
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutollu është shpallur nga revista ndërkombëtare Foreign Policy si një nga katër “Kisingerët” e botës.
Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Henri Kisinger është strategu kryesor i politikës së jashtme të SHBA-së në këto 50 vitet e fundit.
Ndërkohë “Foreign Policy”, pjesë e grupit “Washington Post-Newsweek”, ka shpallur katër strategët më me ndikim në politikën botërore, mes të cilëve edhe kryediplomati aktual i Turqisë.
“Në politikën e jashtme të një shteti, veç liderëve të zgjedhur, pas perdes qëndrojnë burra shteti të cilët vlerësohen me kalimin e kohës. Ashtu siç bëri Kisingeri me Shtetet e Bashkuara, në botë ekzistojnë edhe katër strategë të të njëjtit nivel”, shkruan prestigjiozja ndërkombëtare.
Si një nga katër “Kisingerët”, Davutollu vlerësohet lart për diplomacinë e tij. “Davutollu është një studiues i zellshëm i historisë, agresiv dhe njëkohësisht i sinqertë në ato që thotë. Duke vlerësuar të kaluarën e lavdishme të Perandorisë Osmane, ai beson në ringritjen e Turqisë në Lindjen e Mesme. Duke ndjekur udhëzimet e Davutollusë, Turqia ka forcuar marrëdhëniet me vendet arabe, dhe njëkohësisht është bërë ndërmjetësuese në bisedimet mes arabëve dhe izraelitëve”, shkruan Foreign Policy.
Revista citon edhe fjalët e kryediplomatit turk, sipas të cilit: “Turqia në Evropë është evropiane, dhe në Lindje është lindore, pasi i përket të dyja anëve”.
Përveç Davutollusë, në listën e katër “Kisingerëve” është ish-kryeministri i Singaporit në vitet 1959-1990, Li Kuan Jeu, nën udhëheqjen e të cilit ky vend arriti një mrekulli ekonomike.
Celso Amorim, kryediplomati i Brazilit, është një tjetër strateg i madh, nën udhëzimet e të cilit janë shkrirë akujt me vende të tilla komuniste si Venezuela dhe Kuba.
Ambasadori i Arabisë Saudite në Londër, Turki el-Fajsal plotëson katërshen e “Kisingerëve”, i cili ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm pas ngjarjeve të 11 Shtatorit.
/start/