
Me rastin e trazirave, të gjitha institucionet e Kosovës u distancuan nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e trazirave. Në shenjë të ndjenjës së përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara institucionet e Kosovës, ndanë shumën prej, 5.7 milion euro për meremetimin e objekteve fetare serbe të dëmtuara. Kështu që sot sipas statistikave më të reja vetëm dy objekte kanë mbetur pa u rinovuar. Gjatë muajve të kaluar u bë rihapja e kishave serbe të renovuara në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë etj, por pa asnjë fjalë miradije për institucionet e Kosovës që siguruan mjete dhe mund për renovimin e tyre.
Në të kundërtën, priftërinjtë serbë mobilizuan tërë popullatën serbe, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi për ta përkujtuar atë që ata e quajnë “tmerri i marsit të vitit 2004”.
Kështu, i pari i Kishës Ortodokse Serbe, patriku, Irinej me rastin e hapjes së ekspozitës së relikteve dhe freskave nga Kosova me titull: “Të mos harrohet” (Politika, 18.03.2010), deklaroi se Kosova është “toka e shenjtë serbe, ku është lindur dhe krijuar historia dhe kultura jonë. Atje janë shenjtritë më të më mëdha serbe, dhe aty janë lindur të shenjtërit tanë më të mëdhenj”.
“Këtë e dimë ne, por duhet ta dijë edhe bota se Serbia pa Kosovën nuk është Serbi, ashtu siç nuk është trupi pa kokë qenie njerëzore,” deklaroi patriku serb, para besimtarëve në tempullin e Shën Savës në Beograd.
Ai pohoi se i vjenë mirë që kjo ekspozitë tashmë është bërë tradicionale dhe ajo duhet të jetë një mesazh i fuqishëm për Kosovën.
“Nëse ne atë e bartim në zemër, shpirt dhe në mendjet tona, asnjë herë nuk do ta humbim” pohoi patriku Irinej.
Në hapjen ekspozitës kishin marrë pjesë ministri për Kosovë, Goran Bogdanoviqi dhe si dhe sekretari i shtetit i kësaj ministrie Oliver Ivanoviqi.
Organizator ekspozitës ishte Shkolla e Lartë e Akademisë së Kishës Ortodokse Serbe në Beograd, kurse do të jetë e hapur për shtatë ditë.
Ekspozita “Të mos harrohet” organizohet qe pesë vite, kurse kjo ishte hera e dytë që po organizohej në tempullin e Shën Savës në Beograd. Kjo ekspozitë ishte hapur edhe në Bjelinë, kurse dje ishte hapur në Kralevë, Sarajevë dhe Han Pesak.
Shtrohet pyetja ku jemi ne, ku janë dhembjet tona, njerëzit tanë të vrarë e të masakruar, xhenazet e mbi 1500 viktimave të pagjetura. Mbi 220 xhami të rrënuara e të djegura nga forcat e rregullta serbe. Mbi 120.000 shtëpi të djegura e të granatuara. A nuk duhet ne të kërkojmë llogari nga qeveria serbe për të gjitha këto të këqija që na ka shkaktuar. Ne, po të kishim vizion dhe strategji të duhur qeverinë e Beogradit pa e marrë se kush është në pushtet duhet ta mbajmë në shënjestër si shtet kriminel dhe gjenocidial dhe kontaktet me të duhet të bëhen vetëm atëherë kur Beogradi të kërkoj falje për krimet që ka bërë në llogari të popullit të Kosovës dhe thesarit të saj fetar dhe kulturor. Qeveria e Beogradit, në bazë të konventave ndërkombëtare është e obliguar të paguaj dëmshpërblimet morale dhe materiale ndaj popullit të Kosovës, sepse ajo kishte bërë agresion ndaj një vendi të pambrojtur dhe popullatës civile.
Deklaratat e patrikut serb, Irinej, si ato të mëhershme, por edhe këto që cituam më lartë nuk çojnë në ndërtimin e urave në mes shqiptarëve dhe popullit serb. Ato çojnë në thellimin hendekut, mbjellin urrejtje dhe mosbesim në mes popujve tanë. Objektet fetare, qofshin ato xhami, kisha apo sinagoga, duhet të jenë vende ku predikohet respekti dhe dashuria ndaj njerëzve e jo mosdurimi, përjashtimi dhe jotoleranca. Prijësit fetarë do të jenë në nivel të misionit të tyre kur i ndiejnë dhembjet e të tjerëve sikur ato të jenë të tyre.