Në realitet, vizita në fjalë kishte të bënte me njohje më për së afërmi lidhur me atë që Beogradi e quan shpallja e një anshme të pavarësisë nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Kjo temë, kohëve të fundit ishte objekt shqyrtimi, jo vetëm në mediat arabe dhe ato izraelite, por edhe në qarqe të larta diplomatike, të asaj që quhet modeli i Kosovës për shpalljen e pavarësisë së Palestinës.
Kështu më 28 janar 2010, e përditshmja e Beogradit “Danas” në faqen e parë shkruante: “Palestinezët mbështesin modelin e kosovar për pavarësi”, në bazë të një bisede që korrespondenti i gazetës në fjalë kishte zhvilluar, me Danijel Dejker, analist i njohur politik dhe drejtor i Institutit për Studime Bashkëkohore në Jerusalem.
Danijel Dejker, i cili është i pranishëm në mediat amerikane si CNN. FOKS NWS dhe ato arabe si “Al-Xhazira dhe “Al-hurra”, kishte botuar një artikull me titull: “A mund ta injorojë Abazi Izraelin dhe të shikoj në drejtim të Kosovës?”, duke u mbështetur në ndryshimin e mendimit të udhëheqjes palestineze, pas dështimit të bisedave me palën izraelite.
Dejker në bisedën e tij me “Danasin”, pohon se “palestinezët në muajt fundit kanë bërë përgatitjet e duhura për shpalljen e pavarësisë në mënyrë unilatarale, pas dështimit të bisedimeve me palën izraelite.
Në analizën e tij, Dejker pohon se ekzistojnë dallime në të dyja rastet, por ai thotë se palestinezët po shfrytëzojnë modelin kosovar për ta shpallur pavarësinë në mënyrë unilaterale. Me këtë ata mendojnë se do të arrin fitore politike, me gjithë dallimet në mes të dyja rasteve në aspektin juridik dhe diplomatik. Dejker pohon se Kosova shpalli pavarësinë e saj edhe pse ajo ishte nën sovranitetin e Serbisë, gjë që ka qenë dashur pëlqimi paraprak i Beogradit, në ndërkohë që sovraniteti mbi Anën Perëndimore të Lumit Jordan e ndajnë bashkërisht izraelitët dhe palestinezët, sipas marrëveshjes së Osllos të vitit 1992.
Megjithë dallimet në mes të dyja rasteve, Dejker pohon se ekzistojnë edhe disa ngjashmëri. Qeveria e Kosovës nuk shtrin sovranitetin në tërë territorin e saj , (në veçanti në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila kufizohet me Serbinë), por kjo nuk e ka penguar atë ta shpallë pavarësinë në tërë territorin. Kjo vlen edhe për autoritetin palestinez, i cili nuk e shtrin pushtetin e vet ne tërë territorin e vendit, siç është Gaza.
Kohëve të fundit është krijuar një klimë e mirë ndërkombëtare në favor të pranimit të pavarësisë së shtetit palestineze, në të tre nivelet: amerikan, evropian dhe ndërkombëtar.
Udhëheqja palestineze është më se e bindur se shpallja e pavarësisë së shtetit palestinez do të jetë më e pranueshme për palën amerikane se sa shpallja e pavarësisë së Kosovës. Dejker pranon se presidenti amerikan, Barak Obama është më afër qëndrimit palestinez se cili do president tjetër amerikan. Kurse marrja e çmimit Nobel për paqe është një obligim shtesë për angazhimin e tij në politikën e jashtme amerikane, në veçanti në realizimin projektit të Paqes në Lindjen e Mesme.
Sa i përket qëndrimit evropian, Dejker mendon se ai është shumë afër qëndrimit palestinez në rast të shpalljes s ë pavarësisë në mënyrë unilaterale, sipas modelit kosovar, edhepse këtë nuk e thonë haptazi. Ai me këtë rast përmend prononcimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Suedisë, Karl Bild, i cili kishte deklaruar për Jerusalemin Lindor si kryeqytet të ardhshëm të shtetit palestinez.
Në aspektin ndërkombëtar, Dejker parasheh një përkrahje të fuqishme të shpalljes së pavarësisë unilaterale të shtetit palestinez, nga vet fakti se udhëheqja palestineze në vitin 1988 ka shpallur pavarësinë e saj, të cilën e kanë njohur me dhjetëra shtete, numri i të cilave tejkalon numrin e shteteve që kanë njohur shtetin e Kosovës gjatë këtyre dy viteve.
Publikimi i kësaj bisede më 28 janar 2010. u shkoi për shtati disa qarqeve të Beogradit, për ta përdorur atë në shërbim të agjendës serbe. Në realitet Beogradi me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, kishte tërhequr vërejtjen për “rrezikun” e këtij precedenti për Ballkanin, i cili mund të çojë në copëtimin e shteteve ekzistues dhe formimin e mini shteteve të reja, kurse shteti i pavarur i Kosovës do të kthehet në një bazë të “terrorizmit islamik”.
Mirëpo, këto parashikime ogurzeza të Serbisë, edhe dy vjet pas pavarësisë së Kosovës nuk treguan se janë krejtësisht larg çfarëdo realiteti. Gjatë këtyre dy viteve, Kosova u njoh nga dy shtete fqinj të saj, Maqedonia dhe Mali i Zi, duke vendosur edhe marrëdhënie diplomatike. Kështu, Kosova u kthye në faktor stabiliteti rajonal dhe më gjerë. Mendimi këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për qeverinë serbe mbetet shpresa fundit e saj për ta realizuar atë që ajo e dëshiron. Karta fundit për qarqet nacionaliste serbe mbetet “Republika Serbe”, e cila kërkon ndarjen e saj nga Republika e Bosnes dhe Hercegovinës.
Në këtë kontekst të nesërmen më 29 janar 2010, e njëjta gazetë kishte publikuar një artikull me shkronja të mëdha me këtë titull: “Shpallja e pavarësisë palestineze sipas modelit të Kosovës argument më i mirë i serbëve të Bosnjës për t’u pavarësuar nga shteti i Bosnjës e Hercegovinës”.
Për ta vërtetuar këtë tezë, gazeta beogradase, kishte zhvilluar biseda me dy ekspertë për çështje islame, Lindjen e Mesme dhe të drejtën ndërkombëtare, duke ua lanë përgjegjësinë palestinezëve për tërë atë çka mund të ndodh në Ballkan, nëse palestinezët shpallin pavarësinë në mënyrë unilaterale sipas modelit të shqiptarëve të Kosovës.