Mbi Islamofobinë publike të Mirela Bogdanit

2.

Në diskursin politik të vendit tonë, islamofobia, racizmi dhe ksenofobia kundër tjetrit kanë rrënjë të hershme. Islamofobia dhe racizmi kundër popujve jo-evropjanë, në të njëjtën mënyrë si edhe Holokausti janë produkte të proçesit modernizues perëndimor, nacionalizmit dhe kolonializmit. Holokausti nuk mund të ndodhte në Evropë pa diskursin racist që nacionalizmi dhe darvinizmi social nxitën gjatë shekullit të XIX dhe gjysmës së parë të shekullit të XX në Evropë. Me idetë eksluziviste dhe ksenofobike nacionalizmat e shekullit të XX përveç shpikjes se miteve të “rilindjes së kombeve pas errësirave perandorake”, indoktrinuan masat edhe me idenë që ato – pra kombet – ishin të dhëna nga Zoti, të shenjta, ndërsa ata që nuk i përkisnin kombit në fjalë ishin medoemos inferiorë dhe si pasojë të destinuara të zhdukeshin si kombe johistorike. Për të legjitimuar misionin e tyre mbi popujt e kontinentit, nacionalizmat evropjanë të shekullit të kaluar kanë përdorur idetë e orientalizmit dhe darvinizmit social, të cilat pretendojnë në superioritetin e racave mbi njëra tjetrën, vendosin perëndimin mbi lindjen, dhe si pasojë kanë klasifikuar si inferiorë popuj dhe njerëz të cilët më pas i kanë nënshtruar apo zhdukur në emër të qytetërimit. Në Ballkan, nacionalizmi serb dhe grek u mbështet në teoritë e darvinizmit social dhe orientalizmit për të nënshtruar dhe vrarë muslimanët shqiptarë, turkofonë, grekofonë dhe sllavishtfolës pas rënies së Perandorisë Osmane. Përveç muslimanëve, çifutët ishin komuniteti i dytë që vuajti pasoja persekutimi në shtetet moderne ballkanike.


3.

Idetë e darvinizmit social dhe orientalizmit janë përdorur edhe nga disa qarqe nacionaliste shqiptare pas krijimit të shtetit modern shqiptar. Pas rënies së Perandorisë Osmane disa grupe të krishterësh në vendin tonë, nisën një revansh kulturor dhe politik kundër muslimanëve vendas dhe trashëgimisë së tyre osmane. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, Faik Konica i dërgoi qeverisë së Vlorës një telegram në emër të Federatës Pan-Shqiptare Vatra. Në telegramin në fjalë, ai luste shtetarët shqiptarë që princi i ardhshëm i Shqipërisë të mos zgjidhej nga muslimanët, pasi nëse merrej i këtillë Shqipëria do të bëhej si Buhara, Khiva, Afganistani apo Tunizia. Por meqë ideali ynë është evropjan - shtonte ai - princi i vendit duhet të jetë i krishterë. Letra e Konicës, e këtij nacionalisti të edukuar dhe indoktrinuar nëpër institucionet arsimore të Perëndimit, tregon paragjykimet që Perëndimi dhe disa rrethe të krishterësh shqiptarë kishin në këto vite kundër muslimanëve dhe popujve aziatikë.

Të njëjtën frymë islamofobie ne gjejmë të përsëritet edhe në vitin 1921, kur në një memorandum të nënshkruar nga “shqiptarët e krishterë të Korçës” ndër të cilët figuronin emrat e Koli Rodhes dhe Kosta Kotës, të krishterët e jugut kërkonin të ndaheshin nga Shqipëria, të krijonin në jug të vendit një departament të krishterë i cili do të drejtohej nga 2/3 të krishterë dhe 1/3 muslimanë, meqë sipas tyre muslimanët e Shqipërisë së Mesme ishin njerëz të prapambetur që nuk mund ti përshtateshin qytetërimit perëndimor dhe si pasojë nuk mund të rronin dot me të krishterët. E njëjta gjë përsëritet edhe në Mirditë në këto kohë, kur mirditorët nën udhëheqjen e Gjon Marka Gjonit nuk donin të njihnin ‘yçymetin e Turkijes në Tiranë’ meqë aty sundonin muslimanë.



4.

Pas stabilizimit të shtetit shqiptar në vitin 1920, retorika dhe politikat diskriminuese kundër shqiptarëve që ishin muslimanë dhe kishin akoma lidhje me Turqinë u bënë pjesë të politikës modernizuese dhe kombëtarizuese të Shqipërisë së re. Të inspiruar nga idealet politike të kohës si nacionalizmi, socializmi, nazizmi dhe liberalizmi, intelektualë të rinjë shqiptarë që nga Ali Këlcyra, Stavro Vinjahu, Luigj Gurakuqi, Fan Noli dhe shumë të tjerë shpalosën nëpër shkrimet e tyre nevojën për ndryshimin dhe revolucionarizimin kulturor të shqiptarëve, largimin e tyre nga Turqia dhe Islami. Të gjitha këto justifikoheshin në emër të Perëndimit, ndërsa modernizmi i vendit përkthehej si oksidentalizëm.

Projekti modernizues i Shqipërisë së pas-viteve 20 ka qenë i mbushur me doza të mëdha anti-semitizmi dhe islamofobie. Influenca e ideve politike të perëndimit ndaj elitave dhe shtetit modern shqiptar në këto vite, jo vetëm që nxitën elitat tona që të shkatërrojnë në vendin tonë traditën popullore, kulturore, linguistike, politike, arkitektonike dhe fetare të trashëguar nga koha e Perandorisë Osmane, por arritën deri aty sa të influencojnë edhe zyrtarë të lartë të komuniteteve fetare të vendit që të bëhen vetë zëdhënës të mesazheve raciste kundër popujve semitë; çifutë dhe arabë, turqve dhe kështu me radhë. Personat që kanë lexuar burimet e Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Kryegjyshatës Bektashiane, Kishës Katolike apo edhe shkrimet e të konvertuarëve në Protestantë nuk mund të lexojnë pa habi shkrimet e Hafiz Ali Korçës, kryemyfti Behxhet Shapatit, At Ali Turabiut, Gjergj Fishtës dhe Kristo Floqit. Ndikimi i ideve oksidentaliste mbi klerikët nacionalistë shqiptarë ishte aq i fortë sa që Behxhet Shapati deklaronte që Islami është fashizëm; At Ali Turabiu deklaronte se Bektashizma nuk është Islam, nuk ka lidhje me fetë aziatike dhe semitike. Hafiz Ali Korça, Gjergj Fishta, Anton Harapi dhe Hylli i Dritës i rrëfenin popullit sesi botës po i vjen fundi si pasojë e konspiracive të çifutërisë ndërkombëtare, ndërsa Kristo Floqi i përshkruante shqiptarët si arianë, të zgjedhur nga Zoti dhe që nuk kishin asnjë lidhje me racat orientale, semitike dhe turqit.

Edhe pse historiografia shqiptare nuk i përmend këto fakte pasi ato nuk e nderojnë kombin, ekzistenca e Divizionit SS Skënderbej në Shqipërinë kolaboracioniste, i cili mori pjesë në deportimin e çifutëve drejt kampeve të përqëndrimit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përkrahja që shumë nacionalistë i dhanë fashizmit dhe nazizmit në vendin tonë gjatë Luftës, dëshmojnë mbi influencën e madhe që idetë raciste dhe anti-semitike patën mbi nacionalizmin shqiptar gjatë gjysmës së parë të shekullit të XX.


5.

Në librin Arratisje nga lindja: orientalizmi shqiptar nga Naimi te Kadare. (2006) Enis Sulstarova tregon sesi racizmi dhe orientalizmi kundër Lindjes, muslimanëve, turqve, arabëve, kinezëve, rusëve etj ka qenë pjesë e diskursit politik shqiptar edhe gjatë kohës së komunizmit. Shkrimtarë që gjallëruan në vendin tonë gjatë kohës së monizmit, që nga Ismail Kadareja e deri të Piro Misha, temë të preferuar të novelave të tyre kishin otomanët, hoxhallarët, dervishlerët, aziatikët të cilët paraqiteshin si të huaj dhe armiq – ndërsa klerikët katolikë, arbënit etj rrëfehen si herojtë e kombit. Inxhinierët socialë të regjimit komunist të Enver Hoxhës përdorën me sukses orientalizmin dhe racizmin kundër otomanëve në mënyrë që të ndërtonin mitet e Shqipërisë së Rilindur e cila tashmë progresonte drejt socializmit me Enver Hoxhën në krye.

Por edhe pas rënies së komunizmit fryma e ndasisë së botës Lindje – Perëndim vazhdon të dominojë diskurset politike dhe mediatike shqiptare. Siç kam treguar në shkrimin tim “Përdorimi politik i islamofobisë në Shqipërinë paskomuniste”, pas rëzimit të komunizmit, në Shqipërinë e viteve 1990 përkrah rilindjes fetare të vendit tonë, shumë nga ish-aparatçikët komunistë që sot shiten si ‘elitë’ e vendit tonë, kanë protestuar zhurmshëm kundër asaj që ata konsideruan si ri-islamizim të Shqipërisë. Fushata kundër Islamit në Shqipëri mund të ketë si pikënisje deklaratat e Ismail Kadaresë në 1991 kur ai mbështeste fushatën kristjanizuese dhe zhdukjen e Islamit në vend si kusht për integrimin e shqiptarëve në Evropë. Në vitet në vijim, pas Kadaresë janë rreshtuar një numër fondamentalistësh të krishterë dhe laikë. Piro Misha, Mustafa Nano, Aurel Plasari, Neshat Tozaj, Arben Xhaferri, Maks Velo, Remzi Lani, Rexhep Mejdani, Fatos Nano etj janë disa nga ata dhjetra emra të cilët sa me fjalë aq edhe me vepra kanë nxitur racizëm dhe islamofobi në vendin tonë, në Kosovë dhe në Maqedoni, kanë shpallur Islamin dhe muslimanët si të rrezikshëm, dhe i kanë kërkuar politikanëve shqiptarë që ta largojnë Shqipërinë nga Konferenca Islamike pasi vetëm në këtë mënyrë mund ti bashkohemi Evropës.

Ideja se të qenit musliman është krim për Evropën dhe që shqiptarët herët apo vonë do të braktisin Islamin pasi këtë gjë na e kërkon Perëndimi mund të lexohet frikshëm nëse dikush lexon esenë e Mustafa Nanos “Në kërkim të rrënjëve, ose në kërkim të vetvetes” të botuar në 2002. Në atë ese Mustafa Nano predikonte një proçes deislamizimi i cili do të realizohej falë “presionin ledhatonjës të perëndimit të kamur e të fuqishëm” dhe si pasojë e “një kuturisjeje elitare për ta injoruar këtë identitet fetar e për të rigjetur vetveten (identitetin e qëmotshëm, thonë një pjesë)”.


6.

Që kur Mustafa Nano ka nisur të organizojë emisionin Deja Vu në televizionin Top Channel, një numër personash që kanë marrë pjesë në ato emisione kanë lëshuar ofendime kundër Islamit dhe besimtarëve muslimanë. Unë nuk e di nëse Mustafa Nano i nxit vetë personat që ai fton që të fyejnë muslimanët dhe Islamin, apo kjo ndodh aksidentalisht apo ndoshta si pasojë e kompleksit të inferioritetit që shumë shqiptarë kanë përballë Perëndimit të pasur dhe progresiv. Sido që të jenë faktet në emisionin e datës 12.12.2009, Mustafa Nano provokoi sërisht ofendime kundër muslimanëve shqiptarë në emisionin e tij. Të ftuarës Mirela Bogdani ai i shfaqi imazhin e disa grave me shami ndërsa e pyeti se cili ishte mendimi i saj për Islamin dhe ndalimin e minareve në Zvicër. Bogdani ju përgjigjë pyetjes së Nanos duke lëshuar një seri ofendimesh kundër Islamit, muslimanëve, Turqisë dhe të ardhmes së Islamit në Evropë.


7.

Deklarimet e Mirela Bogdanit në emisionin Deja Vu ishin tepër ofenduese për ata shqiptarë që e ndjejnë veten muslimanë, ose atyre që nuk besojnë se të qënit musliman përbën ndonjë krim. Sikur Mirela të ishte një person dosido besoj se shumica e muslimanëve, indinjatën e tyre me ofendimet dhe gjuhën raciste që u shfaq në atë emision do ta përkthenin me ndonjë telefonatë ankese ndaj redaksisë së televizionit Top Channel (e cila për fat të keq është totalisht e papërgjegjshme dhe nuk përgjigjet kurrë ndaj ankesave të publikut), me ndonjë artikull në gazetë apo në internet, ose tek e fundit fare do të shfrynin inatet e tyre nëpër forumet e internetit duke sharë nivelin “injorant” të gazetarëve siç bënë fjala bie kundër emisionit Exclusive “Teqeja e Qesarakes - Vendi qe bashkon islamin me krishterimin” të datës 14/02/2010 të drejtuar nga Monika Stafa.

Megjithatë duke qenë se Mirela Bogdani gjatë këtyre muajve të fundit është shfaqur nëpër mediat e Shqipërisë si kandidate për deputete për Partinë Konservatore në Britaninë e Madhe, një numër intelektualësh muslimanë shqiptarë, mbështetën fuqishëm iniciativën e ndërmarrë nga Forumi Musliman i Shqipërisë, i cili vendosi ti ankohet autoriteteve britanike për madamën që thoshte se ishte përfaqësuesja e tyre në Tiranë. Britanikët nuk janë si Top Channeli dhe Mustafa Nano, ata dëgjojnë dhe reagojnë në mënyrë të kulturuar.

Forumi Musliman i Shqipërisë i dërgoi një letër Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe, ku i rrëfente xhentëlmenëve britanikë se kohët e fundit në Tiranë ka zbarkuar një zonjë e cila pretendon nëpër media se përfaqëson ata. Për më tepër në emisionin Deja Vu të Top Channel znj. Bogdani kishte deklaruar se “islamizimi është rrezik për Evropën”, se “një pjesë veriore e Londrës tani njihet si Londonistan, sepse po të shkosh atje të duket vetja si në Middle East”, se “mua më vrasin sytë kur shikoj në mes të Londrës njerëz me ferexhe” dhe se Turqisë duhej ti refuzohej hyrja për në BE meqë shtetasit e saj janë muslimanë. Në letrën që Forumi Musliman i dërgonte Konservatorëve Britanikë, i shprehte “respekt të thellë për Britaninë e Madhe si një kështjellë e demokracisë parlamentare, për instalimin e së cilës, një rol historik ka luajtur edhe Partia Konservatore, si një parti e madhe historike me kontribute fondamentale në politikën e këtij vendi të madh evropjan. Ky respekt i yni përforcohet edhe nga qëndrimi dashamirës dhe plot respekt i politikës tuaj ndaj muslimanëve dhe institucioneve të tyre në Britaninë e Madhe.”

Iniciativa e Forumit Musliman u përkrah nga disa qindra muslimanë virtualë të cilët nëpërmjet telefonatave, letrave personale dhe në emër shoqatash, emaileve, peticioneve dhe shkrimeve online i tregonin Konservatorëvë Britanikë indinjatën e tyre për gjuhën e Mirela Bogdanit dhe kërkonin që Konservatorët të mos lejojnë që të përdhoset emri i tyre në Shqipëri. Kuptohet që muslimanët shqiptarë nuk do të ndërmerrnin një fushatë kaq masive nëse Forumi Musliman do të kërkonte që në vend se të ankoheshin pranë Partisë Konservatore, dikush të kërkonte të ankoheshin pranë Partive që ne kemi në vendin tonë. Në vendin tonë, shumë Parti ashtu si edhe mediat nuk kanë ndjeshmërinë që britanikët kanë për diversitetin, multikulturalizmin dhe të drejtën e besimtarëvë të feve të ndryshme për të jetuar si qënie të nderuara dhe të mos përbuzen ashtu si Mustafa Nano, Mirela Bogdani dhe shumë njerëz me pushtet të shoqërisë sonë e kanë bërë zakon në këto vitet e fundit.

Partia Konservatore e Britanisë së Madhe, disa deputetë dhe zyrtarë të saj iu përgjigjën pozitivisht ankesës së Forumit Musliman dhe muslimanëve shqiptarë. Nëpër replikat që ata i nisën disa qindra vetësh, nëpër telefonata dhe më në fund nëpërmjet vetë letrës zyrtare që Nicholas Bourne AM, Lider i Opozitës Zyrtare dhe Anëtar i Konservatorëve të Uellsit, Për Uellsin Qëndror dhe Perëndimor i dërguan Forumit Musliman të Shqipërisë, ata konfirmuan shqetësimin e Partisë me deklaratat e Mirela Bogdanit, krenarinë që kishin pse në Partinë e tyre kishin anëtarë muslimanë, dhe tregonin që Partia kishte nisur një proçes hetimor dhe pezullonte Mirela Bogdanit nga Lista e Kandidatëve të Partisë Konservatore.

Siç e ka bërë traditë prej vitesh, Forumi Musliman, letrën e marrë nga Konservatorët Britanikë e skanoi, e botoi online dhe ia kaloi me email disa mediash. Në ditën në vijim Gazeta Shqiptare botoi këtë letër sëbashku me intervistën që i mori kryetarit të Forumit Musliman të Shqipërisë, Fisnik Kruja.


8.

Forumi Musliman i Shqipërisë, është një organizatë shekullare, pjesë e shoqërisë civile, qëllimi i të cilit është të luftojë racizmin, islamofobinë dhe ksenofobinë. Themeluar në vitin 2005 nga një grup inxhinierësh, gjeologësh, ekonomistësh, historianësh dhe punëtorësh, Forumi ka si qëllim mbrojtjen e imazhit të Islamit dhe denoncimin e racizmit dhe islamofobisë politike që demostrohet në vendin tonë. Forumi ka protestuar kundër presidentit Alfred Moisiu kur ky i fundit deklaroi në Londër në nëntor të vitit 2005 se në Shqipëri të gjithë muslimanët janë të krishterë dhe Islami është një fenomen i huaj. Forumi është shqetësuar nga racizmi dhe Islamofobia e Ismail Kadaresë, nga përpjekjet për të konvertuar Xhaminë Fatih në Shkodër në Kishë, nga përpjekjet për të thyer laicitetin në vendin tonë nëpërmjet nxitjes së mitit të Nënë Terezës, nga novela raciste e Ben Blushit “Të jetosh në ishull” etj. Ai ka përshëndetur zgjedhjen e presidentit Obama në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i është ankuar OSBE-së për shfaqjet e racizmit dhe Islamofobisë në vendin tonë, ka kontaktuar dhe raportuar në vazhdimësi me OSBE-OHDIR-it shqetësimet e veta dhe është munduar të jetë një organizatë sa më aktive dhe serioze e shoqërisë civile në vendin tonë. Forumi i është përgjigjur edhe historianes britanike Miranda Vickers kur ajo ka gabuar mbi trendet e Islamit në Shqipëri.

Duke qenë një organizatë jo-teologjike, por organizëm i shoqërisë civile, Forumi edhe pse nuk është institucion fetar siç është Komuniteti Musliman i Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, apo Tarikate dhe organizata të tjera fetare në vendin tonë, nëpërmjet komunikimit me shtypin dhe mediat ka synuar dhe synon që të ruaj imazhin e Islamit dhe muslimanëve të vendit tonë nga ofendimet raciste, përbuzja dhe keqtrajtimet. Ajo që Forumi Musliman synon ti mësojë shoqërisë, mediave dhe politikës në Shqipëri, është që muslimanët janë qytetarë me të drejta të barabarta në republikën tonë, Islami është fe e një pjese të madhe qytetarësh të republikës sonë dhe si i tillë duhet të nderohet dhe respektohet sipas ligjit, dhe se Evropa në të cilën në të gjithë synojmë të aderojmë na përket edhe ne, muslimanëve dhe nuk është kundër nesh, muslimanëve, siç e portretizojnë Islamofobët e vendit tonë.

Forumi Musliman, ka ndërhyrë dhe vazhdon të ndërhyjë në debatet publike shqiptare, në rastet kur e sheh të nevojshme, në mënyrë që të mbrojë imazhin e Islamit dhe muslimanëve të vendit tonë i cili shpesh cënohet nga persona privatë dhe publikë, media dhe politikanë, njerëz të rëndësishëm apo edhe të rëndomtë. Si një lidhje qytetarësh shekullarë, besimtarë në demokraci, republikë, të drejtat e njeriut dhe të ardhmen tonë të përbashkët evropjane, Forumi Musliman nuk është i lidhur pas asnjë institucioni teologjik (siç janë Bashkësitë Fetare), nuk ka asnjë prapavijë politike apo fetare; por qëllimi i tij i vetëm është që të mbrojë dinjitetin e muslimanëve shqiptarë nga abuzimet dhe ofendimet që ata marin rëndom nga disa qarqe të caktuara në vendin tonë.


9.

Që nga momenti kur Forumi Musliman i Shqipërisë i dërgoi letrën e ankesës Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe, Mirela Bogdani ka nisur një fushatë ofendimesh dhe ankesash sa nëpër forumet e internetit aq edhe nëpër gazeta kundër qytetarëve shqiptarë dhe Forumit që protestoi racizmin e saj. Në një forum virtual në internet – të quajtur Çamëria – në datën 30 dhjetor 2009 në një mesazh të quajtur “Pergjigja ime per ekstremistet islamike” ajo sulmonte si ekstremistë islamikë A. Rakipin, A. Mehën, H. Nuhiju dhe persona të tjerë që kishin reaguar në këtë forum kundër komenteve të saj. Personat në fjalë etiketoheshin si idiotë, mashtrues, fondamentalistë etj. Ajo sulmonte edhe një deputet musliman në parlamentit e Ualesit të cilin e quante “brother” musliman të fondamentalistëve. Letra e Mirelës shoqërohej edhe me një kërcënim personal ndaj A. Mehës të cilit i thoshte “po te them qe im shoq punon per qeverine britanike ne nje senior post dhe te siguroj qe nese vazhdon ne do te fillojme nje proces investigativ karshi teje. Vertet ketej ne perendim dhe UK ju kane showered with rights and therefore people like you take advantage of them, po te siguroj se MI5 dhe Home Office sinjalizimet per ekstremistet islamike i marrin shume seriously (dhe per bemat e tua me ka ardhur already goxha info dhe mund te mbledh me shumice). Pra if you want a fight with me, I can give you one.”

Sikur të mos mjaftonin sherret nëpër forumet e internetit dhe kërcënimet me burrin që i punon për spiunazhin britanik, pasi deklarata e Forumit Musliman u botua në Gazetën Shqiptare dhe në sajtin Balkanweb.com, Mirela Bogdani jo vetëm që ka përgënjeshtruar pezullimin e saj nga Partia Konservatore, por në të njëjtën kohë ka akuzuar dhe shpifur ndaj Forumit Musliman (nuk i di as emrin si duhet) si një organizatë ekstremiste fondamentaliste pas së cilës fshihet “individi i rrezikshëm Olsi Jazexhiu”. Sulmet kundër meje dhe Forumit Musliman kanë vazhduar edhe në shkrimin e datës 23/02/2010 me titull “Mbi një konflikt jo thjesht personal” të botuar në të përditshmen Shekulli. Në këtë shkrim ajo Forumin e quan një organizatë “ekstremistësh islamikë”, ndërsa mua “mastermind-i” i tij.


10.

Siç e përmenda edhe më lartë, Forumi Musliman i Shqipërisë ka një histori të lexueshme reagimesh kundër islamofobëve në vendin tonë. Në reagimet e tij, ka qenë i matur, duke vepruar brenda ligjit, dhe ka arritur gjithmonë sukses duke denoncuar islamofobët dhe sensibilizuar opinionin publik si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit me realitetet raciste dhe islamofobike që ekzistojnë në vendin tonë. Edhe në rastin më të fundëm të Mirela Bogdanit, Forumi bëri detyrën e tij, me një sjellje qytetare të lavdërueshme vuri në dijeni autoritetet britanike mbi sjelljen e papranueshme të znj. Bogdani.

