“Mesazhi im i vetëm është, që ata t’i luten Zotit t’u jep kurajë, durim dhe fuqi të qëndrojnë në atë gjendje në të cilën ata gjenden, e cila është e pa sigurt dhe shumë e vështirë”.
“Ata janë kthyer në pakicë në vendin e tyre. Kurse ne përafërsisht dimë se cila është filozofia dhe psikologjia e Islamit . Ata kur janë numerikisht pak, dinë si të gjenden dhe të jenë korrekt. Kurse kur numerikisht janë të barabartë, atëherë e ngrisin kokën, kurse kur e ndijën veten superior dhe të fuqishëm, nisin presionin që ata të shpërngulen apo të konvertohen në fenë e tyre. Kjo është filozofia e Islamit . Për këtë është vështirë për ata njerëz, të cilët jetojnë një jetë të pasigurt”, përfundon konstatimin e tij patriarku i ri serb.
Ky prononcim i patriarkut të posa zgjedhur të Kishës Ortodokse Serbe, z. Irinej, është i papritur, i pashembullt, plotësisht e pabazë dhe deri në fund nënçmuese për Islamin, si fe e madhe botërore, të cilës i përkasin mbi 1.5 miliardë e gjysmë myslimanë nga të gjitha meridianët e botës.. Është për të habitur dhe tejet brengosëse që çështja politike dhe nacionale e shqiptarëve të Kosovës të vendoset në profilin e filozofisë dhe psikologjisë së Islamit në interpretimin e të parit të Kishës Ortodokse Serbe. Ta akuzosh Islamin për shkak të aspiratave politike dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, është absurde dhe e pabazë. Në veçanti kur dihet se rezistenca e shqiptarëve të Kosovës në asnjë aspekt nuk ka pas të bëjë me aspektin fetar islam, por ajo ishte një luftë për çlirimin e një populli të tërë nga okupimi serb, ashtu siç kanë vepruar të gjithë popujt liridashës. Por, ajo që kuptohet nga deklarata e patriarkut të ri serb është se ai i dëshiron që “myslimanë të mirë” (lexo shqiptarët) janë vetëm atëherë kur ata janë të nënshtruar e jo të barabartë me popujt tjerë. Kjo deklaratë tregon edhe një herë se çfarë mendim ka i pari i porsazgjedhur i KOS-it ndaj islamit dhe myslimanëve si dhe për çfarë paragjykime dhe stereotipie kemi të bëjmë? Për këtë kjo deklaratë në fillimin e mandatit të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe nuk është fare inkurajuese për besimtarët e besimit islam, jo vetëm në Serbi, por edhe më gjer në rajon, kur dihet se nëpër çfarë peripeci kaluan myslimanët gjatë periudhës luftës së fundit në ish-Jugosllavinë. Patriarku, Irinej do të ishte më mirë sikur të kishte fuqinë që myslimanëve t’u kërkojë falje për gjenocidin që ushtria, policia dhe forcat paramilitare serbe ushtruan ndaj myslimanëve në Bosnjë e shqiptarëve në Kosovë, në vend se të merret me paragjykime, që mund të ekzistojnë vetëm në imagjinatën e tij të sëmurë. Andaj, pyetja e cila shtrohet është, se koha që është para nesh a mund të jetë dëshmitare e tensioneve të reja dhe mosdurimit ndaj islamit dhe myslimanëve në hapësirat ku dominon Kisha Ortodokse Serbe?