Çfarë po ndodhë me Shtëpinë e Kosovës dhe në “Shpinë e Kosovës”!?

Publikimi i papërshtatshëm, organizimi i pahijshëm, abuzimi përmbajtësor, etj., që paraqiten në ekran, janë të pahijshme dhe të huaja për traditën e shtëpisë kosovare. Gjithashtu, organizatorët e emisionit janë jashtë kontekstit të vlerave dhe të traditës dhe zakoneve të Shtëpisë së vërtetë të Kosovës.
Sjelljet dhe veprimet e “banorëve të shpijës” në tërësi janë të kundërta me mësimet morale e etike dhe të huaja për traditën e shtëpisë kosovare. Ndryshe, Shtëpia e Kosovës, gjatë historiografisë, ishte dhe mbetet vendi i paqes, bujarisë, humanitetit, rehatisë, ngrohtësisë, nderit e moralit, ajo shërben për momentet e familjes. Andaj, vetëm në këto vlera duhet kërkuar kuptimin dhe madhështinë e saj.
Është shqetësuese, se “Shpija e Kosovës” prezantohet me sjellje irracionale dhe në forma të ndryshme zhvlerësuese dhe qytetarëve u sjell zhgënjim, të cilët një gjë të tillë nuk mund të shikojnë vetëm heshtur.
“Big Brother” vjen nga romani i George Orwellit, 1984, ku “big brother” paraqet pushtetin absolut (totalitar), ai i cili kontrollon çdo pore të jetës private dhe të asaj publike. Në gjuhën angleze “vëllai i madh” thuhet big brother, term që nënkupton sundimin e tij, vëllait të madh, ose ndryshe, kjo është “big brotherizëm.” Ky është një proces i pashmangshëm, ai është i rrezikshëm, si një sëmurje e zemrës, si murtaja dhe opsesion i mendjes, ku ka arritur (“big brotherizmi”) është vendos si gjendje presioni dhe të kontaktit hutues ... Por, ne kemi zgjidhje dhe përgjigje për çdo situatë të re dhe për çdo problem. Shkurt, nëse e njohim atë hegjemoni.
Në show programe tendencioze dhe të rrezikshme, kur një numër njerëzish mbyllet në “shpijë” për një kohë të gjatë dhe xhirohen në të gjitha situatat dhe detajet, dhe për çdo ditë thirren në “dhomën” e “vëllait të madh,” ku marrin urdhra dhe ku shpjegojnë disa nga veprimet e veta; arsyetohen, qajnë, lusin, etj. E, pikërisht kështu qëndron imazhi dhe vendi i “vëllait të madh” në makro plan, ku ai, ata nga lozha e tyre kontrollojnë dhe menaxhojnë proceset botërore. Për të gjithë “aktorët” dhe pjesëmarrësit e këtij “spektakli,” në fund do takojë gënjeshtra e aktrimit, por nuk do t’i takojë duartrokitja dhe respekti.
Andaj, nga lartëtheksuarat, unë ashpër gjykoj shpërdorimin e atributit KOSOVËS, dhe kërkoj të mos përdhosen rëndësia dhe roli i Shtëpisë së Kosovës. Ligjërisht të pamundësohet përdorimi i termit KOSOVËS nga ana e organizatorit dhe të kërkohen mundësitë juridike për mbrojtjen e termit të KOSOVËS në kontestin “Shpija e Kosovës.” Por, është shqetësuese, se as Ligji në Kosovë nuk aplikohet denjësisht.
________________
P.S. Ky shkrim (opinion) është shkruar kohë më parë, në kohën e editimit në tv. Gjithashtu, shkrimi është postuar edhe ne disa gazeta të përditshme të Kosovës, por gjerë më tani nuk e ka botuar asnjë gazetë!

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme