Para se t’i qasemi sintaksës së fjalisë më gjerësisht, kalimthi do të përmendim disa fakte të cilat drejtpërdrejt apo tërthorazi, në planin redaktues shkencor e gjuhësor, lidhen ngushtë me gjuhën standard shqipe.
Në këtë segment, format gramatikore të fjalëve jo gjithnjë qëndrojnë të palëvizshme. Në fakt leksiku i një gjuhë është shumëpak statik. Siç do të vëmë në dukje më poshtë, identiteti i gjuhës letrare si formë kulminante dhe më e zhvilluar e një gjuhë varet, në njërën apo tjetrën mënyrë, nga përçuesi i saj, i cili në rastin tonë identifikohet me folësin. Ky folës zakonisht e ekspozon atë përpara faktorëve me rëndësi, të cilët dendur ndikojnë në formimin e formave “sinonimike”, të cilat, po u vështruan në aspektin diakronik, tashmë nuk luajnë rolin e një forme gramatikore-leksikore sinonimike, por paraqiten si rivale, ne kuptimin e mirëfilltë të zëvendëses së njëra-tjetrës në kohë të ndryshme. Thënë ndryshe, secila nga format përkatëse, varësisht aftësisë për të qenë e qëndrueshme, synon ta përcaktojë formën gramatikore të fjalës përkatëse në pajtim me rregullat drejtshkrimore të standardes në planin sinkronik.
Renditja e fjalëve në fjali dhe e fjalive në periudhë apo në njësi më të mëdha sintaksore, siç janë paragrafet, para se gjithash është çështje sintaksore. Kjo do të thotë që “infrastuktura” formale gramatikore, pra mjetet të cilat e shprehin kuptimin apo mesazhin e autorit drejtuar lexuesit, duhet të jenë të tilla që të mos krijojnë problem semantike (kuptimore). Në anën tjetër, ngatërrimi dhe ndërrimi i vendeve të njësive më të vogla sintaksore (fjalët) shpeshherë mund të shkaktojë keqkuptime në të kuptuarit e drejtë dhe të qartë të porosisë së autorit, e cila në këtë apo atë mënyrë përçohet te lexuesi përmes tyre (fjalëve). Me rëndësi është të përmendim, në një rast të dytë, që paqartësitë kuptimore a semantike jo gjithnjë vijnë falë sintaksës së çrregulluar. Ato, së këndejmi, mund të pasojnë edhe pas mungesës apo pas keqvënies së shenjave të piëksimit, të cilat në të shumtën e rasteve mund ta ndërrojnë kuptimin e fjalisë.
Zoti, i cili fal, nuk dënon.
*Zoti i cili fal, nuk dënon.
Dy fjalitë e mësipërme, me përjashtim të një presjeje, nuk kanë ndryshime. Por, sa me rëndësi është ajo? Në të vërtetë, ndryshimet mes tyre janë më shumë se thjesht formale e tekstuale; ato janë kuptimore. Fjalia e parë, korrekte për nga aspekti drejtshkrimor, e vendon theksin te folja fal, ndërkohë që fjalia e dytë, vetëm për shkak të mungesës së presjes, theksin e transferon te emri Zot. Si rezultat i mosrespektimit të normës drejtshkrimore, sintagma e parë merr kuptimin Zoti fal, ndërsa e dyta është e prirur ta nxjerrë në shesh shumësin e emrit përkatës (emri Zot).
Megjithatë, çfarë e bën të rëndësishëm drejtshkrimin kur atë e shohim nga këndvështrimi i gjuhës standarde? Pikërisht këtu qëndron thelbi. Gjuha letrare a standarde e shkruar identifikohet me drejtshkrimin dhe, në rastin më të mirë, ata përfaqësojnë njëri-tjetrin. Është, siç shihet, mjaft e qartë: pa një drejtshkrim të një niveli të lartë dhe pa respektim rregullash drejtshkrimore, gjuha letrare, e shkruar, mbetet hiç më shumë se një plan i parealizuar (Megjithëse drejtshkrimi në këtë rast u referohet formave morfologjike të fjalëve dhe lidhjes sintaksore të tyre.).
Emaili i kontaktuesit: fitim_16@hotmail.com