SHËRIMI I SHPIRTRAVE DHE PËRMIRËSIMI I SHPREHIVE TË KËQIJA

Nëse mendon mirë për pasojat e të gjitha gjërave do të zbulosh parëndësinë e tyre dhe do të bindesh në kalueshmërinë e të gjitha situatave të kësaj bote. Mbetet që e vërteta është vetëm në panumër për atë botë, sepse çdo shpresë në këtë botë medoemos shpie në dëshpërim, ose për atë se kjo shpresë të lëshon në fund, ose për atë se ti e lë atë. Njëra prej këtyre dyjave duhet të jetë. Vetëm vepra në emër të All-llahut xh.sh. sjell në fund gjithnjë kënaqësi, që vjen më herët apo më vonë: më herët për shkak se nuk je i okupuar me atë që të tjerëve ua preokupon tërë kujdesin, dhe të nderojnë edhe miqtë edhe armiqtë tu, e më vonë për shkak të Xhennetit të fituar.

Edhe unë kam gjurmuar drejt cakut të cilin të gjithë njerëzit e konsiderojnë të mirë dhe gjurmojnë pas tij. Dhe e gjeta se ekziston vetëm një cak i tillë, e ky është: të çlirohesh nga brengosja. Kur e studiova mirë këtë cak jam bindur se të gjithë njerëzit jo vetëm që barabartë e konsiderojnë të mirë dhe synojnë nga ai, por të gjithë ata, përkundër dëshirave, kërkesave dhe caqeve të ndryshme, nuk bëjnë asnjë lëvizje as nuk shqiptojnë asnjë fjalë, e që me këtë nuk synojnë ta flakin brengosjen nga vetja. Edhe në këtë numri më i madh i tyre gabon, mjaft prej tyre bëjnë gabim, kurse numri më i vogël i tyre arrin në cak. Të gjithë popujt nga dita kur All-llahu xh.sh. e ka krijuar këtë botë e derisa ajo nuk zhduket dhe nuk e ndërron atë bota e Llogarisë përfundimtare, e kanë marrë flakjen e brengosjes për drejtim të vetin dhe në të gjitha përpjekjet e veta kanë synuar vetëm drejt atij caku.

Kur është fjala për të gjitha caqet tjera, është e nevojshme të thuhet se njerëzit në mënyra të ndryshme i kundrojnë ato, secili nga pikëpamja e vet. Ka njerëz që nuk besojnë dhe për këtë nuk punojnë asgjë për atë botë. Ka edhe të këqij që nuk dëshirojnë të mirën, sigurinë dhe të vërtetën. Kurse ka edhe që më shumë dëshirojnë të mbeten të panjohur se të jenë të famshëm, duke iu nënshtruar epsheve dhe kënaqësive të veta. Ka, sërish, edhe të atillë që nuk dëshirojnë pasuri dhe më tepër dëshirojnë të mos kenë se të kenë, siç kanë qenë shumë pejgamberë, alejhimus-selam, dhe njerëzit tjerë të devotshëm e të urtë që i kanë ndjekur në këtë. Ka njerëz që sipas natyrës së vet i urrejnë kënaqësitë dhe i përçmojnë ata që pas tyre gjurmojnë, ngjashëm me ata për të cilët kemi thënë se më shumë dëshirojnë të mos kenë se të kenë. E ka edhe asosh që nuk e çmojnë dijen por mosdijen, sikur shumica e popullit të rëndomtë.

Ja, këto janë caqet drejt të cilave synojnë njerëzit duke mos pasur caqe të tjera. Mirëpo, prej kur ekziston bota dhe derisa të zgjasë ajo nuk ka pasur as nuk do të ketë kush që brengën e konsideron të mirë dhe kush nuk dëshiron ta largojë nga vetja. Kur kjo njohje e lartësuar u përqëndrua në shpirtin tim dhe kur m’u zbulua kjo fshehtësi e shkëlqyeshme, kur All-llahu xh.sh. ia ndriçoi mendjes sime këtë thesar të madh, kam filluar të gjurmoj rrugën që me të vërtetë shpie drejt flakjes së brengës, që është cak i lartë të cilin përpiqen ta arrijnë të gjithë njerëzit, edhe i padituri edhe dijetari, edhe i miri edhe i keqi, dhe kam zbuluar se ky është kthimi i vetëmAll-llahut xh.sh. nëpërmjet punës për atë botë. Kështu, ata që gjurmojnë pasurinë e bëjnë këtë që të shpëtojnë nga brengat që i sjell varfëria. Ai që kërkon lavdinë e bën këtë që ta flakë prej vetes brengën që dikush tjetër të bëhet mbi të. Ai që kërkon kënaqësinë e bënë këtë që ta heq prej vetes brengën që lind nga përpjekja duke iu kundërvënë. Ai që kërkon diturinë e bënë këtë që ta heq prej vetes brengën që vjen nga mosdija. Ai që gëzohet duke dëgjuar për ndodhitë dhe duke biseduar me të tjerët e bënë këtë që nga vetja ta heq brengën që e shkakton vetmia dhe mosnjohja e asaj që ndodh në botë. Ai që han, ai që pin, ai që martohet, ai që veshet, ai që luan, ai që grumbullon pasuri, ai që kalëron, ai që ecë në këmbë dhe ai që e përcjell dikënd, e bëjnë këtë vetëm që ta largojnë nga vetja brengën e atij që është në kundërshti me këto akte sikur edhe brengat tjera. Kush mendon mirë për të gjitha që i cekëm, do të bindet se të gjitha këto janë brenga që krijohen dhe që domosdoshmërisht i kanë situatat që i përcjellin, disa prej tyre janë zhdukur pa gjurmë, disa ekzistuese do të kalojnë, kurse disa, sërish, do të mbeten për shkak të disa fatkeqësive...

Jam bindur se vetëm puna për atë botë që është e pastër nga çdo mungesë dhe e sinqertë, sigurisht shpie drejt heqjes së brengës. Po ashtu jam bindur se ai që punon për atë botë, nëse do të sprovohet me çfarëdo pakëndshmërie në atë rrugë, fare nuk do të brengoset për këtë. Për më tepër, kjo do ta gëzojë, sepse shpresa e tij në rezultatin përfundimtar që do t’i takojë do t’i jetë ndihmë në atë për çka po kërkon, madje edhe më shumë se kjo. E nëse diçka do ta pengojë në atë rrugë, nuk do t’i japë kurrfarë rëndësie dhe kjo nuk do ta brengosë, sepse ai e di që ai nuk është përgjegjës për këtë. Nga ana tjetër, kjo nuk do të lë kurrfarë gjurma në atë për çka ai synon. Madje edhe nëse bëhet shënjestër e shqetësimeve, sërish gazmohet. Edhe fatkeqësia që në atë rrugë i ndodh e gazmon. Edhe pse në këtë ecje lodhet, gëzohet, sepse ai është në gëzim të përhershëm, që s’është rast me të tjerët.

Dhe me siguri se ekziston vetëm një cak: të flaket brenga. Dhe ekziston vetëm një mënyrë që kjo të arrihet: të punohet në emër të All-llahut xhel-le shanuhu. Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe mendjelehtësi.

Shpirtin tënd shpenzoje vetëm për atë që është më e lartë se ai. E kjo don të thotë që ta shpenzosh në emër të All-llahut xh.sh., në thirrje nga e Vërteta, në mbrojtjen e familjes, në refuzimin e tërë asaj çka nuk ka urdhëruar Krijuesi yt i Lartë dhe duke i ndihmuar atij të cilit i është bërë padrejtësi. Ai që shpirtin e vet e shpenzon që të arrijë ndonjë prej caqeve të kësaj bote është si ai që shet margaritarë për gurë të zakonshëm.

Nuk ka njerëzi në atë që nuk ka fe. I arsyeshmi nuk sheh për vete shpërblim tjetër pos Xhennetit. Edhe në përbuzjen e hipokrizisë Iblisi ka kurthë, prandaj shumica i shmangen bërjes mirë nga frika prej hipokrizisë.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme