HAXHI YMER PRIZRENI (1821-1887)



U lind në vitin 1821 në katundin Zgatar të Opojës. Ky katund, një nga 25 fshatrat e Nahijes së Opojës, përmendet në një regjistrim që ka bërë administrate shtetërore e Sanxhakut të Dukagjinit në vitin 1571. Rrjedh prej një familje intelektuale, bujare, fetare, atdhetare. Babai i tij, Sylejman Efendi Aliu, ishte hoxhë, myderriz. Hoxhë, myderriz ishte edhe gjyshi i tij, Ali Efendi Nuhiu, i cili është themelues i Xhamisë në katundin Zgatar, me 10 Maj 1814.

Haxhi Ymer Prizreni mësimet fillestare i kreu në Prizren, ku i mbaroi edhe ato të mesme në Medresenë “Mehmed Pasha”. Mësimet e larta i kreu në Stamboll, ku studioi drejtësinë, teologjinë dhe filozofinë. Pas studimeve në Stamboll, Haxhi Ymer Prizreni u kthye në Prizren, ku ka shërbye si Myderriz në Medresenë “Mehmed Pasha”, Imam në Xhaminë “Bajrakli”, Myfti i Prizrenit. Në vitin 1877 zgjidhet përfaqësues i Sanxhakut të Prizrenit në Mexhlisin (Kuvendin-Parlamentin) Osman, në Stamboll dhe prej kësaj kohe do të quhej me mbiemrin Prizreni.

Haxhi Ymer Prizreni ka qenë edhe Shejh, udhëheqës shpirtëror i tarikatit Nakshibendi, ku aderonin shumë ulema të njohur të Prizrenit e të qyteteve tjera, ndër ta vlen të përmenden, Shuaib Agë Spahiu, Kryetar i Komitetit të Degës së Lidhjes së Lidhjes së Prizrenit në Prizren, Myftiu i Gjakovës, Myderrizi, Ismail Efendi Yvejsi, Kadiu i Gjakovës, Ahmed Efendi Korenica etj. Sipas parimit të kësaj rruge shpirtërore: “Njohuritë e jashtme janë për botën, ndërsa njohuritë e brendshme janë për Zotin”. Me këto dy njohuri, Haxhi Ymeri veproi në vazhdimësi, gjatë tërë jetës së tij, në dobi të çështjes kombëtare e fetare…

Mjerisht, për shkak të kompleksit të inferioritetit tek shumica e intelektualëve shqiptarë, shumica prej tyre të dominuar nga mendimi sekularist, që ka për themel degradimin e qenies njerëzore, prej një qenie metafizike, mënjanimi i vlerave fetare të individëve, grupeve apo një populli të tërë, duket që bëhet me qëllim, sepse këto vlera prej tyre konsiderohen si pengesë e zhvillimit, përparimit dhe civilizimit…

Civilizimi është formuar si mjet në shërbim të njeriut. Vlerat fetare e ndihmojnë njeriun në përsosjen e tij shpirtërore e morale. Në shoqërinë amerikane, po edhe të shumë vendeve të tjera perëndimore, vlerat fetare hebraiko-krishtere i kanë maksimalisht të institucionalizuara, e ne pse të veprojmë ndryshe?! Do të jemi të lirë vetëm duke i shërbyer së vërtetës...Të vërtetën duhet ta shpallim, se, megjithatë, ka njerëz që janë të gatshëm ta dëgjojnë e ta pranojnë...!

Haxhi Ymer Prizreni, pjekurinë, madhështinë e tij e dëshmoi kur përfaqësuesit e popullit arriti t’i bashkoi. I bashkoi si me qenë nji – në Xhaminë ”Bajrakli”, në Prizren, në t’madhnueshmin Kuvend. Haxhi Ymer Prizreni ka qenë udhëheqësi ideor e drejtuesi kryesor i Lidhjes së Prizrenit.

Lidhja e Prizrenit (1878-1881) është një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit shqiptar. Rëndësia e madhe historike e Lidhjes së Prizrenit shtrihet jo vetëm në të gjitha trojet shqiptare, por edhe në Ballkan, madje edhe në tërë Evropën, sepse Shqipnisë, shqiptarëve ia kishin përgatitë gropën. Ishte jehona e Lidhja Shqiptare të Prizrenit ajo e cila e zgjoi, e zhvilloi dhe e përparoi vetëdijen kombëtare shqiptare. Ajo me përpjekje të mëdha e ngriti këtë veprimtari në shkallën më të lartë, duke e organizuar edhe luftën për autonomi-pavarësi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në krye me Haxhi Ymerin, e çoj , e ngriti për herë të parë çështjen kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Trajtimi i drejtë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i udhëheqësit të saj, Haxhi Ymer Prizreni, që ishte mendja dhe zemra e kësaj Besëlidhje, përmban njohjen e kushteve dhe marrëdhënieve politike, ekonomike, shoqërore, kulturore dhe në veçanti atë fetare.

Në një poezi, këngë trimërie popullore, që i kushtohet Haxhi Ymer Prizrenit, para betejës në Qafë t’Morinës, afër Gjakovës, pranverë, 1881, mendoj se shprehet mjaft bukur: mençuria, guximi, drejtësia dhe trimnija e Haxhi Ymerit.

Kush ja jep mretit ni plum

(Kushtuar: Myderriz Ymer Prizrenit)

Ymer Efenija, trim shqiptar,
Sylejmani ni komandar,
I tubuan tre mi’ luftarë,
Tanë malsorë, n’plisa t’bardhë,
N’Qafë t’Morinës kokan dalë,
Sylejmani majti fjalë:
- Ngoni ju vllazën shqiptarë,
Do t’i dalim turkut përballë;
Dervish Pasha n’Gjakovë a ardhë,
Për m’i zanë krent, m’i vjerr’ vet,
Me coptue kët ven t’shkretë.
- Efeni, çka me ba,
A ban turkut pushkë m’i ra?
Myderrizi kish pas thanë:
- Kur asht fjala për vatan,
Jo veç turkut e atij tjetrit,
Po ni plum kush ja jep mretit,
Ka me shkue n’lule t’Xhenetit!
Fjalët e hoxhës kur i nguen
Të tanë burrat n’kam u çuen,
Lidhën Besë e pajtuen gjaqe,
- Me ven tonë s’ka pazarllaqe...!
S’njohim pashë, kral as mbret/
Venin tonë e sunojmë vet!”

Haxhi Ymer Prizreni ndrroi jetë në Ulqin, me 12 Qershor 1887, pas një atentati, që iu bë te pragu i shtëpisë ku banonte, duke u kthye prej xhamisë, ku sapo kishte falur namazin e jacisë, teravisë, ishte muaji i bekuem Ramazan, 1304. Në varrin, ku pushon trupi i Haxhi Ymerit, mbi një pllakë mermeri është skalitur në osmanisht ky mbishkrim:

”Huvel el halaku el baki
El merhum el magfur
Prizrenli El-Haxhí Ymer
Efendi bin Sylejman
Ruhiçyn Elfatiha
Sene 1304”.

Në gjuhën shqipe do të thotë:

“ Zoti është krijues i të gjithave
I ndjeri i mëshiruar
Prizrenasi Haxhi Ymer
Efendiu, biri i Sylejmanit
Lutuni për shpirtin e tij
Viti 1304 h”.

Unë jam shumë i vogël me shkrue për këtë burrë të madh, me gjithë këtë, Haxhi Ymer Prizreni, kurrsesi nuk duhet harruar, as nuk duhet lejuar të tjerët ta harrojnë, sepse kështu e fshehim të vërtetën, e harrojmë vetveten…!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme