
Assesi nuk mund të jetë i vërtetë pohimi i Samuel Huntingtonit se “konflikti ndërmjet arabëve dhe çifutëve në Palestinë ka nisur që me themelimin e atdheut të çifutëve”[1]. Jo, nuk do të kisha thënë ashtu, sepse shenjat e kobshme e këtij fati tragjik të muslimanëve të botës nuk filluan në truallin e Palestinës në vitin 1948, por pikërisht në Evropë, aty në Bazel të Zvicrës të vitit 1897.
Sidoqoftë, po thuajse më tepër se një shekulli hebrenjtë izraelitë para syve të botës bëjnë thyerjen më flagrante të të drejtave të njeriut. Vuajtjet permanente të vendeve arabo-muslimane, si dhe të popujve muslimanë në mbarë rruzullin tokësorë, e në veçanti në Lindjen e Afërt, pikërisht vijnë nga hebrenjtë. Po qe se do t’a kërkonim zanafillën e konfliktit ndërmjet palestinezëve dhe hebrenjve, atë do ta gjenim pikërisht në sionizmin politik hebre, ide kjo e cila buroi nga hebrenjtë e Evropës. Në të vërtetë ideja për emërtimin e organizatës me emrin Sion është marrë pikërisht nga emri i një kodre të quajtur Sion (Palestinë), aty ku gjendet edhe varri i Davudit alejhisselam (Davidit), që sipas traditës hebreje ky vend është qendër shpirtërore e judaizmit[2]. Shikuar historikisht, do të vërejmë se ideja për themelimin e shtetit izraelit do të lind si pasojë e persekutimeve dhe dëbimeve hebreje nga Evropa, veçanërisht nga Rusia Cariste dhe Franca. Në të vërtetë - përderisa grupet hebreje të Rusisë Cariste të viteve të 80-ta të shekullit XIX kërkonin shpëtim përmes shpërnguljeve në Tokën e Re (SHBA) - disa hebrej të tjerë e formuan grupin e quajtur “Dashamirët e Cionit”, përmes së cilit e përhapnin idenë për zgjidhjen e çështjes hebreje në Rusi, e cila do të realizohej vetëm përmes shpërnguljes së hebrenjve në Palestinë[3].
Lëvizja sioniste paraqet edhe reaksionin e një pjese të hebrenjve evropian si pasojë e gjendjes së tyre të rëndë sociale. Në fund të shek. XIX pjesa më e madhe e hebrenjve jetonte në vendet e Evropës Juglindore, të cilët vetëm në këto vende (në vitin 1880) përbënin 75% të gjithsej 8 milionë hebrenjve[4]. Historikisht themelues të idesë së sionizmit politik njihen katër njerëz, siç janë:
- Mojse Hes (Moses Hess) - hebre gjerman dhe njëkohësisht njeriu i parë dhe themelues ideor i cionizmit politik. Vizionin e tij për shoqërinë e re hebreje ai e publikoi në librin e titulluar “Jerusalemi dhe Roma” në vitin 1862. Ai orvatej për themelimin e Komonvelthit hebrej në Palestinë, prandaj ai apelonte tek të gjithë hebrenjtë që t’a riafirmojnë përkatësinë e tyre hebreje dhe të themelojnë shtetin e tyre i cili do t’i gëzojë hebrenjtë dhe mbarë njerëzimin. Pra, ai parashihte që shteti izraelit të themelohet në Palestinë. Moses Hess vdiq në vitin 1875 në Keln të Gjermanisë, ndërsa për shkak se konsiderohej si themelues i parë i sionizmit, në vitin 1962 varri i tij u bart prej Kelnit në Izrael..
- Mojse Leib Lilienblum nga Rusia - Ky e konkretizoi shpërnguljen dhe vendosjen e hebrenjve në Palestinë.
- Cvi Kalisher, rabin nga Rusia – i cili gjithashtu njihet si ideologu i tretë i kësaj lëvizjeje i cili pas persekutimeve të para ruse në vitin 1871 filloi të predikojë idenë për ripërtëritjen popullore hebreje duke e ndërlidhur kthimin hebrej në “atdheun e vjetër” me mesijanizmin fetar dhe me vendimin e Dorës së Zotit.
- Leo Pinsker – hebre rus (1821-1888) i cili gjithashtu konsiderohet si bartës kryesor i sionizmit politik. Në një shkrim të tij, Pinsker publikoi tezën për pamundësinë e zgjidhjes së çështjes hebreje në shoqërinë ruse, përfshirë këtu edhe asimilimin e tyre (hebrenjve). Pasi që në këtë ide ai nuk pati sukses, ai shpresoi se një gjë të këtillë do t’a përkrahnin hebrenjtë gjerman, andaj edhe e publikoi librin e tij “Autoemnacipimi” në vitin 1882 në gjuhën gjermane si autor anonim me nofkën “Një hebre rus”. Përmes këtij pamfleti politik zhvillohet teza themelore se antisemitizmi është sëmundje e pashëruar në Rusi. Si pasojë e këtyre bindjeve dhe zhvillimeve, Pinskeri përfundon se hebrenjtë medoemos të themelojnë shtetin e tyre në Palestinë ose “diku tjetër”[5].
Afera “Drajfus”, 1894
Si oficer i shtatmadhorisë franceze, Drajfusi (me origjinë hebreje) ishte akuzuar si pasojë e një montimi politik, kinse i kishte tradhtuar sekretet ushtarake para shtatmadhorisë gjermane, andaj edhe ishte gjykuar në burg të përjetshëm. Përkrahës për vdekjen e tij kishte edhe në radhët e një numri shumë të madh të intelektualëve francez të kalibrit të Zhan Zhoresi, etj. Është për t’u përmendur se Emil Zola doli në mbrojtje të Drajfusit përmes një letre të titulluar “Akuzoj”! Mirëpo, rrymat nacionaliste franceze shkaktuan trazira kundër hebrenjve dhe përkrahësve të tyre ku e kërkonin Emil Zolën për në gijotinë, ndërsa vdekjen ose persekutimin e të gjithë hebrenjve nga Franca. Më pas Drajfusi u lirua dhe në vitin 1906 u kthye në vendin e tij të punës. Si pasojë e këtyre urrejtjve ndaj hebrenjve, lindi ideja serioze për të themeluar një shtet hebre.
Sidoqoftë, ndër ata që u tronditën me këtë aferë ishte edhe gazetari hebre Theodor Herzel, i cili e ripërtëriu dhe me këmbëngulje e përkrahu idenë e themelimit të shtetit hebre. Ai tha se e vetmja rrugë dhe zgjidhje e vetme të çështjes hebreje është themelimi i shtetit hebre[6]. Theodor Herzli në një konferencë të Vjenës të mbajtur në vitin 1882, ia jep edhe formën përfundimtare kësaj ideje, gjë të cilën e publikon në librin e tij të titulluar “Der Judenstaat” (Shteti Hebraik)”[7]. Personalitete të famshme perëndimore, si pasanikët Rotshild dhe Hirsh me këmbëngulje e refuzuan tezën e Hercelit për themelimin e shtetit hebre, ndërsa disa qarqe të tjera intelektuale mendonin se Herceli është mentalisht i sëmurë. Mirëpo, Herceli kishte një përkrahje shumë të madhe nga një varg intelektualësh dhe personalitetesh më me famë të asaj kohe[8].
Zinxhiri i të keqes: Filluar që nga Kongresi i Parë Sionist në Bazel, 28-30 korrik, 1897
Kështu pra, erdhi deri të formimi i një grupi intelektualësh hebrej të cilët do t’a organizonin edhe një Kongres mbarëhebre botëror me qëllim të publikimit të idesë përfundimtare për themelimin e një shteti izraelit.
Në Kongresin e Parë Sionist prezantuan 197 delegatë nga Gjermania, Austo-Hungaria, Rusia, SHBA-të, Anglia, nga vendet e Skandinavisë, Palestina[9], etj.
Ndër të tjerat që u bisedua dhe u konkludua në këtë Kongres, do të veçojmë vetëm faktin se në Rezolutën që u soll në Kongresin e Parë Sionist në Bazel të viti 1897 thuhet edhe kjo:
“Sionizmi lufton për krijimin e shtëpisë në Palestinë, për popullin hebre, në bazë të të drejtës ndërkombëtare. Për t’a arritur këtë qëllim, Kongresi i parasheh këto masa:
- Zhvillimin e Palestinës në një formë të mirëfilltë nga ana e bujqve hebre, zejtarëve dhe tregtarëve,
- Bashkimin dhe organizimin e tërë hebrenjve përmes institucioneve lokale dhe atyre më të gjera në pajtueshmëri me ligjet e çdo shteti,
- Përforcimi i vetëdijes nacionale hebreje dhe edukim, etj.
Për kryetar të lëvizjes botërore sioniste në këtë kongres u zgjodh Teodor Herzl[10].
Natyrisht, Kongresi Botëror Sionist (KBS) i mbajtur në Bazel në vitin 1897, shënoi fillimin e zbatimit konkret të doktrinës sioniste. Parasëgjithash, përkundër sionizmit fetar, Herzeli në konceptimet e tij ka qenë agnostik më radikal, madje ashpër iu është kundërvënë atyre të cilët hebreizmin e kanë definuar si religjion[11]. Prej viti 1897 e deri në vitin 1978 janë mbajtur gjithsej njëzet e nëntë kongrese të Organizatës Sioniste Hebreje, edhe atë në:
Bazel, në vitet 1897, 1898, 1899, 1901, 1903, 1905, 1911, 1927, 1931, 1946; Londër në vitin 1900; Hagë në vitin 1907; Hamburg në vitin 1909; Vjenë në vitin 1913 dhe 1925; Cyrih në vitin 1929 dhe 1937; Pragë në vitin 1933; Luzern në vitin 1935; Gjenevë në vitin 1939; Karlovi Vari në vitin 1921 dhe në vitin 1923; Jerusalem në vitet 1951, 1956, 1960, 1965, 1968, 1972, 1978[12].
Antisionizmi i qartë
Theodor Herzli, babai i sionizmit politik, me bindje ka qenë ateist, kurse Bibla e ka interesuar vetëm aq sa ka mund të ofrojë arsyetim për politikën e fuqisë. Në kohën e nismës së kampanjës së Herzlit në vitet 1890-ta është refuzuar propozimi për mbajtjen e konferencës hebreje në Munih, për shkak se rabinët gjermanë e kanë kundërshtuar idenë në fjalë duke pohuar se “përpjekjet që të themelohet shteti nacional hebraik në Palestinë janë në kundërshtim me premtimet mesiane për judaizmin”. Pjesa më e madhe e rabinëve në botë e kanë gjykuar sionizmin politik që në ditët e para të paraqitjes së tij. Konferenca e Filadelfisë e mbajtur prej 3 - 6 nëntor të vitit 1896 haptazi damkosi parimet e sionizmit politik, madje edhe para se t’i definojë Herzli tezat e tij. Kjo konferencë e rabinëve e miratoi edhe rezolutën në të cilën është theksuar në mënyrë radikale mospajtimi ndërmjet parimeve universaliste të judaizmit dhe parimeve të nacionalizmit sionist. Sipas Ch. Class, ndërmjet hebrenjve izraelitë ekzistojnë tre qëndrime kritike antisioniste primare, edhe atë; qëndrimi i hebrenjve religjioz, e majta politike dhe humanistët të cilët jetojnë jashtë kufijve izraelit. Udhëheqësi shpirtëror i sektit hasidit të Jerusalemit - rrymë politike e quajtur Neturei Karta, që quhej R. A. Katzenelbogen - atëbotë (shek. XIX), konsideronte se “ligji hebre nuk njeh nacionalizëm hebre”, duke u thirrur në qëndrimin e udhëheqësit shpirtëror të hebrenjve ortodoks të Gjermanisë së atëhershme në Frankfurt, rabinit S. R. Hircsh i cili kishte pohuar se është mëkat të përkrahet migrimi i hebrenjve në Palestinë[13].
Ashtu sikur R. Hircsh, edhe R. Sonnenfeldi sionistët i quante “njerëz të këqij dhe si asgjë”[14]. Parasegjithash, kundër lëvizjes sioniste u ngrit e tërë sinagoga hebreje e Judejës e cila shekuj me radhë ishte udhëheqës shpirtëror të tërë diasporës hebreje, ndërsa qarqet religjioze ortodokse hebreje nëpër Evropë dhe Amerikë ashpër e kundërshtonin një lëvizje të këtillë politike. Ata që atëherë konsideronin se kjo është një skizmë fetare brenda hebreje të cilën duhet çrrënjosur. Rryma e moderuar hebreje e quajtur Mizrahi ishte ajo e cila që në fillim u ngrit kundër lëvizjes sioniste, e që pas deklaratës së Balfurit filloi t’i adoptohet rrethanave të reja në Palestinë. Gjithashtu, edhe organizata hebreje e njohur si Agudas Jisroel - e cila është themeluar në vitin 1912 - është njëra nga ato organizata e cila vazhdimisht lufton kundër sionizmit.
Është me rëndësi të theksojmë se antisemitët më të dalluar evropianë ishin edhe Gjon Gojarti, Zhak Kalvini, Martin Luteri, Deni Dideroi, Volteri, Monteskjeu, etj. Në vitet e tridhjeta të shekullit XX, Albert Ajnshtajni kishte shkruar: “Shumë më me dëshirë do të kisha pranuar një kontratë të arsyeshme me arabët në bazë të jetesës së përbashkët në paqe, se sa krijimin e ndonjë shteti hebre. T’i lëmë anash shkaqet politike, vetëdija ime mbi natyrën thelbësore të judaizmit e kundërshton idenë e shtetit hebre i cili do të kishte kufij, ushtri dhe ndonjë shkallë të fuqisë profane, pa marrë parasysh se sa modest ai do të ishte. Kam frikë se judaizmi do të përjetojë dëm përbrenda, posaçërisht nga zhvillimi i nacionalizmit të ngushtë brenda radhëve tona… Ne më nuk jemi hebrenjë të periudhës makabeje...”.
Ndër organizatat dhe rrymat hebreje më aktive që janë të njohura për kah qëndrimet e tyre antisioniste, konsiderohet edhe organizata e mëlartëpërmendur Neturei Karta, e themeluar në vitin 1938. Anëtarët e kësaj organizate për vete konsiderojnë se janë besimtarë ortodoks hebrej, andaj edhe orvaten që jetën e tyre t’a përshtatin sipas parimeve të Librave të shenjta hebreje, para se gjithash sipas Torës (Tewratit) dhe Talmudit. Andaj në udhëheqësinë e kësaj organizate qëndrojnë rabinët, të cilët pohojnë se me të drejtë dhe në mënyrë korrekte bëjnë komentin e Librave të shenjta hebreje, ndërsa sionistët veprojnë në të kundërtën e principeve dhe porosive të cilat janë të shkruara në ato libra. Ata thërrasin në citatet nga Tora (Tevrati) dhe Talmudi, sipas së cilave Zoti ua dha hebrenjve shtetin, por vetëm me kusht që ata t’iu përmbahen principeve të besimit hebrej. E pasi që ata e tradhtuan një porosi të këtillë, atëherë Zoti në Torë (Tevrat) ua ndaloi rreptësishtë themelimin e shtetit, ku thuhet: “Ndalohet themelimi i shtetit hebrej në territorin e Tokës së Shenjtë ose në cilindo vend tjetër, dhe se hebrenjtë duhet të qëndrojnë lojal qeverive ku ata do të gjenden”[15].
Pasi që shteti izraelit është themeluar në kundërshtim të plotë me parimet e Tevratit dhe Talmudit, organizata në fjalë konsideron se “ky shtet është kundër Zotit”. Sipas Torës (Tevratit) dhe Talmudit, ata pohojnë se hebrenjtë nuk guxojnë të themelojnë shtet, derisa nuk paraqitet Mesihu – nga pasardhësit e Davudit, i cili do të pranohet nga të gjithë dhe i cili do të bëjë bashkimin e të gjithë popujve në një shtet dhe në një besim në Zot[16].
Më 21 prill të vitit 2001, përfaqësuesit e Neturei Karta publikuan një Deklaratë Lojaliteti të cilën ua dorëzuan udhëheqësve palestinezë në Jerusalemin Lindor, në të cilën haptazi shprehet lojaliteti ndaj pushtetit palestinez, si qartë edhe refuzojnë çfarëdo dëgjueshmërie ndaj pushtetit jolegjitim izraelit. Në nenet 5 dhe 6 të deklaratës, anëtarët e kësaj organizate shprehin falënderim ndaj popujve myslimanë për atë që me zemërgjerësi i kanë pranuar dhe i kanë respektuar të drejtat e tyre, edhe atë shekuj me radhë, atëherë kur në vendet tjera dëboheshin, persekutoheshin, madje edhe mbyteshin. Po ashtu kjo organizatë qartë vlerëson se, marrëdhëniet ndërmjet arabëve dhe hebrenjve, gjatë tërë sundimit mysliman ishin korrekte dhe se në shumë vise myslimane ku jetuan mijëra hebrenj, këta qindra vite i gëzuan të gjitha mbrojtjet dhe të drejtat. Në nenin tetë të kësaj deklarate, ata theksojnë se për ndryshimet negative në këto marrëdhënie erdhën si pasojë e themelimit të sionizmit, ashtu që këtë lëvizje “e themeluan hebrenjtë e devijuar, të cilët u larguan nga Tevrati dhe nga parimet e besimit hebrej”. Sionistët me çdo kusht vepruan për themelimin e shtetit hebrej në territorin e Palestinës, edhe atë duke i mospërfillur të gjitha principet e religjionit hebrej dhe këshillat e rabinëve të cilët e gjykuan një akt të atillë.
Zëdhënësi i organizatës Neturei Karta, rabini Jizroel Dejvid Vajs i cili jeton në Nju Jork, pati një intervistë në kanalin televiziv arab Al-Xhezira më 1 maj të vitit 2002, ku shpalosi disa nga qëndrimet e kësaj organizate. Midis tjerave ai vërtetoi se themelimi i shtetit izraelit është në kundërshtim me vullnetin e Zotit, dhe se ata të cilët e themeluan, si dhe ata që edhe sot e përkrahin politikën dhe shtetin aktual izraelit, nuk besojnë në Zot. Ai po ashtu theksoi se një numër shumë i madh i izraelitëve që jetuan para Luftës së Dytë Botërore, ishin kundër sionizmit dhe kundër themelimit të shtetit izraelit. Mirëpo, sionizmi e shfrytëzoi ndikimin e tij në bashkësinë ndërkombëtare dhe në rrethanat e Luftës së Dytë Botërore, andaj edhe e themeluan shtetin e quajtur Izrael.
Revista arabe ‘El-mexhela’ nr. 1228 të datës 30 gusht të vitit 2003, publikoi një intervistë të rabinit të lartpërmendur Dejvid Vajs, njëkohësisht edhe zëdhënës i organizatës Neturei Karta. Ai edhe në këtë intervistë qartë kishte deklaruar se palestinezët janë ata të cilët duhet të marrin kontrollin në mbarë territorin e Tokës së Shenjtë. Sipas të dhënave të fletës zyrtare të Neturei Karta, aktivistët e kësaj organizate, vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2004, kishin organizuar dhe kishin marrë pjesë në njëzet tubime protestuese, mitingje dhe manifestime publike. Një nga ato tubime kishte qenë i organizuar edhe para Shtëpisë së bardhë në Uashington më 14 prill të vitit 2004, atëherë kur kishin protestuar kundër vizitës së kryeministrit izraelit Sharon në SHBA dhe në përgjithësi kundër projekteve dhe politikës sioniste. Në këtë tubim protestues u ngrit zëri i tyre duke ua bërë me dije opinionit se “Sharoni dhe shteti izraelit janë jolegjitimë dhe se ata nuk kanë të drejtë të përfaqësojnë popullin hebrej”. Po ashtu në këtë tubim kishte patur parulla se solucioni i vetëm për paqe afatgjate, është anulimi i shtetit izraelit dhe dorëzimi i pushtetit palestinezëve. Anëtarët e kësaj organizate ishin revoltuar mjaft edhe me qeverinë austriake. Në të vërtetë me 26 qershor të vitit 2004 në Vjenë nga disa shtete evropiane kishin mbërritur një numër i madh i pjesëtarëve të Neturei Karta dhe iu kishin bashkangjitur demonstrueseve austriakë të cilët kishin protestuar kundër nisjativës së komunës së Vjenës për emërtimin e një sheshi me emër Teodor Hercel (sipas emrit të themeluesit të sionizmit). Në këto protesta kishin deklaruar se “Teodor Herceli nuk është freskë hebreje dhe nuk duhet të vlerësohet, ndërsa sionizmi dhe shteti izraelit janë jolegjitime, andaj ata edhe nuk përfaqësojnë popullin hebrej”.
Pasi që dijetari mysliman dr. Jusuf el-Karadavi është njëri nga dijetarët më me renome në botë dhe i njëjti është ai që jep përkrahje të plotë luftëtarëve palestinezë për të drejtat e tyre, i cili edhe haptazi flet kundër projekteve famëkeqe sioniste, para disa viteve lobi sionist kishte intervenuar tek qeveritarët britanikë me qëllim që t’a pengojnë vizitën e dr. Karadaviut në Britaninë e Madhe. Mirëpo, aktivistët e organizatës Neturei Karta, duke e vlerësuar dinjitetin e këtij dijetari islam, ishin orvatur që të bëjnë atë të mundshmen vetëm që të mos pengohet vizita e këtij dijetari mysliman në Londër. Kështu pra, më 15 korrik të vitit 2004, në aeroportin Heathrou të Londrës një delegacion zyrtar i Neturei Karta i kishte dalë në pritje dr. Kardaviut, dhe në këtë mënyrë ata shprehën mikpritje të sinqertë ku edhe kishin organizuar një press-konferencë. Gjatë kësaj konference ata përsëri kishin shpreh qëndrimet e tyre kundër sionizmit, si dhe vullnetin e tyre për afrim ndërmjet popullit arab dhe atij hebrej[17].
Afërsia ndërmjet sionizmit dhe antisemitizmit
Pasi që më lartë vërejtëm se në vitin 1840 në Evropë kishin filluar aktivitetet për formimin e shoqatave të ndryshme të cilat nxitnin shpërnguljen e hebrenjve drejt Palestinës, atëherë që këtu kuptohet se ky ishte edhe një antisemitizëm i drejtpërdrejtë, sepse nxiteshin lëvizjet antihebreje me qëllim të dëbimit tyre nga Evropa. Me të vërtetë ekziston një dallim esencial ndërmjet antisemitizmit të vjetër evropian dhe anitisemitizmit të ri arab. Antisemitizmi i ri arab është shpikur nga shkaqet e pastra politike dhe assesi nuk e ka prejardhjen e tij në iluzionet dhe paragjykimet e fuqishme. Kjo ka filluar të shërbejë si shprehje dhe arsyetim për humbjet e dhembshme luftarake që iu bënë botës arabe. Konflikti arabo-izraelit është nga natyra e pastër politike, e jo nga ajo religjioze[18].
Antisemitizmin klasik e kemi në tërë Evropën, e veçmas në Gjermani dhe Austri, ku hebrenjve nuk iu lejohej të kenë pasurinë e tyre, të ndajnë drejtësi, të bëhen gjykatës, mësues, të merren me politikë ose të marrin pjesë në qeveri[19].
Afrimi i ndërsjellë i sionizmit dhe antisemitizmit është vërtetuar edhe në kohën kur Hitleri erdhi në pushtet. Raportet e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane zbulojnë stadiumet e marrëveshjes së arritur ndërmjet Rajhit hitlerian dhe Agjencisë hebreje e cila është dashur të lehtësojë transferimin dhe emigrimin e hebrenjve gjermanë në Palestinë. Dokumenti i datës 22 qershor të vitit 1937 dëshmon për luhatshmërinë e nacistëve, ku thuhet: “Qëndrimi i këtillë gjerman i diktuar nga kërkesat e politikës vendase praktikisht e ndihmon konsolidimin hebraik në Palestinë dhe me të shpejtohet zhvillimi i shtetit hebre në atë vend”. Mirëpo, vetë Hitleri vendosi të vazhdojë rrugën e filluar. Zëvendësdrejtori i zyrës për politikë ekonomike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Clodius, më 27 janar të vitit 1938 shkroi: “Fireri sërish pak kohë më parë solli vendim… që me të gjitha mjetet e mundshme duhet të ndihmohet edhe më tej emigrimi i hebrenjve nga Gjermania. Të gjitha pyetjet të cilat deri në këtë moment kanë mund të paraqiten se a thua sipas mendimit të Firerit shpërngulja e hebrenjve duhet të drejtohet pikë së pari nga Palestina ose jo, me këtë kanë marrë përgjigje pohuese”[20].
Që të kuptohet afërsia ndërmjet sionizmit dhe antisemitizmit duhet të theksohet se vetë Balfuri ishte një antisemit i rryer. Ai ka qenë njëri prej atyre politikanëve të cilët në vitin 1905 kanë udhëhequr kampanjë të ashpër në dobi të Ligjit për të huajt, në realitet, të ligjit për dëbimin e hebrenjve rusë nga Britania. Për të, si dhe për mbretin ose kajzerin rus, deklarata e tij ka pasur për qëllim orientimin e hebrenjve drejt Palestinës, gjë të cilën me këmbëngulje e ka kundërshtuar hebreu i vetëm në Kabinet, Edwin Montagu, sepse nuk i ka dëshiruar në vendin e tij.
Ku mund të gjendet një “Tokë e lirë”!?
Në të vërtetë mund të thuhet se ideja për rajonin e Palestinës si territor i shtetit hebrej është më i vjetër se lëvizja sioniste. Sipas A. Ganemit - Napoleon Bonaparta që në vitin 1799 - pasi që ishte kthyer nga Egjipti, ia kishte dërguar një rekomandim bashkësisë hebreje të Francës që t’a përkrah shpërnguljen e hebrenjve nga Franca për në Palestinë, me qëllim që vet Bonaparta të fitojë përkrahjen e tyre në lidhje me ekspansionin francez në viset lindore të detit Mesdhe[21].
Si pasojë e ëndjes për Palestinën, në vitin 1840 në Evropë do të fillojnë të formohen shoqata të ndryshme për nxitjen e shpërnguljes së hebrenjve drejt tokës së palestinezëve. Palestina - ky rajon shumë i begatshëm - qëndron pikërisht në udhëkryqin e tre kontinenteve, andaj për Herzlin paraqiste njërin prej territoreve të mundshëm që në përpjekjet e tij ka qenë më tërheqës së të tjerët, sepse ka prezantuar territorin e përshtatshëm për bisedime edhe me forcat kolonialiste. Teodor Herzeli bënte përpjekje që prej një fuqie perëndimore të fitojë koncesione kolonialiste si garantë për zbatimin e projektit të tij. Në fillim, sionizmi politik nuk është orientuar në mënyrë të veçantë drejt Palestinës. Në zhargonin kolonialist të asaj kohe në pyetje ka qenë vetëm gjetja e “vendit të lirë”, do të thotë, territorit nën qeverisjen e Perëndimit në të cilin nuk do të kishte nevojë të kihet kujdes për popullatën vendase. Herzeli bëri përpjekje “të fitojë koncesione territoriale në Mozambik dhe në Kongon e Belgjikës”.
Për territor të lirë me qëllim që të themelohet shteti hebre ishin paraparë disa vende anembanë botës. Leo Pinsker anonte që ky shtet të themelohet diku në Amerikën Veriore[22] ndërsa Teodor Herceli orvatej që të përfitojë pajtueshmëri nga Belgjika dhe Portugalia me qëllim që t’a kolonizojë Kongon e Belgjikës dhe Mozambikun (që ishte koloni e Portugalisë).
Po ashtu, sionistët ia kishin dërguar një letër Sulltan Abdulhamidit të Dytë (sundoi prej vitit 1876-1909)[23] përmes së cilës kishin kërkuar që Perandoria Osmane t’a lejojë një pjesë të territorit të Palestinës me qëllim të themelimit të një kolonie hebreje (lexo: shtet izraelit), e që për kompensim sionistët t’a ndihmojnë materialisht Shtetin Osman. Madje, sionistët kishin ofruar (150.000.000.000/njëqind e pesëdhjetë miliardë/lira të arta angleze. Kësaj kërkese Sulltan Abdulhamidi i Dytë rreptësishtë iu kishte kundërvënë duke deklaruar se “edhe nëse më ofroni tërë botën më ar (e jo njëqind e pesëdhjetë miliardë lira të arta angleze), unë nuk do t’a pranojë këtë gjë. Unë i kam shërbyer popullit islam, ummetit të Muhammedit (s.a.v.s.) për më tepër se tridhjetë vjet dhe assesi nuk do t’i nxij fytyrat e myslimanëve, të etërve dhe stërgjyshave të mi sulltanë dhe kalifë, për këtë shkak në mënyrë kategorike e refuzoj ofertën tuaj”[24].
Pas këtij qëndrimi të Sulltan Abdulhamidit të Dytë, aktivitetet sioniste për eliminimin e tij, si dhe për themelimin e shtetit hebrej në Palestinë edhe më tepër u zgjeruan, madje Abdulhamidin e Dytë e quanin edhe si absolutist...
Në vitin 1888 Sulltan Abdulhamidi i Dytë kishte publikuar një ferman përmes së cilit pengon emigrimin grupor të hebrenjve në vendet e shtetit osman, pra edhe në Palestinë[25]. Po ashtu, sulltani në fjalë në vitin 1900 kishte publikuar edhe një ferman tjetër përmes së cilit kufizoheshin qëndrimet e hebrenjve mysafirë në Palestinë deri më tre muaj[26]. Këtu do të ishte me rëndësi të përmendim se fjalët refuzuese të Sulltan Abdulhamidit të Dytë kanë qenë të shkruara në një letër. Ky është një dokument i shkruar me dorën e sulltan Abdulhamidit të Dytë në gjuhën osmane të cilën ia kishte dërguar dijetarit të quajtur Ebu Shame në Damask, ku i kishte paraqitur edhe shkaqet e revokimit të tij (të cilat u përmendën më lartë). Letra ka qenë e fshehur një kohë të gjatë, e që më pas nga gjuha osmane në gjuhën arabe t’a përkthejë shejh Ahmed el-Kasimi, drejtor i vakëfit të Sirisë. Më pas kjo letër publikohet në revistën ‘Arabij’, nr. 169, Sheval, 1392/Dhjetor, 1972, f. 155-156 me një shtojcë rreth shkakut të revokimit të Sulltan Abdulhamidit të Dytë[27].
Me qëllim të gjetjes së një “toke të lirë” për të themeluar shtetin hebre, në vitin 1902 Herceli i drejtohet edhe qeverisë britanike, gjegjësisht ministrit britanik të Kolonive, Çembërlejnit, me qëllim që t’ia propozojë kolonizimin hebre të Qipros. Mirëpo, pasi që qeveria britanike e refuzoi këtë kërkesë, si alternativë tjetër doli propozimi që Organizatës Sioniste t’i mundësohet themelimi i shtetit hebre në rajonin Gaus Ngushi në Keni. Po ashtu edhe ky propozim nuk u realizua nga vet fakti se zëshëm u refuzua nga hebrenjtë e Evropës juglindore në Kongresin e mbajtur në Harkov, pasi që ata “refuzonin çdo aktivitet të kolonizimeve jashtë Palestinës”.
Në Kongresin e VI të mbajtur në vitin 1903 në Bazel të Zvicrës, Teodor Herceli shpalos hartën gjeografike duke publikuar propozimin e qeverisë britanike (propozim i ministrit britanik Shaim Vajzman) për themelimin e një kolonie hebreje në Ugandë (Afrikë), propozim ky i cili u kundërshtua ashpër nga sionistët rus[28].
Po ashtu, si territore të mundshëm për themelimin e shtetit hebre ishin shqyrtuar mundësitë për në rajonin e Sinait në vitin 1903 dhe për në rajonin e Argjentinës në vitin 1897. Mirëpo, Organizata Sioniste Botërore vendosi që shteti hebrej përfundimisht të themelohet pikërisht në zemrën e botës arabo - islame, në Palestinë, edhe atë ky vendim ishte marrë që në vitin 1905, pra, një vit pas vdekjes së Herzlit. Gjithashtu, në vitin 1936, ministri britanik i kolonive Mekdonald, Organizatës Botërore Sioniste si rajon për themelimin e shtetit hebre ia propozoi territorin e Guajanës Britanike, ndërsa Organizata Sioniste Gjermane propozoi kolonizimin e hebrenjve në Australi[29].
Të gjitha këto propozime vinin pikërisht nga Franca dhe Britania e Madhe, pasi që këto shtete vazhdimisht zgjonin apetitet e tyre dhe dëshironin që edhe më tej t’i kolonizojnë dhe t’i eksploatojnë rajonet e Lindjes së Afërt dhe asaj të Mesme me lehtësim, pasi që parashihnin se një ditë do mund të pengoheshin planet e tyre kolonialiste nga shteti hebre.
Dy fjalë për qeverisjen e drejtë dhe tolerante të Perandorisë Osmane në Lindjen e Afërt
Në vitin 1514 forcat e Perandorisë Osmane, gjegjësisht gjatë periudhës së sulltanatit të Sulltan Selimit u çlirua Jerusalemi dhe zona përreth tij. Ky akt shënoi nismën e qeverisjes katërshekullure të administrimit mysliman në Palestinë. Ashtu si në viset dhe rajonet tjera ku administronte Perandoria Osmane, edhe në Palestinë mbisundonte paqja, stabiliteti dhe bashkëjetesa harmonike ndërmjet popujve dhe ithtarëve të religjioneve të ndryshme.
Është e njohur se Perandoria Osmane administronte nën sistemin qeverisës që njihej “sistemi i miletit (kombit)”, ku tipari themelor i saj ishte që popujt e besimeve të ndryshme të jetojnë sipas besimeve të tyre, madje edhe sipas sistemeve të veta ligjore. Të krishterët dhe çifutët, të përshkruar si Ithtarë të Librit në Kur’an, gjetën tolerancë, siguri e liri në vendet ku administronte shteti osman. Në këto rajone (të Lindjes së Afërt), gjatë historisë asnjëherë nuk ekzistoi ndonjë shtet i cili quhej Jordani, Siri, Irak, Liban, madje as Jemen Jugor, Verior apo Arabi Saudite...
Deri në fillim të shekullit njëzet (gjegjësisht deri në vitin 1917) ky rajon ishte i bashkuar në një pushtet, e ai ishte pushteti i Sulltanit Osman me seli në Stamboll, dhe i njëjti flamur që valonte në Stamboll, po ashtu valonte edhe në qytete tjera të largëta, siç ishin Meka, Bagdadi, Janina, Tirana, Selaniku, etj. Në brendinë e kësaj perandorie të gjerë jetonin pjesëtarë të etniteteve të ndryshme si druzë, shiitë, të krishterë, hebrenjë, arabë, turqë, shqiptarë, berberë, kurdë, grekë, vllehë dhe shumë etnitete të tjera. Perandoria Osmane nuk ishte shtet nacional, madje, ajo nuk ishte as perandori në kuptimin evropian (me tendenca kolonizuese). Në të vërtetë, Perandoria Osmane deri në një farë shkalle u përgjigjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ashtu siç sot administrojnë SHBA-të me shtetet që e përbejnë atë)[30].
Pax Ottomana që përfundoi me tërheqjen e Perandorisë Osmane nga Lindja e Afërt, ende nuk është zëvendësuar, por ato rajone pas largimit të administrimit osman kaluan nën administrimin e kolonialisteve Evropian, që më pas do të bëhen cak i politikave pushtuese dhe agresionit sionist.
Palestina pas rënies së Perandorisë Osmane dhe deklarata e Balfurit
Lindja e Afërt dhe ajo e mesme arabe është shembull i parë në historinë e një paqeje të ëndërruar lindore, botë e cila gjatë periudhës ndërmjet viteve 1517 dhe 1917 nuk përjetoi asnjë konflikt qytetar, e as religjioz. Megjithatë, sot ajo është njëra ndër pjesët më jostabile të planetit[31].
Marrëdhëniet arabo-hebreje veçanërisht u keqësuan atëherë kur nga qeveria e Britanisë së Madhe, në nëntor të vitit 1917 u shpall e ashtuquajtura Deklaratë e Belfurit. Pasi që Britania e Madhe mbante primatin e udhëheqjes së politikës botërore, që këtu edhe roli i saj në themelimin e shtetit hebrej në Palestinë ishte mjaft i rëndësishëm. Më 2 nëntor të vitit 1917 qeveria britanike për herë të parë në mënyrë të qartë dhe eksplicite do t’a pranojë programin sionist për themelimin e “shtëpisë hebreje në Palestinë, duke premtuar se do të ofrojë angazhime të mëdha në realizimin të atij qëllimi.
Dokumenti që mbante datën 2 nëntor, 1917 - drejtuar kryetarit të Organizatës Sioniste, baronit Lion Rotshild - në të vërtetë ishte një porosi e Ministrit britanik të Punëve të Jashtme, Artur Balfur. Që këtu edhe kjo deklaratë është e njohur si Deklarata e Balfurit. Ky dokument u publikua disa ditë më vonë, gjegjësisht më 9 nëntor të të njëjtit vit[32].
Deklarata e Balfurit paraqet fundin e administrimit osman në Palestinë dhe fillimin e kolonizimit britanik të Palestinës. Gjatë periudhës 1917-1948 pati një numër shumë të madh të aktiviteteve politike, madje edhe konflikte të vazhdueshme ndërmjet forcave palestineze dhe hebreje, gjë tek të cilat nuk do të ndalemi...
Sidoqoftë, Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1947 votoi pro-ndarjes së territorit palestinez midis arabëve dhe hebrenjve, duke ia njohur Jerusalemit një status ndërkombëtar. Menjëherë pas këtij vendimi, më 14 Maj 1948 Izraeli shpall pavarësinë. Shpallja e shtetit të pavarur izraelit nga Këshilli Nacional Hebrej ndodhi një ditë para skadimit të mandatit britanik mbi Palestinën, pikërisht më 14 maj të vitit 1948.
Shlyerja e Palestinës, 14 maj, 1948
“Në memoaret e tij Mosha Dajani përshkruan se si ai në gusht të vitit 1942 erdhi në Bagdad me strajca përplot të mbushura me bomba, pistoleta, municion dhe predha me qëllim të stërvitjeve (të grupeve terroriste hebreje që do të përgatiteshin për në Palestinë)”.
(Ingmar Karlsson, ‘Vjera teror i tolerancija’, f. 322)
Pas themelimit të shtetit Izrael në vitin 1948, racizmi i sionizmit politik iu ka sjellë dëm jo vetëm palestinezëve autoktonë, por gjithashtu edhe vet hebrenjëve. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se kundërshtarët guximtarë të racizmit të shtetit Izrael siç janë: prof. Israel Shahak, avokati Felicie Langeri, ish deputetët në Kneset, Shulam Alon, Uri Avner, si dhe gjeneral Peledi, prof. Leibowitz dhe disa të tjerë - për fat të keq shumë të paktë - vërtet arrijnë që me mjaft guxim dhe përkundër kërcënimeve dhe represalieve t’iu kundërvihen parimeve të sionizmit politik dhe praktikës e cila rrjedh prej tyre. Rrethi i ri i problemeve në lidhje me sionizmin politik përbëhet nga pyetja se si të krijohet shumica hebreje në vendin e banuar me bashkësinë autoktone arabe palestineze?
Sionizmi politik është përgjigjur në pyetjen e shtruar me të vetmen zgjidhje që ka mund të dalë nga programi kolonialist - me themelimin e kolonive të ardhacakëve, duke i dëbuar palestinezët dhe duke i mbështetur migrimet hebreje. Dëbimi i palestinezëve dhe uzurpimi i tokës së tyre ka qenë një akt mirë i planifikuar. Shefi i fondit nacional hebraik, përgjegjës për marrjen e tokës në Palestinë, Joseph Weitz në vitin 1940 shkroi:
“Duke biseduar në mes nesh, është e qartë se në këtë tokë nuk ka vend për të dy popujt... Zgjidhje është vetëm Izraeli Eretz, bile Izraeli Perëndimor, pa arabë, ndërsa rrugëdalje e vetme është shpërngulja e arabëve të këtushëm nëpër vendet fqinje; të gjithë duhet shpërngulur - asnjë fshat, asnjë fis nuk duhet lënë. Shpërnguljet duhet orientuar në drejtim të Irakut, Sirisë, po bile edhe në drejtim të Transjordanisë... Vetëm pas shpërnguljes së tyre kjo tokë do të jetë në gjendje të absorbojë miliona prej vëllezërve tanë”.
Ndikimi shpirtëror i judaizmit kurrë nuk ka qenë i lidhur me idenë e kthimit në Palestinë. Madje as në vitin 1835, sipas Nevill Mandelit, bashkësia hebreje në Palestinë nuk ka pasur më tepër se 10 mijë njerëz. Ndërsa atëherë kur më 14 maj të vitit 1948 bëhet shpallja e shtetit izraelit, sipas statistikës zyrtare izraelite vetëm 10.4 % ishin hebrej me prejardhje afrikane dhe aziatike. Shkak i kësaj është, parasegjithash se hebrenjtë që jetonin në vendet siç ishin Iraku dhe Maroku ishin plotësisht të integruar në shoqëritë muslimane dhe assesi nuk ishin të diskriminuar ose të persekutuar sikur vëllezërit e tyre (hebrej) në fe që jetonin nëpër Evropë[33].
Në fillim të vitit 1948, Palestina ishte vendi më i përparuar dhe më i arsimuar në mesin e të gjitha vendeve arabe. Ky gjithashtu ishte shteti me popullatë më të dendur, denduria e së cilës mund të krahasohej me atë të Francës. Palestinezët të krishterë dhe muslimanë gjendeshin në frontin e gjerë të nacionalizmit arab duke bërë përpjekje që në botën arabe të inkorporohen teknologjia dhe mënyra evropiane e të menduarit. Mirëpo, kah fundi i po këtij viti (1948), palestinezët u deportuan si të pastrehë. Mënyra sipas së cilës ata u dëbuan nga shtëpitë e tyre, i ngjason njërës nga dhunat më të tmerrshme të pastrimit etnik të cilin para pak viteve e kishim në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
Kjo ngjarje, në Botën muslimane e njohur me termin Al-Nakbah (katastrofë), shkaktoi një ndryshim tjetër të shpejtë në qëndrimet rajonale ndaj Perëndimit. Arabët ishin ata të cilët u gjendën në shënjestër të hakmarrjes për krimet e gjermanëve që i bënë ndaj hebrenjve. Sikur t’iu jepej hebrenjve një pjesë e Gjermanisë, ndoshta Bavaria, atëherë muslimanët me siguri në këtë do të vërenin drejtësi. Por, të kryhet një pastrim etnik mbi popullin palestinez, ishte një marrëzi, një veprim vërtetë jonjerëzor... Bota arabe papritmas u gjet e coptuar në dy pjesë përmes një shteti të ri, të fuqishëm e krejtësisht të huaj. Harta demografike e shteteve fqinje u ndryshua. Shtetet përreth edhe më tepër u populluan nga qindra mijëra refugjatë palestinezë. Numri i banorëve të Libanit, p.sh., në çdo muaj rritej për njëzet për qind, ndërsa i Jordanisë për më shumë se një të tretën[34].
Kundërshtimet në adresë të shtetit hebrej nuk kanë të ndalur as në fillimshekullin e 21-të, madje edhe nga vet qarqet hebreje. Në të vërtetë, në lidhje me “aktivitetet dhe drejtësinë” izraelite do të sjellim vetëm një vlerësim të Dan Jakobsonit - intelektual hebre dhe njëkohësisht profesor universitar në Universitetin e Tel Avivit - i cili do të shkruajë: “Tanimë 52 vjet është duke u diskriminuar pakica arabe. Konfiskimi i pandërprerë i tokës së tyre është njëra nga format më të rënda të këtij diskriminimi. Pamundësia e punësimit në shërbimet civile, anashkalimi i kompanive të mëdha, ndarja jo e drejtë e mjeteve për arsimin dhe shëndetësinë në sektorin arab, si dhe ndarja jo e drejtë e buxhetit shtetëror kur janë në pyetje komunat arabe, tregojnë për statusin diskriminues të arabëve, shtetasve të Izraelit. Për të gjitha këto mangësi kanë folur të gjitha qeveritë, madje edhe ata djathtiste, por - gjatë pesëdhjetë vitet e fundit - për tu zgjidhur kjo çështje, është bërë shumë pak në këtë drejtim”[35].
Gzatari i njohur hebre, Boaz Evron që në vitin 1982 (dy vite para invazionit izraelit në Liban, në artikullin të titulluar “Holokausti-rrezik për kombin” tërhoqi vërejtjen për pasojat e shfrytëzimit të të kaluarës për mbrojtjen e politikës aktuale (izraelite)[36].
Dhuna ndaj hebrenjve shkaktuar nga jomuslimanët
“Të gjithë jo krishterët, hebrenjë dhe muslimanë, meshkuj dhe femra, të cilët jetojnë ose janë në kalim nëpër mbretërinë dhe vendin tonë, do duhet t’a lëshojnë vendin deri në fund të muajit qershor, edhe atë së bashku me bijtë dhe bijat e tyre, si dhe me farefisin e tyre. Atyre nuk iu lejohet kthimi sepse iu kanoset vdekja”. Izabela e Kastiljes, Grenadë, 31 mars, 1492
Aty kah viti 1270 para erës sonë, Musau alejhisselam i nxori Beni Israilët (Bijtë e Israilit) nga robëria shumëshekullore faraonike - nga Egjipti. Në shekullin e IX p.e.s. rajoni hebre u copëtua në dy pjesë; Israel dhe Judejë. Në vitin 721 para erës sonë Asirianët e pushtojnë Israelin, ndërsa Judeja të njëjtin fat e përjetoi në vitin 604 p.e.s.
Hera e parë kur hebrenjtë u dëbuan nga Toka e Shenjtë ishte viti 587 para erës së re, në kohën kur ushtria babilonase e udhëhequr nga Nabukodonosori, e rrethoi Jerusalemin, e dogji qytetin, i mbyti të gjithë banorët e tij dhe e rrënoi tempullin (mesxhidin) e Sulejmanit a.s., ndërsa elita udhëheqëse u robërua dhe u dërgua në robërim në Babiloni. Profeti biblik Jeremia, e kishte paralajmëruar popullin dhe ua kishte tërhequr vërejtjen se një gjë e këtillë do të ndodh (Jeremia, 32:36), ashtu siç edhe Allahu në Kur’anin Fisnik thotë se Ai asnjëherë nuk e shkatërron një popull, e që më parë të mos i ketë dërguar Lajmëtar (profet). (shih: Kur’an, el-Isra, 15-16). Autorët të cilët i kishin shkruar psalmet nuk e njohën dënimin e Zotit në shkatërrimin e Jerusalemit dhe të Tempullit, andaj u përgjon përmes pikëllimit:
“O Perëndi, të huajt kanë depërtuar në Tokën Tënde; kanë çnderuar Tempullin Tënd të shenjtë dhe Jerusalemin e kanë shndërruar në gërmadhë”. (Psalmet, 79:1).
Kështu pra, në vitin 540 para erës sonë hebrenjtë kthehen nga robëria dhe përsëri e rindërtojnë tempullin. Mbreti romak Tertulijani në vitin 142 të erës së re i zhvendosi të gjithë hebrenjtë nëpër botë. Mirëpo, shteti hebre formohet përsëri dhe qëndron deri në vitin 70 të erës sonë, atëherë kur perandori romak Tit përfundimisht e pushton dhe e rrënon Jerusalemin. Prej vitit 70 të erës së re e deri në vitin 1948, hebrenjtë ishin endacakë botërorë.
Vuajtjet dhe persekutimet të cilat hebrenjtë i përjetuan nga qarqet e ndryshme religjiozo-politike evropiane, madje edhe nga vet Kisha Katolike, as që mund të numërohen. Ne këtu do të ndalemi vetëm në disa prej tyre. Në të vërtetë, shikuar nga aspekti faktik në teren, Evropa ishte arena ku manifestohej dhuna klasike ndaj kulturës dhe bashkësive hebreje. Në Koncilin e Lateranit të mbajtur në vitin 1215 u soll një dokument sipas së cilit hebrenjtë (me qëllim që të njihen) detyrohen që të mbajnë nga një shenjë me ngjyrë të verdhë, ndërsa në vitin 1267 papa Klementi IV përmes ediktit të quajtur Turbato corde, urdhëron Gjyqin e Inkuizicionit spanjoll që t’i dëbojë të gjithë hebrenjtë nga Spanja.
Me urdhrin e papës Gërgurit IX, në vitin 1236 Kisha e filloi një fushatë të ashpër kundër hebrenjve dhe si pasojë e këtyre zhvillimeve (në vitet 1239-1242) në Paris janë djegur 24 qerre me disa mijëra libra hebreje. Kjo fushatë vazhdoi edhe në Itali, Spanjë, Angli, ku u dogjën mijëra libra që i përkisnin teologjisë hebreje[37]. Gjatë mesjetës Talmudi disa herë është ndaluar që të mos lexohet, dhe shpeshherë ishte cak i djegieve nga të krishterët. Në mesjetë u shpallën një varg ndalesash duke mos lejuar përkthimin e Librit të Shenjtë në gjuhën e popullit. Ndalesat e atilla ishin më evidente në Francën e shekullit XII e këndej. Në vitin 1299 Edikti i Tuluzit (Francë) ua ndaloi laikëve që t’i posedojnë dhe t’i lexojnë tekstet e shenjta biblike të Besëlidhjes së Vjetër dhe të Re...[38].
Po ashtu edhe në shekullin XVI pati fushatë të ashpër antihebreje. Me urdhrin e papës Juliusit III, në vitin 1553 në shumë qytete të Italisë, si në Romë, Venedik, etj., u dogjën disa mijëra libra hebreje, madje edhe kopje të shumta të Talmudit. Kjo ndodhi më 21 dhjetor të vitit 1533, atëherë kur sheshi Shën Marku u mbulua nga hiri i librave të djegura hebreje[39]. Të gjitha këto akte flasin për një antisemitizëm të qartë evro-krishter.
Edhe pse tanimë dihet se si ishte qëndrimi i Kishës katolike ndaj hebrejëve të Evropës si në mesjetë, ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore (ku qartë vërehet antisemitizmi), prapëseprapë për çudi hebrejtë nuk e kanë alarmuar aq shumë këtë çështje, por përkundrazi, Vatikani bëri një studim në fushën e miqësisë me hebrejtë, gjë të cilën hebrenjtë e pritën me mirëseradhje. Në të vërtetë, në organizim të Vatikanit është mbajtur një simpozium me temë: “Rrënjët e antisemitizmit”, ku janë kërkuar shumë pyetje, ndër cilat edhe këto:
-Si duhet të komentohen fajësimet e hebrenjve që gjenden në Dhjatën e Re?
-Si të komentohet qëndrimi antihebrej shumëshekullorë i katolicizmit?
-Si duhet të jetë përgjigja e katolikëve për antisemitizmin e tyre ndaj hebrenjëve? etj.
Nëse vështrojmë historikun në relacionet hebrejo-muslimane, do të vërejmë se gjatë administrimit musliman në Andaluzi, hebrenjtë si dhe të gjithë jomyslimanët tjerë, jetonin në harmoni me parimet fetare të tyre. Ata jetuan të barabartë me muslimanët, madje shpeshherë gëzonin poste të larta shtetërore edhe pse nuk ishin muslimanë... Mirëpo më pas, u ndryshua gjithçka.
Historia e shënoi edhe apelin e turpshëm evrokrishter të nxitur nga fundamentalizmi kishtar mesjetar inkuizicionit që doli si urdhër nga një mbretëreshë e cila sot në Evropë gëzon famë dhe autoritet. Ajo ishte Izabela e Kastiljes, bashkëshortja e Ferdinandit të Aragonës, e cila nga rezidenca e saj në Grenadë, më 31 mars të vitit 1492 do të urdhërojë:
“Të gjithë jo krishterët, hebrenjë dhe muslimanë, meshkuj dhe femra, të cilët jetojnë ose janë në kalim nëpër mbretërinë dhe vendin tonë, do duhet t’a lëshojnë vendin deri në fund të muajit qershor, edhe atë së bashku me bijtë dhe bijat e tyre, si dhe me farefisin e tyre. Atyre nuk iu lejohet kthimi sepse iu kanoset vdekja”.
Atëherë kur në Evropë persekutoheshin bashkësitë e ndryshme hebreje, administrata osmane ua zgjati dorën e humanitetit dhe iu ofroj strehim të sigurt, pra nën mbrojt¬jen e Islamit. Siguria dhe toleranca që u shpreh në periudhën e Perandorisë Osmane ndaj të krishte¬rë¬ve dhe hebrenjve, nuk ishte aspak më e dobët se ajo që u ishte ofruar më parë atyre në Anda¬lu¬zi[40].
Është e vërtetë e heshtur se hebrenjtë u njohën dhe u pranuan si krijesa dhe njerëz të barabartë vetëm nga muslimanët. Mirëpo, që nga dita kur në territorin palestinez hebrenjtë themeluan shtetin izraelit ata (hebrenjtë) nga Palestina dëbuan disa milionë palestinezë muslimanë. Kryenin masakra të mëdha ndaj muslimanëve në Palestinë. Derdhën gjakun e pafajshëm muslimanë, bënë mjaft padrejtësi, krime dhe plaçkitje.
Hebrenjtë si popull i përvuajtur nëpër shekuj - të cilët duruan robërinë mijëvjeçare faraonike, pastaj robërinë dyshekullore asiriane-babilonike dhe më në fund robërinë dhe persekutimin nëntëmbëdhjetë shekullorë romako-evropian - ishin ata që vazhdimisht proklamoheshin si ideologë botërorë dhe pishtarë të parullave: liri, vëllazëri, barabarësi, drejtësi, liberalizëm dhe kozmopolitizëm. Në disa luftëra izraelo-arabe; vitet 1948, 1956 dhe 1964, Izraeli vazhdimisht zgjerohej duke okupuar territoret dhe duke persekutuar arabët, vëllezërit e tyre semit me qëllim të dominimit të gjinisë hebreje në mbarë botën...
Me një fjalë, hebrenjtë ushtruan (dhe ende ushtrojnë) të gjitha mënyrat e terrorit dhe dhunës ndaj muslimanëve të Palestinës, ashtu siç gjatë tre mijë viteve, jomuslimanët në periudha të ndryshme kohore i kryenin ndaj hebrenjëve! Përse hebrenjtë, gjatë tre mijë viteve persekutim, mundim, padrejtësi, dhunë, robëri, gjenocid dhe holokaust, nuk mësuan asgjë?
Vallë, a mos është përgjigjja në Kur’anin Fisnik: “Jehuditë dhe të krishterët thanë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. (el-Maide, 18).
Zoti i dëboi hebrenjtë nga Toka e Shenjtë për shkak se e thyen urdhrin e trashëgimisë
Okupimi i Tokës së Shenjtë në vitin 70 të erës së re nga ushtria romake nën udhëheqjen e gjeneralit Titus, konsiderohet si dënim i dytë i hebrenjve nga Zoti. Titusi e rrënoi Jerusalemin, i mbyti banorët e atyhit dhe të tjerët i dëboi nga Toka e Shenjtë. Mesxhdi përsëri u rrënua, ndërsa ushtarët rrafshuan çdo gjë për tokë, gurë në gurë, duke kërkuar pasuri të fshehur, pikërisht ashtu siç kishte paralajmëruar Isau a.s. “se asnjë gurë nuk do të mbetet, të gjithë do të hidhen”.
Kur’ani rrëfen për ndodhinë kur izraelitët ende ishin në Sinaj, para se t’iu lejohej të hyjnë në Tokën e Shenjtë:
“Ne i ndamë ata (popullin e Musait) në dymbëdhjetë grupe fisesh, e kur Musait i kërkoi ujë populli i vet, Ne e udhëzuam (duke i thënë): "Bjeri me shkopin tënd gurit" (ai i ra) dhe prej tij (gurit) gufuan dymbëdhjetë kroje, ashtu që secili grup e dinte krojin e vet. Ne bëmë që retë t'u bëjnë hije atyre dhe u sollëm rrëshirë dhe shkurtëza (dhe u thamë): "Hani nga të mirat me të cilat ju dhuruam!" (e pse ishit përbuzës). Ata nuk na dëmtuan Ne, por e dëmtuan vetveten e tyre (ngase u dënuan)”. (el-A’raf, 160).
Pastaj, Kur’ani - në mënyrë të thjeshtë dhe të fshehur - flet për Jerusalemin (duke mos e përmendur me emër) si “qytet”:
“(Përkujto edhe këtë) Kur atyre iu tha: "Banoni në këtë fshat (vendbanim) dhe hani nga (frutat e tij) kah të doni e thuani: "Falje" dhe në derë hyni të përulur, se Ne do t'ua falim mëkatet tuaja dhe do t'ua shtojmë edhe më punëmirëve”! (el-A’raf, 161).
Po ashtu Allahu në Kur’anin Fisnik tregon:
“Ne u kumtuam në libër beni israilëve: “Ju do të bëni shkatërrime dy herë në tokë dhe do të tejkaloni duke bërë zullum të madh”. Kur erdhi koha e premtimit të parë, Ne dërguam kundër jush njerëz Tanë, që ishin të fuqishëm e të ashpër (sulmues) dhe ata hulumtuan (rreth e përqark) përreth vendit (duke mos u frikësuar). E ai (ndëshkim) ishte vendim i prerë. Pastaj, Ne ua kthyem juve mbisundimin kundër atyre, ju përforcuam me pasuri e me djem dhe ju shtuam më së shumti. Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër vetes. E kur vjen koha e fundit (herën e dytë Ne i dërgojmë) që t'ju shëmtojnë fytyrat tuaja, që të hyjnë në xhaminë (Aksa) sikurse hynë herën e parë dhe që të shkatërrojnë rrënjësisht atë që arrijnë”. (el-Isra, 4-7).
“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamës (i punëve të Muhammedit)”. (el-Isra, 1).
Kur’ani (me nocionin el-Mesxhid) flet për Tempullin i cili ishte rrënuar dy herë. Mirëpo, në ajetet paraprake përshkruhet udhëtimi i Muhammedit s.a.v.s. në sferat qiellore (Isra’ dhe Miraxh), udhëtim që u realizua prej Mesxhidil Haramit (nga Mekka) e deri në Mesxhidul Aksa (në Jerusalem). Mesxhidi të cilin Allahu e përmend në Kur’anin Fisnik, e cili është rrënuar dy herë, mund të jetë vetëm mesxhidi të cilin e kishte ngritur Sulejmani a.s. në Jerusalem. Këtë e vërtetoi vet i Dërguari s.a.v.s. Ai është i njëjti tempull i cili përmendet si Mesxhidul Aksa, vendi ku i Dërguari s.a.v.s. udhëtoi, e prej aty u ngrit në qiej. Kur’ani tregon se i Dërguari s.a.v.s. u dërgua në atë vend me qëllim për t’ia treguar atij disa nga “Argumentet - Shenjta” të Allahut. Para se gjithash, “Shenja” të cilat kanë të bëjnë me fatin e Jerusalemit. Pasi që i kishte dënuar hebrenjtë për së dytën herë, duke i dëbuar nga Toka e Shenjtë, Allahu i Lartëmadhëruar Shpalli qëllimin e Tij për të vazhduar me dënimin ndaj tyre (me dëbim), po qe se edhe më tej vazhdojnë ta përdhosin Tokën e Shenjtë duke i shkelur kushtet e fesë dhe duke manifestuar sjellje jokorre