Mbyllja e Xhamisë së Marinës imazh i keq për Kosovën

Këto masa rigoroze u ndërmuarrën ndaj Kastriot Dukës, një qytetar shqiptar nga Elbasani, edhe pse ai për dhjetë vite të plota kishte ushtrua veprimtarinë e tij fetare si hoxhë në fshatin Marinë, dhe atë humanitare si përfaqësues i Shoqatës “Rahma Mercy” me seli në Britani të Madhe. Në një vend demokratik ku respektohen të drejtat dhe liritë e të gjithë njerëzve, pa e marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, racore apo kombëtare.

Iniciativa për mbylljen e xhamisë dhe dëbimin e hoxhës ishte ndërmarrë, pas shfaqjes në You Tube, të disa pamjeve, ku shiheshin disa përfaqësues të Shoqatës në fjalë, duke ua vënë shamitë disa vajzave të vogla. Ky akt, si duket e kishte prekur kryetaren e OJQ-së “Prehja” në Skenderaj, e cila ndërmori aksionin për tubimin e nënshkrimeve për mbylljen e xhamisë dhe dëbimin e hoxhës Kastriot Duka nga Drenica. Asambleja Komunale e Kuvendit të Skenderajt me një procedurë të shpejtë aprovoi vendimin për mbylljen e xhamisë dhe dëbimin e hoxhë Kastriot Dukës, duke mos çarë kokën për aspektin ligjor të statusit të tij, i cili kishte qëndrim legal në shtetin e Kosovës.

Ajo që vlen të theksohet, se në llogari të hoxhës së Marinës, janë përfolur akuza të rënda, sikur në Kosovë të sundonte ligji, organet e hetuesisë dhe të drejtësisë, nuk do ta bënin dëbimin e tij, por duhet të lënin të ballafaqohej me drejtësinë, nëse do të vërtetoheshin akuzat, ai do të shkonte në vuajtjen e dënimit të merituar, sepse askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, pa e marr parasysh se kush është. Por, si duket e tërë kjo ishte inskenim për mbylljen e xhamisë dhe largimin e Kastriot Dukës nga Marina.

Shumë dilema, lidhur me rastin e veprimtarisë së Kastriot Xhemal Dukës, hoxhës së Marinës i ka sqaruar në mënyrë tejet të sinqertë, drejtori i Shoqatës “Rahma Mercy”, Halid Paten, në një bisedë që zhvilloi në TV Klan Kosova. Nga biseda e tij kuptohej se modeli i përdorur në paraqitjen e Islamit në xhaminë e Marinës, është i njëjti model që përdorin organizatat e krishtera në propagandimin e fesë së tyre, qofshin ato protestante, katolike, apo ortodokse. Në kuadër të Kishës katolike vepron Caritasi, organizatë humanitare shumë e fuqishme, ashtu veprojnë organizatat e ndryshme protestante si dhe ato ortodokse. Aty, krahas predikimit fetar bëhet edhe risocilaizmi i shoqërisë. Këtë model e kam vërejtur në mënyrë shumë të theksuar, në Palestinë, ku kishat u ofrojnë besimtarëve ndihma prej më të ndryshme me qëllim të stimulimit, që ata të qëndrojnë në vendet e tyre. Priftërinjtë, përveç predikimeve fetare merren edhe me aktivitete, siç janë hapja e punëtorive për punësimin e tyre.

Drejtori i Shoqatës, Halid Paten, në bisedën e tij në TV Klan Kosova, shprehu indinjatën e tij të thellë, për mbylljen e xhamisë së Marinës. Ai, tha se kjo ishte hera e 34 që ai po e vizitonte Kosovën. Xhamia e Marinës, ishte ngritur falë donacioneve që ai kishte siguruar, “duke shkuar shtëpi në shtëpi e dyqan në dyqan për të kërkuar ndihma nga donatorë të ndryshëm në Britani të Madhe, kurse kësaj radhe nuk më është lejuar jo hyrja në xhami për t’u falur, por as në oborrin e xhamisë, për shkak të shiritit që policia e Kosovës kishte qitur me shenjen ndalohet hyrja.”.

Ky është një investim në Drenicën tonë të varfër, qoftë ai edhe në infrastrukturë fetare, në ndërtimin e xhamisë, dhe ndihmat dedikuar fëmijëve jetimë të Marinës, nga një Shoqatë si “Rahma Mercy”, kurse organet tona shtetërore nuk i lejojnë investitorit të hyjë në objektin e tij, që ai me mjetet e tij e ka ndërtuar. Athua a ka më mesazh të keq për Kosovën se ky?!
Mbyllja e xhamisë së Marinës është një lajm ogurzi dhe shumë i keq për Kosovën. Ky akt do të reflektohet negativisht nga organizmat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, raportet UE, raporti i State Departamentit Amerikan për respektimin e të drejtave fetare, sepse ato matin me tjera kute e jo me kutet tona.

Ky është një lajm shumë i dëmshëm edhe në raportet e Kosovës me vendet e botës arabe dhe islame prej të cilëve ne vazhdimisht kërkojmë ta njohin shtetin më të ri në botë.
Ky është një akt flagrant i ndërhyrjes së shtetit laik në çështje të fesë.
Nëse njerëzit e provincës nuk janë të aftë t’i peshojnë gjërat ashtu si duhet, atëherë është dashur që për gabime të këtilla të intervenojnë organet qendrore, sepse kështu po pëson Kosova si tërësi. Kosova nuk ka kohë për eksperimente.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme