Duke shfrytëzuar lëndën burimore, të Arkivit të Dubrovnikut, dokumentet origjinalë për shekullin e XIV-të, të cilët ruhen në fondin: seria e dokumenteve të Vjenës; në signaturën nr. 1019, kemi hasur origjinalin e dokumentit të 2 shtatorit të 1368, në të cilin, për herë të parë, në histori, [nga dokumentet e shkruara të njohura deri me sot] përmendet emri Kastriot.
Pos ribotimeve, në disa gjuhë, ky dokument, është përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Fillimisht, të përkthyer e hasim në "Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë" volumi II, Tiranë 1962; pastaj në Prishtinë nga dr. Tefik Geci në vitin 1968 dhe së fundi nga dr. Ramiz Abdyli në vitin 1984. Botimi i Tiranës me atë dr. R. Abdylit është identik, nuk ka asnjë ndryshim, as në stil e as në gjuhë, derisa përkthimi i dr. T. Gecit ndryshon. Të tri këto përkthime, kanë lëshime të ndjeshme, nuk janë të sakta dhe preçize, ju mungon qasja profesionale, ndoshta si pasojë e mosnjohjes së paleografisë sllave, çirilike dhe glagolike apo nga mosshfrytëzimi i origjinalit [këtu përjashtojmë dr. T. Gecin, i cili si duket, ka shfrytëzuar origjinalin] , gjithnjë duke u mbështetur në botimet e bëra, nga studiues të huaj, të cilat kanë mangësi dhe paqartësi të shumta.
Njëri ndër arkivat më të pasura për shekullin e XIV, për historinë e Shqipërisë në veçanti, e Ballkanit perëndimor në përgjithësi, është Arkivi Historik i Dubrovnikut, për shkak të rolit të rëndësishëm që kishte Dubrovniku në sferën e mardhënieve ekonomiko-shoqë rore dhe finaciare, me vendet fqinje ballkanase. Një vend i rëndësishëm i takon Shqipërisë dhe familjeve princërore e bujare të saj, në këto marrëdhënie, të cilat kanë lënë gjurmë të shumta të shkruara. Familja më e dalluar, është ajo e Kastriotëve, për të cilën në fonde të shumta, të këtij arkivi, ruhen dokumente, akte dhe testamente të ndryshme, të karakterit publik dhe privat.
Dokumenti i rëndësishëm
Njëri nga dokumentet më të rëndësishëm, për këtë familje, ngase për herët të parë, gjejmë të shkruar emrin e saj, Kastriot, është dokumenti nr. 1019, nga fondi i dokumenteve të Vjenës, i shkruar më 2 shtator të vitit 1368. Pos rëndësisë se, për herët të parë përmendet emri Kastriot, ky dokument, ka edhe një rëndësi tjetër të veçantë, ngase leximi, transkriptimi dhe përkthimi i tij është bërë në mënyrë të gabuar, veçanërisht nga studiuesit e huaj, gjerman, të cilët, nuk e njihnin me themel sllavishten. Kjo gjë ka nxitur studiuesit sllav, që të nxjerrin përfundime të gabuara, se Skënderbeu, qenka me origjinë sllave! Kësaj radhe, për t'iu dhënë fund debateve të shumta kontradiktore; për të hedhur poshtë me forcën e argumenteve, pretendimet e qëllimkëqija sllave, do të botojmë bashkangjitur këtij shkrimi, fototipinë e origjinalit (faksimilen) , transkriptimin në gjuhën sllave me grafema latine dhe përkthimin në gjuhën shqipe.
Kushtet ku u shkrua...
Ngritja dhe forcimi i feudalëve e princërve vendas shqiptar, në disfavor të pushtuesve të huaj, si rezultat i një procesi të gjatë dhe të mundimshëm, të zhvillimit politiko-shoqë ror dhe kulturoro-ekonomik që kishte filluar, në shekullin IX-të, solli formimin e disa shteteve feudale, në pjesë të ndryshme të Shqipërisë etnike.
Kronika e Janinës dhe ajo e Epirit nga shekulli i XIV-të, na mundësojnë të kemi një vështrim të përgjithshëm për pozitën dhe gjendjen e Kaninës dhe Vlorës në kohën kur u shkrua dokumenti [diploma] i Aleksandrit në vitin 1368. Pas vdekjes së mbretit Dushan, perandoria e tij u shkatërrua shpejt, kështu që menjëherë, lindën sundues të vegjël të cilët ishin, gjysmë të varur. Në Shqipërinë Jugore dhe në disa vise të Epirit, pas disfatës së Simeon Uroshit, trashëgimtari i despotatit të Epirit, Niçifori, në vitin 1358, bëri përpjekje që të rikthente territoret e humbura në disa vise shqiptare, por kjo gjë nuk i shkoi përdore ngase, hasi në rezistencë të fortë, të shqiptarëve, përkundër një ushtrie të shumtë në numër, që dispononte, në mesin e të cilës kishte edhe mercenar turq; ai u vra dhe ushtria e tij u shkatërrua, në betejën te lumi Ahelos. Ky sukses i feudalëve shqiptarë e vlleh, mundësoi forcimin e tyre dhe shtimin e aspiratave për zgjerime të reja.
Në Vlorë e Kaninë, po edhe në viset përreth, sundonte Joan Asen Komneni i cili u martua me Anën, mamanë e Niçiforit, sipas të cilës muar edhe mbiemrin. Këtë e zëvendësoi Aleksandri, i cili në asnjë dokument të njohur deri me tani, nuk thirret Komnen! Ky, ishte qytetar nderi i Dubrovnikut dhe kishte raporte të mira ekonomike-tregtare me Dubrovnikun.
Pos Aleksandrit, qytetarë nderi në Dubrovnik ishin edhe familjet fisnike shqiptare, të: Balshajve, Topijajve, Aranitëve, Matrangëve, Kastiotëve, Muzakëve, etj, gjë që ju siguronte favore të konsiderueshme në zhvillimet tregtare dhe shkëmbimin e mallrave me shtetet fqinje. Këto lidhje forcohen edhe më shumë gjatë shekujve XIV e XV-të, por fillin e kishin që në shekullin e XI-të, për të arritur një nivel të lartë zhvillimi, gjatë sundimit të princit të parë të Arbërisë, Progonit dhe bijve të tij: Gjinit e Dhimitrit.
Sipas burimeve të njohura, Aleksandri duhet të ketë sunduar si zot i Vlorës dhe Kaninës nga viti 1363 deri në vitin 1380. Si pasojë e luftërave dhe kontradiktave të pandërprera me feudalët fqinjë, duke mos pasur një pozitë të fortë në principatën e tij, në vitin 1368, kërkoi nga Dubrovniku që të shpallet qytetar nderi, me këtë gjë, ai dëshironte që më parë të siguronte strehim, në rast rreziku nga ndonjë e papritur, gjë që ishte e zakonshme për kohën; ngase veprime të ngjashme kishin bërë edhe shumë bujarë të tjerë vendas. Dokumenti i shkruar, [diploma] arriti sipas të gjitha gjasëve, në Dubrovnik, në gjysmën e dytë të muajit shtator të vitit 1368.
Përshkrimi dhe karakteristikat e dokumentit
Dokumenti në origjinal, është i shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema çirilike me elemte të glagolicës. Është i shkruar në letër - gjysmë karton, ka dimensione: 26.5 x 39.8cm. Dokumenti është i ruajtur dhe ndodhet në gjendje të mirë. Është i shkruar me ngjyrë të zezë, me shkrim shumë të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi. Siç ishte zakon i kohës, ka shkurtesa të shumta. Në fund, në mes të dokumentit, është gjurma e vulës së rrumbullakët, nga dylli i kuq, e cila është shumë e dëmtuar, ku mezi mund të lexohen disa grafema. Shkak i dëmtimit të vulës, është zhvendosja e shpeshtë e këtij dokumenti në relacionet: Dubrovnik-Vjenë -Beograd- Dubrovnik. Këtë dokument e ka shkruar logofeti Gjorica, siç mund të vërehet në fund të dokumentit. [Logofeti kryesonte zyrën e kancelarisë së princit, e cila hartonte dokumente shtetërore, si diplomat, traktatet ndërkombëtare, letrat zyrtare e private të sundimtarit, mbante korespodencën diplomatike me shtetet tjera, kujdesej për të gjitha llojet e akteve, drejtonte financën, etj.]
Dokumenti për herë të parë është botuar në vitin 1840, me ribotime të shumta, po asnjëherë korrekte. Ky dokument, në formën e botuar deri tani, ka shkaktuar debate dhe kundërthënje të shumta, të cilat kanë pasur si pasojë, shtrembërimin dhe vënjën në pyetje të origjinës shqiptare të Skënderbeut. Numri i atyre të cilët kanë mbështetur këtë dokument të botuar, e me mangësi, është tepër i madh, psh. Hopf, Hahn, Ippen, Jireçek, Makushev, Fiander, Wenger, Mikloshiq, Novakoviq, Hammer, Iviq, Thalloczy, Pisko, Fallmerayer, Paganel, Shafarik, Pastor, Marinesco, po, për fat të keq edhe ndonjë shqiptar!
Botimet e bëra në gjuhën sllave nga Karanotvrtkoviqi /1840/, Mikloshiqi /1858/, Makushevi /1871/, Novakoviq /1912/, Stojanoviq /1929/, etj; nuk dallojnë nga njëra tjetra, pos që Stojanoviqi, shton një pikë, para emrit të Branillos. Shuflaj, Jireçek e Thaloçi, e botojnë dokumentin në vitin 1918, të përkthyer në gjuhën latine, me disa lëshime, si duket ata kanë shfrytëzuar Mikloshiqin, kështu që, këta fillimisht e mohojnë që emri Branillo i takon emrit Kastriot; por më vonë ndërrojnë qëndrim dhe pohojnë se: emri Branillo i përket emrit Kastritot! Të njëjtin qëndrim, pra atë se: emri Branillo i përket emrit Kastritot, e mbajnë edhe Hopf /1873, /Hahn /1853/, Ippen /1899/, Hammer, /1840/ Pisko /1894/, Fallmerayer /1866/, Paganel /1855/, Pastor /1891/, etj.
Lëshimi i Carl Hopf-it dhe pasojat në histori
Lëshimin më të ndjeshëm, ndër studiuesit e huaj e ka bërë Hopf-i. Në botimin e: Chroniques Greco-Romanes, duke folur për trungun gjenealogjik të Kastriotëve, ai thirret në dokumentin Aleksandrit nga viti 1368 dhe duke mos e zotëraur mirë sllavishten mesjetare, duke mos lexuar me vëmendje dorëshkrimin, ai nuk përfill fare shenjat e pikësimit, i bën një stërgjysh Skënderbeut, me emrin Branillo Kastrioti, duke mos lexuar grafemën "i" në mes të dy emrave. Këtë interpretim të gabuar të Hopfit, në shkencën historike, e kanë shfrytëzuar edhe shumë historianë e studiues të tjerë, duke formuar idenë e gabuar mbi origjinën e Kastriotëve. Këtë gjë, me mjeshtri të veçantë e kanë shfrytëzuar historianët sllavë, duke shkruar studime të tëra mbi këtë temë. Për fat të mirë, studiues dhe shkencëtar të mëvonshëm, kanë kapur një lëshim të tillë, duke hedhur poshtë këtë teori të gabuar. I pari, që në mënyrë shkencore hodhi poshtë këtë lëshim të ndjeshëm, ishte Fan Noli. Për fat të keq, deri me tani, asnjëherë nuk u botua komplet fototipia [faksimilja] e origjinalit, transkriptimi dhe transliterimi i plotë i bazuar në origjinal, por çdo herë, u botuan studime të veçanta duke u mbështetur në botimet e mëparshme, ku gabimet ishin të pa evitueshme. E njëjta gjë ju ndodhi edhe studiuesve shqiptarë.
Transkriptimi dhe transliterimi i origjinalit të dokumentit nr. 1019, është shumë i vështirë për studiuesit dhe historianët, të cilët nuk janë specialistë të paleografisë sllave mesjetare, sidomos asaj çirilike dhe glagolike. Shkurtesat e shumta, pastaj grafia e imtë kursive dhe në disa raste, dora jo e stërvitur e logofetit, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin dhe transliterimin. Ky dokument, është një diplomë e karakterit publik, e cila mban në vetvete të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike. Në fillim është i shënuar invokacioni simbolik, pason invokacioni verbal dhe datimi.
Elementet e veçanta të aktit diplomatik
Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nështrimin e pushtetit real [të Aleksandrit të Kaninës], ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë apsolute ndaj kishës.
Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, nuk është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit tek dokumentet e tilla sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihet qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: Në emër të atit të birit dhe të shpirtit shenjtë. Derisa datimi i dokumentit, përbën një rast të veçantë, ngase zakonisht, në këtë kohë, shënohet në fund të tekstit, kësaj radhe, e kemi në fillim të dokumentit dhe tregon datën e shkrimit, në formën: në vitin 1368, muaj shtator, më 2.
Teksti i dokumentit [diplomës] përbëhet nga ekspozicioni ose naracioni dhe dispoziconi. Në ekspozicion janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik. Në këtë rast e kemi në formën: Aleksandri zot i Kaninës dhe Vlorës (...) dërgova fisnikun tim Dimo që të flasë dhe të mbaroj këtë punë, pra qëllimi është i shprehur shumë hapur dhe tepër qartë. Derisa dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën: u betuam duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë dhe hyjnor (...) të bëhem unë besnik i dubrovnikasve dhe mik me bujarët e mi, pra shprehet respekti dhe pranohen të gjitha obligimet që dalin nga një akt i tillë.
Si pjesë të fundit kemi: përfundimin ose eshatokolin. Kjo pjesë përbëhet nga përfocimi dhe nëshnkrimi. Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast ne kemi kryqin dhe dëshmitarët, të cilët janë njerëz të shquar, të jetës publike, të pushtetit aktual dhe pjesëtarë të fisnikëve vendës. Përforcimin, kësaj radhe e kemi të paraqitur në fomrën: Këta bujarë janë betuar duke qëndruar në këmbë në Ungjillin e Shenjtë me emër Prodan vojvoda dhe Mikleushi, qefaliu i Vlorës Branilo dhe qefaliu i Kaninës Kastrioti dhe Raiçi oborr mbajtësi dhe Ujega Stavileci dhe Stamati dhe Obradi gjykatës dhe Zgurë Dukagjini dhe Smokva dhe Kostadin Shurboviqi dhe Borishi dhe Gruboj dhe përkthyesi dhe Radivoi dhe Bgoj.
Nënshkrimi, zakonisht është pjesa përmbyllëse e aktit diplomatik. Kësaj radhe e kemi në formën: A këtë shkrim e shkroi logofeti i zotit Aleksandër Gjorica sipas fjalëve të zotit Aleksandër dhe të gjithë bujarëve.
Përpos elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarte apo të klishetizuara, të cilat i ndeshin në dokumente të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa, në asnjë mënyrë nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e aktit.
Analiza dhe studimi i themeltë i këtij dokumenti, hedh në dritë shumë të dhëna interesante, ngase aty gjejmë shumë gjëra për viset e Vlorës e Kaninës. Është e njohur, se Vlora dhe Kanina në shekullin e XIV-të ishin dy pika strategjike të Shqipërisë Jugore, që shtriheshin në bregdetin përendimor të Otranit, përkatësisht në vijën, ku ndahet deti Jon me detin Adriatik, që paraqesin interes të veçantë për pushtuesit e huaj. Zaten, një gjë e tillë vërehet hapur edhe nga pranimi i Dubrovnikut, që të siguroi strehim [ti ofroj titullin, qytetar nderi] Aleksandrit, zotit të këtyre viseve.
Kush është qefaliu i Kaninës Kastrioti?
Të gjitha burimet që njohim deri tani, nuk na japim hollësi konkrete, rreth këtij Kastrioti, i cili në historiografi ka shkaktuar debate të ashpra dhe mendime të shumta, kontradiktore! Titulli qefali, me të cilin emërohet ky Kastriot, dmth. komandat kështjelle ose qeveritar i një qyteti! Ky fakt, na vë para dilemave të shumta, të cilat edhe sot e kësaj dite qëndrojnë pezull dhe të pasqaruara sa duhet në historiografinë shqiptare. Si qefali i Kaninës, Kastrioti, do të thotë se ishte një pjesëtar i shtresë së lartë fisnike, njeri i dëgjuar dhe i respektuar, i cili me firmosjen e tij, në dokumentin e cekur, tregon rëndësinë dhe autoritetin që gëzonte jo vetëm në Kaninë por edhe më gjërë. Edhe pse nuk kemi arritur të gjejmë një lidhje të drejtë përdrejtë me Kastriotët e Krujës apo Matit, ne mendojmë, se ky Kastriot, është trungu i familjes Kastrioti, e cila kishte zotërimet e saja në Kaninë, po edhe në vise të tjera, e më vonë edhe në Veri të Shqipërisë!
Mendimet e studiuesve dhe historianëve, janë të ndara. Hopf-i, duke folur për Konstantin Kastriotin, pohon se ai, ishte i njëjti Kastriot, pra qefaliu i Kaninës, mirëpo këtë pohim, ai nuk e mbështet në asnjë burim shkencor, pra edhe kësaj radhe gabon. Të njëjtën rrugë e ndjek edhe medievisti i njohur kroat Milan Shuflaj. Shuflaj, duke u mbështetur, në etimologjinë e emrit, si edhe disa shkencëtarë të tjerë, nxjerr përfundim të gabuar, kur pohon se: qefaliu i Kaninës Kastrioti, kishte origjinë greke! Pos këtyre, mendime të gabuara për origjinën e Kastriotëve, kishin histrorianë, të cilët nuk e kishin njohur dokumentin nr. 1019 nga viti 1368, si psh. Sansovino, Lavadrin, Spandugino, etj.
Të gjitha këtyre mendimeve të gabuara, të pa mbështetura me argumente të forta dhe me bazë shkencore, Fan Noli, me vendosmëri dhe dokumente të shumtë, arriti t'iu tregojë vendin e duhur, atë të harresës dhe pluhurit. Ç'është e vërteta, edhe biograf e studiues të tjerë para Nolit, kishin bërë një gjë të tillë, po jo kaq bindshëm! Barleti në kryeveprën e tij, vë në pah origjinën shqiptare të Skënderbeut; pastaj Bardhi, me këmbëngulje mbron një gjë të tillë, kur polemizon me J. Marnaviqin. Më vonë, át Athans Gegaj me gjuhën e argumenteve, po ashtu hedh poshtë teoritë e gabuara mbi origjinën e Skënderbeut. Shpresojmë, se përfundimisht, botimi i këtij dokumenti i cili i ofrohet lexuesit të gjërë, por edhe histroianit e specialistit të fushës përkatëse, do jetë kontribut, që njëherë e përgjithmonë, të mbyllet një debat i tillë, mbi origjinën e Skënderbeut.
Disa emra të tjerë që përmenden në dokument...
Transliterimi, transkriptimi dhe përkthimi i gabuar i disa emrave, ka bërë që të mos mund të identifikohen deri me tani disa figura të rëndësishme që përmenden në dokument.
Njëri ndër 16 dëshmitarët, i nënti me radhë është edhe Zgurë Dukagjini! Ky emër, deri tani ka qenë i lexuar gabimisht, dhe i tillë ka qenë fare i panjohur. Zgurë Dukagjini, në shekullin e XIV-të, është i njohur nga dokumentet dubrovnikase dhe venedikase, si një tregtar i zoti dhe në dy raste si ndërmjetësues në dy konflikte, në mes Venedikut dhe Durrësit. Domosdo se është, pinjoll i familjes së njohur Dukagjinase. Ujega Stavileci, është lexuar gabimisht, në "Burime..." dhe R. Abdyli, si Ojega Stavileci, ndërsa te T. Geci si: Jagëja. Analiza e kujdesshme e grafemave në origjinal, na bën të pohojmë se, leximi i drejtë është: Ujega! Një lëshim tjetër është, te leximi i pëkthyesit, si dragoman! Ky moment, është mjaft i rëndësishëm dhe tepër domethënës ngase, jep të kuptohet, se disa nga të pranishmit, të firmosur si dëshmitar, nuk e njihnin gjuhën sllave dhe ju duhej përkthyesi [dragomani]! /Pra, dragomani nuk është emër personi, por është titull i caktuar!/ Figurë e veçantë është, Nikollë Kabuzhiqi, i cili në cilësinë e përfaqësuesit diplomatik, të Dubrovnikut, mbikëqyr firmosjen dhe betimin e aktit diplomatik të Aleksandrit. Kabuzhiqi, është i njohur si tregtar i drithërave jo vetëm në viset e Vlorës e Kaninës, por edhe në Veri të Shqipërisë. Emrin e tij e ndeshim në shumë dokumente të ndryshme.
Burimi: www.bibladhekurani.com