Edhe pse Mirela Bogdani e përshkuan Forumin Musliman si organizatë të Olsi Jazexhiut, shkruesi i këtij shkrimi deklaron se nuk është anëtar i Forumit Musliman dhe nuk ka qenë asnjëherë zyrtarisht anëtar i tij. Olsi është një myhip (dashamirë) i Forumit Musliman dhe vazhdimisht ka mbështetur qëndrimet e tij siç ka qenë fjala bie edhe Naim Frashëri myhip i Bektashizmës. Në rastin më të fundëm, shkruesi i këtij shkrimi e pranon që ka qenë një nga ata qindra qytetarë shqiptarë që kanë telefonuar apo dërguar emaile Partisë Konservatore dhe kanë shfaqur shqetësimin e tyre ndaj sjelljes së pahijshme të një gruaje që pretendonte se ishte kandidatja e tyre. Në të gjithë këtë mesele nuk ka asgjë gabim. Forumi Musliman i Shqipërisë, ashtu si edhe disa qindra dhe mijëra besimtarë muslimanë në të gjithë trevat që popullohen sot nga shqiptarë në Ballkan, kanë reaguar dhe do të reagojnë brenda ligjit – në mbrojte të fesë së tyre, kurdoherë që islamofobët do të fyejnë dhe poshtërojnë muslimanët. Për këtë Mirela Bogdani dhe miqtë e saj duhet të jenë të bindur.

Feja Islame dhe muslimanët shqiptarë duhet të trajtohen me kujdes nga politikanët dhe personazhet publike në Shqipëri dhe jo si qytetarë të dorës së dytë. Fobitë kundër Islamit, grave me shami, njerëzve me mjekra, arabëve, turqve etj që fondamentalistët e krishterë si Piro Misha, Ismail Kadare dhe në rastin më të fundëm Mirela Bogdani mbjellin në mendjet e shqiptarëve janë akte që shkojnë kundër Kushtetutës së Shqipërisë dhe konventave ndërkombëtare që trajtojnë të drejtat e njeriut dhe janë nënshkruar nga Republika e Shqipërisë. Nëse Mirela Bogdanit, Ismail Kadaresë, Piro Mishës dhe islamofobëve të tjerë të vendit tonë, reagimi i muslimanëve në mbrojtje të identitetit të tyre fetar dhe kulturor ju duket ekstremizëm, atëherë duhet ta dinë që reagimi për të mbrojtur identitetin tonë është një e drejtë universale dhe pjesë e qytetërimit evropjan në të cilin ne duam të aderojmë sot dhe këto reagime nuk i ndalojnë dot. Në Evropën e Bashkuar ku Shqipëria synon të integrohet njerëzit nuk persekutohen dot për shkak të fesë, origjinës dhe bindjeve të tyre. Evropa e sotme ndryshon nga Evropa e gjysmës së parë të shek XX dhe nuk është më e krishterë dhe përjashtuese e njerëzve të etnive dhe feve të tjera. Evropa në të cilën ne synojmë të aderojmë do dhe duhet të pranojë në gjirin e saj të gjithë, duke përfshirë këtu pse jo, edhe Turqinë.

Debati që bëhet në Shqipëri i cili synon ta rrëfej Evropën si të krishterë dhe anti-muslimane, është një tezë që i takon të kaluarës së errët të kontinentit tonë. Kohëve kur çifutët, romët, komunistët dhe anti-nazistët çoheshin nëpër kampe përqëndrimi dhe Holokausti ishte normë e ditës. Evropa në të cilën ne muslimanët e Shqipërisë synojmë të aderojmë nuk mund të përfaqësohet me islamofobët dhe fondamentalistët e krishterë dhe laikë të cilët e shohin atë me syze mesjetare, siç shihte Tomas De-Torquemada muslimanët dhe çifutët e Andaluzisë që i konvertonte me dhunë në katolikë. Evropa drejt të cilës ne si muslimanë kërkojmë të aderojmë, është Evropa e të gjithëve ne, pa dallim feje dhe etnie. Në Evropën ku ne duam të aderojmë racizmi, antisemitizmi dhe Islamofobia nuk duhet të kenë vend. Evropa e sotme nuk është më Evropa e nacionalizmit të shekullit të 19 dhe 20 të Konicës apo Fishtës, e arjanëve, e të krishterëve, katolikëve, të bardhëve dhe Holokaustit dhe as e nacional-komunizmit të Kadaresë. Evropa që në duam është Evropa e të gjithëve; Evropa e tolerancës dhe diversitetit.
----------------------------
P.S.: Shkrimi botohet i plote, e jo i shkurtuar sic ka ndodhur ne Gazeta Shqiptare.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme