NDËRGJEGJJA DHE URAT

- “E po tashti, përse nuk na treguat edhe ju ndonjë gjë”? - I thanë miqtë Bernardit.
- Bernardi u përgjigj: “Di vetëm një, dhe do t'ua tregoj me pak fjalë”.
- “Gjatë një operacioni një kirurg - që unë e njoh - e humbi gjakftohtësinë, dhe në vend që t'ia hiqte pacientit organin e sëmurë, ai ia hoqi atij atë pjesë të sistemit nervor që kishte lidhje me ndërgjegjen”.
- “E po mirë! E ndërpreu avokati. E pastaj ç'ndodhi”?
- “I sëmuri megjithatë u shërua, por meqenëse nuk ishte me ndërgjegje, ai u bë avokat, shtoi Bernardi”.
Ndërgjegjen apo mungesën e saj mund t’a gjejmë në çdo hap të përditshmërisë sonë, në fjalë, shprehje, në veprimtari të ndryshme shoqërore, madje edhe tek urat. Pra, aty ku mund të vijë në shprehje ndarja, urrejtja apo diç e këtillë, gjë që shpeshherë manifestohet përmes urave.
Urat çdo herë, madje edhe sot, paraqesin një mjet përmes së cilës lidhen dy brigje, anë ose dy pjesë të ndonjë vendbanimi apo qyteti... Urat në të kaluarën por edhe sot e luajnë rolin e ndërmjetësuesit, pra për t’i bashkuar vendbanimet, shpirtrat, me këtë edhe njerëzit. Historia e urave është e vjetër po aq sa edhe njerëzimi në këtë botë.
Urat shpeshherë ishin vende ku tellalli kryente detyrën e tij shoqërore. Prej aty e fillonte thirrjen drejtuar popullit, njerëzve... prej aty edhe lexohej mesazhi i dërguar nga sundimtari, mbreti apo pashai i vendit përkatës. Në ura shpeshherë edhe realizoheshin ekzekutimet ndaj njerëzve, ashtu siç u bënë ato anembanë Evropës mesjetare, pra në ato vende ku me të madhe veproi inkuizicioni... Urat më së shpeshti ishin dhe ende janë vend që iu shërbenin atyre që më së tepërmi janë të varur nga njerëzit e tjerë, siç janë shitësit e imët, lypësit, madje edhe propaganduesit e ndryshim religjioz, ndërsa për poetët ato shpeshherë paraqitnin vend inspirimi, sepse përmes vështrimit nga ura, vërehej lumi, uji... Uji paraqet simbol jete, sepse pa ujë nuk mund të ekzistojë as jetë. Poeti e dinte mirë këtë gjë, andaj shpeshherë kur vendoste të thurë ndonjë poezi, ai qëndronte në një skaj të urës dhe duke vështruar valët e lumit, ai inspirohej dhe iu paraqitnin vargjet poetike... Mund të themi se shpeshherë nëpër ura edhe kanë lindur mjaft poezi e tregime...
Për fat të keq, roli i urës nuk ishte vetëm ky. Ekzistuan dhe ekzistojnë njerëz që edhe e keqpërdorën urën. Të atillët i shndërronin urat në pika kufitare, pra në vende ndarëse të një vendbanimi, qyteti apo popujsh. Historia e konflikteve ndërmjet popujve dhe ideologjive mjaft qartë e argumentoi një gjë të këtillë, në të vërtetë kur në shumë raste urat u shndërruan në vijë ndarëse të dy vendeve apo shteteve.
Ajo që është më e freskët e që na e përkujton ndarjen, është edhe ura e Mitrovicës së Kosovës. S’do mend, se Intervenimi i NATO-s kundër forcave ushtarake serbe në Kosovë i dha fund dominimit dhe kolonializmit qindvjeçar sllav në Kosovë. Pas gjithë asaj golgote të paparë në historinë e popujve, prapëseprapë u gjetën forca humane që iu dolën në krah shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, edhe pse makineria ushtarake serbe u dëbua nga Kosova, prapëseprapë në një skaj verior të Kosovës, atje në Mitrovicë, është lënë një e ashtuquajtur “zorrë qore”. Edhe këtu paraqitet një lloj ndarjeje... frikë, që me arsye ekziston tek shumë njerëz, edhe pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.
