka të bëjë me muzikën është bërë jashtëzakonisht i lehtë. Po aq i lehtë është bërë edhe shumëfishimi i dijes. Të dyja këto falë kapërcimit mahnitës teknologjik, janë shërbime që lehtësojnë proçesin e përthithjes së informacionit. Por në ndryshim me dijen apo informacionin, muzika ka fituar betejën për të sunduar hapësirën botkuptimore të secilit., sidomos të brezit të ri.
E thënë ndryshe është zgjedhur proçesi më i lehtë dhe më pasiv i mbushjes me informacion të hapësirës ditore.
Në ndryshim nga dija e cila kërkon më tepër angazhim e cila stimulon intuitën dhe meditimin, dëgjimi i muzikës pa kriter kurdo dhe kudo, dalëngadalë udhëheq njeriun drejt mpirjes intelektuale duke kufizuar meditimin dhe tkurrur botëkuptimin e tij.
Aq shumë varësia jonë me muzikën është bërë e ndërthurur sa rastet që na sjellin në vete janë vetëm ato kur ndërpritet energjia elektrike. Menjëherë përvijohet një hendek i madh midis atij mashtrimi joshës euforik dhe mahnitës që të jep muzika dhe kthimit në realitet i cili na shpaloset plot me probleme.
I gjithe debati apo opinionet vërtiten mbi atë se sa mirë duhet që të administrojmë vetet tona, botëkuptimet tona dhe pasurimin informativ.
Sigurisht që idealja e një shoqërie njerëzore nuk do të ishte një pakicë e tkurrur e njerëzve të ditur që udhëheqin procesin e përthithjes së dijes dhe një shumice absolute e cila merr të gatshme produktin vetëm e vetëm si pasojë e bilancit difiçitar që ato kanë me kohën apo mbushjen e padobishme të saj me procese të njëanshme e pasive ndër të cilat renditet edhe teprimi me muzikën.
Çdo individ në vetvehte është një potencial i cili sipas shkallës së vet rrezaton dhe mund të kontribuojë në procesin e mendimit intelektual shoqëror si paraprirës i dobisë së përgjithshme, ndaj edhe nënvlerësimi i hapësirës kohore individuale është në radhë të parë nënvlerësim për vetvehten.