
Tregohu i dashur me njerëzit sa të kesh mundësi, jepu selam qoftë edhe njerëzve të ligj. Kur me njerëzit të mblidhesh në një kuvend dijeje apo në një xhami dhe të zhyten në debate rreth çështjeve të ndryshme duke dhënë mendime dhe qëndrime të ndryshme nga të tuat, mos u paraqit si i kundërt me ta. E nëse pyetesh për ato çështje pohoji dhe pranoji mendimet dhe qëndrimet e tyre pastaj thuaj: “Ka edhe një mendim tjetër që konsiston në këtë dhe këtë…dhe si argument ka këtë dhe këtë”. E pasi të dëgjojnë mendimin tënd do të kuptojnë vlerën e tij dhe vlerën tënde. E nëse të pyesin se kush e ka thënë këtë? Thuaj: “Disa dijetarë”. E nëse do të vazhdojnë me këtë metodë dhe të ambientohen me të do të kuptojnë ashtu siç duhet vlerën tënde dhe do ta madhërojnë pozitën tënde. Jepi çdokujt që vjen tek ti dijen e përshtatshme për të, afroji dhe bëj shaka me ta ndonjëherë, bisedo me ta dhe bëj muhabet, sepse afërsia e stimulon vazhdimësinë e kërkimit të dijes. Gostiti nga një herë, ndihmoji në rast nevoje, vlerësoji pozitat e tyre, fali të metat e tyre, ji i butë me ta dhe tolerant. Mos e shfaq zemërimin ndaj tyre, në mesin e tyre ji si njëri prej tyre. Ji i kujdesshëm ndaj vetes tënde duke e kontrolluar gjendjen në të cilën je, mos i ngarko njerëzit me më shumë se kanë mundësi, respekto zgjedhjet që kanë bërë të tjerët për veten e tyre, tregohu dashamirës me ta, ji gjithmonë besnik, braktise mendjemadhësinë, largohu nga tradhtia edhe nëse të tradhtojnë, çoje në vend amanetin edhe nëse të tjerët e shkelin amanetin tënd, respektoje fort besën, mishëroje devotshmërinë, ji i shoqërueshëm me ithtarët e feve dhe sillu mirë me ta.”
Aspektet e këshillës së Ebu Hanifes
Kjo këshillë e Ebu Hanifes për nxënësin e tij, i cili u nis për në Basra me misionin e përhapjes së dijes, nxjerr në pah tre aspekte kryesore të këtij imami të madh:
Së pari: Vlerat morale të konsoliduara të Ebu Hanifes, të cilat tashmë ishin mishëruar me jetën dhe natyrshmërinë e tij. Ky fakt nuk përbën ndonjë habi për një si Imam Ebu Hanifja, i cili që në vegjëli e kishte shtruar veten e tij me moralet e larta dhe largimin nga gjërat e kota. Sipas Ebu Hanifes antivlerat nuk duhen braktisur, thjesht sepse janë të ndaluara fetarisht, por edhe sepse bien ndesh me dinjitetin dhe fitran (natyrshmërinë) e pastër. Në lidhje me këtë çështje ai thotë:“ Mëkatet i pashë si shkak poshtërimi, kështu që i lashë për hir të dinjitetit deri sa u bë motiv feja.“
Së dyti: Njohja e mirë e Ebu Hanifes për çështjet shoqërore dhe moralet e njerëzve dhe problemet e tyre. Perspektiva e Ebu Hanifes konsiston në faktin se reformuesi i shoqërisë duhet të jetë i dashur, i afrueshëm, nuk duhet të përplaset e as të polemizojë me të tjerët, por duhet të komunikojë me ta përmes pikave të pranuara dhe të përballueshme për ta dhe jo përmes atyre që janë të refuzueshme dhe të papranueshme. E nëse reformuesi ka mendim ndryshe nga të tjerët s’duhet t’i behë me kundërshtim, për të mos shkaktuar ftohje e tërheqje, por në fillim e dëgjon mendimin ndryshe dhe më pas deklaron se ekziston edhe një mendim tjetër, i cili mund të jetë edhe i veti, por nuk ia atribuon vetes së tij dhe të cilin e mbështet me argumente dhe arsyetime të shëndosha.
Së treti: Fakti që Imam Ebu Hanifja është eksperti i mësimdhënies në fusha të ndryshme të dijes i bën të mundur atij të dijë të këshillojë dhe të rekomandojë mësuesin dhe edukuesin se si të kujdeset për nxënësit e tij, t’i mbajë afër e t’jua nxërë dijen e tij. Ai fton mësuesin që çdo nxënësi t’i japë atë dije që përshtatet me tendencat dhe aftësitë e tyre perceptuese, që të dashurohen pas saj dhe se në fillim duhet t’i mbajë larg asaj dijeje që bie në kundërshtim me tendencat dhe dëshirat e tyre, përndryshe do ta braktisin rrugën e dijes. Në fillim duhet t’u mësojë çështjet e qarta dhe t’i stërvitë nxënësit në mënyrë të përshkallëzuar deri sa të arrijnë që çështjet e fshehta e të paqarta t’i zbulojnë e t’i qartësojnë. Ebu Hanifja rekomandon edukuesin të zhvillojë me nxënësit e tij biseda të ndryshme për të marrë dashurinë dhe pëlqimin e tyre dhe për të mundësuar vazhdimësinë dhe konsekuencën e frekuentimit të tyre e më pas e rekomandon të bëjë shaka me ta, të familjarizohet me ta, të anashkalojë gabimet e tyre, t’i falë e t’i tolerojë, të jetë zemërgjerë me ta dhe të jetë si njëri prej tyre.
Në realitet, ai, i cili e ka ushtruar mësimdhënien, e njeh mirë vlerën e këtyre këshillave, ndikimin e tyre në shpirt dhe efikasitetin e tyre në ndezjen e dashurisë së nxënësve për dijen dhe lehtësimin e rrugës së saj.
Materiali është marrë nga libri i imam Muhamed Ebu Zehre rreth jetës së imam Ebu Hanifes dhe metodës së tij shkencore.
Përshtati: Sabahudin Jashari