Ura e Mitrovicës që dikur ishte vendkalim për të gjithë njerëzit e atij qyteti, sot qëndron si pikë kufitare ku janë përqendruar ushtarë të KFOR-it. Aty nuk bëhet lidhje ndërmjet dy pjesëve të qytetit, përkundrazi, aty manifestohet ndarja. Kjo urë tanimë nuk e luan rolin e urës, por të ndarjes. Aty bëhet ndarja e një shpirti, e atij shpirti shqiptar i cili asnjëherë nuk kolonizoi e as që dëboi ndonjë popull nga vatrat e tyre...
Kjo urë si duket, sot është një nga “plagët” jo të lehta për shoqërinë kosovare, sepse aty qëndron një gjen që është i njohur me gjenocidet kulturore e qytetëruese. Na gëzon fakti se zërat e arsyes janë gjithnjë e më të qarta, se ura e Mitrovicës do të jetë vetëm se urë e asgjë tjetër, se qyteti nuk do të mbetet i ndarë. Gjithë ky qëndrim vjen nga ato shtete që e pranuan Kosovën si shtet të pavarur. Mbetet të tregojë historia...
Ndër urat më të njohura të nënqiellit tonë pa dyshim është edhe Ura e Gurit e Shkupit, e ndërtuar gjatë periudhës së sulltanatit të Sulltan Muratit të II-të (1421-1451) dhe Sulltan Mehmedit të II-të (1451-1481), gjegjësisht gjatë kësaj periudhe osmane. Mjeshtrit osman me duart e tyre të arta arritën ta ndërtonin njërën nga urat më të bukura të këtij nënqielli, madje ata nuk harruan që mbi te të ndërtohet edhe një Mihrab, i cili qëndroi deri në vitin 2003, atëherë kur disa “njerëz të kulturës” me tipare inkuizicioniste, vendosën që atë ta rrënojnë. Të gjithë ata që kanë sado pak ndjenja të kulturës dhe humanitetit, do të konstatojnë se ky akt sllavoortodoks i qeveritarëve të Shkupit nuk ishte asgjë tjetër përveç se një kulturocid klasik i shekullit 21. Sot, edhe pas shumë fërkimeve dhe deklaratave, mihrabi i kësaj ure ende mungon, ndërsa pikërisht përballë vendit ku qëndroi shekuj me radhë mihrabi është ngritur një pllakë përkujtimore e njërit, të ashtuquajtur, revolucionar maqedonas, me emrin Karposh, i cili është mbytur në vitin 1689... Këtu nuk mungon vetëm mihrabi, por mungon edhe ajo që është më qenësore për njeriun, ndërgjegjja. Pikërisht ajo ndërgjegje të cilën e kishte eliminuar kirurgu i Bernardit.
Për dallim nga disa ura që në botë njihen si pika kufitare, Ura e Gurit e Shkupit vazhdon t’a luajë rolin e saj të vërtetë, gjegjësisht për lidhjen e dy anëve të qytetit dhe të brigjeve të lumit Vardar, edhe pse njëra pjesë nga tjetra dallon shumë në aspektin e ndërtimeve dhe godinave bashkëkohore...
Kur jemi te urat, na përkujtohet njëri nga aktet më barabare dhe antiqytetëruese që ndonjëherë është ushtruar ndaj urave, gjë që ndodhi gjatë luftës qytetare në Bosnje... Bota e qytetëruar kurrë nuk do t’a harrojë atë ditë nëntori të vitit 1993, kur në mënyrën më antiqytetëruese dhe më kriminogene u rrënua njëra nga urat më të bukura në botë. Urën e cila tregonte gjysmëhënën, shenjë kjo e cila i frymëzoi shumë njerëz të kulturës dhe artit. Ajo ishte ura e Mostarit në Bosnje e Hercegovinë. Urë e cila u rrënua, u mbyt... mbi të cilën është kryer gjenocid, kulturocid...
Ai akt fashizoid e me ndjenja antiqytetëruese është kryer pikërisht para syve të Evropës të shekullit XX. Ura e vjetër e Mostarit, e projektuar nga koka e mençur e Mimar Hajrudinit (nxënësit të Mimar Sinanit) në kohën e Sulltan Sulejman Kanunit, kishte rëndësi të madhe historike... Aty u manifestua shpirti i artit islamik dhe fryma e prirjes për kulturë dhe qytetërim. Kjo urë e vjetër në formë të gjysmëhënës, e cila gjendej mbi lumin Neretva, që prej vitit 1566 e deri më 9 nëntor të vitit 1993, kur edhe u rrënua nga ustashët kroatë, jo që i bashkonte vetëm dy brigje, dy pjesë të qytetit, por ajo i bashkonte edhe kontrastet kozmike dhe universale... Kjo urë ishte e vetmja urë e Ballkanit e cila hyri në Enciklopedinë Amerikane të Urave.
Shtrohet pyetja: Kush ka mundur dhe pse e rrënuan atë bukuri, harmoni dhe atë funksionalitet arkitektonik? Urën e vjetër të Mostarit, urën e Mimar Hajrudinit nuk e shkatërruan predhat e tankëve, e as ato të armëve tjera të rënda, por atë e rrënoi një shpirt, një ndjenjë kolektive, emri i vërtetë i të cilëve është; tradhti, plaçkitje, urrejtje, shpirtligësi dhe shkatërrim ndaj krejt asaj që është me shenjë dhe me karakter osmano-islam. Dy dëshmitarë të pamohuar të këtij shpirti, ideje dhe të kësaj praktike, janë Kur’ani dhe historia: “...Urrejtja kundër jush duket në gojët e tyre, por ajo që e fshehin në gjokset e tyre, është edhe më e madhe...”. (Kur’ani).
Edhe pse ura e Mostarit u rindërtua, rindërtimi i së cilës zgjati 7 vjet, pothuajse ende ka mbetur ajo plagë e rëndë (hapja solemne e urës në fjalë është bërë me 23 Korrik të vitit 2004)... Profesor Michael Sells, autori i librit “Ura e Tradhtuar: Feja dhe Gjenocidi në Bosnje”, thotë se; Ura e Vjetër u shkatërrua jo për arsye ushtarake por për shkak të rëndësisë së saj simbolike dhe historike. Madje, ky konsideron se rindërtimi i saj paraqet një triumf të shpirtit njerëzor...
Për fat të keq, urën e vjetër e mbyti ajo frymë dhe ajo kategori e ndjenjës - e cila para më shumë se pesë shekujve, gjegjësisht në vitin 1492, Spanjën myslimane ose vendin e diturisë, universiteteve, bibliotekave, xhamive të shkëlqyera, bezisteneve, spitaleve, shkollave dhe të observatorive astronomike - e shndërroi në një vend të gërmadhave ku vërehen vijat e kulturës barbare dhe asaj shkatërrimtare me sens gjenocidial. Vetëm gjatë pushtimit të Grenadës në vitin 1942, ai shpirt, ajo frymë dhe ajo ndjenjë e mishëruar dhe e konkretizuar në ushtrinë kryqtare-inkuizicioniste, dogjën një milion libra dhe dorëshkrime me vlerë të mëdha historike dhe kulturore. Ndër ato kishte edhe dorëshkrime nga kultura helene. Pa dyshim, të gjitha këto paraqitnin vlerë të pakompenzueshme. Ajo urrejtje e verbët dhe e pashuar, rrënoi pallate, shkolla, biblioteka dhe objekte tjera kolosale. Në emër të “religjionit të dashurisë” dhe të të ndershmit dhe të të shenjtit kryq, kjo frymë dhe kjo ndjenjë, shumë xhami - kryeveprat më të mëdha të kulturës islame të cilat u gjendën në Kordobë, Sevilë, Grenadë dhe Toledo - shndërruan në kisha, ndërsa xhaminë më të madhe të Kordobës e shndërruan në katedrale.
Krejt këtë e kanë bërë ata, nga goja e të cilëve tingëllonte zëri i urrejtjes, keqbërësisë dhe gënjeshtrës. Ata janë të cil¬ët fatkeqësinë tonë e shohin si fat të tyre, kurse suksesin tonë e shohin si fatkeqësi të tyre... Kultura e të këtillëve përmban dy karakteristika themelore. Ato janë: “pozitivizmi në shkencë dhe individualizmi në marrëdhëniet ndërnjerëzore”. Por, para se gjithash ata shpeshherë ishin me shenjë, shenjë nga e cila u frymëzuan me parullën e tyre religjioze “kush të gjuan me gurë, ti ktheja me bukë”.
Nuk duhet t’i harrojmë as Toltekët. Ata shtetin e tyre e themeluan në territorin e sotshëm meksikan në shekullin e VI. Zhvilluan një qytetërim kolosal me objekte monumentale. Ndërtuan piramida të ndryshme, objekte të skalitura me epigrafe, përpiluan kalendar për llogaritjen e vitit, zhvilluan astronominë, artin figurativ etj. Kjo, për së afërmi i përngjante të arriturave kulturore të myslimane, që më vonë, (prej shekullit VIII e deri në shekullin XV) lulëzonin në Spanjë.
Mbi kulturën dhe qytetërimin e Toltekëve në Meksikë vazhduan Asketët të cilët ndërtuan një numër të madh të pallateve dhe tempujve të ndryshme të quajtur teocalle, të cilat u shkatërruan nga dora e pamëshirshme të inkuizitorëve kryqtarë spanjoll, me qëllim që mbi ato gërmadha të ndërtojnë kishat katolike. Njëkohësisht, së bashku me Meksikën në shekullin XVI, konkvistadorët spanjoll, në mënyrë perfide pushtuan edhe Perunë antike nga Inkët. Në të vërtetë, në vitin 1532, ushtria spanjolle e përbërë prej 200 njerëzve, nën udhëheqjen e Pizzaros, u mirëprit nga kryeipari indian Atahualpino me 30.000 vendas. Mirëpo, udhëheqësi spanjoll Pizzaro e tradhton dhe keqpërdorë mikpritjen indiane, ashtu që e robëron kryetarin naiv i cili nuk kishte ditur për dinakërinë dhe perfiditetin e misionarëve spanjoll. Pastaj për lirimin e tij spanjollët kërkojnë kundërvlerë në ar.
Inkët ofrojnë grumbuj të mëdha ari për lirimin e kryetëparit tyre. Në këtë mënyrë Pizzaro rrëmbeu një shumë të madhe të pasurisë në ar, dhe më pas kryetarin indian Atahualpinon e ekzekutoi. Kjo është bërë njashtu sikurse në vitin 1492 në Grenadë, kur nga e njëjta kulturë dhe nga ky vend (Spanja) u dëbuan myslimanët dhe hebrenjtë, edhe atë pasi që ishte nënshkruar marrëveshja paqësore dhe betimi i “ndershëm” mbretëror i krishterë.
Nga e njëjta ndjenjë, edhe atë në truallin evropian shumë vite më pas, u shkatërruan mjaft monumente të kulturës hebreje edhe atë nën pretekst se hebrenjtë e tradhtuan Jezu Krishtin.
Prandaj, jo rastësisht, në një rast dy kardinalë e qortonin piktorin e njohur me emrin Rafaell, sepse ky në pikturat e tij iu kishte dhënë ngjyrë shumë të gjallë dhe të kuqe apostujve shën Pjetrit dhe shën Palit. Pas disa kundërshtimeve ndërmjet tyre, piktori iu drejtua dha iu tha kardinalëve:
- “Megjithatë, kjo nuk duhet t'ju çudisë, unë i kam pikturuar pikërisht kështu, se ata tani në parajsë qëndrojnë të skuqur nga turpi, duke vërejtur Kishën se në çfarë duar të këqija ka rënë”.
- Më pas kardinalët e pyetën Rafaelin:
“Si ke arritur në këtë nivel të lartë përsosmërie e mjeshtrie”?
- Ai u përgjigj: “Duke mos lënë asgjë pas dore, madje më frymëzoi edhe Neroni”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme