Duke ndjekur me vëmendje kursin politik që zhvillon Turqia në Lindjen e Mesme në përgjithësi dhe në rajonin e Ballkanit në veçanti, shumëçka vetëvetiu të çon të mendosh Perandorinë Osmane, gjegjësisht t’i qasesh dhe të analizosh rrugëtimin e shtetit të sotëm turk dhe të shtrosh pyetjen: Pasardhësit e Perandorisë së famshme a janë duke ecur gjurmëve të të parëve të vet dhe a thua vallë avash-avash po rilind Perandoria Osmane, nën ombrellën e së cilës për më se 5 shekuj jetuam dhe fryam ne shqiptarët, duke dhënë shumëçka: Nga Shejhul-Islamë, komandantë eminentë, poet e shkrimtar të ndryshëm, Sadri-Azemë, vezira e vali, madje edhe Rektorin e parë të Universitetit të Stambollit, eruditin Hoxhë Hasan Tahsini.
S’do mend, se analiza e politikës aktuale turke, nuk mund të thuhet dhe përmblidhet në një shkrim të vetëm, por megjithatë në vijim do të përpiqemi të bëjmë një analizë të saj, pa pretenduar se i kemi thënë të gjitha, përkundrazi.
Lidhjet shqiptaro-turke datojnë që herët dhe nisur nga kjo, për ne shqiptarët është mjaft me interes diskursi i politikës që ndjek shteti turk:
Pa hyrë në marrëdhëniet shqiptaro-turke që, siç thashë janë të hershme, në vijim do mundohemi të japim një analizë të rrugëtimit aktual që po bën Turqia, aq më tepër duke pasur parasysh edhe faktet se në Turqi jeton një komunitet i madh i shqiptarëve nga të gjitha trojet etnike shqiptare, pastaj rolin e fuqishëm të Turqisë në NATO, njohjen e pavarësisë së Kosovës (Turqia ishte vendi i tretë që njohu Kosovën e pavarur), lidhjet e ndryshme tregtare dhe investimet e shumta si dhe vizitën e paradokohshme që Ministri Punëve të Jashtme Ahmet Davutoglu pati në rajon (përfshi edhe Shqipërinë).
Perandoria Osmane gjithsesi pati shkëlqimin dhe rënien e saj, shkaqet janë nga më të ndryshmet dhe do të duhej goxha kohë që ato të elaboroheshin, por ama është fakt i pakontestueshëm se për një periudhë 500 e kusurë vjeçare Perandoria Osomane ishte superfuqia e kohës…
Qyteti i Vjenës gati u pushtua nga to, legjenda rumune e Kont Drakullës që gjasme thithte gjak, miti serb i Luftës së Fushë Kosovës dhe trumbetimi me të madhe se pikërisht në fushën e mëllenjave aty ku edhe u ndeshën dy ushtritë kundërshatre: ajo osmane myslimane dhe aleanca ballkanike krishtere me në krye serbët – mbrohej Europa nga pushtimi islam, tërë këto lindën si pasojë e frikës nga otomanët, gjegjësisht Islami, (islamofobia) ashtu siç lindën edhe mitet dhe legjendat e popujve tjerë të Ballkanit.
Në filim të tekstit kur shkrova PERANDORIA OSMANE ANTE PORTAS! në fakt po i atribuohesha Turqisë së sotme, e cila, për hir të së vërtetës ka bërë jashtëzakonisht hapa gjigand dhe progres në çdo pikëpamje.
Por, pyetjes që automatikisht lind fill pas kësaj: “A po rikthehet Perandoria Osmane?” (ose: “Kah pos shkon Turqiae sotme?) është vështirë t’i japish një përgjigje decide dhe të prerë…
Ekzistojnë një mori faktorësh që të çojnë të mendosh se Perandoria Osmane vërtet po rikthehet, ashtu siç ekzistojnë edhe një mori faktorë të tjerë që të bëjnë skeptik në lidhje me këtë çështje, pra rikthimin e saj.
Ç’ështe e vërteta shteti turk aktualisht ndodhet përpara sfidave dhe peripecive nga më të ndryshmet:
Rivaliteti për dominim në rajonin e Lindjes së Mesme dhe asaj të Afërme ekziston në mes të shteteve arabe siç janë fjala bie Arabia Saudite dhe Egjipti, pasardhësve të persianëve të famshëm Iranit dhe shtetit hebraik-Izraelit, pra me një fjalë këto katër shtete aspirojnë marrjen e primatit dhe të qenit lider në rajon.
Ndaj, marrë parasysh këtë rivalitet mes këtyre katër shteteve, ku tri janë me popullatë myslimane dhe njëri me çifute, roli i Turqisë sa vjen e vështirësohet: Arabia Saudite falë naftës dëshiron që me çdo kusht të jetë prijëse e rajonit, edhe pse këtu aspak nuk përjashtohet rivaliteti i hershëm saudit ndaj turqëve i cili rivalitet daton qysh nga koha kur në Arabinë Saudite u shfaq lëvizja puritane e Muhamed b. Abdulvahabit (wahabizmi) në alenancë me familjen Al-Saud – që në thelb kishin rrënimin e kalifatit mysliman dhe shkëputjen nga Porta e Lartë-Stambolli. Ky rivalitet akoma ndjehet dhe assesi nuk është zbehur.
Nga ana tjetër kemi Egjiptin, i cili falë pozitës së favorshme gjeostrategjike (daljes në Detin Mesdhe dhe kontrollimin e Kanalit te Suezit, portit strategjik i cili e lidh me Detin e Kuq dhe lumit Nil që është burimi i tërë begative të tij) aspiron me të madhe të marri primatin e vendit lider në rajon, shto kësaj edhe kartën tjetër në të cilën loz Egjipti: lidhjen e kontinentit afrikan me atë aziatik, dhe për hir të së vërtetës edhe marrëdhëniet egjiptaso-turke nuk shquhen kushedi se sa për të mira, mes tyre ekziston një rivalitet që nga koha kur ky i fundit, pra Egjipti qeverisej nga Mehmet Ali Pasha (edhe ky një shqiptar), dhe prirjet e tij gjithashtu secesioniste nga Porta e Lartë. Këtu duhet të potencojmë edhe një diçka tjetër Egjipti i fryn me të madhe edhe panarabizmit, përkatësisht nacionalizmit arab dhe fare e qartë është që aspak nuk i shkon për favori që Turqia të merr primatin e të qenit lider në rajon…
Pasardhësi i persianëve të famshëm Irani, kurrë nuk ka qenë pjesë e Perandorise Osmane dhe për rrjedhojë rivaliteti i dikurshëm as që ka përfunduar së ekzistuari, aq më tepër sot, kur Irani ka bërë goxha progres në sfera të ndryshme (Irani është shteti i parë mysliman që lansoi raketë në orbitë) dhe kur të kihet parasysh kjo si dhe anti-amerikanizmi i ashpër dhe të qenit një nga kundërshtarët më të rreptë të shtetit hebraik – Izraelit si dhe rivaliteti me puritanizmin wahabit saudit, atëherë gjithsesi që aspiratat iraniane janë të qarta: dominimi dhe marrja e primatit me çdo kusht në rajon.
Nga ana tjetër kemi shtetin hebraik Izarelin i cili as edhe për një çast të vetëm që nga krijimi i tij, nuk e ka fshehur hapur aspiratën e vet të dominimit në këtë rajon. Të mos harrojmë se Izraeli me të madhe suportohet nga Washingtoni dhe lobi botëror çifut i cili për hir të së vërtetës ndikon me të madhe në shumë qendra botërore të vendosjes…
Izraeli madje, përkundër të qenit ne Azi, gjithnjë veten e konsideron pjesë integrale të Europës, së këndejni merr pjesë plotësisht i barabartë si shtet europian në çdo eveniment që mbahet në Europë. Ndaj aspirata e tij për të qenë njëshi i rajonit është më se i dukshëm.
Hiç mënjanë tërë këto shtete dhe rivalitete që theksuam më sipër, nga ana tjetër na shfaqet islamofobia europiane (që daton nga rrënia e Andaluzisë e këtej) dhe qëndrimi i ashpër i shteteve të BE-së për pranimin e Turqisë në familjen e madhe europiane, përkundër faktit se shteti turk ngaherë është anëtar i NATO-s dhe mjaft kritere të vëna nga Strazburgu që moti i ka plotësuar.
Në këtë mes hyn edhe shteti helen Greqia dhe rivaliteti i madh që ekziston mes tyre, tërë kjo për ishullin e Qipros i cili është i ndarë dhe pjesa qipriote greke veç më është anëtare e BE-së, kurse Republika Turke e Qipros Veriore është e njohur ndërkombëtarisht vetëm nga Turqia.
Situata sa vjen e komplikohet edhe nga kriteret e BE-së që kur është në pyetje Turqia janë edhe më të vështira: Turqisë i kërkohet pranimi i gjenocidit ndaj armenëve, (këto ditë SHBA po punon me mjaft intensifikim që të shpall një rezolutë mbi gjenocidin armen, gjë kjo e cila mjaft ka shkaktuar pezëm dhe hidhërim në Turqi), më pas zgjidhja e çështjes kurde dhe neutralizimi i rrymave të ndryshme radikale islamike si dhe dobësimi i influencës së saj ndaj ish-Republikave Sovjetike me popullatë myslimane dhe rajonit të Kaukazit, ndikim ky i cili thënë të drejtën nga dita në ditë sa vjen e rritet.
Nuk do të zgjatemi më tepër, por situata e shtetit turk, sot është goxha e komplikuar: Rivalitetet në rajon nga njëra anë dhe mospranimi në familjen europiane (BE) nga ana tjetër, bëjnë që Turqia akoma të jetë në udhëkryq dhe përpara shumë sfidave, ndaj dhe rikthimi i Perandorisë Osmane sot, sa duket i afërt po aq edhe i largët…
Një fjalë thotë: “Kalifati ngritet aty ku edhe ka rënë.” – shenjat duken në horizont por…PERANDORIA OSMANE ANTE PORTAS! – është, siç thamë më sipër, sa afër aq edhe larg…
http://breziiri.com/2010/03/22/roli-i-turqise-ne-rajon-perandoria-osmane-ante-portas-2/