NDODHIA ME SHOKËT E SHPELLËS - PREJ PERIUDHËS KRISTIANE E DERI TE KUR’ANI

Kur’ani përmban ligje, këshilla, paralajmërime, rrëfime nga e kaluara etj. Aty ekzistojnë edhe rrëfime për ndodhi të ndryshme, siç janë rrëfimet për të Dërguarit e Allahut, rrëfime për popujt e kaluar dhe për përfundimin e disa prej tyre, rrëfimet për njerëz të cilët devijuan nga e vërteta, për njerëz që ishin tiranë etj.
Në këtë tekst do të bëjmë fjalë për njërën nga ato ndodhi të cilën Allahu na e zbulon në kaptinën kuranore el-Kehf (Shpella), gjegjësisht për fatin e disa djelmoshave të rinj të cilët ishin strehuar në një shpellë duke ikur nga dhuna dhe terrori i një perandori pagan romak (shek. III)...


NGA PRIZMI I THËNIEVE PROFETIKE TË MUHAMMEDIT (S.A.V.S.)

Do të ishte me rëndësi që në fillim t’i sjellim disa thënie Profetike të Muhammedit s.a.v.s. që kanë të bëjnë me vlerën dhe domethënien e kaptinës El-Kehf (Shpella).
- Imam Ahmedi shënoi nga El-Ber’a se ai kishte thënë: “Një njeri e lexonte kaptinën El-Kehf derisa në shtëpi e kishte kafshën e tij, e cila në një moment u frikësua dhe shikoi përreth dhe e pa mjegullën ose retë të cilat e kishin mbuluar. Këtë ia kishte përmendur të Dërguarit s.a.v.s. ndërsa ai i kishte thënë: “Lexo, ajo është qetësi e cila zbret me rastin e leximit të Kur’anit ose që zbret për shkak të leximit të Kur’anit”. (Buhari, Muslim, ndërsa njeriu i cili e kishte lexuar këtë kaptinë quhej Usejjid in el-Hudajr).
- Imam Ahmedi shënoi nga Ebu ed-Derda r.a., e ai nga i Dërguari (s.a.v.s.) i cili kishte thënë: “Kush i mëson dhjetë ajetet e para të kaptinës El-Kehf, do të jetë i mbrojtur nga Dexhalli”. (Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Tirmidhi).
- Imam et-Tirmidhiu këtë hadtih e shënoi në këtë version: “Kush i mëson tre ajetet e para të kaptinës El-Kehf...”, dhe ka thënë se hadithi është hasen-sahih.
- Po ashtu imam Ahmedi shënoi nga Ebu Derda r.a. e ai nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) se ai kishte thënë: “Kush i mëson dhjetë ajetet e para të kaptinës El-Kehf, do të jetë i mbrojtur nga sprovat e Dexhallit”. (Po ashtu transmeton Muslimi dhe Nesaiu nga Katadeja).
- Në Mustedrekun e tij Hakimi shënon nga Ebu Seid el-Hudriu r.a. se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Kush e lexon ditën e Xhuma kaptinën El-Kehf, do t’i jepet drita ndërmjet dy të premteve (dy Xhumave)”. E më pas thotë: “Ky hadith është me zinxhir autentik të transmetuesve, por imam Buhariu dhe imam Muslimi nuk e kanë shënuar në përmbledhjet e tyre të haditheve”. (Tefsir, Ibn Kethir).


SHOKËT E SHPELLËS – NJË ÇUDI HYJNORE

Sipas të dhënave, Shokët e Shpellës të cilët përmenden si në burimet islame, ashtu dhe në gojëdhënat kristiane, ranë pre e tiranisë mizore të perandorit romak Deciusit (249-251). Duke u ballafaquar me shtypjen dhe padrejtësinë e perandorit në fjalë, këta të rinj e paralajmëruan popullin e tyre disa herë që të mos e braktisnin fenë e Allahut, atë besim të cilin e kishte predikuar edhe Isai a.s.
Në lidhje me zonën se ku jetuan Shokët e Shpellës, ekzistojnë mendime të ndryshme, por më të pranueshmet janë ato mendime që thonë se ata jetuan në Efes ose në Tarsus (Turqinë e sotme). Pothuajse të gjitha burimet e krishtera e identifikojnë Efesin si vendin e shpellës ku u strehuan këta të rinj. Disa studiues myslimanë dhe komentues të Kur’anit pajtohen me burimet e krishtera në lidhje me Efesin. Disa të tjerë shpjegojnë me detaje pse Efesi nuk ishte vendi i shpellës dhe më pas përpiqen të vërtetojnë se ngjarja ndodhi në Tarsus (Turqinë e sotme).
Për sa i përket kohës, studiuesit në përgjithësi, duke përfshirë edhe ata të krishterë, thonë se ngjarja ka ndodhur në kohën e perandorit romak Decius (i quajtur edhe Decianus) rreth viteve 250 e.s. . Deciusi dhe Neroni njihen si perandorët romakë që i kanë torturuar më së shumti pasuesit e Isait (alejhisselam). Gjatë sundimit të tij të shkurtër, Deciusi mori një vendim i cili e detyronte çdo person që të sakrifikonte për perënditë romakë. Njerëzit ishin të detyruar të bënin kurban dhe për këtë merrnin një certifikatë që u tregohej autoriteteve shtetërore që merreshin me zbatimin e vendimit. Në burimet e krishtera shkruhet se shumë njerëz e refuzuan këtë akt idhujtar dhe ikën "nga një qytet në tjetrin" ose u fshehën në vende të fshehta. Shokët e Shpellës ka shumë mundësi të jenë një grup prej këtyre besimtarëve të ikur. Në këtë ngjarje ka diçka që duhet sqaruar. Kjo histori është treguar nga disa historianë dhe komentatorë të cilët kanë shtuar shumë informacione të pasakta e të pakonfirmuara, duke e kthyer atë në përrallë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ngjarja nuk ka ndodhur, pasi këto deformime dhe shtesa të pasakta nuk ia ndryshojnë thelbin e vërtetë dhe të vërtetuar ngjarjes së Shokëve të Shpellës, e cila është një realitet historik.
Ibn Xheriri transmeton nga Ibn Abbasi r.a. se idhujtarët, pasi që ishin konsultuar me disa rabinë hebrenj, shkuan te Muhammedi s.a.v.s. që ta pyesin se çka di ai në të vërtetë për ndodhinë me Shokët e Shpellës, kush ka qenë Dhulkarnejni a.s. dhe çka është shpirti (ose cila është historia e vërtetë e Hidrit) . Këto pyetje iu parashtruan me qëllim që t’a ngushtojnë të Dërguarin e Allahut. Të tre pyetjet kishin të bëjnë me ndodhi të padëgjuara deri më atëherë në Hixhaz dhe u zgjodhën për të parë se, vallë, a kishte dituri Muhammedi s.a.v.s. rreth ndodhive që ishin sekrete (për popullin e atëhershëm) apo jo .
Pasi që i dëgjoi i Dërguari i Allahut këto pyetje, iu tha hebrenjve se në lidhje me pyetjet e parashtruara do t’iu përgjigjet ditën e ardhshme. Me rëndësi është të theksohet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) në këtë rast nuk tha “Nëse dëshiron Allahu”. Ditën e nesërme pyetësit hebrenj erdhën përsëri tek i Dërguari i Allahut dhe pritnin përgjigje për pyetjen e parashtruar një ditë më parë. Mirëpo, Lajmi Hyjnor - të cilin i Dërguari i Allahut kishte shpresuar se do t’i vinte nga Allahu - nuk i erdhi! Kështu që i Dërguari i Allahut u detyrua që hebrenjve t’iu thotë ejani nesër. Kjo situatë zgjati pesëmbëdhjetë ditë, e të Dërguarit të Allahut të mos i vijë Vahj /Shpallje/ nga Zoti i botëve për çështjen në fjalë. Idhujtarët mekas filluan të tallen me të Dërguarin e Allahut, pasi që ky nuk kishte se çfarë t’iu përgjigjej provokuesve hebrenj. I Dërguari i Allahut - Muhammedi s.a.v.s. mërzitej. Ai gjendej në një pozitë të brengosur. Mirëpo, vullneti dhe caktimi i Krijuesit të botëve kishte qenë kështu. Nga kjo gjendje dëshpërimi, gjegjësisht pas pesëmbëdhjetë ditëve, Allahu Fuqiplotë përmes melekut Xhibril (a.s.) të Dërguarit të Tij ia Shpalli disa ajete të kaptinës El-Kehf (Shpella) .
Pritja e gjatë të cilën i Dërguari i Allahut u detyrua që ta durojë u shpjegua përmes Fjalëve Hyjnore:

“A ke menduar ti (o Muhammed) se shokët e shpellës dhe Rekimit ishin nga mrekullitë Tona më të çuditshme? Kur djelmoshat u strehuan në shpellë e thanë: "O Zoti ynë, na dhuro nga ana Jote mëshirë dhe na përgatit udhëzim të drejtë në tërë çështjen tonë!"...”. (El-Kehf, 9-27).

Në të vërtetë ky ishte një korrigjim nga Allahu i Gjithëdijshëm dhe ia bën me dije të Dërguarit të Tij, po edhe gjeneratave të tjera se Vahji/Shpallja nuk varet nga ajo se a dëshiron i Dërguari i Tij t’i Shpallet ose jo, dhe se Xhibrili i vjen vetëm me urdhër të Allahut. Nga kjo kuptohet se në rrëfimet kur’anore si dhe Kur’ani në tërësi nuk përmban ndonjë karakteristikë ose element, a ide njerëzore. Në lidhje me këtë do të sjellim edhe vlerësimin e intelektualit Martin Lings (Abu Bakr Siraxhud-Din) i cili në librin e tij "Muhamedi a.s. - Jeta e tij bazuar mbi burimet më të hershme", ku shprehet duke thënë:
"Vonesa e përgjigjes Hyjnore, ndonëse e dhimbshme për të Dërguarin e Allahut dhe pasuesit e tij, ishte më të vërtetë një forcë më e madhe për të. Armiqtë e mohuan domethënien e kësaj vonese, por për ata kurejshë që ishin akoma të pavendosur ky fakt ishte një pohim i qartë i asaj se Fjala e Shenjtë i vinte Muhammedit nga Qielli dhe ai as nuk kishte gisht e as nuk mund ta kontrollonte atë. Është e kuptueshme se po qe se Muhammedi do t’i kishte trilluar të gjitha ato çfarë kishte thënë më parë, nuk do të ishte vonuar kaq gjatë për këtë trillim të ri, veçanërisht në një çast të tillë ku rreziku qe mjaft i madh" .
Për atë se me të vërtetë i Dërguari i Allahut nuk kishte njohje rreth asaj që do t’i shpallej, që do të thotë se mohohet çdo autorësi njerëzore, tregon edhe fakti se në më tepër se në pesëdhjetë vende në Kur’an Allahu përdor shprehjen “të pyesin ty...”, si dhe 332 herë shfaqet nocioni “Kul” (Thuaj) .
E qartë është se Allahu është Ai i Cili ofron shpjegime dhe përgjigje ndaj pyetjeve të ndryshme, si për shpirtin, për të lejuarën (hallallin), për të ndaluarën (haramin), ashtu edhe për ndodhitë deri atëherë të panjohura, siç është ndodhia për Dhulkarnejnin a.s., Hidrin, Shokët e Shpellës etj., gjë që një njeri e ka krejt të pamundur t’iu japë përgjigje të sakta. Ndërkaq, ndodhte edhe që në rastin e pyetjeve të tilla, Muhammedi s.a.v.s. të heshte, sepse e priste ajetin që do t’i zbriste si përgjigje. Ndodhte që kalonin ditë të tëra e atij nuk i vinte Vahj/Shpallje nga Allahu i Lartmadhëruar, saqë disa nga jobesimtarët edhe talleshin me të, siç është rasti me Ummi Xhemilen, bashkëshorten e Ebu Xhehlit e cila një ditë të Dërguarit të Allahut i tha:

"O Muhammed, nuk e shoh më shejtanin tënd. Si duket ai të ka lënë vetë” !?
Mirëpo, më pas Allahu i Lartmadhëruar shpalli: "Zoti yt nuk të ka lënë, as nuk të ka përbuzur". (ed-Duha, 3).

Sikur Muhammedi s.a.v.s. të ishte autor i Kur’anit, siç pretendon dikush, atëherë parashtrohet pyetja se cili është ai autor që e kërcënon veten në veprën e vet qoftë edhe në emër të dikujt tjetër ose me gojën e dikujt tjetër? Për më tepër, ndërsa pretendon se flet në emër të Allahut, a mund të bëjë ndonjë deklaratë që do t'i sillte dëm pretendimit të vet? Gjithashtu, a fut në librin e vet shprehje akuzuese ndaj vetes?
Allahu në Kur'anin Fisnik thotë:

"Sikur të trillonte ai (Muhammedi) për Ne ndonjë fjalë! Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë. E pastaj do t'ia këputnim atij arterien e zemrës". (Hakka 44-46).

“Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruaje atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit”. (Ankebut 48).

“Se me të vërtetë ai është Kur’an i famshëm. Është i zbritur prej Zotit të botëve”. (Vakia, 80).

“E edhe ai (kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve. Atë e solli shpirti besnik (Xhibrili)”. (Shuara 192-193).

“Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky sado që do ta ndihmonin njëri - tjetrin”. (Isra 88).

“E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë sillni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat) pos All-llahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit)”. (Bekare 23).

“Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Sillne pra ju një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”. (Junus 38).

Të kthehemi në ndodhinë që ka të bëjë me Shokët e Shpellës.
Pas të gjitha atyre sfidave dhe akuzave që erdhën nga idhujtarët mekas, më pas - përmes Shpalljes - Muhammedi s.a.v.s. u qetësua. Allahu i Lartmadhëruar assesi nuk e lë të Dërguarin e Tij në mëshirë të të tjerëve, por Ai e di planin e Tij, që do të thotë se misionin Profetik të cilin ia ka caktuar të Dërguarit të Tij, medoemos t’ia mundësojë për t.a realizuar.
Allahu e dërgon Xhibrilin që t’i publikojë të gjitha ndodhitë që kanë të bëjnë me pyetjet e parashtruara nga hebrenjtë dhe idhujtarët mekas, madje ndërmjet atyre ajeteve publikohet edhe këshilla drejtuar pikërisht të Dërguarit s.a.v.s. ku thuhet: “Dhe mos thuaj kurrsesi për ndonjë çështje: "Unë do ta bëj këtë nesër!". Vetëm (nëse i shton): "Në dashtë All-llahu!"...”. Në kaptinën El-Kehf (Shpella) Allahu rrëfen edhe për disa ndodhi të tjera, por ne do të ndalemi vetëm në çështjen që ka të bëjë me ndodhinë e Shokëve të Shpellës.
Pra, përmes Shpalljes/Vahjit gjithçka u bë e qartë. Ajo që dëshirojmë të vëmë në pah këtu është kohëzgjatja ose qëndrimi i atyre djelmoshave në shpellë. Madje ne nuk dëshirojmë t’i komentojmë këto çështje, por vetëm do t’i përmendim disa nga ato thënie dhe konkludime të dijetarëve rreth ajetit:


“Ata qëndruan në shpellën e tyre treqind e nëntë vjet”. (El-Kehf, 25).

Kur’ani nuk thotë se ata, thjeshtë në shpellë qëndruan “treqind e nëntë vjet” (309), por aty përdoret një shprehje pak ndryshe. Pra aty thuhet “...treqind vite dhe nëntë të tjera” . Përse dhe nëntë të tjera!?
Këtu do të duhet ta përdorim matematikën, respektivisht llogaritjet e ditëve dhe viteve solare (diellore) dhe ato lunare (hënore), pikërisht ashtu siç autori Hamza Mustafa Nijazi e paraqet në librin e tij... .
Po qe se llogaritjen e bëjmë sipas kalendarit solar (diellor), do të shohim se qëndrimi i djelmoshave në shpellë ishte 300 vite, ndërsa po ta bëjmë llogaritjen sipas kalendarit lunar (hënor), do të shohim se ata në shpellë kanë fjetur plot 309 vite hënore. Kjo ndodh kështu, sepse viti solar (diellor) gjithsej i përmban 365 ditë, ndërsa ai lunar (hënor) 355 ose 354 ditë, që do të thotë se viti lunar (hënor) është për 10 ose 11 ditëenetë më i shkurtër se viti solar (diellor). Viti lunar nuk lidhet me ndërrimin e stinëve të vitit, sepse ai bazohet në ndërrimin e fazave të Hënës dhe jo në vitin tropik .
Po qe se bëjmë një ndërlidhje të këtillë, atëherë do të mund të llogaritnim se 11 ditë (që është diferenca ndërmjet viteve solar dhe lunar) do t’i shumëzojmë me 300 (vite) e këto i pjesëtojmë me 365 (ditë të vitit solar /diellor) dhe do të shohim se rezultati do të dalë 9. Këtu do të paraqesim një llogaritje mjaft interesante që ka të bëjë me numrin e viteve, gjë të cilën e kemi huazuar nga libri “Burimet e Kur’anit” të autorit Hamza Mustafa Nijazi.
Pra: 11 x 300 = 3300 : 365 = 9.041... (këto 9-të janë vite) .
Ky është një nga shembujt e shumtë të cilat na i ofron Kur’ani Fisnik përmes të cilëve mund të bindemi se Kur’ani më të vërtetë është Fjalë e Allahut, e assesi produkt njerëzor apo produkt i mendjes së Muhammedit s.a.v.s. ose i halucinacioneve, siç pohon dikush...

Pra, vërtetë “Ky është libri që nuk ka dyshim në te...”. (el-Bekare, 2).


Literatura:

- Kur’ani, përkthim me komentim (Sherif Ahmeti), Prishtinë, 1987.
- Dr. Jusuf Ramiq, ‘Shkaqet e shpalljes së Kur’ani Kerimit, Ilmije, Shkup, 1990.
- Hamza Mustafa Nijazi, ‘Burimet e Kur’anit’, Mitrovicë, 1996.
- Harun Jahja, ‘Popujt e zhdukur’, DIELLI I.C., 2002.
- Dr. Ibrahim Gashi, ‘Kalendari dhe kronologjia’, Ilar, Tiranë, 2000.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme